Home | Society | Rritja e kriminalitetit dhe lufta ndaj tij

Rritja e kriminalitetit dhe lufta ndaj tij

image
Vëmendje më e madhe duhet ti kushtohet shtresave të varfra, gjë që kërkon hapësira për angazhime dhe veprimtari ekonomike, në sferën prodhuese por dhe atë të shërbimeve, kujdes i veçantë për shkollimin e të miturve gjë që duhet përmirësimi dhe ngritja cilësore e shkollave te të gjitha kategoritë.

 

 

Nga Jani Papandile* 

 

 

 

 

 

Niveli i kriminalitetit, vështruar për nga dinamika-intensiteti, llojet, përmasat e akteve tepër të dhunshme e me pasojë të rëndë, grafiku në rritje i krimeve kundër personit, i jetës dhe shëndetit, zhvillimet galopante të trafiqeve, sidomos të lëndëve narkotike; mjedise e mbuluara me fëmijë të inkriminuar që rriten, që formojnë me dhjetra grupe për vjedhje nga më të ndryshmet për rrjedhojë jemi përballë një pasigurie qytetare, që nuk ka qenë asnjë herë më parë në dekada të tëra. Po tu referohemi shifrave zyrtare të policisë, ata informojnë për rreth 6500-7000 persona që ndalohen nga policia për akte kriminale, nga të cilat rreth 4000 janë për akte kundër personit. Prokuroria evidenton mbi 10.000, ndërsa po të ndjekësh informacionet e mediave, këto shifra dalin dy fish. E vërteta është se kemi rrumbullakosje dhe mungesë transparence nga policia. Vetëm vrasje apo plagosje të rënda që në fakt shumica janë vrasje, informohen 5-8 çdo jave, atëherë si dalin 100-150 në vit? Në fakt, kemi rreth 200-220 vrasje kriminale në vit.

Akte në rritje shqetësuese janë edhe:

- Vjedhjet e të gjitha llojeve sidomos ata që kanë të bëjnë me pronën e qytetarëve; banesa, biznese, deri në ato personale në rrugë, në autobus, në magazina, në vende ku qarkullon malli. Këto vjedhje kanë marrë më shpesh formën e grabitjes, pra prezantohen shpesh si akte të dhunshme deri në vrasje.

- Janë rritur grabitjet në agjensitë financiare të të gjitha llojeve duke filluar nga agjensitë bankare, zyrat e këndit të ruajtjes financiare, bizneset sidomos argjendaritë, deri tek mjedise të shërbimit të komunitetit për pagesat e elektrikut, ujit, telefonisë, madje edhe zyrat e njësive komunare për ndihma sociale për shtetasit e varfër.

- Dihet që janë bërë të frikshme dhuna, kanosjet zarfat me kërcënime për bizneset deri dhe në vrasje (vetëm në muajin prill janë vrare 2-3 biznesmenë)

- Ka tendencë në rritje edhe për krimet e dhunshme seksuale, akte të natyrës pedofilike.

Disa nga krimet me shqetësuese dhe veçoritë e tyre

Në pamundësi të zgjatemi për një analizë të këtij realiteti të hidhur, përmbledhtas, me pak fjalë disa veçori karakteristike të kriminalitetit aktual mund të nënvizojmë:

Së pari, përjetojmë një kriminalitet të dhunshëm, tepër agresiv; përdorimi i armëve të zjarrit në shumë e shumë akte të vrasjeve, grabitjeve në agjensi financiare, lokale biznesi, ndaj personave të ndryshëm, ndaj qytetarëve në banesa dhe për një pension mujor. Shembulli i Viktor Gushos, i cili ka grabitur 16 agjensi bankare në 7 raste, ka qëlluar me armë për pasojë 1 i vrare dhe 2 të plagosur? (I dënuar penalisht edhe në Greqi).

Së dyti, dhuna shfaqet si primare dhe në aktet ndaj femrave, fëmijëve, pleqve edhe në mes të qytetit, në mes të ditës, guximi kriminal i frikshëm flet për dobësim të dukshëm të shërbimit të rendit publik.

Së treti, edhe krimi i mirëorganizuar si prodhimi, trafikimi i lëndëve narkotike apo shfrytëzimi i prostitucionit shfaqet dhunshëm dhe kërcënues. Lazarati është kthyer në fabrikën e madhe që prodhon dhe trafikon lëndë narkotike. Policia prezantohet e paaftë të hyjë në Lazarat!?

Së katërti, mbetet tepër shqetësues fenomeni i gjakmarrjes, hakmarrjes, si mënyrë zgjedhje tradicionale e një shoqërie që nuk funksionon drejtësia dhe autoriteti i shtetit sa më i dobët të jetë autoriteti i ligjit, më tepër shtohen krimet, sidomos hakmarrja.

Autorët e krimeve!

Nuk mund të flitet për kriminalitetin duke ju shmangur atyre që kryejnë akte penale. Fare shkurt mund të themi:

- Kuptohet, numri i atyre që kryejnë krime këto 15-20 vitet e fundit është rritur më tepër se mund të jetë një grafik i një shoqërie normale.

- Janë rritur aktet kriminale nga ata që banojnë në Shqipëri, por edhe shumë nga ata që banojnë jashtë territorit shqiptar, dihet që jo më pak se 3000 shqiptarë ndodhen në burgjet e Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Anglisë, SHBA etj.

- Jo vetëm është rritur numri, por janë bërë edhe më të rrezikshëm sepse përvoja e burgjeve është pasuruar nga elementë kriminalë përsëritës si në Shqipëri edhe jashtë.

- Kanë një guxim, vendosmëri, edukim dhe bindje për aktivitetin që kryejnë, su shpëtojnë goditjeve dhe kanë siguruar edhe jetën nëse goditen, duke qenë të dënuar, për ta punon një kompani e tërë! Kështu ka rezultuar në shumë raste me elementë të goditur brenda apo jashtë Shqipërisë.

Ka tendencë të rritet shifra e elementëve përsëritës në krim, që përfitojnë edhe nga puna jo rezultative për goditjen e tyre por edhe nga dënimet minimale penale. Përsëritësit, jo rrallë janë jashtë kontrollit policor ngaqë nuk funksionon siç duhet kontrolli policor i specializuar.

Shembulli i Greqisë, një shqiptar ul një helikopter për t’u arratisur

Është në rritje sasia e të rriturve që fillojnë nga aktet e vjedhjeve që quhen të rëndomta deri tek aktet e dhunshme.

Po bëhet impresionues edhe fakti që shumë akte të rrezikshme kryhen nga persona me pagesë, ky lloj krimi është më pak i njohur dhe më pak i zbardhur në Shqipëri. Kriminaliteti i dhunshëm ka dalë në plan të parë, por nuk flitet për të, nuk po bëhet objekt hulumtimesh për të dalë në përfundime që të goditet dhe parandalohet më mirë deri sot. Me dhjetra objekte në Tiranë, me kobure në dorë, brenda disa muajve bëhen viktimë. Me dhjetra agjensi zyra janë grabitur nën kërcënimin e armëve

Me dhjetra persona biznesmenë e deri në pensionistë janë grabitur nën kërcënimin e armës !

Shkaqet e kriminalitetit

Për shkaqet flitet shumë, ka shumë teori, por në rastin tonë shkurt duhen veçuar:

- Përmbysjet e mëdha politike sjellin një periudhë tranzicioni.

- Në Shqipëri, ky tranzicion u shoqërua me shkatërrime, me rrëmbim të armëve, me trafikim të armëve, me prodhim e trafikim të lëndëve narkotike, të pasuara me shkatërrimin e objekteve, fabrikave, uzinave, të ekonomisë bujqësore, pyjore etj. Ky shkatërrim për rrjedhojë krijon strese, pasiguri, varfëri, emigrim ilegal, dhunë, armiqësi shtresore, fetare, krahinore, politike, për pasojë kriminalitet. Krimet kundër personit në Shqipëri, në krahasim me vitet 1970 janë rritur 6-7 herë.

- Papunësia masive do të sillte emigrim legal dhe ilegal. Emigrimi ka dy anë të medaljes, si anët pozitive dhe negative. Në kushtet aktuale papunësia si dhe varfëria janë në nivele shqetësuese, për rrjedhojë elementë të shumtë që nga ata të mitur deri në atë profesionist rrugën e krimit e shohin edhe si mënyrë jetese.

Varfëria në vend, emigrimi me ndikime dhe mpleksjen e krimit profesionist ndërajonal ndikojnë në rritjen agresive të kontigjentit kriminal. Shkak madhor, tepër kompleks është aktualiteti i shoqërisë shqiptare. Jo vetëm varfëri, papunësia që lidhet ngushtë me: Mosfunksionimin e ekonomisë shqiptare, mungesa e produkteve shqiptare.

Bujqësia, blegtoria, pemëtaria, pyjet, minierat, pasuritë shqiptare, shfrytëzohen pak ose shfrytëzohen barbarisht. Vidhen, grabiten, pasuria posedohet në masën 60-70% padrejtësisht!

Policia, gjyqësori, administrata në përgjithësi është e pabesueshme nga masa e madhe e njerëzve!

Mungon optimizmi, besimi, shpresa. Kështu nxitet ikja, largimi ose rrëmbimi në rrugë kriminale, pra të jetosh me vjedhjet me grabitjet.

Korrupsioni, vjedhja nga një përqindje jo e pakët, këto të shoqëruar me konflikte në komunitete në zonat malore deri në ato urbane me lëvizje demografike konfliktuale deri anarshiste të shoqëruara me rrëmbim të armëve në garë elektorale tepër të politizuar, me ndarje artificiale të shtresave shoqërore, me ego maksimale për marrjen apo mbajtjen e pushtetit politik apo vendor, janë shkak madhor në rritjen e krimeve të të gjitha niveleve.

Përgjegjësitë e politikanëve e liderëve në pushtetin politik qendror dhe pushtetin vendor është shumë e madhe. Jo rrallë, elementë të njohur si kontrabandistë dhe të korruptuar, mbahen në rradhët e zyrtarëve që disponojnë kompetenca ligjore apo fuqi administrative – ekzekutive.

 

Shkak tjetër i pa shkëputur nga sa thamë më lart është paaftësia, niveli i ulët profesional, i mpleksur nga degjenerimi e korruptimi i shumë elementëve të strukturave të specializuara të policisë, gjyqësorit, hetimit gjyqësor. Shembull: Në një moment të caktuar, dikush lirohet nga detyra të rëndësishme si drejtor institucionesh, të gjyqësorit, të administratës, punonjës policie pas disa muajve krahu tjetër politik i merr në politikë, i ngre në përgjegjësi praktike të drejtojë strukturat praktike në vende e zona të mëdha urbane edhe pse s’e kanë idenë se ç’është organizata e partisë, konkretisht ideologjisë. Ky kuadër i nderuar, i armiqësuar me krahun tjetër, bëhet edhe deputet, mjafton që ka urrejtje për krahun kundërshtar!?pra, i njëjti realitet vështrohet nga pozicione krejt ekstreme! Këto praktika pothuaj i kanë shkallmuar aftësitë profesionale e intelektuale, degjenerojnë punën me njerëzit, i largojnë njerëzit nga konkurrenca e ndershme dhe i bëjnë indiferentë e pesimistë, gjallërojnë politizimin ekstrem, gjallërojnë korrupsionin, servilizmin. Shoqëria shqiptare me politizim të skajshëm, e gatuar me urrejtje për njeri tjetrin është në një moment shumë delikat dhe armiqësia e brendshme që po që po gatuhet, mund të jetë me pasojë katastrofike për kriminalitetin nëse nuk ndryshojnë këto qëndrime e praktika mesjetare.. Strukturat shtetërore

 

Sëmundjet e korruptimit, kondrabandës, politizimet e shoqëruara edhe me mashtrime, rrumbullakosje, dekonspirime të kriminalitet, përbejnë një tere si faktor madhor në kriminalitet.

Vështruar profesionalisht, shfaqen edhe faktorë të tjerë me ndikim objektiv dhe subjektiv që kanë të bëjnë me mangësi të theksuara profesionale në terrenin e antikrimit. Nuk është e vështirë të konstatohet që elementë të dënuar penalisht brenda dhe jashtë Shqipërisë nuk ndodhen të kartelizuar pranë strukturave përkatëse të antikrimit për rrjedhojë nuk kontrollohen dhe bëhen kontigjentë përsëritës në krim. Shprehur me pak fjalë, konkludohet se policia antikrim prezantohet me një nivel të ulët tekniko profesional, tepër inaktive dhe e tërhequr për shkak të politizimit dhe aktivizimit me detyra anësore. Si kapërcehet gjendja e renduar e kriminalitetit aktual

 

Krime ndodhin edhe në vende të zhvilluara por janë arritur dhe njihen disa standarde, edhe pse dinamika dhe intensitetet kanë luhatje dhe zhvillohen me ulje ngritje vështruar në kohë dhe hapësirë, por tek ne ende mungojnë të dhëna të sakta policore, gjë që reflektohet kur hedh një sy në statistikat e prokurorisë.

Thënë në mënyrë të përmbledhur, disa drejtime që duhet të ndikojnë në parandalimin e kriminalitetit dhe në goditjen e akteve me rrezikshmëri më të theksuar mund ti rendisim:

Së pari, përmirësim i situatës ekonomike, normaliteti i marrëdhënieve në shoqërinë shqiptare duke filluar nga komunitetet dhe në të gjitha hallkat e strukturat të ekzekutivit, legjislativit, gjë që kërkon realizimin e reformave me karakter të theksuar social dhe që do të sjellin në një afat kohor më të shpejtë përmirësimin e kushteve jetësore të shoqërisë shqiptare.

Vëmendje më e madhe duhet ti kushtohet shtresave të varfra, gjë që kërkon hapësira për angazhime dhe veprimtari ekonomike, në sferën prodhuese por dhe atë të shërbimeve, kujdes i veçantë për shkollimin e të miturve gjë që duhet përmirësimi dhe ngritja cilësore e shkollave te të gjitha kategoritë.

Së dyti, ndryshime të dukshme kërkohen në strukturat e specializuara sidomos në shërbimet e policisë ku duhet të ndryshojë rrënjësisht metoda e punës për:

Afrimin në komunitet, parandalimin e krimit në rradhë të parë tek të miturit, vëmendje të miturve që braktisin familjet.

Kthesa në veprimtari të kualifikuara për elementë përsëritës në krim dhe që kryejnë krime nga më të ndryshmet veçanërisht ato ndaj agjensive financiare, bizneseve ku qarkullojnë më shumë vlera monetare dhe sende të çmuara, sulmit ndaj biznesmenëve pa nënvlerësuar dhe vjedhjet e banesave, autoveturave dhe objekteve të tjera.

 

Kriminolog- Studiues dhe analist i terrenit anti-krim, botues i pesë librave me studime dhe tematike kriminologjike

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0