Home | Opinion | Fenomeni

Fenomeni

image
Duhet aftësi që të krijosh kaq shumë telashe, e të shtiresh se je duke u përpjekur t’i zgjidhësh,...

 

 

Nga Flaka Surroi

 

Duhet aftësi që të krijosh kaq shumë telashe, e të shtiresh se je duke u përpjekur t’i zgjidhësh, përderisa për çdo javë e gjen një temë të re me të cilën zhvendoset vëmendja e opinionit. Duhet njëmend shkathtësi të kërcesh prej një skandali në tjetrin pa fije turpi dhe që faji të mbetet jetim. Është marifet të kesh luftuar dikur për vendin tënd, e që sot ta shkatërrosh me secilin hap që e merr

 

Me qenë kaq shtet i vogël e mos me u ndalë së prodhuari skandale dita më ditë është një lloj fenomeni. Nuk e di nëse ka ndonjë komponent në ajër që i bën banorët e këtij vendi të specializuar për ta shkatërruar substancën e vendit ku kanë lindur e jetojnë. Nuk e di në mos e kemi të lindur, e nuk e kemi ditur, derisa besuam se mund ta shpallim pavarësinë e ta mbajmë shtetin tonë vetë. Çfarëdo që të jetë, po ka efekt të shumëfishtë shkatërrimtar, dhe më e keqja është se nuk po i shihet fundi.

 

* * *

 

Në mesin e temave tashmë shumë të përtypura deri në pafund, kësaj jave ishin dy ngjarje që i ngjallën ekstremet e kundërta të emocioneve.

 

Ajo e trishta qe shuarja fizike e një njeriu, i cili të gjithë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe.

 

Në moshën 102-vjeçare vdiq Idriz Ajeti, ai i cili pa asnjë dyshim u quajt dhe do të vazhdojë të quhet pionier i studimit të shqipes ndër ne. Do të kujtohet si luftëtari më i madh për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës sonë amtare. Do të mbahet mend si njeri, i cili ua mësoi shumë brezave gjuhën shqipe, por edhe që me sukses e institucionalizoi begatimin e shqipes – duke e krijuar Institutin Albanologjik.

 

Pas vetes la një opus të gjerë studimesh e veprash. La gjithashtu edhe kujtime nga koha kur u angazhua, si kryetar i ASHAK-ut, në proceset politike më vendimtare për mbijetesën tonë edhe fizike.

 

U përcoll për në “shtëpinë e fundit” nga kolegët e miqtë, por në mungesë të zyrtarëve politikë. Shkoi pa së paku shpalljen e një ditë zie shtetërore. Duke shërbyer kështu, për fat të keq, si shembulli i trajtimit selektiv të vlerave të këtij vendi.

 

* * *

 

Ajo e hareshmja, për shkak se jeta kështu e ka – sa sjell hidhërime, sjell edhe gëzime -- na erdhi nga Dua Lipa me një fitore të dyfishtë historike. Dy shpërblime “Grammy” – çmimi më prestigjioz ndërkombëtar në industrinë e muzikës komerciale, në konkurrencë të fuqishme botërore. U shpall këngëtarja më e mirë e re dhe me këtë sukses i hapi rrugë vetes për të ardhmen.

 

Na bëri që të ndiheshim mirë dhe madje pjesë të botës normale -- bile për ato pak orë sa zgjatën ceremonia dhe, natyrisht, euforia afatshkurtër që e kemi kaq pjesë të shprehur të karakterit.

 

Qe, pa dyshim, një interemexo shumë e mirëseardhur nga ushqimi i përditshëm që na mbetet në fyt i servuar nga politika kosovare.

 

Për “Guiness”

 

Pas skandalit që e zbuloi gazeta para nja dy javësh, për mënyrën se si u ndanë tre milionë euro grante nga Ministria e Bujqësisë pa përfillur ligj, para disa ditësh u zbulua dhe skandali i radhës po në atë ministri. E në këtë skandal ndodhi “vëllazërim-bashkimi” – se bashkë në këtë marifet u bënë shqiptarë e serbë. Sipas raporteve zyrtare, u konstatua se veturat e kësaj ministrie i kishin kaluar 1.5 milionë kilometra për një vit - që i bie, me u sjellë nja 37 herë rreth Tokës.

 

Nuk e di nëse dikush vërtet i ka shikuar njehsorët e kilometrazhit nëpër vetura ose jo, por jam e prirë të besoj se më parë kjo është hajni me benzinë që do të duhej të mbulohej “me numra” në raporte zyrtare. Sepse ndryshe nuk ka se si të arsyetohen sasitë e karburanteve të blera, pos të shënohen kilometra më shumë seç janë kaluar. Nga ana tjetër, tashmë është e qartë se veturat zyrtare te ne përdoren për gjithçka, përfshirë pazarin, pushimin vjetor, dërgimin e fëmijëve në çerdhe, dasma, etj., etj., porse e gjithë ky kilometrazh tregon se ka diçka shumë të kalbur në këtë sistem qeverisjeje.

 

Fakti se veturat e kësaj ministrie nuk i bartin të gjitha tabelat zyrtare me “Z”, shpjegon qëllimin e qartë të pushtetarëve që të mos e zbulojnë kurrë se sa vetura zyrtare ka ky shtet dhe se për çka shërbejnë. E as kujt i shërbejnë.

 

Blerja e pakontrolluar e veturave, karburantet dhe mirëmbajtja natyrisht se kushtojnë shumë, dhe në kushte normale do të kërkonin intervenimin e Ministrisë së Financave që do të duhej të ngrinte zërin e alarmit për shterjen e buxhetit në këtë formë kaq shkatërrimtare. Do të duhej nxitur edhe reagimin e Prokurorisë së Shtetit – por, duke qenë të njohur me sistemin e punës së këtij institucioni, po e dimë mirë se kjo punë do të mbetet vetëm një raport gazete.

 

Shëtitja në det

 

E derisa “bujqësia” nuk u ka zbritur veturave, arsimi nuk iu shkap detit. Një batalion recensentësh librash shkollorë u transferuan në det për të na i bërë librat shkollorë “më të mirë”. Pa e paragjykuar punën e tyre, megjithatë, nuk kam si të mos pyetem se përse krejt takimet, konferencat, planet strategjike e të ngjashme patjetër duhen organizuar në bregdetin shqiptar. Nuk po shoh se deti na ka sjellë ndonjë vlerë të shtuar, pos që na i ka hëngër paratë. As nuk e besoj se “karantina” pikërisht në det sjell cilësi më të madhe pune.

 

Mbledhje të tilla mund të mbahen edhe në Kosovë, e madje mbase edhe me më pak para – por çka është më me rëndësi, është se bile paratë do të mbesnin në Kosovë. Sepse, nëse frika është se ekspertët do të mundë të largoheshin pa leje nga karantina, do ta kishim të qartë se këta nuk janë ekspertë, por interesxhinj. Nga ana tjetër, kush po garanton se nuk do të mund të iknin edhe nga bregdeti – me gjithë ato vetura zyrtare, si të siguroheshim se nuk do të mundë të përsëritej skandali i bujqve?

 

Falimentimi nga shtëpia

 

“Bujqit” po na dalin krejt “automena”, porse dyshoj se institucioni i tyre ka më shumë vetura sesa PTK-ja. E me numra të të punësuarish, me gjasë do të jenë më pak sesa ata që marrin rroga në kompaninë e telekomit kosovar. Para dy javësh KTV-ja zbuloi se vetëm në muajin e parë të sivjetmë në institucionin i cili para disa muajsh kishte kërkuar ndihmë nga Qeveria për t’i mbuluar rrogat, janë punësuar hiç më pak se nja 200 veta. Sipas emrave të zbuluar, del se krejt janë pak a shumë kushërinj a të ngjofshëm të politikanëve në pushtet.

 

Ajo që po dëgjohet tek flitet në rrethet e afërta me Postë-telekomin është se gjithë këta njerëz që janë marrë në punë as që kanë zyrë ku mund të punojnë. Sepse fundja nuk është me rëndësi pse s’punojnë – nuk është se i kanë marrë në punë për të punuar, por për të marrë rrogë edhe ndonjë beneficion që do të mund t’iu takonte në çastin kur të privatizohej aseti më fitimprurës që kemi pasur me vite të tëra. Tash, i bankrotuar me qëllim, kush e di se me sa pak para, dhe në duar të kujt do të mbarojë një vlerë kaq e madhe strategjike, madje edhe për sigurinë shtetërore.

 

Dhe sa më shumë njerëz t’i shtohen listës së rrogave, aq më shpejt do të bjerë kjo korporatë, madje edhe nën nivelin zero.

 

* * *

 

Po të kishte njeriu kohë dhe nerva, do të shkruante një libër të vëllimshëm me raste të hajnisë dhe të skemave të ndryshme korruptuese dhe do ta titullonte “Si ta shkatërrosh shtetin që ta falën”. Por natyrisht, për pjesë hyrëse apo madje dhe përmbyllëse, nuk do të kishe si t’i shmangeshe pjesës së “trashë” të politikës dhe të vendimeve të gabueshme politike, pa të cilat shkatërrimi nuk do të ishte kaq i efektshëm.

 

Derisa çdo gjë është duke u përkeqësuar në terren, Kosova ende po luan taksa e propozime platformash. Taksa, që kur merr ta analizosh, është punë e një raporti bilateral, është shndërruar në mjetin më të madh të presionit që kemi përjetuar deri tash. Nuk mbeti kush pa e kërkuar heqjen e taksës, ashtu që dialogu të vazhdojë. Por të rrallë janë ata që kur e ushtrojnë këtë trysni, sikurse gjermanët, edhe e thonë se dialogu duhet të vazhdojë, porse jo pa parime themelore dhe një afat që do të duhej të sillte një zgjidhje.

 

Haradinaj po vazhdon ta mbajë qëndrimin e vet, që mund t’i kushtojë me post, por që edhe mund t’i sjellë shumë vota. Thaçi luan rolin e “gud gaj”, demek i miri i filmit që po përpiqet, po ja që s’po mundet ta thyejë Haradinajn. Të tjerët po e luajnë rolin e delegacionit shtetëror dhe merren me përpunimin e platformës për bisedime që thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën; se territori i Kosovës është i pacenueshëm dhe se duhet pasur reciprocitet për shqiptarët në Serbi, sipas asaj që kanë serbët në Kosovë. Problemi është se a do të vazhdojnë të takohen me këshilltarët e Mogherinit sa herë që shkojnë në Bruksel dhe nëse pretendojnë se vërtet e paraqesin krejt spektrin politik, kur objektivisht aty mungon opozita...

 

Duhet aftësi që të krijosh kaq shumë telashe, e të shtiresh se je duke u përpjekur t’i zgjidhësh, përderisa për çdo javë e gjen një temë të re më të cilën zhvendoset vëmendja e opinionit. Duhet njëmend shkathtësi të kërcesh prej një skandali në tjetrin pa fije turpi dhe që faji të mbetet jetim. Është marifet të kesh luftuar dikur për vendin tënd, e që sot ta shkatërrosh me secilin hap që e merr./koha

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00