Home | Society | Vendoret 2011, zgjedhje për standarde apo zgjidhje?!

Vendoret 2011, zgjedhje për standarde apo zgjidhje?!

image
Pushteti i takon atij, që është me i besueshëm, atij, që ka dhënë prova dhe sjellë alternativa konkrete për zgjidhje të problematikave akute, por edhe ato të perspektivës, atij, që merr shumicën e votave të sovranit.

 

 

   


 
Nga Dhimitër Gegprifti

 

Nëse Shqipëria do të bënte zgjedhje për të realizuar standarde bashkëkohore, si synim final, ky do të ishte treguesi më autentik, që përfshinte brenda vetes një gamë të tërë zgjidhjesh shtetërore, sociale, diplomatike e tjera. Ajo, që është më e rëndësishmja, do t'i tregonte Europës, pse jo dhe Botës cila është Shqipëria dhe shqiptarët në dekadën e parë të këtij fillim shekulli. Deri tani zgjedhjet tek ne janë kthyer në një mollë sherri, gjithmonë të akuzuara, problematike dhe fajin për to e ka vetëm pushteti si nocion administrativ, karrigia dhe përfitimet. Standardet kanë qenë dhe mbeten opsione sa herë ka zgjedhje. Për të arrirë një synim të tillë, ato nuk duhen krahasuar, por gjithmonë duke shkuar drejt standardeve të arrira nga shtete të tjera. Jemi futur në dekadën e tretë të një sistemi të ri demokratik, të cilin, megjithëse nuk e njihnim, e kishim ëndërruar në forma të ndryshme. Politika shqiptare dhe "politikanët" e saj gjatë gjithë kësaj periudhe e kanë vlerësuar Demokracinë sipas këndvështrimeve të tyre, duke i veshur një sërë "atributesh" dhe këto të lidhura ngushtësisht me qënien ose jo në pushtet.
Më konkretisht: ata që zënë karriget e pushtetit e reklamojnë si arritje me tregues gjithmonë në rritje dhe ata, që humbin pushtetin i veshin asaj njëqind të meta, mangësi deri në regres.

 Por a është kjo e vërteta? Natyrisht, që jo! Proceset demokratike ecin, por edhe në varësi të situatave të brendshme apo të jashtme ato kushtëzohen, sepse në një formë apo tjetër kanë ndikimin e tyre. Ndër të tjera, në këto dy dekada do të veçonim mënyrën demokratike të votimit dhe vlerën e votës. Shqipëria nga viti '90 e deri tani ka provuar një sërë fushatash elektorale: për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe ato administrative për Pushtetin Vendor. Nga një vëzhgim i kujdesshëm duket, se gjithmonë ato janë kontestuar nga palët, kryesisht, nga ata, që humbin. Nuk kanë vonuar të ngrihen akuzat nga më të ndryshmet, por edhe të çuditshme, duke iu vërsulur herë liderëve të politikës, herë Kodit Zgjedhor, herë Kushtetutës, herë Komisionit Qendror... dhe ende palët nuk po e gjejnë dot se kush e ka fajin, kur i humbet zgjedhjet, faji si gjithmonë mbetet jetim.
Por le ta lemë retorikën e të futemi konkretisht. Nga fillimi i fushatës elektorale, legale dhe ligjore, (pasi palët gjithë kohës bëjnë fushatë!), nuk kanë mbetur më shumë se njëzet ditë dhe nga data e votimeve rreth një muaj e gjysmë. Vendoret e majit 2011 kanë një specifikë: po zhvillohen në kushte të një situate tejet të acaruar, sidomos pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit, me katër viktima. Forcat e majta me një dilemë të madhe u regjistruan në KQZ dhe përsëri me një sërë kushtesh, që s'është çudi, të marrin karakter ultimativ, mund të kthehen në një precedent për të dalë nga zgjedhjet, kur qeveria quhet "regjim kusarësh", "vrasës", "hajdut", demonstrata me moto nga më të ndryshmet! Sikur nuk do të mjaftonin komisionet hetimore, ditët e fundit kërkesë nga të dy palët për dy komisione të tilla: mazhoranca hetim pasurisë së Edi Ramës, opozita hetim parlamentarizmit dhe funksionin e kryetares së parlamentit. Ndryshohen rregullore, zihen foltore, protesta dhe përplasje fizike, përjashtime nga parlamenti. Akuza brenda koalicionit qeverisës për afera korruptive, heqje imuniteti për një palë dhe me imunitet pala tjetër dhe në procese hetimore. Ministra të tjerë të akuzuar nga mazhoranca!


A mund të shkohet kështu në Europë? A do të hymë në BE? Kur?!
Këto duhet të mendojnë "politikanët" tanë dhe këta duhet t'u japin përgjigje këtyre pyetjeve, këta duhet t'i zgjidhin, t'i kuptojnë dhe t'i vlerësojnë si një imperativ për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kur do të largohet politika shqiptare nga strategji të tilla destruktive? Shqipëria po ecën në të kundërtën e rrugës së saj të integrimit dhe është kthyer në shqetësim serioz për BE, OSCE, ODHIR, por edhe për SHBA. Raporti paraprak i tyre nënvizoi se fillimi nuk është i mbarë, është problematik për zgjedhjet 2011! Ndërkombëtarët vijnë e shkojnë, presin çdo ditë zhvillime të reja, por shprehen se "janë të zhgënjyer" nga politikanët! Në Shqipëri nuk vlerësohet specifika e zgjedhjeve, "politika" nuk do t'ia dijë, ajo vazhdon "traditën": akuza, shantazhe, presione dhe ne elektorati, natyrisht jo i gjithë dhe ky është e duhet të jetë sa më pak dhe mundësisht zero, sikur biem në ekstazë dhe nuk i dënojmë këto qëndrime të majta apo të djathta, ngado që të vijnë.
Elektorati nuk duhet të udhëhiqet nga sloganet e politikës dhe domethëniet e tyre, por të përzgjedhë me kujdes e përgjegjësi në premtimet e saj, cila është e vërteta, cila është realja, kur dhe kush mund t'i kthejë ato në realitet, kush ka tregues konkret deri tani për ato, që janë folur e përfolur në debate, mitingje, konferenca, takime ndërkombëtare.


Elektorati, tashmë e ka kuptuar, se politika dhe liderët e saj në mendje dhe qëllim final kanë karrigen e pushtetit dhe bonuset, që vijnë prej saj, pala, që e ka, të mos e humbi dhe pala tjetër ta marri me çdo kusht. Ky është një "ligj", që përsëritet, shfaqet e rishfaqet sa herë vijnë zgjedhje dhe askush nuk mendon për zgjidhje. "Zgjidhjet", zakonisht lihen dhe justifikohen me "na jepni votën"! Të largojmë "regjimin"! Pushteti i takon atij, që është me i besueshëm, atij, që ka dhënë prova dhe sjellë alternativa konkrete për zgjidhje të problematikave akute, por edhe ato të perspektivës, atij, që merr shumicën e votave të sovranit. Zgjidhjet duhet të vijnë natyrshëm dhe në mënyrë graduale, në raport dhe varësi të kushteve të brendshme e të jashtme. Kur opozita nuk është e bindur për kushte të barabarta për vendoret, maji 2011, si pretendon se Zgjedhjet e Parakohshme, do të ishin zgjidhja e duhur në këto kushte? Se kush e ka meritën e fitores në këto zgjedhje do ta tregojë 8 maji, se kush është më i besueshëm do ta tregojnë votat. Populli do të vendos dhe do të shikojë te politika progresin e nevojshëm e të domosdoshëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0