Home | Literature | * * *

* * *

image
Përse e ruajmë ne kujtimin aq të kthjellët, aq të shtrenjtë, aq të mprehtë të ca minutave dashurie me Tokën, kujtimin e një ndijimi të mrekullueshëm dhe të shpejtë, si një përkëdhelje të një peizazhi të hasur në kthesën e një rruge, në hyrje të një lugine, buzë një lumi, ashtu siç do të takonim një vajzë të bukur dhe dashamirëse.

 

 

 

Përkthyer nga Dea J Klosi

 

 

                   

 

 

Të nisesh në këmbë, atëherë, kur dielli ngrihet në horizont dhe të ecësh në vesë, përmes fushave apo buzë detit të qetë, oh, çfarë dehje !

Çfarë dehje ! Ajo hyn tek ju nga sytë me dritën, nga hunda me ajrin e lehtëdhe nga lëkura me frymën e erës.

Përse e ruajmë ne kujtimin aq të kthjellët, aq të shtrenjtë, aq të mprehtë të ca minutave dashurie me Tokën, kujtimin e një ndijimi të mrekullueshëm dhe të shpejtë, si një përkëdhelje të një peizazhi të hasur në kthesën e një rruge, në hyrje të një lugine, buzë një lumi, ashtu siç do të takonim një vajzë të bukur dhe dashamirëse.

Më kujtohet një ditë, ndër shumë  të tjera. Po shkoja përgjatë Oqeanit Breton, drejt Kepit të Finistère. Po ecja pa menduar asgjë, me një hap të shpejtë, përgjatë valëve. Isha në rrethinat e Quimperlè, në pjesën më të butë dhe të bukur të Bretanjës.

Ishte një mëngjes pranvere, një nga ato mëngjeset që ju përtërijnë me njëzet vjet, që ju rimbushin me shpresa dhe ju rijapin ëndrra rinore.

Po ecja nëpër një udhë që mezi shquhej, ndërmjet grureve dhe valëve. Gruret nuk lëviznin aspak, e valët trazoheshin nga pak. Ndihej mirë era e butë e fushave të pjekura dhe era detare e barishteve. Ecja pa menduar asgjë, drejt përpara, duke vazhduar udhëtimin tim të filluar tash që prej pesëmbëdhjetë ditësh, një shëtitje përgjatë brigjeve të Bretanjës. Ndihesha i fortë, i lehtë, i lumtur dhe i hareshëm. Ecja.

Dhe nuk mendoja asgjë ! E për çfarë të mendohet në ato orë gëzimi të pavetëdijshëm, të thellë, mishtor, gëzim kafshe që vrapon në bar, apo që fluturon në ajrin blu nën diell ? Nga larg dëgjoja të këndoheshin këngë të përshpirtshme. Ndoshta një varrim, sepse ishte ditë e Dielë. Por, në kthesën e një kepi të vogël mbeta i shtangur, i mahbitur. Pesë anije të mëdha peshkimi m’u shfaqën plot me njerëz, burra, gra, fëmijë, që shkonin në faljen e Plouneven.

Ata shkonin përgjatë bregut,  ngadalë, të shtyrë paksa nga një puhizë e lehtë dhe e butë që frynte nga pak velat e kafta, e pastaj, duke u shuar përnjëherë, i linte të binin, të flashkëta, përgjatë direkëve.

Anijet e rënda rrëshqisnin ngadalë, të mbushura plot. Dhe të gjithë këndonin. Burrat në këmbë rreth parmakëve, mbanin në kokë nga një kapele të madhe, lëshonin notat e tyre të fuqishme, gratë nxirrnin notat e mprehta dhe zërat e brishtë të fëmijëve, kalonin si tinguj fyelli në këngën e madhe të përshpirtshme dhe të fortë.

Dhe udhëtarët e pesë anijeve këndonin të njëjtën këngë, që ritmi monoton i së cilës ngrihej në qiellin e qetë  dhe pesë anijet shkonin njëra pas tjetrës, pothuajse ngjitur...

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00