Home | Politics | Fantazma e Ndarjes dhe Parabola Biblike

Fantazma e Ndarjes dhe Parabola Biblike

image
“Shqipëria e madhe do të ishte një projekt shumë i rrezikshëm. Por, nëse ky projekt do të ishte pjesë e një zgjidhjeje të madhe historike midis shqiptarëve dhe serbëve, ne serbët do të pajtoheshim ta pranonim këtë zgjidhje. 

 

 

 

Agim Vinca

 

 


Beogradi zyrtar, për herë të parë në këta njëqind vjet, pranon se ka mbajtur tokë të huaj nën sovranitetin e vet


Në kohë të fundit janë shpeshtuar deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë lidhur me ndarjen e Kosovës ose “rikufizimin me shqiptarët” (serbisht: razgraniçenje), si thuhet ndryshe, fjalë e përdorur së pari nga “babai i kombit serb”, shkrimtari dhe politikani Dobrica Qosiç, i cili mund të quhet njëherësh edhe ideolog i ndarjes së Kosovës, në të vërtetë i “rikufizimit” me shqiptarët.

E hapi këtë çështje ministri i Brendshëm i Serbisë, benjamini i Millosheviçit dhe trashëgimtari i tij në PS-në famëkeqe, Ivica Daçiç, kurse e elaboroi më gjerësisht kryetari aktual i Serbisë dhe politikani serb numër një sot, Boris Tadiç, në një intervistë dhënë gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

“Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një nga zgjidhjet e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit në Ballkan, me kusht që Serbia të marrë një pjesë të territorit të Kosovës”, deklaroi Tadiçi në gazetën e njohur gjermane, për të shtuar se kushdo që di ta lexojë historinë, sipas tij, e di se “krijimi i Shqipërisë së Madhe” është “një projekt afatgjatë politik i shqiptarëve”.

Pavarësisht nga qëllimet (sigurisht jo të mira) që fshihen prapa kësaj deklarate, mendoj se ky është një moment i ri në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe si i tillë kërkon qasje serioze.

Për herë të parë në këta njëqind vjet, prejse Kosova ra nën sundimin serb (1912), Beogradi zyrtar pranon publikisht se ka mbajtur tokë të huaj nën sovranitetin e vet: territorin e Kosovës të banuar me shumicë dërrmuese shqiptare.

Një shekull të tërë, autoritetet serbe e kanë mohuar këtë fakt, duke e konsideruar Kosovën “djep të Serbisë” dhe “Jerusalem serb”, kurse tani, kur djepi fiktiv po u del dore, janë të gatshëm ta ndajnë atë me banorët autoktonë të tij, shqiptarët ose, siç shprehen ata, me “Tiranën zyrtare”, duke e shmangur qëllimisht Prishtinën.

“Shqipëria e madhe do të ishte një projekt shumë i rrezikshëm. Por, nëse ky projekt do të ishte pjesë e një zgjidhjeje të madhe historike midis shqiptarëve dhe serbëve, ne serbët do të pajtoheshim ta pranonim këtë zgjidhje. Kjo do të ishte një zgjidhje ku të dyja palët do të merrnin diçka, ndërsa zgjidhja do të krijonte paqen dhe stabilitetin e duhur”, u shpreh Tadiçi në intervistën dhënë “Frankfurter Allgemeine Zeitung”-ut.

Le të na lejohet t’ia kujtojmë për një çast Presidentit serb, Tadiç, dhe ministrit të tij të brendshëm, Daçiç, se me këtë veprim, me propozimin për ndarjen e Kosovës, ata kanë shkelur aktin më të lartë juridik të tyre, Kushtetutën e Serbisë, sipas të cilës: “Krahina Autonome e Kosovës dhe e Metohisë”, si e quajnë ata Republikën e Kosovës, “është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë”.

Nuk do mend se Tadiçi dhe Daçiçi, sikundër edhe mësuesit e tyre shpirtërorë, Qosiçi me shokë, nuk ia duan të mirën Kosovës dhe shqiptarëve. Kjo është e qartë si drita e diellit. Askund më shumë se në marrëdhëniet shqiptaro-serbe nuk vlejnë fjalët profetike të Laokoontit: “Timeo danaos et dona ferentes”. (I kam frikë grekët edhe kur bëjnë dhurata). Në kontekstin serbo-shqiptar, fjalët e plakut të urtë trojan tingëllojnë aktuale si të ishin shqiptuar sot e jo dy mijë e sa vjet më parë. Përvoja e hidhur historike na ka mësuar që prapa dorës së zgjatur serbe të shohim thikën e fshehur, prandaj çdo ide që vjen nga Beogradi e marrim me rezervë dhe e refuzojmë pothuajse apriori, herë-herë, madje, edhe në mënyrë politikisht naive.

Por politika i ka rregullat e veta të lojës, të cilën do të duhej ta luajmë edhe ne dhe ofertës së palës serbe për ndarje sot, ashtu sikurse edhe të asaj maqedonase dje (ose edhe nesër, të njërës dhe tjetrës palë), t’i përgjigjemi me ofertën tonë, e cila do të duhej të ishte e qartë, e studiuar mirë dhe, pse jo, edhe e guximshme, duke vënë në plan të parë interesin kombëtar. Nuk duhet harruar kurrsesi as në kontekstin ndërkombëtar, atë që quhet strategji politike globale, por as faktin se qëndrimet e sotme mund të ndryshojnë nesër, ashtu siç pat ndryshuar qëndrimi i BE-së dhe i SHBA-ve ndaj ish-federatës jugosllave konform zhvillimeve në terren në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Ata që një shekull të tërë kanë hartuar projekte për shfarosjen e shqiptarëve si komb dhe zhdukjen e Shqipërisë si shtet, duke krijuar gati një shkencë antishqiptare, të mbështetur mbi dhunën dhe gënjeshtrën, tani ofrojnë ndarje të Kosovës dhe marrëveshje historike me shqiptarët. Me sherr e kanë, natyrisht, por, megjithatë, është një moment për të cilin duhet reflektuar dhe një ofertë së cilës i duhet dhënë përgjigje adekuate.

Dhe përgjigjja duhet të vijë nga qarqet akademike e shkencore, po aq sa edhe nga ato politike e shtetërore.

Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (SANU) ka botuar 186 libra, vepra shkencore mbi Kosovën, vetëm në periudhën e pasluftës, kurse Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës - vetëm tri sosh, por kjo nuk i ndalon akademikët tanë që të mburren se nuk kanë heshtur dhe se e kanë kryer me nder detyrën e tyre si shkencëtarë e atdhetarë!

Në historinë e popujve dhe të shteteve nuk është e panjohur dukuria e shkëmbimit të territoreve e, madje, edhe të popullatës. Greqia dhe Turqia e kanë bërë këtë pas Luftës së Parë Botërore. Ka edhe shembuj të tjerë të ngjashëm. Shkëmbimi i territorit dhe sidomos i popullatës, nuk është veprim human, por mund të jetë zgjidhje e një kontesti a konflikti në plan afatgjatë. Hëpërhë BE-ja dhe SHBA-ja e kundërshtojnë idenë e ndarjes, por kjo nuk e arsyeton heshtjen tonë ose të kënaqurit me disa deklarata stereotipe, që s’kanë asnjë rezon politik. Mund të tingëllojë keq, në mos edhe si një lloj herezie, por do thënë shkoqur se në rast se projekti i ndarjes, duke pasur parasysh edhe gjendjen në terren, sidomos përtej Ibrit, një ditë do të vihet në rend të ditës, pala shqiptare do të duhej t’i kërkonte tri komunat shqiptare në “jug të Serbisë”: Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, në këmbim të tri komunave serbe në veri të Kosovës: Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, por pa hequr dorë nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat përreth, prej nga ekstremistët serbë kanë dëbuar mbi dymbëdhjetë mijë shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

Synim politik i shqiptarëve, ideal i tyre, që nga Lidhja e Prizrenit e gjer më sot, është çlirimi i tokave shqiptare të pushtuara nga shtetet fqinje dhe bashkimi i tyre në një shtet të përbashkët shqiptar mbi bazën e të drejtës së vetëvendosjes, e drejtë kjo që atyre, fatkeqësisht, u është mohuar padrejtësisht në të kaluarën dhe vazhdon t’u mohohet edhe sot. Të qenët popull i lirë e zot i vetes, që gëzon të drejtën e ligjshme për t’u deklaruar lirisht se me kë e si dëshiron të jetojë, ky është objektiv politik i shqiptarëve e jo krijimi i një Shqipërie “të madhe”, siç spekulon propaganda serbe, në radhë të parë, por edhe ajo greke e maqedonase, nga ana e tyre, gjithnjë për qëllime politike, ekonomike e të tjera. Sepse, edhe sikur të bashkohej Kosova dhe Maqedonia Perëndimore me Shqipërinë, ta zëmë, bashkim ky që sot për sot duket ende i largët, nuk do të kishim kurrfarë “Shqipërie të madhe”, por një Shqipëri pak a shumë normale. Ka “Serbi të madhe”, sepse Serbia mban (ka mbajtur deri dje dhe tenton të mbajë edhe në të ardhmen) territore të banuara me popullatë joserbe, të pushtuara prej saj me forcën e armëve, por jo edhe “Shqipëri të madhe”, sepse askush s’kërkon që Shqipërisë t’i bashkojë krahina, qytete a katunde të banuara me popullatë serbe, greke apo maqedonase! Midis këtyre dy pozicioneve, historikisht të qarta, ka një dallim esencial, të cilin propaganda serbe, greke dhe deri diku edhe ajo maqedonase, Beogradi dhe Athina, në radhë të parë, por edhe Shkupi zyrtar, e fshehin qëllimisht, e kamuflojnë me floskula politike, duke e frikësuar botën me fantazmën e “Shqipërisë së madhe”.

Është e kuptueshme që nocionin “Shqipëri e madhe” ta përdorin Tadiqi e Daçiqi, por është e pakuptueshme që këtë nocion e përtypin pa pushim, pa menduar fare për dëmin që i shkaktojnë çështjes shqiptare, edhe politikanë e diplomatë shqiptarë. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë kohë më parë, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Haxhinasto, në takimin që pati me homologun e tij kosovar, Hoxhaj, deklaroi se “ideja për bashkim midis shteteve apo ndryshimi i kufijve është e dëmshme për Ballkanin Perëndimor” dhe se idenë e “Shqipërisë së madhe” nuk e mbështet asnjë forcë serioze politike shqiptare, gjë që e përsëriti sërish këto ditë në Tiranë, pas intervistës së Tadiçit dhënë shtypit gjerman.

Ç’të thuhet pastaj për faktin që deklaratat e krerëve serbë për ndarje të Kosovës vijnë në kohën kur po zhvillohen “bisedimet teknike” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kurse Prishtina nuk e sheh të udhës as të kërkojë ndërprerjen e dialogut për shkak të këtij provokimi ose së paku të simulojë atë në sy të opinionit botëror?!

Nga maja e Piramidës shtetërore serbe shqiptohet shqeto ideja e ndarjes së Kosovës, kurse lidershipi ynë hesht si peshqit në det ose lëshon aty-këtu ndonjë deklaratë të shpëlarë e pa kripë!

Shqiptarët kanë qenë dhe janë kundër ndarjes së Kosovës, kurse serbët po luajnë gjithnjë e më shumë me këtë kartë. Për shqiptarët, ndarja është e dhembshme si prerja e trupit (dhe e shpirtit), sepse Kosova është “gjaku im që nuk falet”, kurse për serbët ndarja është kënaqje e apetiteve hegjemoniste dhe e logjikës: zhvat ç’të mundësh! Kjo ndjenjë shpjegohet më së miri me parabolën biblike mbi gjyqin e mbretit Salomon për ndarjen e fëmijës mbi të cilin pretendonin dy gra se ishte i tyre, nëna e vërtetë dhe lavirja. Për të parë se cila nga ato gënjente dhe cila e thoshte të vërtetën, mbreti urdhëroi: “Ma bini shpatën!”. Kur e prunë shpatën para mbretit: “Ndajeni - tha - foshnjën e gjallë në dy pjesë dhe jepjani gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës!” Porse gruaja, djali i së cilës ishte gjallë, sepse i theri në zemër për djalin e vet - i tha mbretit: “Po të lutem zotëri, jepjani asaj foshnjën e gjallë dhe mos e vrisni!”. Përkundrazi ajo tjetra thoshte: “As mua as asaj: le të ndahet!” Atëherë mbreti u përgjigj e tha: “Jepjani kësaj foshnjën e gjallë e të mos vritet: kjo është nëna e saj!”. (Bibla, Libri i parë i mbretërve, Salomoni i urtë, f. 403; përkthyer nga Dom Simon Filipaj).

Po qe se parabolës së mësipërme, shumë domethënëse, provojmë t’i bëjmë një parafrazim aktual politik, atëherë do të rezultonte se nëna e vërtetë e “foshnjës”, që i dhemb ndarja e saj, është Shqipëria, në të vërtetë shqiptarët (në rastin konkret Kosova vetë), kurse “lavirja” që pretendon rrejshëm amësinë dhe kërkon me çdo kusht ndarjen e fëmijës, Serbia. Po mbreti Salomon? Mbreti Salomon në këtë rast i bie të jetë bashkësia ndërkombëtare dhe në radhë të parë Bashkimi Europian, me baroneshën Ashton në krye, që deklarativisht janë kundër ndarjes së “foshnjës” (lexo: Kosovës), por njëkohësisht mbajnë qëndrim përkëdhelës ndaj “lavires”.

Simbolika e rrëfimit biblik mund të mos ketë kuptim për Salomonët e sotëm të botës, që nuk janë të drejtë e parimor si ai i Biblës, e aq më pak të prerë në ndarjen e drejtësisë. Por, një gjë është e sigurt: që Kosova të qeveriset me dokumentin e Ahtisarit, i cili i garanton asaj tërësinë tokësore, kurse Veriu i Kosovës të kontrollohet nga strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi, që kanë si synim bashkimin me Serbinë, kjo s’ka asnjë kuptim!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00