Home | Society | Shqiptarë jemi e shqip nuk flasim

Shqiptarë jemi e shqip nuk flasim

image
Ne kemi shumë fjalë të bukura në gjuhën shqipe që e përcjellin thjeshtë e saktë kuptimin ...

 

      

 

Nga Ramazan Sherja

 

 

Në një seminar për bullizmin që u organizua para pak kohësh nga një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe që zgjati afro dy orë, pjesën më të madhe të kohës e zuri përdorimi i termave në gjuhë të huaj, kryesisht në atë anglisht, gjë që i mërziti shumë pjesëmarrësit. Le të përmendim vetëm një frazë të tillë të mbingarkuar me fjalë të huaja si: “Probabiliteti potencial i subkoshiencës dhe koshiencës në lidhje me predispozitat e njeriut, sidomos tek fëmijët, është gjithmonë në favor të subkoshiencës”, gjë që nuk thotë asgjë në fakt për qëllimin e takimit! Ose edhe disa terma e togfjalësha të tjerë që u përdorën më tej dhe që shumë pak ua dinin kuptimin si “studimet demoskopike”, “hedonizmi”, “pozicionime infantile”, “intimidim”, “logos”, “audjencë”, etj., jo vetëm që janë bastardim i gjuhës sonë të bukur shqipe sepse secila nga këto fjalë ka të barazvlefshmen e vet në shqip, por nuk i përgjigjej as nivelit të pjesëmarrësve në sallë. Ne kemi shumë fjalë të bukura në gjuhën shqipe që e përcjellin thjeshtë e saktë kuptimin e asaj për të cilën organizohet një veprimtari qoftë edhe krejtësisht shkencore, në të cilën edhe mund të lejohen përdorimi i termave ekuivalentë me objektin shkencor që emërtojnë. Përdorimi i fjalëve të huaja vend e pa vend qoftë në seancat parlamentare, apo në tubime me tematikë të përcaktuar qartë, përveçse një shtirje për t’u treguar si i kulturuar e “poliedrik”, asgjë tjetër nuk përcjellin tek dëgjuesit. Njeriu i kulturuar, me një bagazh të thellë e të gjithanshëm njohurish, që është vërtetë intelektual, flet thjeshtë e qetë, është nga ata siç thotë populli që “ta fut me zor mendimin në kokë”. Kishim një mësues në shkollë të mesme që kishte mbaruar dy fakultete, kishte studiuar për mjekësi dhe kishte kryer Medresenë, por kishte një cen në biografi, ndaj dhe ishte përgjithësisht i nënvleftësuar. Ai shpjegonte aq thjeshtë mësimin, ishte aq metodist në përcjelljen e njohurive shkencore, saqë na linte vërtet gojëhapur. Ndonjëri mendonte se ai fliste ashtu thjeshtë, ngaqë si i persekutuar që ishte, nuk njihte gjuhët e huaj, se nuk i ishte dhënë dot mundësia. Ne nuk e kuptonim se thjeshtësia e tij në transmetimin e njohurive në klasë dhe në bisedat që bënte në salla mbledhjesh, qëndronte pikërisht tek kultura e tij e gjerë që kishte dhe tek fakti se ai zotëronte disa gjuhë të huaja. “Ena plot nuk bën zhurmë”, thotë populli. Shikojmë emisione e programe të ndryshme në stacionet tona televizive që transmetojnë tek ne pa ndërprerje natë e ditë dhe të paktë janë ata që mund t’ua mbash mend emërtimet që mbartin, për shkak se janë përgjithësisht në gjuhë të huaj. Po pse është më bukur të thuash psh: “Ç’est la vie” nga shqipja e dashur “kjo është jeta”! Apo mos është më mirë të klithësh “Big Brother”, një emision krejt ç’edukues, kur ke togfjalëshin shqip shumë kuptimplotë “vëllai i madh”! Çfarë mund t’i shtojnë nga ana cilësore e kulturore programit, transmetime të tilla me emra të huaj si “Top shou” (shfaqja më e mirë), “Tu si que vales” (ti vlen), “Dance with me” (kërce me mua) etj., kur nuk i titullon shqip, nëse janë cilësisht të dobët dhe realisht nuk pëlqehen nga shikuesit shqiptarë. Ndjek programe të tilla, që për fat të keq janë të shumta, ku të neveriten jo vetëm prezantueset e zhveshura që përdorin një fjalor të pakuptueshëm, por edhe juria që vlerëson me alogjizma që s’i kupton kush se ç’duan të thonë! Këto programe tregojnë jo vetëm një manierizëm ndaj së huajës, por janë edhe një shpërfillje dhe denigrim i gjuhës shqipe. Në mjaft raste, programe të tilla tregojnë varfëri intelektuale, janë kopjime e imitime direkt nga emisione që shfaqen në televizione të huaja dhe me përmbajtje që shpesh stonon me realitetin dhe zhvillimet tona të brendshme. A nuk kemi shumë këngë e video klipe të tilla zhurmuese, që janë kopjuar direkt, si në tekst edhe në melodi, e fjalët e huaja janë përkthyer në mënyrë shabllone në gjuhën shqipe, dhe mungesën e sinkronisë me realitetin shqiptar mundohen ta plotësojnë me zhurmën e muzikës shurdhuese apo lëvizjet e pakontrolluara në skenë. 

 

Disa politikanë për t’u treguar se janë shumë të mirëinformuar me aktualitetin botëror, apo se janë intelektualë me shumë kulturë e marrin vesh nga letërsia dhe politika botërore, citojnë vargje e proza thënie e referime kot më kot, duke ngatërruar autorët e tyre me njeri- tjetrin, apo vendlindjet e tyre ku kanë jetuar e punuar, siç ka ndodhur shpeshherë edhe me deputetë të Parlamentit shqiptar. Nuk ka gjë më të turpshme kur përdor fjalë të huaja që vetë nuk ua di kuptimin, apo t’u japësh përgjigje të gabuara pyetjeve që realisht nuk i di. Aq më keq akoma të rendësh pas çdo gjëje të huaj, që të josh me llamburitjen e saj, apo t’u reklamohesh të tjerëve me sofizma boshe. “Jo çdo gjë që shkëlqen është ar”, ka bërë vlerësimin e madh populli ynë. E njejta mani, për t’u dukur si modernë vihet re edhe në emërtimin e dyqaneve, lokaleve, hoteleve, ku të mbyt e huaja, dhe pronarët e tyre shpesh herë nuk ua dinë as vetë kuptimin tabelave që kanë afishuar. Futu rrugës “Myslym Shyri”, “Luigj Gurakuqi”, Rrugës së Durrësit dhe Kavajës dhe nuk gjen një objekt privat me emërtim shqiptar, pa llogaritur emrat e rrugëve të Kamzës që “moderni” Xhelal Mziu i ka ngjyer të gjitha në blunë e huaj. Një dyqan që emërtohet me reklama vezulluese në gjuhë të huaj në hyrje të tij, nuk fsheh asgjë tjetër përveçse boshllëkun e varfërinë e tij. Dhe blerësit as nuk mbajnë mend emra të tillë të huaj, e as nuk duan t’ia dinë për ta, sepse ata mbajnë mend toponimet shqip si dyqani tek Gjykata e lartë, tek Ambasada Jugosllave apo tek Selvia.

 

Po pse jemi kaq kopjues e përvetësues shabllonë të së huajës ne shqiptarët!? Po të paktën, atë pasuri të vërtetë që kemi safi tonën, sidomos gjuhën dhe traditat e mrekullueshme të së kaluarës, për të cilat kemi pse krenohemi para botës, jo vetëm t’u japim shkëlqim të ri, jo vetëm të mos i denigrojmë verbërisht, por me to t’u imponohemi të huajve. Si shpjegohet që në asnjë vend të botës, nuk gjejmë dyqane e hotele me emra në gjuhën shqipe, një ndër gjuhët më të lashta të Europës, me përjashtim në ato mjedise që banohen kryesisht nga komunitete shqiptare!? E ç’punë ka gjermanishtja në dyqanet e Bllokut, anglishtja në rrugën “Mine Peza”, apo italishtja në hotelet e Saukut. Fol shqip! –kjo është thirrja më kuptimplote që u drejtohet të gjithëve, politikanëve, intelektualëve, mësuesve e shkencëtarëve, pushtetarëve e pronarëve biznesmenë nga gjuhëdashësit e vërtetë. Se në të kundërt, çaprashitjeve të tilla me fjalë të huaja do t’u jepte përgjigje kuptimplote një batutë e aktores Violeta Manushi në filmin “Zonja nga qyteti” dhënë pseudoartistit kur i thotë: “Sa bukur flitni ju artistët, asnjë fjalë nuk u merret vesh”. Në mbyllje do të sillja një ndodhi të vërtetë si konkluzion për maniakët e përdorimit të gjuhës së huaj vend e pa vend. Një profesor po udhëtonte bashkë me një mikun e tij fshatar. Profesori foli me ca terma të huaj si “esencë e kuintesencë”, “spirituale e konfiguracion”, “logos e influencë” dhe fshatari tundte kokën në shenjë miratimi të bisedës së tij, pavarësisht se nuk merrte vesh asgjë. Pasi kaluan ca minuta, fshatari iu kthye profesorit dhe e pyeti me ironi: “Profesor, më dukesh si karravat sot? –Ç’do të thotë karravat? -pyeti profesori .- Karravat, do të thotë temerrut - ia ktheu fshatari.- Po unë as temerrut nuk e kuptoj ç’do të thotë –tha i zënë ngushtë profesori.-Po,pse unë mora vesh ndonjë gjë nga ata që llafose ti qëparë -qeshi me ironi fshatari. E si po humbet shqipja kështu mor profesor, e nuk po merremi vesh më me njeri- tjetrin. Ca nuk e dinë e ca e dinë, por e shpërdorojnë. Shqiptarë jemi e shqip nuk flasim”, ia nguli kunjin fshatari më në fund profesorit. 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00