image

Parazitët e demokracisë!

Parazitët e demokracisë nuk duan ligj e shtet, nuk duan reforma, nuk duan sistem drejtësie...

 

   

Nga Sokrat NDREÇKA

 

Çdo shoqëri njerëzore, sado e konsoliduar të jetë, ka brenda vetes, në trupin e saj parazitë, që gjejnë shtrat të ngrohtë për t`u lindur e rritur mrekullisht. Shoqëria shqiptare në këtë çerekshekulli ka krijuar parazitë të llojeve të ndryshëm, që brejnë dita-ditës, ngadalë dhe rëndshëm trupin e demokracisë në këtë vend, duke e lënë atë të brishtë, të venitur, të pamundur të ndërtojë struktura shtetërore, duke e larguar atë nga bota moderne dhe partnerët ndërkombëtarë.

 

Parazitët e demokracisë nuk duan ligj e shtet, nuk duan reforma, nuk duan sistem drejtësie që të japë barazi e të peshojë saktësisht fajtorin nga i pafajshmi, atë që shkel rregullat, nga ata që bëjnë të fortin. Parazitët jetojnë dhe mundohen ta ndërtojnë të ardhmen e tyre duke vjedhur punën e të tjerëve, duke u pasuruar në kurriz të njerëzve që nuk kanë ligj e vulë në dorë. Në Shqipërinë tonë ata që duan të ngrenë resorte në kurriz të të tjerëve janë shumë, janë ata që nuk duan të zhvillohen reforma, që shkaktojnë zhurmë për të fshehur pasuritë e tyre përrallore, janë ata parazitë që ia kanë sjellë shoqërisë në majë të hundës për dëmin e madh që i kanë shkaktuar në këto afro tridhjetë vjet.

 

Fshihen si minj arash kur u thua se parazitët kanë krijuar një shtrat të ngrohtë në këto vite tranzicion dhe e kanë shfrytëzuar demokracinë në parajsë të kultit të tyre. Në parajsën e zhvatjes, përvetësimit, duke tjetërsuar prona, duke ndryshuar ligje në mënyrë që të humbasin identitetin e së vërtetës. Parazitët janë të rrezikshëm dhe rreziku i tyre ka kosto të rëndë për gjithë shoqërinë.

 

E sakatuan popullin në vitin e zi 1997, humbën jetën mijëra njerëz. U hodh në erë në mars të vitit 2008 Gërdeci, ku ndërruan jetën shumë njerëz pa faj. U vranë katër vet në 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përditë vriten e sakatohen njerëz, bilanc tragjik, sikur këtu në Shqipëri lufta nuk ka përfunduar akoma. Janë pasoja të atyre parazitëve që kanë hedhur gurin e fshehur dorën, duke e bërë demokracinë cung dhe s`e kanë lejuar të mbretërojë si zonjë, siç i ka hije të qëndrojë në të vërtetë.

 

E kanë venitur, e kanë lënë meite, e kanë squllosur rolin dhe funksionin e sistemit demokratik, duke e bërë të ndihet me mangësi të theksuara, e kanë lënë dyshues, e kanë përpunuar aq keq, saqë njerëzit ankohen duke kujtuar të shkuarën e tyre. Nga parazitët çfarë nuk pret! Ata janë infeksion i gjallë, janë ndotës të ashpër dhe shkatërrojnë bukurinë e jetës së njerëzve. Ka dekada që ndodh kështu. Është kohë goxha e gjatë dhe situata rëndohet përherë e më shumë. Duke i qëndruar idesë kuptohet lehtë se ata që kanë spekulluar në qeverisjet janë ushqyer fshehurazi, kanë gjetur terrenin e duhur dhe kanë mbushur xhepat, sipas zgjedhjeve që kanë bërë. Ajo që shohim qartë sot është se kësisoj kanë vepruar edhe njerëzit e drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, ish ministra, kryeministra, deputetë, nëpunës shteti të kthyer në sekser elitar, në ekselentë të komanduar nga tutorët. Parazitizmi i maskuar me demokraci, i ka kthyer në peshq të mëdhenj. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerët Publikë, Vëzhguesit Ndërkombëtarë i kanë gjetur llogaritë bankare të vjedhësve në sistemin e drejtësisë. Janë gjyqtarë, prokurorë, që kanë bashkëpunuar me krimin, me autorë të veprave të rënda penale. Sa turp!

 

Këta parazitë të llojeve e prerjeve të ndryshme e kanë marrë më qafë popullin, njerëzit, sepse kanë shfrytëzuar profesionin për të shpërbërë shtetin, për të prishur kushtetutën, ligjin me qëllimin final të pasurohen padrejtësisht sa të munden. Atyre nuk u ka pëlqyer asnjëherë puna e ndershme, nuk kanë dashur që në fillim të herës të punojnë e të shijojnë djersën, mundin e fuqisë së krahut, intelektit e mendjes, por të brejnë shoqërinë, të kthehen në sheik, duke i rrëmbyer tjetrit kapitalin dhe ta privojë atë nga mundësia për tu ankuar e kërkuar të drejtën e mohuar.

 

Njerëzit që e kanë lidhur fatin dhe shpresën, pa u lodhur e djersirë, janë të prirur që një ditë do ngelen thatë, me gisht në gojë dhe do provojnë tragjedinë e jetës se sa e rëndë është ti bëhesh tjetrit barrë. Jeta sot e përherë është llogari, është kërkesa për të punuar e marrë djersën dhe jo të rrëmbesh si kaçak copën e tjetrit. Nuk arrij të kuptoj se cila është logjika e atyre prokurorëve, gjyqtarëve, ndoshta dhe politikanëve kur të bëhet vetingu, se si janë ndjerë kur ligji i përjashtoi nga funksioni dhe profesioni si grabitës së pronës së tjetrit, si parazitë model që e ndërtojnë suksesin në shpinën e fukarenjve. Kjo nuk është as demokratike, as njerëzore, as shoqërore. Ndoshta këtu e gjejnë moralin shumë të rinj që nuk e pëlqejnë punën, nuk duan të marrin një zanat, por e kalojnë kohën në kafe dhe kjo rutinë tashmë është kthyer në normë e tabu, që duan nge të shkatërrohen. Të qënurit parazit është epidemi, është sëmundje ngjitëse dhe duhet bombarduar me mjekim të fortë që të ndryshojë situata, në mënyrë që kjo zgrjebull të mos zgjasë, sepse në fund të fundit e vuan shoqëria, njerëzit.

 

Thuhet se politika është vendi i duhur, është mjedisi i mjaftueshëm ku parazitizmi bën kërdinë. Aty janë mundësitë më të mëdha që kjo dukuri të shumohet, të marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe pastaj nuk ka reformë që e shpërbënë, e asgjëson. Shqiptarët kanë vuajtur shumë nga këta mëkatarë në këtë tranzicion të mefshët. Qoftë me kaq! Të paktën kështu na kanë thënë ndërkombëtarët, të cilët monitorojnë lëvizjet e parazitëve, kanë pikasur vendet e infektuara dhe kanë ofruar asistencë moderne për të sjellë një sistem të ri drejtësie. Europa nuk e do Shqipërinë me vemje, me askaride, me krimba e plehra që e mbajnë këtë vend akoma jashtë familjes së madhe të botës moderne. Shqiptarë meritojnë më shumë se kaq. Kanë dhënë prej kohësh prova dhe është e pamundur të ndotin klimën e shëndoshë në rrugëtimin e vështirë pa kthim prapa.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00