Home | Politics | Sistemi, sfidat, demokracia

Sistemi, sfidat, demokracia

image
Globalizimi s’është tjetër veç emri i një sistemi pushteti. 

 

© Dea J Klosi, në Shqip

© Carlos Fuentes

 

 

Politika ka qenë për mua si një lëng i dytë amniotik : jam rritur i zhytur në të, sepse, ndërmjet 1930-ës dhe 1960-ës – rreth tridhjetë vitet e mia të para –, kam parë më të mirën dhe më të keqen e sistemit të drejtimit. Më e mira qe kjo se shumë shpejt, kam pasur një ide konstruktive dhe aristoteliciane të politikës, të boshtëzuar mbi virtytin, të hapur ndaj të dhënave të kulturës dhe traditës, respektuese të individit dhe kolektivitetit. Sigurisht, nuk e mendoja kështu në fëmijëri dhe adoleshencë. Por e parandjeja, sepse kam pasur fatin të rritem në dy shoqëri politike paralele : Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Presidentit Franklin D. Roosevelt, dhe Meksikën e Presidentit Lazaro Cardenas. Nga njëra anë, the New Deal ; nga tjetra, pika kulminante e Revolucionit Meksikan. Roosevelt e nxori vendin nga depresioni më i keq i njohur deri atëherë, duke shfaqur besim në kapitalin njerëzor të Shteteve të Bashkuara. Ringjalli besimin dhe madje edhe zellin e bashkëqytetarëve. I dha shtetit një rol aktiv në uljen e papunësisë, rindërtimit financiar, krijimit të infrastrukturave moderne, kujdesit për shëndetin dhe arsimin. E shpëtoi kapitalizmin amerikanoverior – dhe ky i fundit, as që e falenderoi, madje nuk e kuptoi fare. Roosevelt, aristokrati i Hyde Park, ishte një renegat, një impotent, mbase dhe një çifut. Në Meksikë, Cardenas i dha vrullin përfundimtar Revolucionit. Reforma agrare çliroi me qindra mijëra fshatarë, të lidhur pas tokës me shekuj të tërë, dhe, edhe pse pasojat e kësaj mase qenë dhe mbeten të diskutueshme, është fakt se fshatari mundi të paktën të zbriste në qytet dhe të shërbente si krah pune – gjithashtu të diskutueshëm – në procesin e industrializimit. Shtetëzimi i naftës, nga i njëjti President, e mbështeti industrinë meksikane në lindje e sipër. Dhe Cardenas mundi të shtronte bazat e zhvillimit kapitalist të vendit. Borgjezia meksikane nuk ia diti për nder, dhe as ia njohu. Kjo u bë ngaqë, me këtë president, rritja ekonomike u shoqërua me drejtësinë përpjesëtimore. Në Meksikë, shpërndarja e pasurive nuk qe kurrë aq e drejtë sa në regjimin kardenist. Edhe sindikatat, punëtore dhe fshatare, e përmbushnin misionin e tyre. Mjerisht, ato ngrohnin tashmë në gji gjarpërin e korporatizmit ekskluziv.

Politika e Rooseveltit përgatiti pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore ; ajo e Cardenas deshi të tregonte se ky konflikt kishte gjithashtu një karakter etnik. Ai e mbështeti mbrojtjen e parimeve jashtë vendit me masa praktike bujarie, duke i hapur dyert e vendit ndaj mërgimit republikan spanjoll, i cili qe një pasuri e paçmuar në jetën kulturore.

Të tilla qenë dritat e politikës, por hijet e shumta kërcënonin t’i shuanin. Lufta e Spanjës qe shenja e parë e një politike të përkushtuar haptas ndaj së Keqes. Franco e maskoi këtë luftë si një kryqëzatë nacionaliste, peshkopët ia dhanë bekimin, dhe aleatët e vet, nazistët dhe fashistët, i dërguan armë. Spanja qe paralajmërimi i asaj ç’po kurdisej nga poshtë. Asnjëherë më parë në histori, e Keqja s’ishte shpallur si e tillë : tirani totale, e shoqëruar me Zgjidhjen përfundimtare : Holokaustin. Adolf Hitler vendosi se më në fund, Djalli duhej të mishërohej. Atë çfarë Zoti e kishte bërë me të birin e vet, Jezusin, Satani e bëri me një klon : Hitlerin. Por Jaspersi na tregoi shumë shpejt se forca e Kancelarit të Rajhut ishte në mosekzistencën e tij : Hitleri ishte shefi i paqenë, guacka bosh e turmave pa rrënjë.

Disfata e socialistëve dhe komunistëve gjermanë më 1932, i është mveshur faktit që e majta e shihte botën përmes tunelit të infrastrukturave ekonomike, siç thoshte kështu Bibla marksiste. Nga ana e vet, Hitleri shtiu në dorë superstrukturat kulturore, vështroi nga lartësia e Walhallës, iu bëri thirrje miteve wagneriane, ëndrrave dhe mirazheve të Volk-ut gjermanik. Ashtu siç u mbështet dhe mbi dëmshpërblimet dhe poshtërimin e shkaktuar nga Traktati i Versajës, mbi ndjenjën e epërsisë intelektuale dhe etnike, dhe mbi nevojën fizike për një hapësirë vitale : Lebensraum. Por, tekefundit, e Keqja që ai e mishëroi dhe metodat e tij qenë tejet të dukshme. Mashtrimi i stalinizmit, mbase qe ende më i rëndë. Këtu bëhej fjalë, në parim, për të zbatuar një filozofi humaniste çlirimi. Shtrembërimi i idealit socialist nga Stalini – spastrimet, Gulagu, zhdukja e lirive më elementare, paranoja e tiranit dhe torturimi i popullit të vet – qe ende më i keq se materializimi i makthit hitlerian. Hitleri nuk mashtroi askënd. Stalini veshi maskën e humanizmit marksist dhe u tall me qindra mijëra komunistë të ndershëm, të çiltër. Gide e humbi besimin që në vitet e paraluftës, por Aragoni e ruajti deri në pushtimin e Çekosllovakisë, dhe Neruda deri në raportin e Hrushovit në Kongresin e XX-të të Partisë Komuniste.

Dhe ja kështu u përligj Lufta e Dytë Botërore. E kemi quajtur lufta e drejtë, e vetmja luftë e nevojshme. Dhe solidariteti ynë rinor është bashkuar me zell me luftën kundër fashizmit. Vitet e luftës i kam kaluar në Kili dhe në Argjentinë. Kili – vendi i parë latinoamerikan që ka ecur drejt një sistemi demokratik : nga demokracia për aristokracinë në fillim, tek demokracia për partitë, shtypin dhe organizmat shoqërorë – qeverisej më 1941 nga Fronti Popullor dhe Presidenti i tij, Pedro Aguirre Cerda. Ndihej aty një erë reforme shoqërore, e shoqëruar me një krijim letrar që bashkonte fjalën dhe lirinë, politikën dhe poezinë. Kështu, thellë brenda meje, formimi im kilian do të ishte krejt i kundërt me Argjentinën ku jetova më 1944. Një regjim ushtarak, pararendës i zymtë i diktaturës populiste të Peronit, i cili e shtrembëronte arsimin (antisemiti Hugo Wast ishte Ministër i Arsimit) dhe tani gjithë vendin si një shtojcë të fashizmit. Një shtojcë që, më pas, u bë strehë për nazistët në arrati.

Kështu, politika mund të ishte si shqiponja që fluturon lart në qiell, duke zbuluar panoramën më të gjerë që nga « shkëmbinjtë e lartë të agut njerëzor » – po të citojmë këtu Këngën e përgjithshme të Nerudës –, apo si hidra e neveritshme, përbindshi i Apokalipsit në poemën e Yeats. Lufta e ftohtë u përpoq ta fuste shqiponjën në kafaz dhe të joshte gjarpërin, duke i zëvendësuar me një hibrid, gjysmë korb e gjysmë deve, herë kafshë e përgjumur e shkretëtirës, qëndruese ndaj etjes, e herë fluturak grabitqar i pangopur, gati të na nxjerë sytë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me McCarthy, ranë në një paranojë antikomuniste që i bëri inkuizitatorët të ishin gati si ajo të cilën e luftonin : si intoleranca dhe mizoria e stalinizmit. Por qëndresa e institucioneve demokratike amerikanoveriore e ndryshoi më në fund këtë shmangie në lëvizje për të drejtat civile dhe në ligje kundër diskriminimit racial. Pati fillimisht një McCarthy ; por pastaj pati dhe një Martin Luther King. Sidoqoftë, nëse brenda kufinjve Shtetet e Bashkuara kanë shpesh fytyrën e dashamirësit Dr. Jekyll, jashtë kufinjve ata shndërrohen shumë lehtë në përbindshin Z. Hyde. Politika e Fqinjësisë së Mirë dhe bashkëjetesës me të majtën në Meksikë dhe në Kili, korporatizmi në Brazil apo diktaturat e Karaibeve dhe Amerikës Qendrore (« Somoza është një bir kurve, por është kopili ynë », thoshte F.D. Roosevelt), u shndërrua, që nga Eisenhower dhe Dulles, në fushatë të verbër antikomuniste, e cila ngatërroi politikën e Kremlinit dhe sulmoi në të njëjtën mënyrë regjimet reformiste të Arbenzit në Guatemala dhe Goulartit në Brazil, revolucionin – joshës dhe të kuptueshëm – të Castros në Kubë, dhe demokracinë elektorale, krejt të ligjshme, të Salvador Allendes në Kili.

Kjo konjunkturë i ka vonuar fatalisht reformat e domosdoshme të Amerikës Latine, e ka shtyrë Kubën në një imitim të pakuptimtë të « socializmit real », po aq të rrezikshëm sa dhe kopja e modeleve të kapitalizmit autoritar në pjesën tjetër të hemisferës, kopje, e cila çoi në diktaturat e përgjakshme në Kili, Argjentinë dhe Uruguaj. Mirëpo politika është sinonim i rindërtimit dhe, ende më shumë, sinonim i ndërtimit në Amerikën Latine. Kili, Uruguaj, dhe në njëfarë mënyre Argjentina, mund ta rivendosin demokracinë. Amerika Qendrore dhe Karaibet kanë për ta ndërtuar. Kurse Meksika duhet ta shndërrojë « diktaturën e përkryer  » të pushtetit unik – binomi president-PRI – në demokraci të papërkryer të bazuar në partitë politike, ndarjen dhe kontrollin e pushteteve, etj.

Si t’iu përgjigjemi sfidave të demokracisë ? Situata botërore ka ndryshuar rrënjësisht. I çliruar nga rivali i tij komunist, kapitalizmi është globalizuar. Të mos mashtrohemi. Globalizimi s’është tjetër veç emri i një sistemi pushteti. Por, në kundërshtim me sistemet e mëparshme, globalizmi nuk ka kornizë legale të mirë apo të keqe ; me fjalë të tjera, po të përdorim një eufemizëm, globalizimi vuan nga një defiçit i madh politik.

Që nga fundi i luftës së ftohtë – që kishte vendosur një lloj juridiksioni të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, dhe të bazuar mbi barazpeshimin e terrorit –, ne kemi qenë të pranishëm në dobësimin dhe madje në zhdukjen e instancave tradicionale. Kombi dhe perandoria ; shteti dhe bashkësia ndërkombëtare ; sektori publik dhe privat ; shoqëria civile : emërtime (institucione) këto që, në mënyrë të dukshme, paradoksale apo të maskuar, janë sot në krizë ose të paktën në shndërrim e sipër.

Përse ? Sepse ne s’kemi qenë të aftë të krijojmë një legalitet të ri, të përshtatur ndaj realitetit të ri. Perëndimi modern është ndërtuar rreth disa konceptesh që s’kishin pikë rëndësie në Mesjetë : Kombi, shteti, e drejta ndërkombëtare, ekonomia tregtaro-kapitaliste dhe shoqëria civile. Mirëpo, cila është tani e tutje rëndësia – shkalla e realitetit – të këtyre instancave, në globalizimin e pasluftës së ftohtë ? Le të përpiqemi t’iu përgjigjemi këtyre çështjeve në optikën e Amerikës Latine.

Kombi dhe nacionalizmi, për shembull, janë terma të modernitetit që shfaqen për të përligjur idetë e unitetit territorial, politik dhe kulturor, të nevojshme për bashkimin e shteteve të reja të dala nga shpërbërja e bashkësisë së krishterë mesjetare. Por, çfarë e shkakton vetë shfaqjen e ideologjisë nacionaliste ? Durkheim përmend zhdukjen e qendrave të vjetra të identifikimit dhe ngjitjes, të cilat i zëvendëson Kombi. Dhe Isaiah Berlin shton se çdo nacionalizëm është një përgjigje ndaj një plage të shkaktuar ndaj shoqërisë. Kombi e përthan këtë plagë. Mirëpo sot, nëse ideologjia nacionaliste dhe vetë kombi janë në krizë, me çfarë ideologjie të re do të ushqehet shoqëria ? Cila është tani plaga jonë shoqërore, dhe si ta qepim atë ? Si do të quhet ky proces, ende anonim, që do të na lejojë të përshtasim një legalitet të ri për realitete të reja ? Me çfarë do të zëvendësohen qendrat e vjetra të identifikimit kombëtar dhe kolektiv ?

Ne do të donim të besonim se vendin e instancave nacionaliste që shkojnë duke u dobësuar, do ta zënë juridiksionet ndërkombëtare. Por ja që s’është kështu. Konflikti i Kosovës, për shembull, ka treguar caqet – dhe rreziqet – e një rendi të ri ndërkombëtar.

Ndërhyrja e armatosur kundër një shteti të shpallur « rrugaç » është e parashikuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Ajo që s’është parashikuar, është se një organizatë rajonale, NATO, i jep vetes një të drejtë për ndërhyrje që e shkatërron rendin juridik ndërkombëtar, mbjell pështjellim dhe pasiguri, dhe përkrah një të drejtë faktike për ndërhyrje në punët e brendshme.

Nuk do të ketë rend të ri ndërkombëtar nëse iu lejojmë më të fortëve që të ndërhyjnë sipas tekave të tyre – duke marrë përsipër rrezikun të përballemi me mëdyshje të cilat cënojnë të drejtën, sigurinë dhe vetë fuqitë e ndërhyrjes.

Kjo nuk do të thotë se nuk ka shërim. Përkundrazi. Kriza e Ballkanit na tregon nevojën e reformimit të një sistemi të krijuar nga (dhe për) nja pesëdhjetë kombe fitimtare pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim që institucioneve ndërkombëtare t’iu jepet më tepër zhdërvjelltësi dhe përfaqësim.

Kam pasur rastin të bisedoj një ditë me Kryeministrin Italian të kohës, Massimo d’Alema. Ai ishte i bindur se NATO duhej të ndërhynte në Kosovë, por bindja e tij ishte e përzier me një shqetësim të madh. Ishte sidomos i vetëdijshëm se tragjedia mund të ishte shmangur nëpërmjet udhës juridike dhe diplomatike. « Por nuk qe kështu », përfundoi d’Alema, dhe që rasti i Kosovës të mos përsëritet më, duhen krijuar « disa vegla parandalimi krizash që të mos jenë të bazuara vetëm mbi mjetet ushtarake, por mbi ato politike dhe ekonomike ».

Ne jemi përballë një situate ku, nga njëra anë juridiksioni ndërkombëtar po hollohet, e nga ana tjetër sovranitetet kombëtare, Nemesisi i dikurshëm i së drejtës së njerëzve, po zbehen e dobësohen në mënyrë të paparashikuar. Kjo është lëvizja e globalizimit, në të cilën po i vënë shpresat shumë prej bashkëkohësve tanë, por edhe po i shohin të pasqyruara frikat e tyre.

Globalizimi e nënshtron dhe, në njëfarë mënyre, e hedh poshtë ideologjinë nacionaliste mbi të cilën u themelua bota moderne. Veç kësaj, në gjirin e çdo bashkësie kombëtare, ai ngre çështje të shumta për institucionet demokratike, për ndërmarrjen, shtetin apo kulturën.

Fakti që përgjigjet politike ndaj këtij kalimi nga shteti-komb tek Fshati Global po vonojnë të formulohen, na bën të rikujtojmë se edhe vetë shteti-komb është profiluar ngadalë, ashtu si instancat e sovranitetit gjatë kalimit nga Mesjeta në Rilindje. Veç kësaj, Mesjeta nuk kishte krijuar një sistem vertikal dhe të paepshëm për bashkësinë e krishterë ; ajo kishte jetuar në konfliktin e përhershëm ndërmjet pushtetit kohor dhe atij fetar. Luftrat dhe rivalitetet ndërmjet Gregorit VII dhe Henrit IV, ndërmjet Gregorit IX dhe Frederikut mjekërkuq apo ndërmjet Bonifacit VIII dhe Filipit të bukur, kanë ushqyer një tension ndërmjet Kishës dhe Shtetit mungues të Rusisë bizantine, ku çezaropapizmi – njëjësimi mes carit dhe Kishës – ka mbetur në fuqi deri në simbiozën ndërmjet shtetit dhe partisë nën Leninin dhe Stalinin. Demokracia ka lindur nga ky tension në Perëndimin Mesjetar, kur sfera kohore hiqte qafe pushtetin spiritual dhe kur të dyve iu desh të pranonin dhe respektonin ngritjen e pushteteve lokale, politike (gjykata, bashki) dhe shoqërore (korporata), të cilat kanë mundësuar lindjen e një shteti-komb sovran dhe një debati tjetër në lidhje me këtë risi. Për Makiavelin, politika është autonome dhe amorale. Për Jean Bodin, politika është e pandashme nga monarkia absolute – e cila përjashton pra çdo pjesëmarrje pluraliste. Hobbes, nga ana e vet, nxirrte si argument absolutizmin anglez. Por vetëm duke u nisur nga parlamentarizmi anglez dhe pastaj me Dritat(Iluminizmi), klasat shoqërore, korporatat, dhe në fund individët, bëhen aktorë të jetës politike.

A jemi duke përjetuar një lëvizje të ngjashme, në ethet tona politike ? A do të arrijmë t’iu vendosim një rend ndërkombëtar juridiksioneve pa ligj të tregut, të narkotrafikut, të mërgimeve në masë të popullsive ? A do të kemi instanca planetare të afta t’i rregullojnë këto procese – që të kemi tregje të nënshtruara ndaj disa normash interesi publik dhe zhvillimi të vendeve më të varfëra ; depenalizim të trafikut të drogave, me qëllim që t’i privojmë kartelet nga përfitimet e tyre të jashtëligjshme dhe kolosale ; mërgime të rregulluara me ligje që i mbrojnë punëtorët dhe që e mbajnë parasysh prurjen e tyre të domosdoshme ndaj vendeve që i presin ? Ka disa shenja që po ecin në këtë drejtim. Vulosja universale e të drejtave të njeriut, karakteri i paparashkrueshëm i krimeve kundër njerëzimit dhe ngritja e gjykatave ndërkombëtare (si Gjykata Penale Ndërkombëtare) përpunojnë një kulturë të legalitetit që do të mund të shtrihej dhe tek funksionimi i tregut, duke e nënshtruar atë ndaj disa normash me dobi shoqërore dhe përgjegjësi politike.

E tërë kjo duhet të mundësojë forcimin e shtetit kombëtar, sepse nuk ka ekonomi të fortë pa shtet të fortë dhe rregullator. Dhe nuk ka shtet të fortë pa një shoqëri të fuqishme civile, e cila ta nënshtrojë atë ndaj disa mandatesh politike dhe disa rregullash transparence dhe kontrolli. Një shoqëri e cila të mos kufizohet në festimin e zgjedhjeve periodike (apo në mbushjen e zbrazëtive ndërmjet dy zgjedhjesh, siç thotë Pierre Schori), por të shkarkojë qeveri, të organizojë referendume, të kërkojë përgjegjësinë parlamentare të ministrave, si dhe pavarësinë e drejtësisë dhe ndëshkimin e shpërdorimeve të pushtetit.

Politika është shumë më tepër se një episod zgjedhor. Ajo është e domosdoshme që ta rrisë pjesëmarrjen, zgjerojë hyrjen tek njohuritë dhe të kujdeset që qytetarët t’i njohin dhe kërkojnë të drejtat e tyre. Më tepër se kurrë – dhe, pse Hegeli s’është më në modë –, politika është një tezë (e drejta), një antitezë (etika) dhe një sintezë : legaliteti, moraliteti. Dhe për ta shpërblyer Hegelin, ne do të citojmë Burken që na rikujtonte se politika është një bashkim, jo vetëm ekonomik, por edhe « në art të plotë, në virtyt, në përsosmëri ».

Shuma e shpresimeve të mia politike nuk më verbon përballë rreziqeve të shumëzimit të pushteteve kriminale jashtë çdo kontrolli ; ajo s’më pengon të shoh se një superfuqi e vetme kundërshton një vullnet botëror për të krijuar instanca drejtësie, zhvillimi dhe mbrojtjeje të mjedisit, dhe që, në emër të një të ashtuquajture « përplasje qytetërimesh », diabolizojmë kultura të tëra.

Ne, Latino-Amerikanët, jemi pasardhësit e një Europe në kontakt me Izraelin dhe Islamin ; ne s’mund të mbështesim idenë e një konflikti qytetërimesh që mohon gjysmën e qenies sonë. Historia e popujve njeh ulje dhe ngritje, futet në cikle dhe, ashtu si moderniteti perëndimor që s’do të ekzistonte pa prurjen e Arabëve, edhe prapambetja teknike sot e vendeve muslimane s’mund të mbulohet ndryshe veç me pagesën bujare të një borxhi universal kundrejt bashkësive islamike.

Islami dhe Izraeli na kanë dhënë shumë. A s’do të mundnim ne, në radhë të parë, t’iu ofronim disa mundësi paqeje përmes bisedimesh të drejta ? A s’do të mundnim ne, më pas, të njihnim humanizmin mbizotërues të popujve arabo-muslimanë, duke mos i mbyllur prapa hekurave të terrorit dhe, ende më keq, hekurave të së Keqes së mishëruar ?

Me këto në mendje, ja se çfarë m’i ushqen shqetësimet politike në këtë fillim shekulli :

Jam i shqetësuar nga shfrytëzimi i egër i burimeve të kufizuara të planetit, nga ndotja e ajrit, ujit, tokës.

Jam i shqetësuar nga fakti që ne jemi gjashtë miliardë burra e gra më 2001 : hopi më i madh demografik në histori.

Jam i shqetësuar nga paragjykimet dhe raportet e pushtetit që, nën shkasin e rendit social, vazhdojnë t’iu refuzojnë grave – më shumë se gjysmës së popullsisë botërore – të drejtat elementare në sferat e punës, përfaqësimit politik, dhe madje të zotërimit të trupit të vet.

Jam i shqetësuar tek shoh lirinë e tregut që shtrihet gjithandej duke mohuar lirinë e punës.

Jam i shqetësuar nga një ekonomi globale që nxit qarkullimin e lirë të mallrave, duke ndaluar nganjëherë lëvizjen e lirë të punëtorëve.

Jam i shqetësuar nga një rend kapitalist autoritar në të cilin, pa kundërshtar komunist përballë, e detyrojmë planetin për një model unik dhe dogmatik të tregut.

Jam i shqetësuar nga rikthimi i shenjave më të këqija të fashizmit : ksenofobia, diskriminimi racial, fondamentalizmi politik dhe fetar, persekutimi i mërgimtarit.

Jam i shqetësuar nga pushteti i drogës që tallet me kufinjtë dhe instancat legjitime, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Jam i shqetësuar nga përkeqësimi i qytetërimit urban në mbarë botën, nga Bostoni në Birmingham dhe Bogota, nga Brazavili në Bangkok : njerëz të pastrehë, lypje në rrugë, braktisje pleqsh, pandemi të pakontrollueshme, pasiguri, kriminalitet, rënie të shërbimeve të arsimit dhe shëndetësisë…

Jam i shqetësuar nga fushatat e reja dhe absurde të garës së armatimeve ndërmjet fqinjësh të varfër, në dobi të fqinjëve të pasur.

Jam i shqetësuar që, për herë të parë në histori, njeriu ka aftësinë e përbindshme të vrasë veten duke asgjësuar natyrën, e cila, deri tani, iu kishte mbijetuar çmendurive tona tragjike.

Jam i shqetësuar nga një botë pa dëshmitarë.

Jam i shqetësuar nga gjithçka që cënon vazhdimësinë e jetës.

E tërë kjo bën pjesë tek politika : jeta në bashkësi, qytetaria, drejtimi, strategjia.

 

 

 

© Dea J Klosi, në Shqip

© Carlos Fuentes

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
4.50