Home | Politics | Bisedë me «Varrezat» pranë

Bisedë me «Varrezat» pranë

image
Kështu rrallë gjën si te Greqia ushtarë - më heroj të vdekur se të gjallë!

 

 

 

Nga Agim Shehu

 

 

 

Po shkruaj diçka për ngjarjen e pashembullt në historinë e shteteve sovrane, e cila nesër do ta shfaqë të plotë tragjedinë që ruan brënda për ne dhe brezat që vinë. Është fjala për Varrezat e ushtarëve grekë në tokën shqiptare. Në të vërtetë ky është një agresion i ri i fshehur i fqinjit tinzar me ndihmën e shtetarëve shqiptarë të çdo krahu që po e shesin në zanat tradhëtarësh Shqipërinë e Jugut. Kufomat e ushtarëve të huaj ndjehen të gëzuar nën dheun e fqinjit ngaqë të gjallë nuk e morën dot fantazmën e tyre «Vorio-Epir», e po e marrin të vdekur! Kështu rrallë gjën si te Greqia ushtarë - më heroj të vdekur se të gjallë! (për këtë ngjarje të rëndë, më 1998, kur një ministre Shuli nisi negociatat me zyrtarë greke, botova shkrimin «Greqia po na pushton dhe me eshtrat e të vdekurve.» Po e plotsoj të freskuar). 

Hapsirat e varrezave zgjatur si deshën ata, në të vërtetë janë tapi greke të tokës shqiptare. Aty ata do bëjnë ç’të duan pasi venë te njerzit e tyre – shpirtëra që u «flijuan» për « lirinë » e fqinjit! Do hyjnë dhe me kryqe në qafë e armë fshehur nën brez…Do t’u ndërtojë të vdekurve poshtë e të gjallëve sipër pika fetare e çlodhjeje «helene» si në truall të tyre!…T’i kundërshtosh, do përballosh zhurmën zyrtare në tërë mediat e botës për shpirtin antihuman të shqiptarëve që vetë na lejuan se kishim të drejtë…e të tjera. Koha ka për t’i provuar, e shqiptarët kanë për t’i ngarkuar...

Qendrën e fjalës e kemi te mendimi shprehur në media e ngado: a janë pushtues këta ushtarë, apo «të rënë në fushë të nderit !» A kemi të bëjmë me dëshira më vete, apo me organizim shtetëror strategjik! Në Greqi këndohet hapur e me pëlqim zyrtar: «Pirame to Tepeleni/ qe tin Korica), / qe se ligo tha vrethume/ mes s’ta Tirana»/ (e morëm Tepelenën, dhe Korçën/ e së shpejti do gjëndemi brënda në Tiranë.»). Në të vërtetë, gjersa kryepeshkopin grek e bënë «shtetas shqiptar» pa ditur as shqipen që të na këndojë Nolin, Athina ndodhet në qendër të Tiranës). Korçën veçanërisht e kanë në zemër dhe e thërrasin kudo pranë vetes pasi e dinë që, sipas ligjeve ndërkombëtare s’ka minoritet etnik pa një qytet të shquar. Por për këtë rilexojmë përsëri senatorin amerikan Z. Hart që flet kundër shovenëve me emër, dhe për shqiptarët: «Korça është shqiptare. Është qyteti më amerikan në botë.. A doni ju t’i futni nën zgjedhën greke qytetarët shqiptaro-amerikanë?» 

Shteti grek e ka në strategjinë e vet marshimin pushtues drejt Veriut gjer në çdukjen e fqinjit pa u shqetsuar se po shfaqet me vetitë më të zeza - mosmirënjohës, i pabesë, vrasës, demagog e me radhë..Presidenti grek, si çudi e radhës, këto ditë diskutimesh të nxehta u pa hipur majë tanksit në Janinë! Nuk dihet ç’kërkonte aty, ndoshta mëntë, veç nga fytyra i ngjante Don Kishotit sidomos pas kërcënimit që i bënte Shqipërisë (megjithatë Don Kishoti me rrënjë fisniku qe vetëm e keqja e vetes që botën e ushqente me të qeshur). Kreu grek majë tanksit bisedimet që priten mendon se i ushqen me ,trimëri ‘helene’ për lëshime. Harron se ai mund të trembë ata me të cilët bisedon, por jo shqiptarët. Pa dashur të dal nga tema, kur pashë pamjen trimërore të Presidentit trimëror majë tanksit, m’u kujtua një vlerësim me humor para mëse 5 shekujsh i Bokaçios te DEKAMERONI : «Grekët tregohen shumë trima kur kanë përpara ndonjë frikacak. Po kur ndeshen me një burrë trim u hyn frika sa dhe gruan e familjen janë gati ta shesin“. 

Athina zyrtare e ka bërë traditë, sa pushton një copë nga fqinji, si Janinë, Camëri etj., ia ngjit këto shtetit të saj dhe vetë, pas zhurmës së re të çdo lloji, vazhdon udhën më lart. Çdo hap i saj drejt Shqipërisë është vetëm për pushtim të mëtejmë, deri te vija e Shkumbinit ku synon të takohet me sivëllaun e vet, Serbinë. Teoritë do ushqenin aksionet dhe krimet pa fund. Teorinë e përcaktonin dijetarët, e bekonin kishtarët, e miratonin zyrtarët, e merrnin për zbatim ushtarët. Konkretisht. Qysh në lindje, më 1913, ideja u militarizua dhe ushtarakisht e u hodh në hartën ushtarake. Shtabi i Përgjithshëm grek bëri Hartën Etnografike të Epirit të Veriut ku përcakton luftarakisht si troje greke: „Kazaja e Korçës, Starovës, Kolonjës, Gjirokastrës, Himarës, Delvinës, Leskovikut, Tepelenës, Përmetit, Pogonit e Filatit, e shënohet që të kenë tok një popullsi prej 228 mijë banorë ». E tillë, ajo arriti te simotra ushtarake e Gjeneral Aleksandër Papagos, kryekomandant në Luftën italo-greke. Gjykimet e tij shprehur hapët, thonë të vërtetën e kësaj lufte në truallin shqiptar. Thonë të vërtetën edhe për Varrezat se ç’qëllime kishin ata të cilët nga burra të krekosur u kthyen në kufoma të karfosur, e zyrtarët tanë ia bëjnë peshqesh nderimi Shqipërisë. Kryegjenerali në veprën e tij mbi Luftën italo-greke shkruan mes të tjerash se ‘armatimet më të reja u ishin dhënë trupave që luftonin në Shqipëri. Pasttaj jep planin e ushtrisë së vet në Shqipërinë e Jugut, harmonizuar kjo me planin sllav në Veri, me të cilin do bashkoheshin në Shkumbin! Pastaj jep dinamikën e lëvizjeve të përbashkëta: grekët do ecnin në vijën Janinë – Vlorë – Durrës dhe Korçë - Elbasan – Durrës. Më tej shton qartë se «veprimet e mëpastajme për arritjen e qëllimit përfundimtar do kryheshin në vartësi dhe bashkëveprim me përparimin e forcave jugosllave…Librazhdi nga veriu do do rrethohej nga forcat jugosllave, kurse nga jugu, prej forcave e Armatës së Epirit“. A ka më qartë kur e pohojnë vetë se ç’qëllime në thellësi kish kjo luftë italo-greke në truallin shqiptar ? 

Këtë synim e plotson hapur një kapiten Kosta i cili në gazetën Omonia në Gjinokastër thirrte sa ta dëgjonte dhe Roma: „Faleminderit, Itali, që na dhe rastin të marrim tokat amtare“ (nuk kuptohet, ushtaraku i lartë grek e lufton apo e përgëzon më shumë Italinë, mbase na e mëson ministri Ditmir Bushati)!! Ky Kosta vinte në Gjinokastër në krye të divizionit grek. Shoqërohej dhe nga mitropoliti i Janinës që përkundëte kryqin te bajonetat e që u foli nga ballkoni « adherfis argirokastrites…»! Më pas, Zotit Papulias, ish ministër i jashtëm i thanë t’i tërhiqnin në vëndin e tyre eshtrat e Shën Kozmait e ai iu përgjegj ftohtë: «Është mirë këtu, në vëndin e vet!»

Gazeta OMONIA e minoritetit më 23.4.1993 shpall pa u ndrojtur nga askush për mashtrimin e madh: „Ushtria greke me heroizmin e papërshkruar e theu Italinë fashiste dhe këto troje greke (Himarë, Vlorë, Tepelenë, Këlcyrë, Korçë) i çliroi për të dytën herë“ (hera e parë qenë masakrat e 1914. Herën e tretë do ta provojnë të vdekurit në Varreza). Dëshmitë që kjo ushtri qe pushtuese i gjen nga çdo anë ku gjurmët janë të gjalla, aq sa bëhesh qesharak po t’i paraqitësh „çlirimtarë“. Si mund t’u vësh degë dafine në krye, kur një pjesë e tyre i kanë ende gjer në eshtra gjakun e mijra shqiptarëve të pafaj therur, djegur e përzënë nga vatrat e tyre (siç i ka parë e dëshmuar një botë e tërë). Ç’janë këta „çlirimtarë» që posa hynë te shteti që do ‘çlironin’ u hoqën flamurin kombëtar të tyre dhe vunë flamurin e vet! Që ku u leverdiste, greqizuan me një herë monedhën, postën, doganën, propagandën (atribute parësoretë shtetit)! 

Atdhetari i shquar antikomunist Hysni Lepenica i tregon një miku masakrat mbi lebërit, sidomos nacionalistë, siç ua kish marrë vesh fatin nga komanda greke në Kudhës, e i thotë :«Himarë, 27.I.+942. I dashur Sherif, të ndjerit pikërisht në datën që dini dhe ju, janë marrë e shpurë në Sarandë. Një gjyq të fshehtë dhe i nisën më këmbë për në Kudhës ku qe vendosur më parë gjenerali kopetent për të firmuar urdhërin e ekzekutimit. Natën si përgatitën gropat u firmos dhe urdhëri.. I nisën gjoja për në drejtim të Delvinës…e i qëlluan nga pas. Në këtë veprim kanë qënë vetëm korofillakë grekë..Kapella e të ndjerit vëllait tuaj është gjetur pas ca ditësh tek u bë vrasja. Pallton e xhaketën që nuk i gjetëm në varr, do t’i kenë marrë grekëtrit…Kapiten Pretopullos ish përgjegjur se nuk u gjetën gjë, por u vranë se e deshte puna. Kemi urdhër shumë sekret që gjithë shqiptarët nacionalistë të vërtetë e me aftësi personale t’i çdukim !..Do hetojmë akoma. Yti shok, Hysni Lepenica ». E shoqja e atdhetarit të shquar Kristo Kirka i kërkon kreut grek në Korçë, se donte të dinte për fatin e të shoqit. Ai i thotë vartësit që t’i sillte dosjen nr. 23! Dmth „çlirimtarët“ kishin ardhur me lista jo me emra shefash italianë, por me atdhetarët shqiptarë. 

Na erdhën dhe në Progonat. Isha i vogël, por i mbaj mënd mirë ngjarjet. U hap si lemeri lajmi se po vjen greku, i ngjashëm me atë të 1914, e u futëm në shpella. Befas, me listat në dorë e me patriotë të tjerë të njohur të fshatit marrin dhe tim atë e i internojnë me dhunë në ishullin Mitilinë. Sa ka mundur, im atë bashkë me vëllain e madh Nijaziun, ndjesë paçin, i ka luftuar me armë pushtuesit italianë në Luftën e Vlorës. Tani, ata po i lufton fqinji jugor si «anti-italian» në truallin shqiptar ((Italia sulmon Greqinë, dhe grekët vrapojnë në Shqipëri që të mbrojnë Greqinë !!!» S’e përcakton dot, është tragjedi apo komedi – të luftosh si Italinë fashiste dhe shqiptarët antifashistë!) Unë tani duhet t’i nderoj në varreza ata që më internuan dhunshëm në shtëpinë e tij tim atë, e që më parë po ata tok me Kurveleshin tim më persekutuan si ujqër dhe gjyshin e shenjtë sa vdiq në Ullishtet e Vlorës. Me plumbat greke në trup vdiqën dhe gjyshi im nga nëna, dhe halla e nënës…Autorët e këtyre krimeve genocidi u dashka që t’i nderoj si ëngjëj e t’u vë lule? Kush i jep udhë drejtësie kësaj logjike!? Ku ka ndodhur gjetkë në botë kjo habi marrëzie!? Si mund t’i bësh miq zëmre bandat ushtarake të tyre që u vunë flakën fshatrave ku shkelën, prenë në radhë pemët, shkallmuan shtëpitë, u hoqën dërrasa e trarë që të ngroheshin si në shtëpi të tyre…e vëndin e lanë shkretë. 

Dhe në s’kish një organizim të vendosur e të mënçur shtetëror në mbrojtje të atdheut, shqiptarët, të ndriçuar nga shpirti i zjarrtë e i trashëguar i atdhetarizmit, shpesh bënin aty për aty kundërshtime të guximshme dhe me vdekje. Plotsonin dhe politikën e gabuar për mendimin tim të komandantit të batalionit shqiptar Spiro Mojsiu, në fillim krah pushtuesit italian, i cili nuk dijti të orientohet që të ndahej prej italianëve plotësisht e në të njejtën kohë të kundërshtonte gjer forcërisht dhe ushtrinë e paftuar greke si pushtuesit më të rrezikshëm për Shqipërinë e Jugut. Këtë ta bënin veçanërisht sapo dallonin veprime çnjerëzore të tyre prej pushtuesi. Konitza gjykon se „pushtimi italian sidoqoftë ka pasur një karakter politik, jo përvehtësim trojesh, kurse pushtuesit fqinjë donin rrëmbimin e tyre“. Sidoqoftë pushtuesi është pushtues.

Pati dhe kundërvënie të tilla më vete. Qytetari gjinokastrit Neshat Hasho komandant artilerie, në luftën italo-greke kur pa barbarizmat e tyre kryer kotsëkoti mbi popullin pa faj, u vuri topat ushtrive greke (për këtë shteti i diktaturës më pas e dënoi me burg, ku hetues gjykimi qe një grek). Gjetkë Shaqo Derri nga Vlora sa pa grekët që po ngulnin flamurin e tyre në tokën shqiptare, i sulmoi me shokë e u mori Postën e Tri Urave…e me radhë.

Mbi të gjitha, si për të treguar fytyrën e vërtetë të tyre, në Golëm „çlirimtarët“ e Shqipërisë së Jugut, natën në fshehtësi po gërryenin tokën fshehur si urithi që të vinin themelet e një kishe greke, për të thënë nesër se në Kurvelesh ka rrënjë të herëta Greqie me ortodoksinë! Dy sulme paralele, një ushtarake e një, jo më e vogël, fetare (e thonë saktë latinët; „Ujku sulmon me dhëmbë, demi me brirë, greku me kishë“. Fshatarët me sa di, atë vënd e thërrasin me ironi „Kishëza e vogël». (Më 1985 bëra një shkrim për Revistën Nëntori, po s’e botoi redaktori grekoman Th. J).

Në arkiva shteti janë ngado gjurmë krimesh të tyre. Fshatra të tëra Toskërie, veçanërisht myslimanë siç ua donte genocidi, ku u dogjën nga 50 gjer 600 shtëpi. Fshatin atdhetar Borsh e bombarduan e shuan 1555 shtëpi. Deri Pravda ruse më 10 12. 1940 shkruante: „Sipas njoftimeve, të korespondentit të agjensisë United Press, 9 aeroplanë grekë e anglezë më 7 dhjetor bombarduan Durrësin duke dëmtuar ndërtesat e limanit. Është bombarduar gjithashtu dhe limani i Vlorës…Janë vrarë 17 burra, janë plagosur 30 vetë ». Iu turrën egërsisht Kuçit. Njerzit morën pyjet e malet. Ushtria greke hyri e grabiti 210 gjedhe, 95 kafshë, 5000 bagëti, 400 bletë. Preu çdo pemë. Internoi 25 burra…»

Në një raport të Prefekturës së Gjinokastrës më 7 maj 1941 dërguar Këshillit të Ministrave, thuhet : «…Saranda, Përmeti, Tepelena, Konispoli Delvina e Gjinokastra janë krejt të shkatëruara. Me përjashtim të disa katundeve greke ortodokse.. Ka mijra familje pa pa banesa, pa të holla, pa bagëti, pa bukë» (Tani brezi i ri kuçiot duhet t’u çojnë lule masakruesve të prindërve të tyre)!? Mid’had Frashëri që e njihte mirë gjëndjen dhe dhimbjen e madhe të shqiptarëve porositi që kudo ku pati krime të dukëshme e të rënda, të ngrihen përkujtimore e shtatore! Në të kundërt, shteti shqiptar nuk çau kokën, thua e dinte që një të ardhme do ngriheshin Varrezat e fqinjit vrasës e s’mund të rrinin bashkë të dy palët, (pasi mund të ziheshin dhe nën dhé të vdekurit e na zemërohet Athina që do na çojë në Europë) ! 

Ky veprim i Qeverisë sonë është aq i çuditshëm e i papërgjegjshëm gjer në çmënduri, sa brënda tragjedisë fshihet dhe komedia. (Niikolla Gogoli që mblidhte Shpirtëra të Vdekur do t’i kishte zili kërkuesit tanë të sotëm tek mbledhin skelete të vdekurish). Para disa vitesh, me Ligjin komunist të Tokës, një fshatar në Këlcyrë kish marrë tokën e tjetrit. Aty qenë dhe varret e të parëve të të zotit. Marrësi i tokës së huaj dalloi varre e ia tregoi ato konsullit grek si varre të tij! Kurse ato qenë varre të shqiptarëve atdhetarë. Njëri kish rënë duke luftuar me ushtarë grekë kurse gruaja i qe vrarë prej tyre. Ata nuk qenë shitur sa qenë gjallë, bile për këtë nder kishin rënë, e tani po i shisnin të vdekur! - Plasi sherri: «Më kthe prindët e vrarë – thoshte i pari, zoti i Tokës. « Nuk kam ç’bëj tani, - ia kthente i dyti. - Janë nisur për viza, me tokën bashkë vanë dhe ata. Njësoj janë kudo që të venë, nuk ngjallen më ! Të paktën, sot të gjallët ndihmohen nga të vdekurit. Kështu do ta marrë dhe historia e huaj se historianët tanë i kanë harruar… ». (këtij humori dramatik nuk mund t’i shtohet asnjë fjalë pa e prishur). Veçanërisht këtë të historianëve e tha saktë, edhe pa e kuptuar me rrënjë e degë. Si askund në botë, sidomos në ngjarjet e rënda me shumë rrezik kombëtar, akademikët tanë në tërësi nuk paguhen për të folur, por paguhen për të mos folur! Si është që ballë kësaj ofensive antishqiptare të fqinjëve historianët tanë në tërësi të heshtin, kur ka aq shumë dëshmi sa kundërshtarin e nxjerr qesharak në sy të botës si shpifës të pacipë (siç e këshillonte këtë dhe Çurçilli ?!). Aq më tepër kur gjykimet themelore janë nga dijetarë të shumtë të huaj. Një shëmbull. Athina shurdhon botën se duan Epirin e Veriut si të tyre. Shqiptarët heshtin në të drejtën e tyre, që Greqia ka marrë Epirin e Jugut, e botuar kjo nga të gjitha anët si e vërtetë e patundur. Por nga përgjumja jonë, fqinji fiton me gënjeshtra e ti nuk thua një fjalë për të vërtetën. Në s’gjykon dot, përsërit dijetarët e huaj. Burrështeti Senator e deputet i nderuar francez Justin Gotard shkruan : « Po të kthejmë sytë nga ana greke, shohim se një pjesë e Epirit i është marrë kombit shqiptar, kurse kurdoherë Epiri dhe Shqipëria kanë qënë e njëjta gjë; si nga ana etnike dhe gjeografike, e Epiri është shqiptar». 

Historiani amerikan Fred Rid shkruan me ironi: «Hebrejt në Selanik, të spiunuar prej grekëve u masakruan nga nazizmi. Disa km në veri, te shqiptarët ndodhi e kundërta, ata rrezikuan veten duke i mbrojtur tërë izraelitët». Nëse varrimi në Shqipëri i të vrarëve qënka dëshirë e të afërmve të tyre, si spjegohet që ky zakon ndodh në kundërshtim me dëshirat e familjeve që t’i kenë afër tyre të vdekurit e shtëpisë!? Grekë të vrarë e të vdekur ka gjithandej nga luftrat, në Pindi, Gramoz e me radhë. Si spjegohet që shteti grek nuk kujdeset për Varreza masive e nderime të bujëshme të tyre!? Ç’është kjo dashuri kaq mallëngjyese për fqinjin – o të mbulohemi me dheun e tyre pa tjetër, ose…do ngjallemi si lugetër!...

Dhe vazhdojnë numurimin. Në Përmet mblodhën dhe eshtra fëmijësh. As u turpërua njeri, as dha llogari njeri. Veç ajo tregoi më tej, se për Athinën nuk ka rëndësi shenjtëria e shpirtrave po numuri i kufomave. Ato një ditë të bukur «helene» bashkë me kërkesën zyrtare për Vorio-Epirin do t’ia tregojë gjithë botës gjer në Gjykatën Ndërkombëtare!. Ky është plan strategjik i Greqisë. Dhe Ministri ynë i Jashtëm, meqë ka qënë dhe student në Athinë e ndoshta është i detyruar të lajë ‘borxhe’, ka shpallur se me Greqinë jemi ,partner strategjik,, aq sa me « mikun e mirë » të tij (Niko Koçi shqip) të heqë valle palikari. Më tej, historiani i njohur e ish ministër i Jashtëm jep gjykim «me ndërgjegje të plotë» siç shprehet, se «Greqia në Luftën II B, nuk kish qëllime pushtimi në Shqipëri !!» (nuk kuptohet pse L. italo-greke ia quan Luftë B !,ndoshta për t’i fisnikëruar veprimet, e krimet e saj t’ia ngarkojë tërë botës në rëmujë botërore)! 

Mendoj e ka thënë saktë Tuqididi nga përvoja që herët: «Elladhasit e lashtë i qepeshin vjedhjes duke patur ndërgjegje të plotë për të. Madje për këtë ‘zanat’ hiqeshin dhe të lavdishëm !!» Ajo frymë, për fat të keq u vazhdon gjer sot. Shqiptarët e kanë treguar me prova të larta heroizmi e flijimi se duan miqësi të mirë e të qëndrueshme me fqinjin e Jugut, me popullin e mirë e dashamirës grek që i ka aq hije fisnikëria mbi punën e ndershme në vëndin e vet. Pavarësia e Greqisë e dëshmon pa kushte këtë prirje të genit shqiptar. Por kjo varet nga të dy anët. Shëmbujt janë të hidhur e vinë duke u rritur sa të vënë në buzë, pa të keqe të veçantë thënien në humor që kam dëgjuar në Golëm: «Me ‘miqtë’ që kemi, s’kemi nevojë për armiq»! 

Sa më shumë që drejtuesit tanë të çdo krahu e stine lëvizin nga lart në të kundërt të interesave kombëtare, aq më shumë shqiptarët po hapin sytë dhe pyesin veten se ç’duhet bërë nga poshtë! Me sa duket, me kohën bashkë, piqen dhe zgjidhjet.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00