Home | Opinion | Kush i përndjek shqiptarët e Shqipërisë?!

Kush i përndjek shqiptarët e Shqipërisë?!

image
Politika është kuçedra që po merr jetë njerëzish duke i vrarë atë përditë nga pak.

   

 

Nga Sokrat NDREÇKA

 

 

Nuk do shumë mend për të kuptuar se përse largohen shqiptarët nga vendi i tyre. Sot që flasim nuk kemi eksode njerëzish që u drejtohen porteve të vendit, nuk kemi grupime të mëdha masive që rrëmbejnë tragetet dhe largohen përtej deteve dhe oqeaneve. Shqiptarët po largohen nga Shqipëria në mënyrën më moderne të mundshme, e cila quhet përndjekje, largim me dhunë, me forcë, të detyruar nga arsye që lidhen me mungesën e standardeve të jetesës në Shqipëri. Po afrojnë tre dekada që Shqipëria jeton në tranzicion demokratik, që tenton të ndërtojë shtet e barazi për të gjithë, por në fakt ecuria është në nivele të ulëta për shumë arsye që janë bërë pengesë në zhvillimin normal të vendit dhe kjo i ka detyruar të përndjek shqiptarët, të ikin nga sytë këmbët.

 

Përndjekësit e shqiptarëve janë të shumtë, janë kryesisht shqiptarë, njerëz që kanë patur prej afro tre dekada qeverisjen e vendit dhe vazhdojnë të sillen sikur njerëzve të kësaj shoqërie të brishtë nuk u kanë bërë asgjë të keqe. Kështu thonë çdo ditë dhe këtë e bëjnë për të mbuluar krimet e qeverisjeve dhe kultivimin me metoda moderne të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Në do të dish se cilët janë ata, dëgjojini në Parlament se si kanë gojë e flasin sot për të mbrojtur demokracinë se po u rrëshqet nga duart. Përndjekësi më i madh që u ka futur tmerrin shqiptarëve është politika dhe ata palo politikanë që maskohen me demokracinë duke përdorur të gjithë arsenalin e tyre intelektual e bashkëpunues me njerëzit që kanë kryer vepra të rënda penale. Janë pikërisht politikat e çmendura që kanë mbjellë në këtë vend për afro 30 vjet tragjedi pa fund, duke i shkaktuar këtij populli dramën më të madhe, ku nuk kanë munguar humbje jetë njerëzish dhe miratime ligjesh për të fryrë xhepat e tyre, familjeve dhe fëmijëve pa e lodhur kokën se njerëzit e zakonshëm nuk kanë të ardhura për të dal nga kriza për mbijetesë. Politika përndjekëse është faktori numër një që i ka bërë shqiptarët të largohen pa kthyer kokën prapa duke harruar çdo gjë, deri edhe tokën e varreve të të parëve të tyre. Nuk ka përndjekje më të frikshme, më fashiste se kjo që shohin shqiptarët çdo ditë me sytë e tyre. Kjo ndodh sot kur bota modernizohet çdo ditë, qytetërohet, bëhet më shumë e hapur dhe transparente. Në Shqipërinë tonë ndodh e kundërta. Thuhet se çdo vit largohen mbi dyqind mijë shqiptar përtej kufijve shtetërorë, në kërkim të një strehe për të futur kokën, në kërkon të një kafshate bukë, duke u kthyer në shërbëtorë të të tjerëve. E bëjnë nga halli këtë sakrificë sepse jeta është e shtrenjtë dhe më shumë se kaq nuk kanë se çfarë të japin në këmbim të një qetësie, për të larguar ankthin e stresin.

 

Politika është kuçedra që po merr jetë njerëzish duke i vrarë atë përditë nga pak. Përdor forma bashkëkohore tronditëse që e bëjnë shoqërinë në sy të botës injorante, e përgojojnë si të paaftë të bashkëjetojë me popujt e bashkimit europian. Politika është dhelparake dhe shumë tinëzare. Është tërësisht mafioze dhe këtë stil e përdor për të humbur gjurmët e krimeve të viteve të mëparshme. Nuk ka deputet, politikanë që të kujtojë dëmin e madh që kanë shkaktua firmat piramidale, nuk ka asnjë zë të sjellë në kujtesë viktimat e Gërdecit, viktimat e janarit 2011. Nuk u vjen në oreks të qasen me të shkuarën e tyre të zezë, por merren me broçkullat e ditës duke sharë e fyer njeri-tjetrin, duke e shitur këtë si luftë të madhe politike në kupolë, si alternativë e debatit politik midis subjekteve mazhorancë e opozitë.

 

Është pikërisht ky nivel i ultë debatesh që e mban shoqërinë shqiptare të ndrydhur, të paaftë të ngrihet në nivelin e standardeve që kërkojnë ndërkombëtarët dhe zhvillimet social-shoqërore të një vendi, të një populli. Pse, për sharjet dhe fyerjet e deputetëve kanë nevojë njerëzit? Parlamenti shqiptar, forcat politike, faktori ndërkombëtar duhet të dalin nga retorikat e ditës dhe të përcaktojnë prioritete që kanë të bëjnë me garantimin e reformave dhe të mos harrohen në debate të karakterit formal e injorant.

 

Shqiptarët, njerëzit e zakonshëm kërkojnë shërbime bashkëkohore, kërkojnë të marrin udhë proceset gjyqësore të mbetur pezull prej vitesh. Tridhjetë vjet tranzicion nuk janë pak për të provuar e shijuar ca demokraci, si popujt e tjerë, që e kanë fituar këtë status pa shumë dhimbje njerëzore e sociale. Shqipëria është e vogël, një grusht njerëz ka. Edhe pse ndodh kështu, shqiptarët i kanë dënuar shqiptarët e dalë nga rruga e zotit, që nuk kanë as ideale, as patriotizëm, as humanizëm njerëzor e të mendojnë se jeta nuk është ajo kur një grup sundon një grupim tjetër, por të jetojmë në harmoni, duke patur ligjet si normë bazë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

 

Shqiptarët përndiqen nga një elitë politike dhe lidership qeverisës, që nuk kanë dhimbje shpirtërore kur shohin njerëz që vuajnë, që nuk marrin shërbimet më të nevojshme, që nuk gjejnë një front pune për të marrë ca të ardhura sa për të mbajtur frymën gjallë. Kjo elitë ka marrë pengë politikën dhe shtetin dhe kavërdiset sa në pushtet, në opozitë duke mos lejuar shtetin të marrë frymë. Të ndodhur përballë rrotacioni banal, njerëzit janë të përjashtuar nga vendimmarrjet e ndryshme, për pasojë nuk gjejnë mundësi praktike për të ndërtuar jetën, edhe me kushte minimale. Ata ikin ku të munden sepse klasa politike, aktorët e saj fantazojnë prioritete, të cilat i kanë në mendje sepse në realitet imitojnë veten duke bërë premtime sa për të rrëmbyer vota e për të marrë mandatet zgjedhore. U shkatërrua sistemi i drejtësisë nga vetingu i famshëm, i cili do mbetet në histori për Shqipërinë. U goditën rëndë prokurorë e gjyqtarë që kanë vjedhur paturpësisht. Përballë trupave gjyqësore kërkojnë të rikthehen në detyrë. Ky sistem drejtësie mohoi dhënien e drejtësisë së mijëra dosjeve duke humbur besimin tek njerëzit. Ku do e gjenin drejtësinë shqiptarët? Kush do ua jepte drejtësinë atyre që kallëzonin penalisht padrejtësinë? Në këtë vend është bërë katrahura, ndaj dhe përndjekja e shqiptarëve është bërë butësisht nga klasa politike, e cila ka fajësuar të tjerë për të dalë e larë nga gjithë kjo zallamahi. Shqiptarët këtë e kanë kuptuar dhe janë të qetë në ndërgjegje dhe drejtojnë gishtin tek ata që i kanë përndjekur, duke i larguar përtej oqeaneve në mënyrë që autorët e këtij krimi masiv të mos kenë mundësi të kallëzohen për krimet që kanë kryer.

 

Ndoshta historia do përsëritet dhe ata që janë penalizuar aq rëndë do kenë mundësi një ditë të ngrenë akuzë ndaj përndjekësve të tyre. Koha vjen shpejt. Në këtë botë lahen të gjithë borxhet!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0