Home | Opinion | Pronarët e panjohur të naftës shqiptare

Pronarët e panjohur të naftës shqiptare

image
Rrugët që përdorin kompanitë e rregjistruara në parajsat fiskale për të shmangur detyrimet ndaj shtetit , janë të pafundme. 

  

Nga Fatos Çoçoli

 

 

Për 13 vite rresht (2004-2016) e kemi lënë arin e zi të vendit ta shfrytëzonte një kompani që nuk i njiheshin pronarët. Kjo kompani vinte e rregjistruar në një nga parajsat fiskal (ishujt Cayman) dhe në vitin 2004 mori licencën (lejen) për shfrytëzimin e mbi 90 përqind të naftës shqiptare. Ende nuk dimë për llogari të kujt janë shpenzuar tek ne (sipas deklarimeve të vetë kompanisë në faqen e saj në internet) për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e naftës  deri tani 1.7 miliardë dollarë!  Për 11 vjet rresht 2004-2015, kjo kompani ka deklaruar në tatimet shqiptare se del me humbje. Ose më mirë, se shpenzimet prodhuese i ka më të mëdha se sa shitjet, të ardhurat nga nafta. Në marrëveshjen kuadër(tip) për naftën ishte caktuar koefiçienti i njohur R(nga anglishtja “rentability”-përfitueshmëri-), si raport mes të ardhurave dhe shpenzimeve prodhuese. Kur “R” të dilte më i madh se sa 1 (pra të ardhurat më të mëdha se shpenzimet prodhuese), shteti ynë merrte gjysmën e fitimeve. Ndërsa kompania e rregjistruar në parajsën fiskale Ishujt Cayman, që deklaron se ka shpenzuar (investuar) tek ne 1.7 miliardë dollarë, ka dalë gjithnjë me koefiçientin “R” më të vogël se 1. Pra me humbje! Cila kompani private në botë, duke shpenzuar miliarda dollarë, i lejon vetës të dalë për 11 vite rresht me humbje? Pra, 1.7 miliardë dollarë shpenzime në 11 vjet vetëm për të humbur?! Po përse kanë ardhur këtu këta pronarë që nuk njihen, për të humbur, për të pakësuar paratë nga xhepat e tyre? Janë çmendur?

Dhe përse, sapo tatimet shqiptare ua zbulojnë lojën në vitin 2015 dhe u kërkojnë të paguajnë 75 milionë dollarë në fshehje fitimi vetëm për vitin 2011 (duke përfshirë edhe kamatëvonesat dhe gjobat), në më pak se një vit më vonë kjo kompani me këta pronare të panjohur kërkon të ikë sa sytë këmbët nga Shqipëria? Dhe këtë bëri, ia shiti kompaninë një firme kineze. Përse-ja qëndron në faktin e thjeshtë se kompania e rregjistruar në një nga parajsat fiskale jo vetëm nuk ka dalë me humbje, por ka dalë me fitime të larta, duke ia mohuar shtetit tonë gjysmën e tyre). Në vitin 2007, truku po funksiononte kaq mirë, sa kompania na u bë me një “binjak”. U hap një kompani tjetër, po me pronarë të panjohur, e rregjistruar nga e njëjta parajsë fiskale, ishujt Cayman, e cila mori një llokmë tjetër të vendburimeve tona të naftës, për ta shfrytëzuar. Pra, u bë deti kos me arin e zi të Shqipërisë! Prandaj dhe pyesim qeverinë tonë sot: a beson  ajo se kompania koncesionare që shfrytëzoi gati të gjithë naftën shqiptare për periudhën 2004-2015 ka dalë gjithë këto vite me humbje(pra koeficienti R i raportit të ardhura- shpenzime prodhuese të saj ka qenë gjithnjë më i vogël se 1)? Sidomos në vitet kur nafta kishte çmim rekord 100 dollarë USA një fuçi, periudha 2011-2013?

Tatimet shqiptare e kishin gabim kur i kërkuan kompanisë në fjalë të paguante për Buxhetin e Shtetit 75 milionë dollarë tatim fitimi dhe gjoba e kamatëvonesa, vetëm për vitin 2011? Dhe përse, kur kompania na hodhi në gjyq, u pranua nga qeveria jonë që vlerësuesi ndërkombëtar (një kompani auditimi) të paguhej nga kompania, dhe jo 50 përqind me 50 përqind nga të dyja palët, për të vlerësuar nëse shpenzimet prodhuese të kompanisë ishin të fryra apo jo? Zv/kryeministri i ri është angazhuar publikisht, në mos për të hedhur dritë mbi këtë pranim të errët, së paku të hetohet deri në fund nga tatimet tona veprimtaria financiare e kompanisë për vitet 2012, 2013, 2014 dhe 2015. Do të jetë rruga e duhur për të kuptuar jo vetëm shfrytëzimin barbar të naftës sonë, por edhe krimin fiskal me paratë e të gjithë shqiptarëve, me të ardhurat në Buxhetin e Shtetit që duhej të ishin derdhur në formën e tatimit mbi fitimin.

Rrugët që përdorin kompanitë e rregjistruara në parajsat fiskale për të shmangur detyrimet ndaj shtetit ku ushtrojnë aktivitet, janë të pafundme. Tatimet tona duhet të vijojnë hetimin fiskal. Të kontrollojnë, për shembull, nëse është e vërtetë që kompania nga parajsa fiskale ka dyfishuar kostot e shpimit të puseve të rinj (të dhëna ende të pakonfirmuara orientojnë që çdo pus i hapur rishtazi ngarkohej me një kosto mbi 1 milion dollarë, kur mesatarja botërore e hapjes së puseve të rinj është zakonisht gjysma e kësaj shifre). Me ardhjen e zv/kryeministrit të ri dhe frymën që po fryn sot në gjirin e qeverisë, shpresa jonë ka rinisur se më në fund edhe mund të bëhet pak drejtësi për arin tonë të zi, të grabitur në këtë farë feje dhe për krimin fiskal ndaj interesave të të gjithë ne shqiptarëve. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0