Home | Opinion | Përtej Prespës dhe Ohrit

Përtej Prespës dhe Ohrit

image
Imperativi i kohës,  ose më mirë thënë, i “çastit historik” imponon logjikën “ja tash, ja kurrë”...

 

Nga Daut Dauti

 

Imperativi i kohës,  ose më mirë thënë, i “çastit historik” imponon logjikën “ja tash, ja kurrë”. Ja tash a kurrë, për shtetin është implementimi i marrëveshjes në fjalë dhe vazhdimi i proceseve integruese në EU dhe NATO. Ka premtime parazgjedhore që vetë partia e Zaevit ua ka dhënë shqiptarëve, “të drejta përtej Marrëveshjes së Ohrit, pse jo?”

 

NDRYSHIMET KUSHTETUESE: Është hapur kapixhiku për ndryshimet kushtetuese për ta implementuar Marrëveshjen e Prespës. Faza e dytë, pas hapjes së procedurës me sigurimin e 80 votave, tash duket jo më pak e ndërlikuar se e para. Si në atë shprehjen e popujve sllavë “peshkim në ujë turbull”, gjithkush dëshiron t’i imponojë kërkesat e veta përtej kësaj marrëveshjeje.

 

Në këtë rashomoniadë idesh e propozimesh është vështirë të gjendet mesi i artë i implementimit Marrëveshjes e Prespës, sepse duhet të gjendet balancë midis dy partive maqedonase, midis vetë partive shqiptare dhe në fund edhe midis koncepteve të ndryshme shqiptare-maqedonase për rregullimet bazike kushtetuese. Ndryshimet bëhen për ndërrimin e emrit, për çka, së pari, nuk ka konsensus etnik brendamaqedonas. Më lehtë do të ishte sikur secili bllok etnik t’i kishte harmonizuar qëndrimet e tyre dhe ato të veheshin në debat. Ndër partitë shqiptare nuk mendoj se ka ndonjë disonancë të madhe, përveç se në taktikë, rreth futjes së çështjeve shqiptare që nuk kanë qenë (dhe s’ka pasur nevojë të jenë) në Marrëveshjen e Prespës(riformulimi i preambulës, përmendja e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe pa kategorinë statusore të 20 përqindëshit). Një lëvizje taktike për balancë, ajo e futjes së Marrëveshjes së Ohrit, nuk u prit gjithaq mirë ndër qarqe të caktuara shqiptare, edhe pse ajo qe bërë, me gjasë, për të dëshmuar se interesi shqiptar do të futet në kushtetutë. Imperativi i kohës,  ose më mirë thënë, i “çastit historik” imponon logjikën “ja tash, ja kurrë”. Ja tash a kurrë, për shtetin është implementimi i marrëveshjes në fjalë dhe vazhdimi i proceseve integruese në EU dhe NATO. Në këtë interes, të gjithë duhet ta gjejnë veten, madje edhe ata që janë më së shumti kundër ndryshimit të emrit. Nga ana tjetër, gjersa është hapur procedura e ndryshimeve, politikisht e kuptueshme është që të logjikohet pse të mos shkohet pak më gjerë nga imperativi i parë. Ka premtime parazgjedhore që vetë partia e Zaevit ua ka dhënë shqiptarëve, “të drejta përtej Marrëveshjes së Ohrit, pse jo?”. Këtë nevojë e imponon edhe mos aktivizimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, (ku shqipja avancohet dhe 20-përqindëshi i saj sqarohet me kllapë(gjuha shqipe), të cilin kryetari Ivanov nuk e nënshkruan se “është antikushtetues”. Me një riformulim sadopak të vogël të pak neneve të kushtetutës, me automatizëm ai ligj bëhet kushtetues. Për t’i zgjidhur problemet që i ngarkojnë marrëdhëniet në një shoqëri nevojitet shumë pak vullnet dhe mirëkuptim i ndërsjellë. A nuk patën deri tash durim dhe mirëkuptim partitë shqiptare për ndjeshmëritë identitare maqedonase kundrejt emrit? Pse të mos ketë edhe anasjelltas një mirëkuptim të këtillë, aq më tepër kur ky do të ishte shans i përmbushjes së premtimit të Zaevit “përtej Marrëveshjes së Ohrit”…? Vetëm një konkretizim i kategorive, asgjë më tepër, diçka që nuk është e panjohur, sepse edhe kushtetuta e komunizmit(1974) nuk ka njohur kategori “20 përqindëshe” por kombësi shqiptare e turke(kundrejt kombit maqedonas). Realisht, nuk do të duhej të ishte pengesë, nëse nuk kthehemi në veprimet kur shkruhej kushtetuta e Maqedonisë së pavarur, 1991,  kur pretekstet e ndryshme ishin pjesë e lojës politike. Por, krahas manipulimeve shumëvjeçare për gjoja humbjen e identitetit që është pjesë e veprimit politik të opozitës, edhe zgjerimi i temave për ndryshime kushtetuese, mund të ndikojnë që të dështojë tërësisht implementimi i Marrëveshjes së Prespës.

 

KULTURA NË MARGJINA: Ç’po ndodh me median dhe shtypin tonë?? Kur them “tonë”, mendoj për gjitha shtetet apo trojet në Ballkan, ndoshta dhe më gjerë, që “prodhojnë” lajme e përmbajtje tjera për të informuar publikun e gjerë. A po shndërrohet në kronikë të zezë për të mbuluar gjithçka tjetër që nuk bie në atë kategori. Ose, në rastin më të mirë, për të minimizuar. Vëllezërit e vranë babain për 200 lekë që nuk ua dha për të luajtur në bastore. Axha e ka vrarë nipin…Me kallashnikov vrau punëtorët që nuk deshën t’ia shtrojnë rrugën deri në shtëpinë e tij. Vrau gruan dhe fëmijët dhe pastaj vrau veten…Vrau djaloshin  për një biletë furgoni. Djaloshi shpëtoi gruan që deshi të vetëvritet duke u hedhur nga Ura e Gurit…Vajza e dhunua u hodh në lum…Kaloi në semafor të kuq dhe mbyti 16 vjeçarin…

 

Jo, nuk them se lajmet si më sipër(disa të improvizuara e disa të vërteta), nuk duhet të zënë në kronikat apo rubrikat e lajmeve, as se ndonjëri prej tyre nuk duhet të zë vendin e parë në ditar ose ballinë. Kaherë në teorinë e gazetarisë betejën  për të qenë lajm e ka fituar “lajmi i keq”, lajmi me gjak, me vdekje, me tronditje…Askush  nuk mund të jetë indiferent. Shpesh dhe tragjikja e fatit të njeriut, të tërheq vetvetiu, është diçka që nuk lë pa e tërhequr vëmendjen…Pra, nuk është aty çështja. Është diku tjetër dhe këtu, më duket se o teknologjia (vërshimi i medias elektronike), o humbja e tregut(për gazetat ditore), o interesimi për fusha tjera mund ta kenë bërë të veten, që “lajmet e mira”, unë do të kisha thënë “lajmet e bukura” ose “…për të bukurën” sikur nuk i ha pazari, ose i ha pazari (vetëm ose më shumë) ato të fushës së shoubizit, ku gjithnjë e më tepër merr hov akulturimi dhe pashija…

 

Javën e kaluar shkrova për dy promovime, të cilat gjithsesi kanë qenë të rëndësishme, monografia për Bekim Fehmiun dhe tri vëllimet më të reja të Jusuf Buxhovit për historinë e Kosovës. Këto vepra qenë promovuar në sallën e Qendrës Informative Kulturore para sallës jo të mbushur plot. Mund të jetë lëshim organizativ që salla nuk ka qenë e stërmbushur, siç do të meritonin këto ngjarje, por ndoshta ngase në kaq shumë shqiptarë, me qindra mijë e madje deri në 40 për qind sa pretendojmë shpesh, ka pak lexues. Pak lexues në kaq shumë intelektualë që kanë prodhuar katër-pesë universitete?! Kaq shumë intelektualë e pak sish që lexojnë libra! (Ose, objektivisht, standardi i ulët jetësor nuk i lejon intelektualit të blejë libra…) Për koncerte të muzikës serioze, ekspozita, shfaqje teatrore që shuhen pas dy shfaqjeve se nuk ka publik, as të mos flasim…Nejse, mos ta zgjerojmë temën, se përmenda gjendjen tonë reale në një fushë më të gjerë, por temë ishin mediat, politika e tyre redaktuese apo trendet e kohëve moderne. Në ato dy promovime të përmendura dhe ndoshta shumë promovime të tjera, kishte pak kamera televizionesh, ndonjë ose asnjë gazetar që merrte shënime për të raportuar. Nuk e kam përcjellë me vëmendje, e kam fjalën në kontekst të fenomenit që ka nisur të marrë hov…Një botues tjetër, para një jave organizoi Ditët e Letërsisë Suedese. Nuk mund të thuhet se nuk qe organizuar mirë, e as që nuk pati publik, sepse në orën e fundit letrare me poetë suedezë dhe shqiptarë, që u mbajt në lokalet e Komunës së Çairit, salla ishte plot…Por, organizatori ishte gjithë në vrer. Nuk i kishte ardhur asnjë televizion, asnjë gazetë nuk shkroi për këtë ngjarje!

 

Çka po ndodh? A po e stisim kulturën nga edicionet e lajmeve duke i shitur publikut “gjak”(kronikë të zezë), gjykime spektakulare peshqish të mëdhenj, dhe kronikë konfliktuoze politike. E dimë se pa to nuk mundemi,  po a duhet që kulturën ta fshijmë fare si aktivitet dhe përmbajtje lajmesh!? Kemi më shumë teatro se më parë, nuk ka kush të shkruajë për shfaqjet e tyre. Kemi më shumë se kurrë ekspozita, koncerte e aktivitete tjera kulturore, shumica e të cilave kalojnë me pak publik dhe pa u shkruar asnjë rresht për to…

 

Lidhur me këtë më kujtohet një situatë që nuk do ta harroj kurrë, sepse isha dëshmitar “okular”. Fill pasi shkencëtari amerikan me origjinë nga rrethi i Gostivarit, Ferid Muradi, mori çmimin e Nobëlit, vendasi i tij, shkrimtari Halil Zendeli, me origjinë nga i njëjti fshat si babai i fizikanit të njohur (Llakavica e Gostivarit), e pa të arsyeshme, më tepër edhe si obligim moral, që të shkruajë monografi për të. Dhe pas disa muajsh edhe e botoi. Pas promovimit në Maqedoni, ai u ftua në Tiranë që ta promovojë librin në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë. Mendoja se monografia  për nobelistin e dytë me origjinë shqiptare do të bëjë bujë të madhe, aq më tepër që në sallën e Akademisë ishin mbledhur koka akademike e intelektuale…Por brenda nuk vëreja ndonjë lëvizje të madhe gazetarësh. Nëse nuk gaboj, silleshin 2-3 kameramanë. Pas një kohe, gjersa ne “panelistët” ishim në vlugun e prezantimit, njeri prej tyre u afrua para binës dhe diç diskutonte me zë të ulët dhe me gjeste(bënte diçka me dorë), ndërkaq pas një kohe, Halil Zendeli në mënyrë diskrete ia bëri me shenjë që të largohet. Kur e pyeta pastaj çfarë kërkonte kameramani prej tij, ai më tha: Më kërkonte lekë! “Në daç ta përcjellim promovimin, paguaj lekë!” Kështu i kishte thënë burri i botës, pa kurrfarë turpi. Incident për të shfrytëzuar momentin, apo trend?! Nuk m’u bë e qartë, por në nëntekst nxora përfundimin se PROMOVIMIN ky kameraman ose madje dhe redaksia që e kishte dërguar, mund ta kenë kuptuar jo si ngjarje e veçantë kulturore, por si AKTIVITET KOMERCIAL për të shitur librin, , të cilin mund ta përcjellin vetëm në baza komerciale! Paguaj, japim lajmin për të! Fakti që bëhej fjalë për një monografi kushtuar një nobelisti me origjinë shqiptare, kishte qenë i parëndësishëm, sepse me rëndësi kishte qenë që nga botuesi dhe autori të nxirrej ndonjë lekë!

 

Pa e zgjeruar temën, se kushedi ku përfundon, më duhet të them se botimi i librit dhe promovimi i tij te ne është larg, tepër larg komercializmit, që mediat t’i japin karakter komercial prej nga dhe të marrin qëndrim ta mbulojnë (dhe si) si ngjarje apo jo. Kuptohet, si në çdo fushë tjetër, edhe në atë të botimeve, jo gjithçka është me vlerë që meriton t’i japish publicitet, jo të gjitha ngjarjet kulturore kanë një rëndësi, por heshtja e tyre, varfëron për nga përmbajtja ofertën  e lajmeve në shtyp dhe media.  Kush ka punuar ose punon në media, e di sa vështirë është të prodhosh lajme duke gjurmuar ngjarje, dukuri a trende shoqërore, prandaj është mëkat, përderisa ke aq shumë ngjarje kulturore, të mbeten të pa mbuluara, sikur s’kanë ndodhur e në vend të tyre të japësh kuriozitete nga bota.

 

* Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0