Jo për gjithçka është populli fajtor
Esenca e problemit është struktura makijaveliste, nepotiste, nihiliste, familjare dhe farefisnore e subjekteve politike.
Lirim Gashi
Kur eskalon gjuha emocionale, ajo bëhet banale, por ne jemi njerëz e jo robota, prandaj nëse e quajm mut tradhtarin nuk rrënohet bota.
Kjo nuk vlen edhe për individët që merren zyrtarisht, institucionalisht dhe profesionalisht me politikë.
Natyrisht që edhe ata janë njerëz me emocione dhe nuk janë robota, por për shkak të përgjegjësisë që e kanë ndaj elektoratit dhe popullit dhe për faktin se janë në fokusin medial dhe publik, fjala e tyre e ka një tjetër peshë dhe matet me norma profesionale të natyrës politike, etike, estetike, morale dhe pedagogjike, ndërsa shkeljet e normave apo rregullave të sjelljes publike sanksionohen me masa disciplinore që i nënshtrohen kodeksit moral të aprovuar me votën e shumicës.
Tjetër gjë është që kjo nuk ndodh te ne, ose që ndodh shumë rrallë.
Prandaj secili individ që kyçet aktivisht në politikën zyrtare e sidomos individët e legjitimuar përmes votës së elektoratit duhet të përmbahet nga emocionet e tepruara dhe duhet t'i kënë ato nën kontroll, sepse kuvendi nuk është arenë gladiatorësh e politika zyrtare nuk është arenë luftrash, por platformë e garimit të ideve të shumëllojshme, ku individët që i takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe ideologjike duhet t'a kuptojnë njëri tjetrin si kundërshtarë politik dhe jo si armiqë politik .
Përveç kësaj ekziston edhe kodeksi i pashkruar i shijes së mirë që në Kosovën tonë kuptohet si kodeks i shijes së popullit.
Mirëpo shija e popullit tonë është dëshmuar me miliona herë si e nevojshme për të vjellur vrer në të gjitha drejtimet e universit, sepse politika e keqe ka prodhuar dhe akumuluar aq shumë vrer në popull, sa që nëse shpërthen dhe eksplodon, turinjtë e të gjithë politikanëve të keqinjë do t'i shkatërron.
Mungesa e selektimit meritor apo meritokratik përbrenda subjekteve tona politike, ua ka mundësuar shumë analfabetëve politik dhe letrar privilegjin për të figuruar në listat zgjedhore, ndërsa elektorati është i detyruar që t'i zgjedhë vetëm individët që figurojnë në lista, prandaj ata njerëz që e bëjnë apriori fajtor popullin pse i ka zgjedhur gjithmonë politikanët e paaftë si përfaqësues të tij në pushtet, mëkatojnë rëndë me të njëjtin ndoshta edhe padashur, sepse nuk janë në gjendje t'a kuptojnë esencën e problemit.
Esenca e problemit është struktura makijaveliste, nepotiste, nihiliste, familjare dhe farefisnore e subjekteve politike.
Problem edhe më i madh është fakti se themeluesit e subjekteve politike në shumicën e rasteve edhe i udhëheqin dhe drejtojnë të njëjtat.
Por nuk do të ishte aq problematik fakti që ata i udhëheqin vetë subjektet që i kanë themeluar , sikur të mos i trajtonin ato si pronë private.
Në këto rrethana të pafavorshme të veprimit nuk luan rol vendimtar kompetenca profesionale gjatë përzgjedhjes së kuadrove, por lidhjet emocionale farefisnore e miqësore dhe interesat karrieriste, klienteliste dhe materiale.
Prandaj 70% të kandidatëve në listat zgjedhore janë të paaftë dhe të pa denjë për të qenë përfaqësues të popullit në pushtet.
Jo, për gjithçka është populli fajtor !
Ai mund t'i zgjedhë vetëm ata individë që figurojnë në listat zgjedhore .
Nuk mund t'i zgjedhë jashtëtokësorët.




del.icio.us
Digg

Post your comment