Home | Politics | Dueli Shqipëri-Rusi me nëndetëset në Kanalin e Otrantos

Dueli Shqipëri-Rusi me nëndetëset në Kanalin e Otrantos

image
Viti i dhjetë i ardhjes së nëndetëseve ruse në vendin tonë, ishte një periudhë kohe e mbushur me episode e ngjarje mbresëlënëse dhe të çmuara për brigadën e nëndetëseve. Vitet kishin rrjedhur njeri pas tjetrit dhe secili kishte lënë pas të veçantën e vet e cila, me përvojën e saj kishte ndikuar vazhdimisht në përmirësimin e aktivitetit të brigadës në tërësi.

 

 

 

 

Përgatitur nga Përparim Halili

 

 

 

 

 

 Më në fund në vitet 1959-1960, pas 15 viteve të “vëllazërisë së madhe”, marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik kaluan në krizë duke marrë fund, për shkak të konflikteve mes dy vendeve me motiv interesat strategjike kontrolluese ushtarake, ekonomike e ndërkombëtare, që kishte shteti i madh sovjetik në bregdetin shqiptar dhe për shkak të qëndrimit të Enver Hoxhës për të qenë “sulltani” i vendit, duke e maskuar këtë synim, me motivin “patriotik” për të mos lejuar që Shqipëria të bëhej “koloni” e asnjë shteti tjetër. Qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj Bashkimit Sovjetik, pas uzurpimit të drejtimit të këtij super-shteti prej Nikita Hrushovit, u finalizua me ndarjen diplomatike, politike, ekonomike e ushtarake të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, duke mos pranuar në fakt politikën e re liberale “borgjezo-revizioniste” të Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Stalinit. Ishte momenti kur dueli Shqipëri-Bashkimi Sovjetik nisi me përballjen e nëndetëseve në Kanalin e Otrantos.

 

“Vigjilenca revolucionare” në nëndetëse, frikë nga veprimet e fshehta të KGB

 

Viti i dhjetë i ardhjes së nëndetëseve ruse në vendin tonë, ishte një periudhë kohe e mbushur me episode e ngjarje mbresëlënëse dhe të çmuara për brigadën e nëndetëseve. Vitet kishin rrjedhur njeri pas tjetrit dhe secili kishte lënë pas të veçantën e vet e cila, me përvojën e saj kishte ndikuar vazhdimisht në përmirësimin e aktivitetit të brigadës në tërësi. Kishte mbetur tepër e largët, ose më saktë të themi, ishte harruar ajo deklaratë e rusëve, me largimin e tyre, se nëndetëset në Shqipëri nuk do të kenë më tepër se 3-4 muaj jetë. Ç’është e vërteta, ky deklarim i rusëve e kishte një bazë të shëndoshë. I vetmi prej komandantëve rusë, të nëndetëseve, që kishte dhënë një sinjal të vogël para largimit për ndonjë të “pabërë”, ishte Komarovi i cili kishte pohuar shumë miqësisht, se: “Çfarëdo që mund të jetë bërë në nëndetëse, dije se është bërë pa dijeninë time”. Dhe kjo ishte e kuptueshme, sepse çdo veprim kriminal mund të bëhej nga një ekip i fshehtë, gojëkyçur, i përgatitur për ndërhyrje të kësaj natyre dhe i drejtuar me siguri nga KGB-ja. E kam patur qysh në atë kohë bindjen, por dhe sot, megjithëse ka kaluar një periudhe e gjatë, mund ta kem edhe më të theksuar, se asnjë prej detarëve apo dhe oficerëve rusë, që përbënin ekuipazhet e nëndetëseve, nuk mund të bënin veprime të tilla në atë “shtëpi” të çeliktë, ku ata kishin punuar dhe jetuar. Duke menduar për sabotazhet e mundshme në nëndetëse, menjëherë mbas largimit të rusëve, ato iu nënshtruan një kontrolli të imët, duke qëndruar një kohë prej rreth dy javësh në spirancë. Por, nga ky kontroll nuk doli ndonjë gjë e veçantë, që të tërhiqte vëmendjen tonë. Megjithatë thellësia e zhytjes së nëndetëseve në atë periudhë, u kufizua deri në 30 metra. Do të duhej të vinte koha e riparimit të mesëm të nëndetëseve, kur të zbuloheshin vrimat në trupin kryesor në tre prej tyre, nga kontrolli i imët i specialistëve kinezë. Vetëm nëndetësja e parë kishte shpëtuar nga një sabotazh i tillë, duke qenë se atje mungonte ekuipazhi rus dhe çdo hyrje në nëndetëse kontrollohej rreptësisht vetëm prej nesh. Vitet kaluan pa u ndjerë, njëri pas tjetrit, por ajo që pati rëndësi të veçantë ishte se edhe ne u rritëm bashkë me nëndetëset, por jo vetëm në moshë. Ndryshimi i madh në aftësimin dhe perfeksionimin tonë gjatë një 10 vjeçari, na kishte bërë më të sigurtë, me besim në vetvete dhe më të përgatitur për të kryer detyra të vështira. Tashmë kuadri i nëndetëseve ishte i kompletuar, jo vetëm me kuadro të përgatitur me arsimin e lartë detar, por edhe me personelin e nevojshëm inxhinierik, të ardhur nga universiteti i Tiranës. Ishte arritur perfeksionimi dhe aftësimi i këtij kuadri në nivele të kënaqshme, për kryerjen e detyrave.

 

Ja si na sulmoi avioni i huaj “Neptun”

 

Gjatë kësaj periudhe, shtypi sovjetik por dhe ai perëndimor, herë pas here nuk harronin të deklaronin se nëndetëset shqiptare nuk ekzistonin më. Pikërisht këto deklarime, si dhe dalja e vendit tonë nga Traktati i Varshavës, u bënë premisa për të ndërmarrë lundrimin demostrativ në detin Mesdhe. Duhet të ketë qenë muaji maj-qershor 1968. Me iniciativën e Komandantit të Flotës, shumë të nderuarit dhe të respektuarit Abdi Mati, por dhe të drejtuara prej tij, nëndetësja e parë dhe e dytë e komanduar nga shoku ynë i grupit Skënder Doçi, u caktuan për kryerjen e këtij lundrimi. Në nëndetësen e dytë merrte pjesë edhe ish-komandanti i brigadës së nëndetëseve në atë kohë, Mark Plani. Nëndetëset u shkëputën nga baza e Pashalimanit dhe në mbasditen e po asaj dite, u vendosën në spirancë në Radën e Sarandës. E veçanta e realizuar me porosi të komandantit, ishte qëndrimi i tyre sa më afër bregut, në thellësinë e lejueshme të detit. U organizua liridalja e ekuipazheve, bile masive, duke lënë në nëndetëse vetëm nga një ndërresë luftarake,pra 1/3 e ekuipazhit. Në mëngjesin e ditës së nesërme, komandant Abdiu urdhëroi fillimin e lëvizjes, kështu që rreth orës 6, u ngritëm nga spiranca dhe morëm drejtimin në jug, për të dalë në detin Mesdhe, nëpërmjet kanalit të Korfuzit. Rreth orës 9, kishim dalë në Mesdhe. Vazhduam lundrimin në jug, por tashmë në front, në një distancë prej njëri-tjetrit deri në rreth 5 milje. Nëndetësja rrëshqiste qetësisht në atë det të qetë dhe të krijohej përshtypja, sikur gjithë ajo hapësirë pa fund zotërohej prej nesh, pa i kushtuar shumë vëmendje anijeve të tjera, që shfaqeshin herë pas here në horizont dhe lundronin në drejtime të ndryshme. Aty nga mesdita, Kel Jaku, që kryente në atë kohë detyrën e sinjalistit raportoi:- Objekt majtas, 60 gradë. Mora dylbitë dhe hodha shikimin në drejtimin e raportuar. Objekti lundronte në drejtimin veri-perëndim, në një distancë afërsisht 90-100 kabela, por më kryesorja ishte se kishte përmasa të konsiderueshme, që në atë largësi ishte vështirë të përcaktoje destinacionin e tij. Deri në atë kohë kishin kaluar shumë anije, nga lindja në perëndim dhe anasjelltas, por asnjëra nuk na kishte bërë përshtypje nga përmasat e tyre. Ishin anije kryesisht transporti, të tonazheve të ndryshme, si dhe anije naftëmbajtëse. Në distancën rreth 7-8 kabela, në direkun e anijes u ngritën flamujt e kodit ndërkombëtar, që përcaktonin rrezikshmërinë e kursit tonë, ndërsa në kiç të anijes u shfaq flamuri i NATO. Në distancë të afërt më pak se 2 kabela, u shtrimë në kurs paralel për t’u shkëmbyer me të me bordet e majta, duke patur shpejtësinë minimale. Nëndetësja e dytë tashmë kishte kohë që ishte zhdukur dhe ne nxitonim për ta arritur atë. Pozicioni ynë ishte jo më pak se 15-17 milje në të majtë të saj. Kishte kaluar rreth një orë nga verifikimi i objektit, kur në bordin e djathtë u shfaq aeroplani, që po afrohej me shpejtësi drejt nesh. U var mbi nëndetëse në lartësi të tillë, që dukeshin qartë fytyrat e pilotëve, me kapuçat e syzet karakteristike të tyre. Bëri një xhiro të plotë dhe u largua paksa në kiç për t’u shtrirë përsëri përgjatë kursit tonë. Po ndiqnim me vëmendje veprimet e aeroplanit. Kaloi sipër urës së komandimit shumë ulët me uturimën e tij dhe në largësi 100 metra para bashit tonë, hodhi bovën e parë akustike për të vazhduar, po në atë drejtim, hedhjen e 5-6 bovave të tjera, në largësi të caktuar prej njëra-tjetrës, mandej u largua në drejtimin tranversal me kursin tonë, nga kishte ardhur. Ishte një aeroplan i tipit Neptun i armatosur posaçërisht për zbulimin dhe asgjësimin e nëndetëseve.

 

“Ditar” nga sulmi i avionit “Neptun” mbi nëndetësen tonë

 

Kaloi një periudhë kohe e gjatë heshtjeje dhe hodha vështrimin vjedhurazi nga komandant Abdiu. Dukej se ai ishte zhytur në botën e tij të brendshme, e mendimet e çonin diku shumë larg dhe, po aq larg tretej dhe vështrimi i tij në hapësirën e pafund detare, që shtrihej para nesh. Ndjente dhe kënaqësinë e freskut, që shkaktohej nga lëvizja e njëtrajtshme dhe e qetë e nëndetëses, ndërkohë që ajo rrëshqiste si ngjalë mbi ujë, duke çarë me bashin e saj detin dhe duke krijuar lehtësisht shatrivanin e zakonshëm. Në një moment komandanti u shkëput nga mendimet e tij dhe më tha:

-Merr një bllok dhe afrohu tek unë, - ndërkohë, ai nxori nga xhepi një bllok të vogël me kopertinë të zezë, e shfletoi atë me kujdes dhe shtoi:- Shëno,- belbëzoi me zë të ulët dhe, më citoi katër grupe numrash me pesë shifra, që i përsërita me kërkesën e tij për të verifikuar saktësinë dhe, mbasi u bind për rregullshmërinë e tyre shtoi:

- Transmetoni këtë radiogram, - urdhëroi ai, - verifikoni vendndodhjen e nëndetëses në momentin e dhënë, dhe llogaritni kohën e nevojshme të lundrimit për të zbritur në jug drejt qendrës së Mesdheut, por në mënyrë të tillë që nesër në orën pesë të mëngjesit, të ndodheni në pozicionin 30 milje në lindje të kepit Santa Maria de Luka. Njofto edhe nëndetësen e dytë, - përfundoi fjalën komandanti.

- Si urdhëron, shoku komandant,- iu përgjigja dhe zbrita në postin qendror për të kryer porosinë. Që kur u nisëm nga baza, e kisha të qartë, që ne do të punonim me radio në një valë të veçantë, dhe se drejtimi nëndetëseve do të bëhej nga grupi operativ, pranë Komandantit të Përgjithshëm. Isha më se i bindur, se dhe kodi shifror nga i cili u formulua radiogrami, ishte hartuar nga vetë komandant Abdiu, posaçërisht për këtë lundrim. Mbasi mora konfirmimin e marrjes së radiogramit, verifikova koordinatat e vendndodhjes së nëndetëses, llogarita kohën e nevojshme për të vazhduar lundrimin, si dhe atë të shtrirjes në kursin e ri, për në pikën e urdhëruar në kohën e duhur. Ngjita shkallët dhe i raportova komandantit të flotës. Ferdinandi, zëvëndëskomandant i nëndetëses, ishte në urën e komandimit, në shërbim të ndërresës së tij. Abdiu, ulur në vendin ku zakonisht rrija unë, kish mbështetur bërrylin tek tubi anësor mbajtës dhe, në pëllëmbën e hapur të dorës, rehatonte faqen e tij, duke pjerrësuar paksa kokën. Aeroplani “Neptun” kishte kohë që e kishte ndërprerë vrojtimin e tij, duke inspektuar herë njërën e herë tjetrën nëndetëse. Por nuk është e tepërt të përmend, se pavarësisht nga kjo, nëndetëset tona ndodheshin vazhdimisht nën vëzhgimin e rreptë të forcave të zbulimit ajror të NATO që hera herës, nuk nguronin të na bënin ndonjë “vizitë”, qoftë dhe në distancë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0