Home | Opinion | Morali i medias pa moral

Morali i medias pa moral

image
Politika dhe media në Shqipëri, me agresivitetin e tyre të frikshëm, po vrasin moralin, po shkatërrojnë familjen, ekonominë, qetësinë sociale...

 

      

 

 

Nga Prof. Dr. Ago Nezha

 

 

 

 

Morali është gjëja më e rëndësishme në jetën e një njeriu, institucioni, apo shoqërie njerëzore. Kur kërkon të bësh moral publik për përfitime vetjake apo për leverdi të pronarit të institucionit, i ke vënë minat qysh në koncept, arsyetim, botëkuptim dhe interpretim idesë së moralit. Një shoqëri e kriminalizuar, depersonalizuar dhe degjeneruar politikisht dhe moralisht është e destinuar të dështojë në misionin e saj. Varfëria, kaosi, pasiguria, pabesia, makutëria për të përfituar pa merita, duke bërë viktima njerëz të pafajshëm është bërë motua e një grupi politikanësh dhe mediash të pamoralshme. Njerëzit e liq lëvizin si meteor në politikë, në pushtet, në media dhe në drejtësi. I ligu i vendosur në një pozicion publik, mund të dëmtojë në mënyrë të dyfishtë, edhe kur kërkon të bëjë keq, edhe kur kërkon të bëjë mirë. Seneka i riu, thotë se: “Kushti kryesor i moralit është dëshira të jesh i moralshëm”.

 

Etja e disa politikanëve dhe mediave për të përfituar sa më shumë kapital politik dhe mediatik, u shfaq në një hapësirë pa fre, si një garë hipizmi kush të vrapojë më shumë të sajojë, shpifi e krijojë episode të qenë e të paqena duke viktimizuar një vajzë nga Fushë Kruja,që ishte pre e kontradiktave të dashurisë që ndodh rëndomtë në jetën e sotme shqiptare. Rasti i Xhisiela Malokut, duke e politizuar dhe mediatizuar, u kthye në fenomenin Xhisiela, që ka pushtuar opinionin publik. Meqenëse ish i dashuri i Xhisiela Malokut, Rexhep Rraja, pa folur për personalitetin e tij njerëzor dhe karakterial, është djali i një deputeti të Partisë Socialiste, sjellja e tij ndaj të dashurës ka marrë përpjesëtime të karakterit, politik, mediatik dhe shoqëror. Më është dhimbsur pa masë se si u keqpërdor nga politika dhe media personaliteti i një vajze të pambrojtur, e përvuajtur që qëndronte e tronditur, e trembur dhe e dyzuar para ekraneve televizive në studiot e gazetarëve Blendi Fevziu dhe Eni Vasili, e që vazhdon odisea e këtij rasti flagrant për të mbushur ekranet e televizioneve maratonë në ditët në vazhdim. Te të “ndershmit” drejtues të emisioneve thirreshin dhe politikanë nga Partia Demokratike dhe LSI-ja, jurist me përvojë por të nxirë me bojë nga ngjyrat partiake, opinionist oportunist, që për moral kanë paranë dhe jo parimet morale të një shoqërie të shëndoshë. Rasti Rraja, pa humbur kohë, u përdor si gjithmonë nga kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, duke e politizuar dhe interpretuar në standardet më banale si një aset të Edi Ramës, që i ka shërbyer dhe do i shërbejë në zgjedhje për të fituar pushtetin. Nëse pushteti varet nga një deputet, vajmedet ç’na pret. Mendime kaq foshnjarake dhe banale, mund të prodhojë një mëndje e tipit Babale. Partia Demokratike, falë moralit të saj të lartë politik, për të mbrojtur moralin e Xhisielës (që ndiej keqardhje që ja përmend emrin), kanë përzgjedhur dhe dërguar në studio deputet, papagaj që shquhen për “ndershmëri”. Ndaj këtij fenomeni antimoral të shoqërisë tonë të “virgjër” nuk munguan të dalin para ekranit dhe liliputët e LSI-së, të kryetares së “madhërishme”, Monika Kryemadhi, që s’e suporton dot imoralitetin dhe delegoi Kryetaren e Lëvizjes së gruas për Integrim, Klajda Gjoshën, që shprehu qëndrimin kritik në studion e “ Top Talk”. Këto dy qëndrime të përfshirjes së politikanëve opozitar në interpretime politike në rrjetet mediatike, tregojnë qartazi për mjerimin e demokracisë, që lirinë politike e përdorin për përfitime politike, duke përdhosur moralin. Ata, përfitojnë nga mungesa e fuqisë së drejtësisë. Shqiptarët nuk mund të ndihen të lirë kur media mashtron, trillon, përpunon, parafabrikon të paqena dhe penalizon sipas përfitimeve të gazetarit, si besnik i pushtetit të pronarit. Shoqëria civile, mediave kopile, duhet tu thotë ndal. Është fatkeqësi që gjuajnë të gjejnë ndonjë viktimë si Xhisiela, që e ka humbur busullën e orientimit dhe s’ka besim te drejtësia dhe e marrin në studio e telendisin, e tellallisin, e përgojojnë dhe shpërdorojnë naivitetin apo sinqeritetin e saj, për ta bërë shou mediatik. Ajo, u paraqit në profile të ndryshme me imazhin e saj të frikësuar, herë e nxirë, herë e skuqur dhe herë e zverdhur, që të ngjallte një mëshirë e keqardhje biblike. Duke e ndjekur i trishtuar si prind sjelljen e saj dhe lojën e mediave, mu kujtua një thënie e Servantesit, “ Më mirë fytyra e skuqur, (e Xhisielës) se sa zemra e njollosur”, e gazetarëve të televizioneve publike.

 

Rastet e keqtrajtimit mes çifteve të reja fatkeqësisht sot në vendin tonë janë bërë të modës, që fillojnë me konflikte, fyerje, kontradikta, e që përfundojnë me arrogancë mesjetare, derisa përfundojnë në divorce, ku familja është tronditur esencialisht nga pikëpamja e vlerave dhe unitetit shpirtëror e moral. Mjerisht, marrëdhëniet mes të rinjve në shumicën e rasteve kanë humbur karakterin social, moral dhe tradicional. Janë bërë kryesisht dukuri liberale, që ekzistojnë për çështje interesi, pozite shoqërore apo bukurie fizike. Familja dhe shoqëria kanë humbur kujdesin ndaj miredukimit të fëmijëve dhe po shfaqin një qëndrim indiferent dhe neglizhent ndaj përgjegjësisë prindërore. Pavarësisht pozitës shoqërore, prindi është përgjegjës për veprimtarinë e fëmijës, që nuk duhet të humbas kujdesin për sjelljen e tij në shoqëri.

 

Politika dhe media në Shqipëri, me agresivitetin e tyre të frikshëm, po vrasin moralin, po shkatërrojnë familjen, ekonominë, qetësinë sociale dhe po vetëshkatërrohen e deformohen në misionin e tyre për triumfin e demokracisë. Është koha të kujtojmë një thënie të Koletës, se: “Drejtësia i nevojitet një populli më tepër mbase edhe se qytetërimi”. Situata kontraverse ku ka arritur politika dhe media në vendin tonë, mund të rregullohen vetëm po të ndëshkohen si një e keqe e madhe, që ka prekur shoqërinë tonë në tranzicionin e zgjatur e të rraskapitur, në çdo qelizë të jetës.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00