Home | Politics | Korrupsioni si garë “regjim vs demokraci”!

Korrupsioni si garë “regjim vs demokraci”!

image
Sigurisht që korrupsioni duhet të luftohet dhe duhet të ndalet – por jo nga Lukashenko dhe nga marrëzitë me parajsat fiskale apo me modelet që të këpusin dorën apo presin kokën?!

      

 

Nga Besi Bekteshi

 

 

 

 

Në publikimet e saj, TI ose “Transparency International” si gjithmonë rendit vendet e botës nga e para për mungesë korrupsioni dhe te e fundit - si më e korruptuara. Sigurisht që nuk kam qenë asnjëherë dakord në këtë lloj renditjeje, e cila nuk merr parasysh shumë modelin shoqëror të vendit që analizohet. Ose më mirë e merr, por “nuk i bën përshtypje”!

 

Në të vërtetë, aty shikohet qartë që përplasen shumë dhe fort në garë, regjimet dhe demokracia! Ku e kam fjalën? Renditja është e përbashkët, por sistemet në fakt janë të ndryshëm. Kurse ajo që po merret në konsideratë është madhësia e korrupsionit. Idea është kjo - se po krahasohen në nivele korrupsioni dy vende që njëri është një regjim, që nuk ka parametra lirie dhe raporti me demokracinë në ligj dhe zbatim, me një vend që ka demokraci, ose është në rrugë të saj dhe ka hapjen e saj për të qenë e matshme realisht. Kur në të vërtetë - përballet me një vend tjetër që nuk ka aspak demokraci?! Vendi i parë si më i pakorruptuari është Danimarka me Zelandën e Re dhe sigurisht janë vende demokratike, ku nuk dyshohet asgjë për lirinë dhe numrat e tyre në çfarëdolloj sistemi kontrolli.

 

Ne jemi nga vendi i 83-të dhe përpara nesh mes të tjerëve është dhe Bjellorusia! Nuk po e diskutoj aspak TI-an në renditjen e saj. Ne vërtetë jemi një vend i korruptuar dhe e keqja kryesore është shoqëria dhe pastaj vijnë qeveritë, pushtete lokale dhe klasa politike, drejtësia etj., etj. Por Bjellorusia praktikisht nuk ka demokraci! Lukashenko mbase nuk ka korrupsionin tonë që del faqeza- por ai nuk ka as pushtete të ndryshëm, as zgjedhje së paku gjysëm të lira si te ne dhe as pluralizëm praktikisht, Nuk ka as shtyp të lirë! Çfarë duhet ti ngjajmë Bjellorusisë që të kemi më pak korrupsion, që të jemi në vend të 79-të ku është Lukashenkoja që ka sa Stalini që drejton vendin me regjim gjysëm diktaturë? Mbase them, sepse edhe kjo mund të jetë një përgjigje?!

 

Po kjo nuk është asgjë, sepse në vendin e 79-të është Bahrein-i dhe vetëm një vend më lart se ky vend - Greqia?! Çfarëdo që të jetë Greqia, ka lidhje me demokracinë - kurse Bahrein-i me gjithë respektin ka filluar shumë e shumë vonë dhe nuk ka akoma një diçka të tillë?! Apo mos duhet ti ngjajmë Bruneit që është në vendin e 41-të, por nuk po përmend atë se sa Rwandën që është në vendin e 50-të që ka poshtë saj Sllovakinë, Kroacinë dhe Hungarinë, por dhe Rumaninë e Italinë që po e po?! Mund të bie dakord që të gjitha këto vende të Europës të jenë të korruptuara, por dreqi ta hajë janë demokraci, jetojnë dhe zhvillohen, ankohen dhe përpëliten në demokraci dhe sigurisht që nuk bëhet fjalë që treguesi i korrupsionit si “metër” të jetë me atë koncept matjeje me Rwandën, së cilës i dihet si historia tragjike dhe niveli i demokracisë?!

 

Kujt ti ngjajmë për korrupsion të pakët Emirateve të Bashkuara Arabe, që kanë akoma praktikat e sheriatit në disa elementë të shtetit? Dakord - sepse ky është sistemi i tyre, por TI e ka në vendin e 24-tër! Apo vendeve të “parajsave fiskale” si Bahamas akoma në listat e zeza dhe që nuk merr vesh asgjë as për bilancet e imprezave dhe të banorëve?!

 

E bukur është se Norvegjia është në vend të gjashtë dhe Singapori në vend të shtatë. Sigurisht që Norvegjia është një mrekulli zhvillimi ekonomik, niveli jetese, të drejtave të njeriut, të kreativitetit, të modernitetit por kryevepra e madhe e saj është një mrekulli- demokracie! Singapori është një mrekulli zhvillimi dhe rritje e nivelit të jetesës, qetësie sigurisht, por nuk është demokraci. Ai është një elitokraci që shkon afër autokracisë – por nuk do të ishte aspak pjesë e BE-së me atë sistem regjimi ku deri sa të vdesë një njeri rri sipër shtetit dhe ku nuk mundesh të kritikosh. Nuk merr dot të dhënat e pasurisë dhe nuk ka kush të sqaron për të vërtetat e zyrave të cilat janë plotësisht hermetike! Tani duhet ti ngjajmë Singaporit apo Norvegjisë? Ka mundësi që dikush të përgjigjet si –Singapori, por ta dimë se nuk kemi nevojë për demokracinë si sistem?! E kam fjalën se vend vërtetë i pakorruptuar është Norvegjia dhe Danimarka, Finlanda dhe Suedia, Zvicra dhe Hollanda, Kanadaja dhe Gjermania dhe jo Barbadosi dhe Katari që nuk kanë kaq lidhje me demokracinë!

 

Në të gjithë listën e perceptimit të korrupsionit kjo garë është. Mes vendeve që aspirojnë ose kanë demokracinë dhe vendeve që as aspirojnë dhe as që kanë demokraci?! Sigurisht që jemi vend që kemi shumë e shumë faje në korrupsion, sepse kjo shoqëri ka dalë mirë apo keq në demokraci. Ne nuk na matesh dot korrupsioni në kohën e Enverit? Biles ishim vendi më i pakorruptuar i botës me tonën?! Po pra, dhe gozhdët i vidhnim në ndërmarrje sepse – nuk kishte në dyqan. Korrupsioni i diktaturës ishte shishja e qumështit nën banak. Ai pra, qumështi me ujë?! Nuk do të doja kurrë të kishim renditjen e Kubës që është në vendin e 60-të, ku për të pasur pak më shumë internet, paguajnë në tregun e zi të sapo formuar dhe kontrolluar nga sigurimi i tyre – katër herë më shumë?! Çfarë korrupsioni do të matet në një vend ku prona private nuk ka vlerë dhe ku askush nuk të tregon atë që – mendon?!

 

Renditjet e tilla të dyshimta dhe të pa kuptimta vetëm teknike – nuk përbëjnë aspak një model që mund të respektohet. Sigurisht që korrupsioni duhet të luftohet dhe duhet të ndalet – por jo nga Lukashenko dhe nga marrëzitë me parajsat fiskale apo me modelet që të këpusin dorën apo presin kokën?! Në këtë pikë, e kemi bërë njëherë zgjedhjen dhe e dimë që të do vuajmë, por më mirë në renditje të keqe dhe në kërkim të demokracisë se sa me zgjidhje që nuk kanë të bëjnë fare me demokracinë dhe lirinë në përgjithësi.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00