Home | Opinion | Paradokse Shqiptare

Paradokse Shqiptare

image
Shteti parti (pushteti i tipit komunist, autokratik, diktatorial) ka vdekur qëmoti, pse duhet të jetojë ende në kokat e disa politikanëve shqiptarë?

 

 

Nga Abdulla Mehmeti

 

 

1.

 

PARADOKSE SHQIPTARE

 

Shteti parti (pushteti i tipit komunist, autokratik, diktatorial) ka vdekur qëmoti, pse duhet të jetojë ende në kokat e disa politikanëve shqiptarë?

 

I. Deklarata e kryetarit të sapozgjedhur të Komunës së Çairit (shqiptar):

,,Çairi është bastion i partisë dhe i vizionit të liderit të saj.”

 

Afër 43% e qytetarëve të kësaj komune janë me përkatësi tjetër etnike, ndërsa në pjesën prej 57% që e përbëjnë qytetarët shqiptarë të kësaj komune, mbi gjysma e tyre kanë bindje të tjera partiake, të ndryshme nga kryetari i sapozgjedhur i kësaj komune.

 

II. Deklarata e kryetarit të sapozgjedhur të qytetit të Shkupit (maqedonas):

,,Zotohemi se do të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve, me përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.”

 

III. Kiro Gligorov (ish president shteti, maqedonas):

,,Maqedonia (shteti, atdheu) është gjithçka që kemi“ (titulli i veprës së tij).

 

IV. Shumica e politikanëve shqiptarë:

,,Partia është gjithçka që kemi, sepse atdheun e kemi shitur qëmoti!”

 

V. Porosia: Politikanët që i bien telit të interesit personal dhe jo të interesit të përgjithshëm, përgjithmonë do të mbeten fajtorë për kohën e humbur që do t'u kushtojë shtrenjtë shqiptarëve në të ardhmen.

(13.XI.2017)

 

2.

 

QËNDRIMI YNË NË LIDHJE ME PROTESTAT E 11 DHJETORIT

 

(Përgjigje një mikut tim të nderuar profesor dhe dashamirëve të tjerë)

 

Ju bëjmë thirrje juve dhe gjithë të tjerëve që mendojnë si ju, se nuk ua ndalojmë që ditën e votimit, më 11 dhjetor 2016, të votoni sipas bindjeve tuaja. Këtë të drejtë qytetare e njerëzore nuk ua mohon askush.

Por, pasi të votoni sipas bindjeve tuaja, duke e përmbushur me këtë rast edhe obligimin qytetar, Ju presim në sheshin e qytetit ta përmbushni edhe obligimin kombëtar: të protestoni bashkë me ne për zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes shqiptare në Maqedoni, sepse këtë nuk e kanë për qëllim t’ua garantojnë subjektet politike përmes këtyre zgjedhjeve.

Të jeni të bindur se me këtë rast, Ju do ta kryeni një obligim qytetar, por mos harroni se u imponohet të votoni për listat, partitë, jo për individët që e meritojnë votën Tuaj; do të votoni për thesin, ku ka edhe grurë edhe egjër; për arkën që ka edhe flori edhe thëngjill, prandaj kjo nuk është zgjidhje e drejtë. Ju përkujtojmë se, u është mohuar e drejta e votimit me lista të hapura, për të zgjedhur kualitetin që Ju e dëshironi!

Do të votoni për subjektet që kanë pranuar zgjedhje pa u plotësuar kushtet më elementare për zgjedhje të lira, të drejta e demokratike; do të votoni për subjektet që pranojnë statusin e pakicës kombëtare për shqiptarët në Maqedoni, prandaj kjo do të na kushtojë shumë shtrenjtë si popull në të ardhmen!

Sidoqoftë, kjo është e drejta e Juaj. Mjafton t'i përkrahni protestat, siç do t'i përkrahin edhe shumica e atyre që do të votojnë, që do t’i mbështesin me këmbëngulje e besnikëri partitë të cilave u besojnë. Por, të jeni i sigurt se, kjo vetëkënaqësi do të zgjasë deri pas numërimit të votave, nga rezultati i të cilave nuk do të jetë i kënaqur askush kësaj radhe!

Ju përkujtojmë gjithashtu se, intelektualët e mirëfilltë duhet të jenë paraprijës të proceseve pozitive, pararojë e lirisë dhe të drejtave të popullit që i takojnë, jo të mashtrohen, të heshtin, ose të fshihen në rreshtat e fundit!

Zgjidhja është e Juaja, e jona është të vazhdojmë në rrugën tonë të drejtë, e cila sot niset nga një pikë, që nesër të shndërrohet në ortek të pafund për përmbysjen e këtij pushteti të korruptuar dhe kriminal!

(13.XI.2016)

 

3.

 

NJOFTIM

 

Kush është me ne e nuk frikohet...

Të gjithë Ju që besoni se organizimi i protestave në ditën e zgjedhjeve në Maqedoni, më 11 dhjetor 2016, mund të jetë hap i dobishëm për kauzën tonë, mund të ndihmoni në të gjitha format e mundshme për organizimin sa më të sukseshëm të tyre.

Idetë e mira mund të jetësohen me njerëz të guximshëm dhe mbështjetje financiare nga vetë ne.

Me mundin dhe dhjersën tonë duhet t'i mbrojmë të drejtat tona.

Vetëm mercenarët përkrahen dhe financohen nga të huajt. Lëvizjet atdhetare mbështeten nga ata që e duan lirinë dhe ia duan të mirën kombit dhe Atdheut.

Na kontaktoni përmes adresës elektronike:

(13.XI. 2016)

 

 

4.

 

DUAM ZGJIDHJE, JO ZGJEDHJE!

 

Mos u mashtro, por protesto!

Mos thuaj nesër se nuk e ke ditur!

Kush beson se subjektet politike të shqiptarëve, të cilat janë pajtuar të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, pa u plotësuar standardet dhe kushtet më elementare për zgjedhje të lira dhe demokratike, ose është naiv, ose punon për interesat e pushtetit në Maqedoni!

Aktualisht, në Maqedoni jetojnë afër 1.600.000 banorë, ndërsa në listat votuese të zgjedhjeve parlamentare të radhës ka afër 1.800.000 votues!

Të besosh se mund t’u shpëtojnë këta politikanë në këtë gjendje absurdi, vërtet duhet të jesh sharlatan, ose i shitur!

Faktori ndërkombëtar, SHBA dhe BE kanë agjendë për shpëtimin e Maqedonisë nga kjo krizë politike, por udhëheqësit aktual të politikës shqiptare në Maqedoni nuk janë pjesë e kësaj agjende, sepse janë pjesë e agjendave të Putinit dhe Erdoganit. Mjerisht!

Fushata parazgjedhore vazhdon, krimi dhe mjerimi kositin jetë njerëzish!

 

(13.XI.2016)

 

5.

 

APEL PËR PROTESTË 

KUNDËR HELMIMIT MASIV NË TETOVË E POLLOG:

TETOVA VAZHDON TË HELMOHET

 

Të nderuar qytetarë të Tetovës dhe Pollogut, shikoni fotografinë e parë, ku shihet Pollogu i mbuluar në tym e helm dhe fotografinë e dytë, ku shihet Shkupi dhe bëni krahasimin (fotografitë janë realizuar në distancë kohore prej gjysmë ore, në Tetovë dhe Shkup).

Të gjithë ata që deklarojnë se helmimi në Tetovë është si rezultat i ngrohjes me dru, djegies së mbeturinave, planit të keq urbanistik dhe tymit të makinave, ose janë naivë ose shërbetorë të mafias vrasëse të këtij shteti.

Shkupi ka tre herë më tepër banorë se Tetova, 

Shkupi ka dhjetë herë më tepër makina se Tetova,

Shkupi ka shumë më pak male përreth që të ketë ajër më të pastër se Tetova, 

Shkupi ka industri shumë herë më të zhvilluar se Tetova, 

Atëherë, pse Tetova të jetë dhjetëra herë më e ndotur se Shkupi?!

TETOVËN KANË VENDOSUR TA HELMOJNË DHE TA HEQIN NGA HARTA E VENDBANIMEVE TË KËTIJ SHTETI.

TETOVA KA QENË DHE DO TË MBETET KALA E PAMPUSHTUR PËR KRIMINELËT E SPONSORUAR NGA POLITIKA SERBO-RUSE.

 

(13.XI. 2015)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0