Home | Society | Libri si medikament mbrojtës nga efektet e globalizimit

Libri si medikament mbrojtës nga efektet e globalizimit

image
“Pushtimet” në epokën e re kanë gjasë të jenë jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore...

 

      

 

 

Nga Luan Kurti

 

 

 

Duket sikur njerëzit në këtë vend kanë hequr dorë me kohë nga librat, nga teatrot, nga kinematë, nga disa prej gjërave më sinjifikative dhe me kuptim të kësaj bote, që të përsosin estetikisht, moralisht, të çlirojnë nga pasionet e verbra dhe gjenerojnë energji pozitive. Dikush mund të thotë se jeta tani ka një tjetër ritëm, një tjetër vrull, të tjera aspirata dhe përditshmëria, nevojat imediate ekzistenciale, eklipsojnë çdo nevojë tjetër, bëhen prioritare. Thënë shkurt, kjo është periudha e materializmit, konsumizmit e teknologjisë, ku njeriu kthehet në një robot, në një shtojcë të një skeme të parapërpunuar, në një ingranazh të një mekanizmi vrasës, asgjësues nga pikëpamja intelektuale. Sot fëmijët kanë harruar lodrat, shëtitjet në natyrë, ulen me orë të tëra përpara kompjuterit, apo televizorit, ushqehen me produkte gjysmë të gatshme (jo bio), flasin me batuta filmash, telenovelash, spektaklesh humori dhe më shumë se sa krijues janë kthyer në imitatorë.

Po kështu të rinjtë, shfaqin interes për shkollimin, për gjuhët e huaja (kjo është pozitive padyshim, risi), dhe kohën e lirë (disa syresh) më tepër e kalojnë pub-eve, duke pirë duhan, alkool, pije energjike, hashash, drogë; duke dëgjuar muzikë ritmike apo tallava, apo duke komunikuar pafundësisht në rrjetet sociale. Për hir të së vërtetës pak janë ata që do të preferonin të lexonin një libër, jo vetëm artistik por të çfarëdo gjinie dhe karakteri qofshin, të bisedonin për tema të quajtura të përgjithshme, formuese, jashtë sferave të tyre të interesit dhe influencës. Kemi një rendje, një prirje drejt individit praktik, intuitiv, racional; atë që dendur quhet proces atomizimi, në dëm të dimensionit human, shpirtëror dhe social, ku elementët e formës i nxjerrin në plan të dytë ato të përmbajtjes. Libri pranohet gjerësisht se ka vlera të pazëvendësueshme, pasi lartëson dhe kultivon shpirtin njerëzor, përsos fantazinë, gojëtarinë, të jep avantazhe të paimagjinueshme në ambiente të ndryshme, duke të kthyer në pikë referimi. Megjithë progresin e madh shoqëritë elitare perëndimore kanë kuptuar këtë disproporcion që krijohet në një sistem të ashpër konkurrence dhe gare, ku individët gjithnjë e më tepër po e shohin njëri tjetrin si rival dhe shfaqin shenja të një depresioni në rritje, disekuilibri mendor, moral, shpirtëror me pasoja të paparashikueshme. Uniteti, mirëkuptimi, kohezioni janë bërë termat më të debatueshëm në mediat e shkruara, televizionet, auditoret e dijes dhe në aktivitete të ndryshme të shoqërisë civile. Përfundimi i “luftës së ftohtë”, njëpolarizimi i cili ndryshoi shënjestrën e së keqes duke u vendosur në një terren më global dhe të papërcaktuar, lëvizja e lirë me efekte pozitive në fazën e parë, sepse risolli në tregje krahun e lirë të punës, rishpërndarje, rivitalizim dhe ekspansion të kapitalit dhe sidomos atij bankar; gradualisht ngushtoi hapësirat, limitoi burimet, prishi balancat midis prodhimit dhe shpërndarjes, çoi në recension dhe në efektin domino në shumë prej ekonomive kryesore botërore. Dhe armiqësitë tani janë të një lloji tjetër. Vendet donatore janë në diskordancë me ato huamarrëse, me politikat e tyre liberale, inflacioniste, dhe kjo ka sjellë një lloj skepticizmi, mospajtimi një frymë revanshi, urrejtjeje racore, etnike, fetare të ndërsjellë midis popujve përkatës, duke krijuar një situatë të nderë, të tensionuar, konfliktuale si ato të mesjetës.

Globalizimi në këto kushte duket si një mundësi e largët dhe gati-gati e paarritshme. Individi i cili ka energji me tepricë dhe s’mundet t’i manifestojë ato në tregun e punës, nuk mund të realizojë performancën e tij, nuk është i përgatitur për t’u përballur me të keqen, në një dikotomi shkak- pasojë, si kompensim kërkon të projektohet diku tjetër, në një rrafsh të panjohur, aspak të sigurtë. Kjo shpjegon shpesh ngjarjet e rënda, krimet e padëgjuara, ku dikush në mënyrë krejt të papritur merr armën një ditë të bukur dhe del në sheshet publike duke kryer masakra të lemerishme, apo i hipën një kamioni dhe vërshon mes turmave duke mos kursyer as fëmijët. Autorët mendojnë se kanë gjetur një kauzë për veten e tyre, janë bërë të famshëm, madje kërkojnë t’i japin aktit të tyre makabër ngjyra trashedentale apo patriotizmi. Arti, kultura, libri në vetvete, mund të ishin barriera ndaj degradimit të mëtejshëm, shtysa drejt një progresi pozitiv, dimensione, horizonte ku materialja ka funksionin e së nevojshmes, plotësues dhe moralja, shpirtërorja bëhen sunduese. Njeriu i mësuar, i kultivuar kurrë nuk rrëshqet në amulli, në dekadencë. Ai ka tendencën që gjithçka ta shohë me pozitivitet, edhe në çastet më dramatike të gjejë kuptimin, motivin e ekzistencës; të jetë në përputhje, në harmoni me zotin dhe natyrën. Në një vend si i yni ku nga mëngjesi në mbrëmje flitet për politikë, për paligjshmëri, për ngjarjet e kronikës së zezë, për kriminelë ordinerë dhe trafikantë që shiten si Robin Hud agresiviteti, gjuha e ngurtë, mediokriteti janë të justifikuar. Ne jemi komb i vogël, një komb i trysnuar nga jashtë dhe nga brenda, për fajin tonë apo të të tjerëve, me resurse dhe potenciale të limituara në tregun global dhe kemi nevojë për ripërtëritje; ripërtëritje në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale.

“Pushtimet” në epokën e re kanë gjasë të jenë jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore. Ndaj si fillim duhet ta fillojmë me kulturën, me edukimin, me brendinë tonë dhe libri në këtë strategji duhet të jetë pararendës. Po e mbyll me një thënie të Konfucit: - “Ata të cilët dëshironin të vendosnin rregull në kombet e tyre, balancuan më parë familjet e tyre. Ata të cilët dëshironin të balanconin familjet e tyre, në fillim edukuan veten. Ata të cilët dëshironin të edukonin veten e tyre, në fillim rregulluan mendjet e tyre. Ata të cilët dëshironin të rregullonin mendjet e tyre, në fillim bënë seriozë qëllimet e tyre”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00