Home | Society | Interneti dhe dashuria moderne

Interneti dhe dashuria moderne

image
Megjithatë, takimet dixhitale ofrojnë rezultate më të mira...

 

 

Interneti e ka transformuar tërësisht mënyrë si punohet dhe komunikohet. Ka ngritur industri, nga ajo e argëtimit e deri te e punës. Por efektin më të madh e ka pasur te një nga vendimet më të rëndësishme që merr njeriu në jetë: zgjedhja e partnerit.

 

Në fillimin e viteve ’90 ishte e pamendueshme që shokun/shoqen e jetës ta njihje online, madje madje patetike. Sot kjo është fare normale. Globalisht, të paktën 200 milionë njerëz përdorin aplikacionet e njohjeve çdo muaj. Në Amerikë, më shumë se një e treta e martesave që bëhen tani kanë filluar me një njohje online. Interneti është mënyra e dytë më popullore për amerikanët për të takuar njerëz të seksit të kundërt, dhe shumë shpejt do kalojë me statistika edhe njohjen “nga një mik i përbashkët”. Njohja digjitale është një eksperiment i madh social, i kryer në një nga proceset më intime dhe jetësore të njerëzimit. Efektet e saj po fillojnë të bëhen të dukshme.

 

Të takosh bashkëshortin e ardhshëm në internet është krejtësisht ndryshe nga takimi në jetën reale. Në botën fizike, partnerët gjenden në rrjetet familjare ose në mesin e  miqve dhe kolegëve. Takimi me mikun e një miku është normale. Njerëzit që takohen në internet janë kryesisht të huaj. Si rezultat, takimet digjitale ofrojnë zgjedhje shumë më të madhe. Një bar, apo zyrë mund të ketë disa dhjetëra partnerë potencialë për çdo një person. Online ka dhjetëra mijëra.

 

Kjo zgjedhje më e madhe – plus fakti që lidhjet digjitale bëhen vetëm me pëlqimin e ndërsjelltë, – e bën tregun digjital të takimit shumë më efikas se sa ai i jetës reale. Për disa, ky është një lajm i keq. Për shkak të natyrës tejmase përzgjedhëse, disa njerëz kurrë nuk marrin ndonjë pëlqim virtual. Në Tantan, një aplikacion kinez, burrat shprehin interes në 60% të grave që shohin, por gratë janë të interesuara vetëm për 6% të meshkujve; kjo do të thotë se 5% e meshkujve kurrë nuk kanë ngjallur interesin e një vajze.

 

Në jetën reale, në një pellg shumë më të vogël peshkimi burrash, gratë kanë tendencën të lidhen me meshkujt që nuk marrin pëlqime online. Për shumicën e njerëzve, megjithatë, takimet dixhitale ofrojnë rezultate më të mira. Hulumtimet kanë zbuluar se martesat në Amerikë midis njerëzve që takohen në internet ka të ngjarë të zgjasin më gjatë; këta çifte deklarojnë se janë më të lumtur se ata që u takuan nëpërmjet miqve, familjes apo kolegëve.

 

Paniku moral që rrethon aplikacionet e njohjes po zbehet.

 

Ekzistojnë dëshmi të çmueshme për të treguar se mundësitë në internet janë inkurajuese. Në Amerikë, normat e divorcit u rritën jashtëzakonisht para ardhjes së internetit, dhe kanë rënë që nga ajo kohë.

 

Njohja online ndihmon shumë njerëzit me kërkesa specifike. Një sukses të jashtëzakonshëm aplikacionet e kanë pasur edhe te personat që preferojnë të njëjtin seks.  Në Amerikë, 70% e homoseksualëve takohen me partnerët e tyre në internet. Ky varietet i gjerë ka bërë mrekullira: më shumë njerëz mund të gjejnë intimitetin që kërkojnë.

 

Megjithatë, ka probleme me dashurinë moderne. Shumë përdorues ankohen për stres kur ballafaqohen me realitetin brutal të tregut të mishit digjital. Emocionet negative rreth imazhit të trupit ekzistonin para internetit, por ato përforcohen kur të huajt paragjykojnë atraktivitetin virtualisht. Takimet romantike digjitale janë të lidhura me depresionin. Të njëjtat probleme që prekin platforma të tjera digjitale përsëriten në këtë fushë, nga mashtrimet e deri llogaritë e rreme: 10% e të gjitha profileve të sapo krijuara nuk i përkasin njerëzve të vërtetë.

 

Kjo botë e re e romancës mund të ketë pasoja të paqëllimshme për shoqërinë.

 

Të paturit kaq shumë mundësi zgjedhje ka nxitur martesat interraciale, duke i anashkaluar kështu grupet homogjene. Por përdoruesit e këtyre aplikacioneve janë gjithashtu më të aftë për të zgjedhur partnerë si veten e tyre.

Zgjedhja e një partneri me të njëjtin nivel edukimi dhe të ardhurash mund të theksohet më shumë, pasi këto detaje janë shpesh të shkruara në profile. Në jetën reale kjo nuk kuptohet gjithmonë.

Firmat e takimeve kanë prej kohesh një konflikt të brendshëm. Nëse takon njeriun e duhur, shpesh këto aplikacione fshihen, ose nuk përdoren më, e për pasojë kompanitë humbasin klientë. Një tjetër shqetësim është dominimi i një numri të vogël platformash. Aplikacionet e njohjeve nuk përftojnë të njëjtat e efekte si platformat e tjera sociale  Facebook, Instagram etj.

 

Por edhe nëse tregu nuk bëhet gjithnjë e më i përqendruar, procesi i lidhjes (ose jo) bëhet gjithnjë e më i centralizuar. Romanca dikur ishte një veprimtari e shpërndarë, zhvillohej në një mori baresh, klubesh, kishash dhe zyra. Tani një numër i madh njerëzish mbështeten në disa kompani teknologjie për të takuar bashkëshortin e tyre. Fati është lënë në dorë të disa koduesve që nëpërmjet algoritmeve vendosin kush do të shohë kë në “barin virtual”.

 

Sidomos në shoqëritë autoritare, perspektiva e martesave të organizuara algoritmikisht duhet të shkaktojë njëfarë shqetësimi. Konkurrenca ofron mbrojtje që të mos ndodhi ajo që u tha më sipër. Megjithatë shqetësimet e tilla nuk duhet të errësojnë të mirën që vjen nga mënyra bashkëkohore e romancës. Partnerët e duhur mund ta ngrenë dhe ta ushqejnë njëri-tjetrin. Të gabuarit mund të rrënojnë të dy jetët e tyre. Njohja digjitale ofron miliona njerëz një mënyrë më efikase për të gjetur një bashkëshort të mirë. Kjo është diçka për t’u adhuruar. Përgatiti: Elena Lika/ Opinion.al

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0