Home | Politics | Karizma Akademike në "kthetrat" e Politikës

Karizma Akademike në "kthetrat" e Politikës

image
Të shpresojmë që këto zgjedhje do të sjellin një kualitet të ri debati, sidomos kur kemi parasysh që kandidatët futen në këtë garë secili me karizmën e vetë akademike.

 

 

Nga  Bardhyl ZAIMI

 

 

 

Dalëngadalë kandidatët për president të shtetit kanë filluar që të afishojnë “fragmente” nga koncepti i platformës së tyre. Janë këto momentet e para të shfaqjes së tyre para opinionit, gjegjësisht para elektoratit që e pretendojnë. Kandidatja që ka marrë mbështetjen e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Gordana Sijlanovska-Davkova, në paraqitjet e para, ka lënë të kuptohet se koncepti i saj në këto zgjedhje presidenciale do të jetë në linjë të njëjtë me atë partisë më të madhe opozitare maqedonase dhe që e nëkupton kundërshitmin e Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Siljanovska është profesoreshë e të drejtës kushtetuese dhe ekplorimet e saja për këtë çështje, që me gjasë do të jetë kundërvënia më madhe në këto zgjedhje, janë përligjur nëpërmjet formimi të një komisioni nëse do ta fitonte postin e presidentes.

 

Një një prononcim të saj publik, Siljanovska ka theksuar se do të jetë presidente për të gjithë qytetarët, ndërsa çështja e emrit i duket e papranueshme në aspektin e të drejtës ndërkombëtare. “Nuk më ka ikur mendja që të shfuqizoj marrëveshjen e Prespës, kjo është punë e Gjykatës Kushtetuese. Emri i ri nga aspekti i së drejtës nuk më është i pranueshëm dhe nëse fitoj do të formojë komision, i cili do të merret më këtë dhe do të nxjerrë në pah mospërputhjet ligjore sipas të drejtës ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.

 

Ndërkohë, edhe dy kandidat tjerë në këtë garë presidenciale, Blerim Reka dhe Stevo Pendarovski, kanë pasur paraqitjet e para publike. Blerim Reka futet në zgjedhjet presidendiale si kandidat i pavarur i mbështetur nga partitë opozitare në bllokun politik shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Ndërsa, Stevo Pendarovski, është kandidat konsensual që ka marrë miratimin e partnerëve të koalicionit LSDM-së dhe BDI-së si dhe partive tjera.

 

Tashmë është e kuptueshme se çdo votë në këto zgjedhje mbetet e rëndësishme, ndërkohë që prologu i kësaj fushatë ka tone të qeta paralajmërimesh konceptuale, të cilat pritet që të elaborohen më gjerësisht gjatë fushatës zgjedhore. Edhe pse zyrtarisht ende ka kohë për fillimin e fuashatës zgjedhore kandidatët për postin e presidentit nuk kanë hezituar që të lëshojnë paralajmërime, nëpërmjet të cilave e bëjnë të dukshme orientimin e tyre konceptual në këtë fushatë.

 

Vota e elektoratit shqiptar vlerësohet të jetë përcaktuese sidomos në rrethin e dytë të zgjedhjeve. Stevo Pendarovski, kandidati konsensual i partive të koalicionit, duket se ka qenë “atu” për të marrë sa më shumë vota te elektorati shqiptar, ndërkohë që kandidimi i Blerim Rekës shihet si një risi dhe kualitet në këtë fushatë i mbështetur nga partitë opozitare të bllokut politik shqiptar. Tashmë janë shfaqur edhe “atakimet” e para konceptuale mes kandidatëve. Gjersa Pendarovski ka afishuar idenë një shoqëri për të gjithë si një koncept gjithëprfshirës i promovuar edhe nga LSDM, Reka ka deklaruar se mbetet e nevojshme që shteti të jetë për të gjithë, duke shpjeguar që koncepti shoqëri për të gjithë nuk e nënkupton barazinë në nivel shteti. Pendarovski ka theksuar se për të mbetet shumë e rëndësishme “ që ta votojnë shqiptarët”, ndërkohë që në rrethin e dytë ai ka kërkuar mbështetjen edhe të votës së opozitës shqiptare. Blerim Reka, nga ana tjetër ka theksuar se pret që të marrë vota edhe nga elektorati maqedonas.

 

E matur në deklarimet e saja të para publike në raport me elektoratin shqiptar ka qenë edhe kandidatja për presidente Siljanovska. “Jam e lindur në Ohër, në një shtëpi turke, ndërsa nga mosha ime 10 vjeçare, vëllai im ka kumbarë shqiptar. A mundet që dikush të rritet në ambient të tillë dhe të jetë nacionalist”, ka theksuar Siljanovska- Davkova.

 

Të tre kandidatët për president vijnë nga bota universitare me një background të theksuar intelektual. Janë njohës të mirë të teorive shtetërore dhe të gjithë asaj që përfaqëson politika si hapësirë afirmimi dhe kultivimi të ndjeshmërive plurale demokratike. Duket se në këtë fushatë do të shpërfaqen dy beteja për secilin kandidat. Njëra betejë do të jetë ajo e përballjes politike njëri me tjetrit, ndërsa beteja tjetër do të jetë përballja mes karizmës intelektuale dhe impenjimeve politike partiake.

 

Kandidatët tashmë e kanë shpallur në njëfarë forme pavarësinë e personalitetit të tyre në raport me partitë që i mbështesin. Një synim për të qenë përmbi obsionet partiake dhe për të treguar se integriteti i tyre intelektual mbetet determinues në shpalimin e “objektivave presidenciale”. Dhe, padyshim, nga backgoundi i tyre intelektual ky horizont akademik duket i mundshëm. Duket se kanë dijen dhe maturinë e duhur për të shpaluar vizionin e tyre autentik për pozicionin për të cilin garojnë. Të tre kandidatët kanë përvojën dhe njohuritë e duhura për të konkurruar politikisht në përputhje me ingerencat që i ka presidenti i shtetit me kushtetutë.

 

Padiskutim që ky pozicion kushtetues i postit të presidentit nuk është i ngrirë, një pozicion statik dhe teknik. Gjatë fushatës ky pozicion mund të zgjerohet me prurje të reja dhe me një vizion të ri politik gjithnjë në përputhje me hapësirën që e lejon një shtet me sistem parlamentar. Një funksion publik, në asnjë rast nuk mund të skematizohet vetëm në determinime kushtetuese dhe ligjore. Një funksion determinohet edhe nga reflektime të përhershme politike që janë në përputhje me vlerat demokratike, realitetet plurale politike dhe realitetet diverse kulturore që vijnë si pritshmëri integrimesh euroatlantike.

 

Sidoqoftë, synimin për të vënë në pah dimensionin akedemik që e posedon secili nga kandidatët do të pësojë çarje gjatë fushatës nga implikimet, gjegjësisht kauzat partiake, të cilat zakonisht i lënë nën hije këto debate të mundshme vlerash gjithpërfshirëse. Është dëshmuar gjatë periudhës së kaluar që “kthetrat” e politikës janë të pamëshirshme. Në këto zgjedhje, si asnjëherë më parë, duket se do të kemi një betejë mes rezistencës së integritetit akademik dhe përvetësimeve, përthithjes së karzimave nga ana e partive politike. Tash akoma jemi në fazën e parafushatës dhe është herët për të vlerësuar nëse do të ngadhënjejë integriteti intelektual që mbështet nga partitë, apo do të ngadhënjejnë përplasjet shterpe partiake që e bëjnë të padukshme substancën akademike brenda kandidatëve.

 

Modeli i sinkronizimit me partitë përsëri sforcon betejat tashmë të përjetuara nga gjithë qytetarët, betejat e kauzave partiake, të cilat përsëriten si refrene në secilën sezonë zgjedhore. Të shpresojmë që këto zgjedhje do të sjellin një kualitet të ri debati, sidomos kur kemi parasysh që kandidatët futen në këtë garë secili me karizmën e vetë akademike.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00