Home | VIP | Nënë Tereza

Nënë Tereza

image
Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, kishte shpërblyer punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt...

 

 

 

 

 

Gonxhe Agnes Bojaxhiu lindi më 26 Gusht 1910 në Shkup nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç, ajo kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeçare ajo hyri në Dublin në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.
Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza, u shpall e “lumturuar” më 19 Tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës për “më të varfërit e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi jetën. Gjon Pali II, i cili e adhuronte, kishte shprehur dëshirën për ta shenjtëruar besimtaren, e cila vdiq në shtator 1997 në moshën 87 vjeçare, por arriti deri në etapën e parafundit, Lumturimin. Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, kishte shpërblyer punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë tashmë si shenjtore.Emri i saj ka mbetur i lidhur me qytetin që frymëzoi prirjen e saj dhe ku ajo u shua: Kalkuta, metropoli i madh indian, i mbushur me miliona banorë, me bidonvile, me të sëmurë dhe të varfër. Nënë Tereza, e veshur me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, që ajo e krijoi në vitin 1950, shprehej gjithnjë se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”. Por, shtonte ajo, “nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t’i mungonte detit”.
E lidhur me vlerat më tradicionale të Kishës, besimtarja kishte siguruar një ditë se nëse do të kishte jetuar në periudhën e Galileut, ajo do t’i kishte dhënë të drejtë Kishës kundër tij. Ajo kundërshtonte gjithnjë të gjitha format e abortit.
Në shtëpinë e Loëe Circular Road, një rrugë e vogël në qendër të Kalkutës, ajo bënte jetën e thjeshtë të postulateve të kongregacionit të saj, merrte pjesë në punët shtëpiake të komunitetit. Dhoma e saj e vogël ishte e mbushur me dosje dhe libra fetarë, të vetmit që ajo pranonte të lexonte. Grua e vendosur, e guximshme, pragmatike dhe me njohuri të mira në biznes, një ditë kur po kalonte në Romë, i kërkoi Gjon Palit II një pjesë të pasurive të Vatikanit për të varfërit e saj. Papa i dhuroi makinën e tij, një Rolls Royce, që ajo e shiti në ankand me një çmim shumë të leverdisshëm. Por disa edhe e qortuan se kishte siguruar fonde nga persona pak të pëlqyeshëm, si ish-diktatori haitian Jean-Claude Duvalier.
Ajo nuk mund të braktiste urdhërin e saj pa pëlqimin e arkipeshkvit të Kalkutës, Ati Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. “Eshtë një fillestare që nuk do të ishte në gjendje të ndizte si duhet një qiri”, mendohej të kishte thënë prelati.
Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Dhe në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri. Motra Agnes bëhet atëhere Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës. Në vitin 1952, takimi me një grua të plagosur që po jepte shpirt mbi një trotuar, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndëmerrte një nga detyrat për të cilat ajo u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë shpirt. Duke kritikuar ashpër autoritetet e qytetit, ajo arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të 19-të, pranë tempullit Kali, Perëndesha hindu e vdekjes. Në këtë “pasqyrë” të Nirmal Hridaya, ajo do të priste ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizanteria ose tetanozi. Për 40 vjet, më se 30 000 persona kanë vdekur atje. Për Nënë Terezën, garantimi i “një fundi të denjë” për ata që kanë “jetuar si kafshë” ishte një detyrë.
Më pas, do të jetë Sichu Bhavan, ku janë strehuar vazhdimisht qindra fëmijë. Ndihma për leprozët do të vazhdojë, për këta “të varfër mes të varfërve”, nënë Tereza do të hapë Shantinagar, më pas shumë vende të tjera për kurimin e leprozëve. Ajo u vinte gjithashtu në ndihmë viktimave të Sidës dhe kishte hapur një qendër për ta në Shtetet e Bashkuara. Kur i thoshin se do të shenjtërohej, ajo thoshte: “Në fillim më lini të vdes”.
“Dashuri e pastër në veprim”
“Si do ta cilësoja Nënë Terezën? Ajo ishte dashuri e pastër në veprim”. Don Gjergji Lusha është biografi më i famshëm i Nënë Terezës së Kalkutës, i cili nga viti 1980 deri në 2002 ka shkruar për bamirësen 12 volume të përkthyera në 35 gjuhë.
“Për herë të parë e takova në vitin 1969, kur isha student i filozofisë në Romë dhe ajo ndodhej në qytet për të përuruar një nga shtëpitë e saj pritëse. Më pas jemi takuar edhe shumë herë të tjera, as nuk e mbaj mend sesa. Kudo që ajo hapte misione të reja unë i qëndroja pranë”, tregon don Lusha. “Momentin më të bukur dhe emocionues e përjetuam në Oslo në vitin 1979 kur Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqen. Atë ditë kaluam shumë orë së bashku me bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë. Falë saj ishte një eksperiencë e jetuar në mënyrë të mrekullueshme”, vazhdon tregimin e tij don Lusha. Don Lusha sjell edhe një dëshmi domethënëse: “Unë me të flisja shqip dhe ajo e konsideronte veten shqiptare, fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët si për atdheun dhe për popullin e saj. Vetëm rrallëherë përdorte anglishten për të shprehur terma që nuk i mbante mend në shqip. Nëqoftëse më kërkoni një përkufizim për të, ju përgjigjem se Nënë Tereza ishte dashuri e pastër në veprim, edhe pse është ende herët për të përfaqësuar në të vërtetë çka ajo ishte”.
Nënë Tereza mbërriti për herë të dytë në tokën shqiptare në vitin, 1991. Vizita e saj e parë ka qenë në vitin 1989, por këtë herë nuk është fiksuar në aparate fotografik. Ndërsa vizita e dytë u shoqërua me ardhjen e një sërë personalitetesh të njohura në vendin tonë. Gjatë kësaj vizite, Nënë Tereza hapi qendrën e “Missionaries of Charity Brothers” në Tiranë. Nënë Tereza u nderua nga shteti shqiptar me Medaljen e Artë të Kombit në vitin 1994.
Shërbimi postar amerikan vendos imazhin e Nënë Terezës në pullat postare të 2010. Këtë vit shënohet dhe 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, bamirëses me origjinë shqiptare, që vlerësohet nga e gjithë bota.


1962 -Cmimi Magasaysoy per pace rang internacional.
1971 -Cmimi Pace Papa Xhovani XXlll ,dhene nga Papa Vl ,+ Cmimi Kennedy.
1972 -Cmimi Nehru per promovimin e paces dhe mirkuptimin mbarekomtar.
1973 -Cmimi Templeton.
1975 -Cmimi Albert Schweitzer.
1978 -Cmimi Balzan.
1978-1980 -Cmim Bharat Ratna nderi civil me i larte i Indise.
17 Tetor 1979 -Cmimi Nobel per Pace.
1985 -Medalja e Lirise nga Roland Regan.
1996 -Shpallet qytetare nderi e Shteteve te Bashkuara Amerikane.
1999 -U zgjodh personi me i admiruar i shekullit XX.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00