Home | Opinion | A jemi normalë?

A jemi normalë?

image
Me krejt këtë që na ndodh, vërtet është dashur të kishim luajtur mendsh shumë moti.

 

 Nga Flaka Surroi

 

Javë pas jave po na shkon jeta me ankesa të njëjta. Por një gjë duhet pranuar: nuk e kemi ditur kurrë se jemi kaq të aftë për të zbuluar kaq shumë skema mashtrimi e keqpërdorimi. Nuk po e di këta njerëz a e kanë këtë punë me të lindur, apo është një diçka për të cilën kanë “marrë” shkollë apo marrin këshilla të shtrenjta ndërkombëtare. Me krejt këtë që na ndodh, vërtet është dashur të kishim luajtur mendsh shumë moti. Porse jo, duket që, si sui generis që jemi, e kemi një sistem autoimun që na mbron. E na bën që ta mbijetojmë edhe një javë, e mandej edhe një javë, e edhe një...

 

"Ai qi s'u tranu deri tash në këtë Kosovë kurrë s'u kon normal"

 

Mbase do të jetë njëri nga grafitet më origjinale që ndonjëherë t'i kem parë në Kosovë. Dhe është aq përshkrues sa dhemb. Për shkak se vërtet flet për atë në çka jemi shndërruar: në njerëz jonormalë, meqë durojmë të jetojmë nën këso udhëheqjeje, në këso kushte dhe në një atmosferë që as në ankth nuk do ta kemi përjetuar.

 

E gjithë kjo javë shkoi me lajme me të cilat tashmë jemi mësuar t'i dëgjojmë. Për më keq, jemi mësuar aq sa nuk na lë përshtypje më. Nuk na shkon madje ndërmend se për këto punë duhet treguar zëshëm mospajtimin tonë. Për shkak se ende besojmë se gjërat do të rregullohen vetvetiu ose që do të na dalë një shpëtimtar, sërish, për të na e dhënë edhe një rast.

 

Telekomi

 

Pa dyshim se skandali i muajve të fundit u shpërfaq në Telekomin e Kosovës. Zbulimi i përditshëm i emrave të personave të punësuar e që kanë lidhje familjare me politikanët e të gjitha partive në pushtet, nuk ka ndryshe se si të përshkruhet pos grabitja e publikes për nevoja private.

 

Lehtësia e punësimit në një kompani që është buzë falimentimit, që thuhet t’i ketë borxhe edhe shtetit për tatime, dhe pos që nuk i kryen obligimet e veta ndaj palëve të treta, është duke e humbur edhe atë copëz tregu që e ka pasur, është thjesht shokuese.

 

Thuajse nuk mjaftuan ata 2400 a sa veta të punësuar para fillimit të këtij viti, që u desh të punësoheshin edhe 230 njerëz të rinj, dhe disi në formë të koordinuar, në të shumtën si agjentë të shitjes, që ta qesin kompaninë të tërën përtokë. Me një llogaritje shumë të thjeshtë, pra nëse rroga mesatare e këtyre të punësuarve është 500 euro, shpenzimet mujore për rrogat e tyre mbërrijnë 115 mijë euro në muaj, përkatësisht rreth 1.4 milionë euro në vit.

 

Asnjë kompani që publikisht është shpallur para bankrotit nuk do të duhej të merrte njerëz të rinj në punë, përkundrazi, do të duhej larguar ata që i ka edhe ashtu me tepricë, ashtu që t'i konsolidojë financat. Porse jo, duke qenë një nga dy ndërmarrjet publike që ende kanë njëfarë domethënie për ekonominë e Kosovës, dhe duke qenë se selinë e ka në qendër të Prishtinës, u gjet formula e angazhimit të njerëzve me e pa konkurse, për t'i rehatuar familjarët e deputetëve dhe të politikanëve. Duke qenë dëshmia më e mirë se këtë aset strategjik e kanë shkatërruar qëllimisht të gjitha garniturat udhëheqëse, ashtu që të mbërrijë t'i shitet ndonjë firme fantome për pak para.

 

Asnjë kompani normale në botë nuk do të donte që së bashku me asetet t'i merrte në punë edhe tre mijë veta, prej të cilëve mbase gjysma nuk kanë as ku të ulen, sepse nuk kanë zyra. Që të bën të nënkuptosh se atë do ta blejë dikush për pak para, këtu, me një qëllim të thjeshtë: kontrollin strategjik të telekomunikacionit dhe pasurimi i mëtejmë, "në bazë të ligjit".

 

Ankesa koti në FB

 

Dhe të kota, si përherë, janë reagimet e deputetëve të opozitës me statuse nëpër FB, duke i numëruar të gjitha të këqijat e këtij koalicioni qeverisës, përderisa nuk ndërmarrin as hapin më të vogël që këtë gjendje ta ndryshojnë.

 

Nuk është se nuk mund të thonë se nuk i kanë votat për ta rrëzuar Qeverinë, për shkak se jo pak deputetë edhe të koalicionit qeverisës do të donin që kjo qeverisje të mbaronte. Thjesht, bëhet fjalë për kalkulime oportuniste që e presin momentin më të përshtatshëm për zgjedhje. E kësaj gjendjeje i kontribuon edhe fakti se KQZ-ja ka kohë që është jofunksionale për qejf të Thaçit, i cili do që t'ua caktojë nga një anëtar në KQZ partive që kanë krijuar grupe të veçanta parlamentare, edhe pse nuk kanë garuar si të tilla në zgjedhjet e shkuara.

 

Pa KQZ, natyrisht, nuk mund të shpallen as zgjedhjet, pra për pasojë nuk mund as edhe të mbahen. Porse KQZ-ja qëmoti ka qenë motiv i mjaftueshëm që Thaçi të dërgohej në Kushtetuese për shkak se i ka shkelur afatet ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht fizkulturave që i ka ndërmarrë ndërkohë. Po jo, as kjo temë nuk ka qenë mjaft interesante për opozitën që të vepronte në këtë drejtim.

 

Aty ku opozita reagoi qe te Ligji për dialog, i cili u çua për vlerësimin e kushtetushmërisë. Tash duhet pritur që të kalojë procedura e rregullt sipas afateve të përcaktuara me ligj, që të shohim nëse kërkesa e opozitës ka bazë, apo nëse Kushtetuesja do të na dalë me ndonjë interpretim sui generis siç tashmë e ka bërë specialitet.

 

Mungesa absolute e aktivizmit partiak dhe e nxitjes së reagimeve të anëtarësisë së LDK-së dhe VV-së shkakton habi vështirë të deshifrueshme. Po qe se krejt njëzëri e kritikojnë pushtetin për shumë skandalet që e kanë karakterizuar që nga nisja e mandatit, si po e lejojnë që e gjitha të kalojë me ca konferenca të lodhta për shtyp dhe me ca deklarata në stilin "pritni veç sa ta marrim pushtetin, keni me pa". Me kësi qëndrimi nuk e di nëse njerëzit do të kenë çfarëdo motivimi për të dalë në zgjedhje, ngase tash më shumë se kurrë po merr më shumë fuqi bindja se vërtet nuk ke kë ta votosh. Se krejt çka pamë deri tash, pavarësisht se kush e mbajti pushtetin, qe shkatërrimi sistematik i shtetit dhe shpërdorimi i buxhetit i të gjithëve.

 

Heshtakja e madhe: Prokuroria e Shtetit

 

Po të ishim shtet normal, secili shkrim i gazetës apo edhe storje në televizion do të duhej t'i mjaftonte Prokurorisë së Shtetit të urdhëronte hetime për keqpërdorimet e raportuara. Por meqë Kosova është çfarë është, nuk ka Prokurori dhe Polici që do të merret me raste selektive, ashtu që do t'i përfundojë procedurat siç do t'i konvenojë një grupi të caktuar interesi.

 

Kemi një prokurori që mjaftohet me konferenca për shtyp dhe me vetëlëvdata të cilat i mbulon më pas me akuza ndaj gjykatave që "ia hedhin poshtë rastet". Asnjëherë nuk dëgjuam të kenë pranuar se rastet i ndërtojnë asisoj që janë të destinuara të dështojnë. E aq janë të dështuar sa përjetojnë që edhe amerikanët, edhe britanikët t'i kritikojnë duke u thënë se më nuk mund t'i përkrahin dhe se kanë lejuar që krimi në Kosovë të shndërrohet në diçka endemike. Që për fat të keq, i fut me një kosh të gjithë njerëzit e këtij vendi, pavarësisht faktit se janë viktima të krimit dhe korrupsionit të strukturave udhëheqëse. Por që, për fat të keq, për shkak të heshtjes dhe letargjisë së tyre e legjitimojnë këtë gjendje.

 

Dështim gjithandej

 

Dhe në hallakamën e krijuar rreth Telekomit, i cili, po qe se Policia e ka seriozisht, nuk do të mbetet vetëm edhe një episod i pandëshkuar i krimit, doli edhe një kumtesë nga Ambasada amerikane, ku kritikohet Kosova për shkak të 31 shkeljeve ligjore që i ka konstatuar Komisioni hetimor (të cilin raport nuk e pranojnë deputetët e koalicionit qeverisës), me rastin e kidnapimit, se as dëbim nuk mund t'i thuash, të gjashtë shtetasve turq vitin e shkuar.

 

Fakti se ka rezistencë për ta pranuar fajin, tregon se komplet zinxhiri i përgjegjësisë shtetërore ka dështuar me një rast, për të cilin mund të supozohet se kush e dha urdhrin, por që askush nuk do që ta thotë publikisht. Fakti është se njerëzit më kompetentë në këtë rast janë avancuar apo akomoduar nëpër poste të mira e të rehatshme, përderisa të dëbuarit, ndër ta edhe një njeri i marrë gabimisht, rrezikojnë të dirgjen në burg prej 15 deri në 28 vjet në Turqi.

 

Mënyra aq e lehtë e kapërcimit të një faji kaq të madh është tronditëse. Dhe që njerëzve normalë do t'ua aktivizonte ndërgjegjen menjëherë. Po ja që edhe këtu dëshmojmë se ne nuk jemi njerëz normalë.

 

Ndërkohë, puna e taksës së famshme nuk zbret nga rendi i ditës. Presionet vazhdojnë të vijnë nga jashtë, Haradinaj vazhdon të mos dorëzohet -- dhe thotë se kjo mund të ndodhë veç kur Serbia ta njohë Kosovën.

 

Sinqerisht, vazhdoj të mos e kuptoj rëndësinë e taksës për të huajt që e bëjnë gjithë këtë presion, përderisa e kuptoj momentin populist që Haradinaj do ta shfrytëzojë për motive zgjedhore. Përse një taksë që nuk çon kandar askund, pos që neve na kthehet me shtrenjtimin e mallrave, bëhet pengesa kryesore për të vazhduar një proces, i cili që nga fillimi u nis mbrapsht. E vetmja gjë që më shkon në mendje është nevoja që Serbia ta ketë një alibi e që fajin për mosbashkëpunim dhe mungesë përpjekjeje për të gjetur një zgjidhje t'ia lërë Kosovës.

 

Nga ana tjetër, dy javët e fundit nuk patëm asnjë zë nga Thaçi, që d.m.th. se është duke zier diçka, përderisa bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror sërish, fshehurazi dhe për së koti shkuan në Bruksel, për "t'u takuar me Mogherinin" e cila në atë kohë gjendej në Amerikë. Arsyetimi se donin t'ia dorëzonin Platformën shtetërore të bisedimeve personalisht, duke e pasur ambasadorin në Bruksel, nuk ka ama kurrfarë logjike. Po shëndosh, po të kishte qenë ndryshe, kishte qenë punë për t'u çuditur.

 

* * *

 

Javë pas jave po na shkon jeta me ankesa të njëjta. Por një gjë duhet pranuar: nuk e kemi ditur kurrë se jemi kaq të aftë për të zbuluar kaq shumë skema mashtrimi e keqpërdorimi. Nuk po e di këta njerëz a e kanë këtë punë me të lindur, apo është një diçka për të cilën kanë “marrë” shkollë apo marrin këshilla të shtrenjta ndërkombëtare.

 

Me krejt këtë që na ndodh, vërtet është dashur të kishim luajtur mendsh shumë moti. Porse jo, duket që, si sui generis që jemi, e kemi një sistem autoimun që na mbron. E na bën që ta mbijetojmë edhe një javë, e mandej edhe një javë, e edhe një...

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00