image

Homo albanicus

Njeriu politik i ri u ngjiz, shqetësimi i madh për ‘’homo politicus’’ tashmë është shtruar këmbëkryq në mendjen tonë dhe nuk shqitet. 

 

 

Nga Eugent Kllapi

 

 

 

Njeriu politik i ri u ngjiz, shqetësimi i madh për ‘’homo politicus’’ tashmë është shtruar këmbëkryq në mendjen tonë dhe nuk shqitet. 

 

 

Shqiptari ndjehet normal me këtë lloj njeriu që i është paraqitur me forcë te porta.

 

E vjetra e shqiptarit politik i ka shtuar ca arna, zhgaravina vetes për të vendosur titullin ‘’homo politicus’’ në gjoksin e tij. 

 

Ai zhvleftësohet sa opinione bën për të. Opinionet thurin opinione për lartësimin e këtij njeriu model, ai cmësohet sa do të mësojë, fakti është nën thundrën e opinioneve që ai duhet t’i lartësojë për të qënë vetvetja, po i mungon, sa më tepër bëjnë triko mendimesh, aq më shumë ato grisin të vërtetën e njeriut shterpë në ‘’politicus’’.

 

Nuk e tret dot atë fije bari për gjedhë akoma. 

 

Si arna, dhe shqyerja në bluzë e pantallona tashmë bashkë me medalionin janë të modës. Mundohet medalioni të fshehë zhdrejtësimin e kohëve të vjetra po më kot, ajo nxjerr krye me forcë e dhunë përkundrejt kohës së re.

 

Njeriu i ri ekonomik, ‘’homo economicus’’ nuk ka lindur akoma. Nën shpresën e kursimeve të vjetra thur ëndrra të zjarrta për fitime të reja. Shqiptari në vendin e zhubravitur të anës tjetër të gjoksit do të varë një medalje tjetër, por fatkeqësisht nuk po e gjen. 

 

Një farë syresh kanë thurur pallto e ndihen ngrohtë nga ekonomia, një pjesë lakuriq, pa kuptuar se cfarë është në thelb njeriu ekonomik, nuk bëjnë dot filozofi se u është tharë stomaku. 

 

Pa tepricë në duar, po me bollëk e bllok në mendje, mendojnë se makutëria ndaj kursimit do t'i cojë në lavdinë e të qenit njeriu i ri ekonomik. Zhubra e djathtë, aleatë e zemrës, pret këtë medalje për ta mbështetur, por ai arratiset në panik nga mosdija, drejt kohëve të shkuara të halleve të tij. 

 

Ai që i ka nuk di si t'i përdorë, ai që s’i ka nuk mund si t’i marrë. Në të shumtën e rasteve, ai që i ka, nuk di c’të bëjë, ai që di c’të bëjë, nuk i ka.

 

Njeriu besimtar është, po ka harruar, me forcën dhe dëshirën që do të besojë kujton harresën. Ai do të mësojë por nuk është akoma.

 

 Disa besojnë me ngulm, disa me dhunë, disa me dashuri për të LARTËSUARIN. Detyrë e vështirë për të ardhmen.

 

Njeriu i ri ‘’homo sociologius’’ nuk do të lindë. Nuk do të përshtatet me këto arna e zhubra fije-fije që ka ndërtuar shqiptari për veten. Është akoma hije e vetvetes, në dritë zvogëlohet, në errësirë zmadhohet, errësira mbisundon njeriun e ri të kësi soji. 

 

Zvarritet të kapet pas komshiut dhe sheh me dhimbje që zhvlerësohet në të njëjtën masë që rritet tjetri pak më larg tij. Plas e hidhet deri në sherr të veprimeve, mendimeve të tij, urren e dashuron por nuk ka mbërritur as te kufiri, te thana.

 

I fundit si model është njeriu personalizues. Komshiu me zor e ngriti si ide në kohët moderne, por për shqiptarin moderniteti nuk vlen, vlen vetëm ai që do të jetë me pahir modern si lloj. 

 

I huaji i këtij soji është matanë kufirit e as denjon ta përshëndesë. Ky njeri akoma nuk është ngjizur, mbase nga dashuria e munguar, mbase nga mosdëshira, mbase nga vlerësimi, të gjitha i mungojnë. 

 

Ai, shqiptari, është ngjizur nga urrejtja në copëra të tjera, më të vjetra, më të egra, thatime, një lloj copë thartuckë me mbështjellje helmi të përkohshëm për veten e tij. Shqiptari nuk e do më këtë copë, por i ka humbur pusulla të llojet e njeriut që nuk po arrin dot, i vjetri i thërret natën në ëndrra.

 

 E mban nën sënduk këtë copë për të mëshiruar vetveten, ndonjëherë ua kujton dhe të tjerëve për karshi.

 

 

Bebe 27 vjecare, njeriu i ri shqiptar endet e thurr pjesëza të zhubërta, të grisura, qofshin dhe këto arna të kaluara me ngjyra të reja ylberi për lartësimin e tij. Xhepat i do të mëdhenj me astar të rinj mëndafshi. 

 

Fare mirë e dinë që nuk dinë asgjë, dhe dinë që dinë gjithcka në emër të prindërve, prindërit janë gjithë veprimet që qenia e tij është. Bebe llasticë dhe inatcore, nuk e njeh gabimin e vet, nuk do. 

 

Ai është prindërit që nuk arrin dot prandaj është. Gëzojuni njeriut të ri o njerëz, ai po rritet, lum kush ta dojë e ta gëzojë!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0