Home | Society | Bursa e kuajve: Poshtë “Wikileaks”, rroftë “Wikileaks”!

Bursa e kuajve: Poshtë “Wikileaks”, rroftë “Wikileaks”!

image
Një pjesë e mirë e opinionit publik, që e njeh më mirë realitetin politik dhe është indiferente, natyrisht nuk është çuditur asnjëherë nga manovrat e pista. Gjithsesi, në “bursën jopolitike”, atë të diskutimeve me stil qytetar, qarkullojnë opinione me të vërtetë të larmishme mbi “lëvizjet e çmimeve në tregjet e kuajve dhe të protestave”.

 

 


Leonard Boduri

 

 

 

Publikimi i informacionit sekret nga “Wikileaks” ka tronditur botën mbarë, duke ofruar një pamje të re, që tregon diferencat e mëdha midis diplomacisë dhe realitetit. Dokumentet e publikuara japin të dhëna të hollësishme rreth marrëdhënieve të SHBA-ve me vende të ndryshme të Lindjes dhe të Perëndimit, duke përfshirë edhe vendin tonë. Qëndrimi i fuqisë më të madhe në botë ka qenë i ashpër në raport me subjektin që ka bërë publikimin, por reagimi i fortë i SHBA-ve ndaj “Wikileaks”-it ka legjitimuar në njëfarë mënyre vërtetësinë e publikimeve të paligjshme të raporteve. Spiunimi apo nxjerrja në shesh e sekreteve të rëndësishme nuk është konsideruar ndonjëherë veprim i admirueshëm, por është parë gjithmonë si një veprim i ulët dhe i pamoralshëm. Pavarësisht qëndrimeve që duhet të mbajmë në lidhje me paligjshmërinë e publikimeve apo spiunimin si dukuri e dënueshme, aktualisht ndodhemi para faktit të kryer dhe nuk mund të mbyllim sytë apo të ngremë duart për të mbuluar pamjen e raportit të publikuar, ashtu siç përpiqemi të mbrojmë sytë nga drita e fortë e diellit. Por le të shohim se çfarë deklarohet pa dorashka, duke zgjedhur vetëm disa pjesë të publikimit të botuar në shtypin vendas si më poshtë:

“Parlamenti më 28 korrik (2008) miratoi me qetësi të gjashta kandidaturat e Presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë së bashku me propozimet e Kryeministrit për ndryshime në qeveri. Miratimi i këtyre kandidaturave për në Gjykatën e Lartë shënoi edhe një ulje të shumëpritur të tensionit mes Kryeministrit dhe Presidentit, por erdhi pas raundesh ‘tregtie kuajsh të gjallë’ mes Berishës dhe Topit…Në fund, edhe Presidenti, edhe Kryeministri mund të pretendojnë fitoren që pretendojnë të dyja palët, por jo të gjitha, për atë që ata donin jashtë parlamentit”, - shkruan ish-ambasadori Uidhers në një nga kabllogramet dërguar Departamentit të Shtetit. Në vazhdim për të qenë korrekt me veten vazhdohet:

“Protestat e opozitës edhe më të paguara. Pas gati 48 orësh të fjalimeve të zjarrta, të bllokimit të trafikut, muzikës në kupë të qiellit, protesta e opozitës socialiste u mbyll të dielën pasdite. Tubimi përfundoi pa incidente, pa provokime apo dhunë, siç kishin frikë disa. Rreth 500 deri në 1000 protestues qëndruan para Kryeministrisë dhe hapën çadra për të ndenjur aty. Në fund të protestës triditore Rama i dha ultimatum Kryeministrit 10 ditë për të plotësuar kërkesat për hapjen e kutive të votimit. Disa anëtarë të PS-së u thanë punonjësve të ambasadës se qëllimi i protestës së tyre nuk ishte të mjelin qeverinë, por të krijojnë një përshtypje te ndërkombëtarët se sistemi politik në Shqipëri është në krizë. Shumë, nëse jo shumica e pjesëmarrësve, ishin paguar ose ishin detyruar me forcë të vinin në protestë, një standard i përdorur nga të dy krahët.”

A është mirë vallë të nxirren në dritë, të publikohen dhe të trumbetohen me zë të lartë të gjitha këto informacione sekrete të thëna në një gjuhë të qartë dhe të zhveshur nga diplomacia, që zakonisht karakterizon kanalet zyrtare të komunikimit? A mund dhe a duhet të merret ky veprim nga patriotët shqiptarë vetëm si një fyerje e rëndomtë ndaj atdheut të tyre të shtrenjtë, e vërteta e hidhur e realitetit politik në profilin e saj të zhveshur lakuriq? Refuzimi për të parë mjerimin politik, i cili ka infektuar vendin për shkak të nivelit të ulët të klasës politike, domethënë prej të gjithë krerëve të politikës pa përjashtuar as të majtët, as të djathtët e as të qendrës, mund dhe duhet mbështetur fort dhe pa asnjë rezervë, sidomos në emër të patriotizmit. Patriotizmi është një mënyrë e shkëlqyer, që mund të përdoret me përfitim të pamasë, nëse është praktikisht e pamundur të gjendet një arsye e vërtetë që të mund të rrijë më këmbë për të mbrojtur interesa të caktuara.

Një nga pjesët më pikante të raportit, e shkruar me stil dhe me sinqeritet të admirueshëm, që ka ngacmuar jo pak publikun, ka të bëjë me analizën e “tregut të kuajve” dhe “protestave të opozitës edhe më të paguara”. Për të nisur një analizë të mirëfilltë të raportit duhet të fillojmë me shmangien e termit të rëndomtë “treg” dhe me prezantimin e termit modern “bursë”, i cili, edhe pse i përdorur me stil, ka kufizimet e veta. Në bursë, pavarësisht se zakonisht listohen kompani me peshë të madhe në tregun ndërkombëtar, ndodhin herë pas here manipulime, spekulime dhe mashtrime të llojeve të ndryshme, nga më të thjeshtat e deri edhe më të ndërlikuarat. Informacioni është një nga elementet më të rëndësishme që ndikon në suksesin e atyre që luajnë në bursë. Ky informacion bëhet më i dobishëm kur ka natyrë sekrete dhe pretendohet të bëhet i njohur vetëm për një pjesë të vogël të lojtarëve, përndryshe, kur informacioni është i njohur për të gjithë, askush nuk mund të përfitojë në mënyrë spektakolare. Ky lloj informacioni, pavarësisht se është “i vërtetë”, konsiderohet si mjet i paligjshëm dhe që anashkalon “rregullat e lojës” të pranuara nga anëtarët e regjistruar në bursë. Pra, një pjesë e vogël e tyre përfitojnë nga pjesa tjetër e tregut, për shkak se dinë me siguri të plotë një sekret që të tjerët nuk e dinë, duke bërë në këtë mënyrë një lojë të pandershme. Duhet të shtojmë se pavarësisht pranimit të rregullave të lojës, duke marrë gjithmonë në konsideratë kompleksitetin e natyrës njerëzore, anëtarët e bursës janë të ndërgjegjshëm se në këtë “lloj sporti” mund të ketë edhe manovra të pista.

Një pjesë e mirë e opinionit publik, që e njeh më mirë realitetin politik dhe është indiferente, natyrisht nuk është çuditur asnjëherë nga manovrat e pista. Gjithsesi, në “bursën jopolitike”, atë të diskutimeve me stil qytetar, qarkullojnë opinione me të vërtetë të larmishme mbi “lëvizjet e çmimeve në tregjet e kuajve dhe të protestave”. Këto komente e shprehin hapur faktin se ne shqiptarët jemi njerëz që nuk impresionohemi kollaj, me pak fjalë, nuk na bën syri tërr. Për shkak të korrektesës që karakterizon shoqërinë tonë, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ripërsëritur diskutimet e stilit patriotik, politik, artistik të çështjes në fjalë, si dhe debatin mbi formën e “tregjeve” për të cilën flitet në kabllogram, duke përfshirë në të edhe pjesën mbi rekordin botëror të çmimit të “shitjes së kuajve”. Thuhet se rekordi i kalit më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë arrin shifrën 16 milionë dollarë amerikanë. Ky është një nga konkluzionet e para dhe një nga mësimet më të rëndësishme që është nxjerrë pa humbur kohë nga këto raporte super sekrete. Pa dyshim që ky treg paska njëfarë niveli çmimesh dhe nuk qenka dhe aq i parëndësishëm, siç na e mori mendja në fillim. Të tjera mendime të shprehura bëjnë hesape se sa para mund të ishin futur nëpër xhepa, po të kishte një pjesëmarrje më aktive në “protestat e paguara mirë” të opozitës, duke llogaritur edhe përfitimin e përdorimit racional të këtyre parave duke luajtur në bursë.

Diku mund të gjesh edhe komente me stil, duke thënë se “bursa” politike nuk është vendi ku mund të shiten kuaj. Ajo shërben vetëm si një njësi ekonomike që ofron shërbime në tregun e aksioneve dhe obligacioneve, duke krijuar lehtësira edhe për tregtinë e letrave me vlerë. Në këtë treg të madh përfshihen aksionet e kompanive private, aksionet e qeverive ose bonot e thesarit, obligacione etj., por mungojnë informacionet për blerjen e kafshëve. Në diskutime të tjera “bursa” krahasohet me një treg, të ngjashëm deri diku edhe me tregjet e fruta-perimeve, tregjet e bulmetit, tregjet e lagjeve, tregjet fshatare e gjithashtu edhe me qendrat tregtare, që i shohim apo i frekuentojmë gati përditë. Natyrisht, tregu i aksioneve dhe obligacioneve, i quajtur ndryshe “bursë”, ndryshon pak në formë, por në përmbajtje mbetet thjesht një vend pazari, ku parimet bazë mbeten po ato që karakterizojnë çdo treg.

Me anë të humorit, apo ironisë, sidomos asaj popullore, mund të thuhen gjëra shumë serioze. Gjithsesi, raporti, siç ndodh rëndom në këto raste, është pritur me dinjitet dhe me një mburojë të lartë patriotizmi. Në çdo vend të botës do të kishte një reagim zyrtar qoftë edhe anemik, por për fat në vendin tonë problemet më serioze nuk përjetohen kaq seriozisht. Nuk mund të shtojmë gjë tjetër veçse të themi se u vërtetua edhe një herë tjetër urtësia popullore mbi jetëgjatësinë e çudive, që nuk i tejkalojnë afatin e 3 ditëve. Jemi mësuar ta hamë turpin me bukë, duke e shoqëruar për çdo vakt me ndonjë lloj vere të zgjedhur dhe medoemos të shtrenjtë. Duke menduar në mënyrë allashqiptarçe, kuptohet që prioriteti dhe objektivi kryesor nuk është shmangia dhe parandalimi i veprimeve të padobishme për shoqërinë, por vetëm dhe në mënyrë ekskluzive mbulimi, kamuflimi dhe pengimi me të gjitha mjetet, si e si të mos merret vesh kryerja e veprime të neveritshme.

Për të pasur sukses në vendin tonë duhet ndjekur vetëm një mënyrë: të bësh sa më shumë para në çfarëdo lloj mënyre. Pajisja me mjete të tilla do ta lehtësojë rrugën drejt sukseseve të gjithanshme dhe do ta shtrojë atë me dafina. Kur në çdo kohë mban me vete rekomandime serioze të firmosura nga guvernatorët e bankave qendrore (kartëmonedha të llojeve të ndryshme), pengesat bëhen lehtësisht të kalueshme. Në këtë garë, e cila që në krye të herës është karakterizuar nga virtytet më të larta, mbetet problematik vetëm një element jo dhe aq i rëndësishëm: po bota, ç’do të thotë bota vallë?…

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00