Home | Society | Kultura e urrejtjes

Kultura e urrejtjes

image
Mediat më së shumti veprojnë në emër të partive politike dhe në shërbim të tyre...

 

Nga Luan Rama

 

 

 

A mund të flitet për një kulturë të urrejtjes edhe sot në fillimin e mijëvjeçarit të tretë? Shtrimi i një pyetje të tillë mund të duket i çuditshëm, madje dikush mund të mendojë se urrejtja s’ka të bëjë me kulturën. Por me kë ka të bëjë atëherë kur ajo është pjesë e botës shpirtërore, kur dhe ajo kushtëzon veprimet tona, pikpamjet tona, veprimet që ne ndërmarrim? Urrejtja nuk lind papritur, ajo kultivohet. Urrejtja gjithnjë është kultivuar nga lart, nga kundërshtarë të Princit, nga manipulues të zellshëm, nga liderët që vihen në krye të politikës përmes demagogjisë, duke kërkuar ta kthejnë popullin në një turmë, ta ushqejnë me urrejtje çdo ditë, me fjalime, imazhe, me simbole që shfaqen gjer në faltoren e popullit, në parlament, gjersa fara e urrejtjes fillon të pushtojë shpirtrat e njerëzve të varfër dhe të shpërthejë. Në të gjitha kohrat revolucionet kështu kanë filluar, ku militantët kanë përdorur gjithnjë strategjinë e «tokës së djegur», e «rifillimit nga zero», duke harruar se në Shqipërinë tonë, ky rifillim nga zero ka qenë gjithnjë shkatërrues. Le të kujtojmë për një çast vitin 1998, ku duke përfituar nga vrasja e Azem Hajdarit, turma u nxit të shkatërrojë me antitanke institucionet, shtetin. Dhe është e habitshme që pikërisht bija e Azem Hajdarit del kundër urrejtjes, shkatërrimit, prishjes së rendit institucional, duke kërkuar që për ndryshimin e gjendjes të përdoren protesta paqësore. Ja një njeri që e di se çdo të thotë urrejtja. Degjojeni! Ajo më mirë së kushdo e di se ku të çon urrejtja.

Historia botërore njeh shumë raste kur liderë të ndryshëm dhe pushtetarë të rrëzuar kanë përdorur turmën për të riardhur në pushtet, ku një pjesë e popullit e shndruar në turmë ka shkatërruar jetë njerëzish, fate kombëtare, qytetërime. Historia e predikatorit Savonarola është një referencë e përhershme… Terrorizmi, antisemitizmi, racizmi, inkuizicionet, të gjitha këto janë pjellë e keqe e urrejtjes, ashtu siç ishte dhe simbolika e «kapitenit Drejfus» apo e «Shtrigave të Salemit». Ishte urrejtja ajo vuri një pjesë të popullit gjerman kundër hebrenjve. Në pak ditë, në 293 lokalitete të Gjermanisë në vitet ‘30, u kryen masakra në 214 prej tyre, dhe e gjithë kjo në emër të urrejtjes. Urrejtja bëhet shtysë, motor lëvizës, një mekanizëm i tmerrshëm shkatërrues. Por për ata që mbjellin urrejtjen, pak rëndësi kanë fatet e kombit: për ta, e rëndësishme është mbijetesa e tyre.

Eshtë pikërisht kjo klimë, kjo kulturë që i mban larg sheshit dhe debatit intelektualët. Mediat më së shumti veprojnë në emër të partive politike dhe në shërbim të tyre, por ata që mund të sjellin vërtet zgjidhjet e duhura dhe në momente kritike duhej të ishin intelektualët. Një vend, një popull që nuk e ka në ballë të saj elitën, nuk do të ketë progres, nuk do të ketë të ardhme. Për sa kohë intelektualët do të jenë jashtë këtij debati, ku turmat do të perdoren si vegla për interesat e mbijetesës politike, nuk mund të flitet për një të ardhme, për progres. Më shumë se kurrë, sot populli ka nevojë të dëgjojë intelektualët e saj.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00