Home | Opinion | Intelektuali, tip i ri mendimtari

Intelektuali, tip i ri mendimtari

image
Intelektuali është një tip i ri mendimtari, i cili që në fillim e shpalli veten si martir i sakrifikuar për interesat e njerëzimit dhe i veshur me misionin fisnik ...

 

 

      

 

 

Nga Jorgo Mandili

 

 

 

Intelekti, si aftësi për të zgjidhur detyra të reja, për të gjeneruar ide të reja, për të përvetësuar në mënyrë të pavarur ide të reja, nuk është abstrakt. Mbartës i tij është njeriu me cilësitë dhe veçoritë e veta konkrete. Intelekti është forma e shfaqjes së aktivitetit krijues të njeriut është një aftësi "sui generis" e tij. 

 

Për veprimtari intelektuale të njeriut, flitet atëherë kur ai është në gjendje të kombinojë dijet e veta profesionale me një intelekt të lartë për tu përshtatur në situatat reale që ndryshojnë shumë shpejt. Ajo hyn në lojë kur shterojnë mjetet e tjera të përshtatjes të tilla si instinktet dhe zakonet. Pra inteligjenca i përgjigjet nevojës për përshtatje të individit kur ai ndodhet në një gjendje "ngërçi" në lidhje me rrethanat e mjedisit. 

 

Mund t'i kesh të gjitha këto aftësi, dmth të kesh intelekt dhe inteligjencë, e megjithatë nuk mund të quhesh intelektual. Më të sintetizuar definicionin për intelektualin e ka dhënë Zhan Pol Sartri kur thekson se "Intelektual nuk mund të quhet një individ që është specialist i shquar në një fushë të caktuar të dijes. Që të bëhet intelektual një specialist i shquar, ai duhet të ketë shpirtin kundërkonformist, për të luftuar energjikisht për përsosjen e realitetit. Jo një kundërkonformizëm kryeneç, kapriçioz, tekanjoz, por një kundërkonformizëm që buron nga modelet ideale të zgjidhjes së problemeve".

 

Sintezë, konceptualizim, deduktim, substancë, filozofi-që e kontekstualizuar do të thotë se:

 

- Nuk mund të quhet intelektual ai, i diplomuar, i magjistruar a i doktoruar, ai në cilindo Akademi të Shkencave a të Shkencave e të Arteve qoftë i pranuar, që vishet e zhvishet nëntë herë në ditë për leverditë vetjake, por s'di ç'do të thotë togfjalëshi "të mirat e përgjithshme publike"(R.Qose)

 

- Duhen edhe disa aftësi të tjera që të quhesh intelektual.

 

- Së pari, aftësia për të njohur prirjet dhe nevojat e njeriut. 

 

- Së dyti, njohja e mjeteve përmes të cilave këto nevoja duhen përmbushur.

 

- Së fundi, njohja e historisë. 

 

Është e pamundur të tregosh nivelin në të cilin ka arritur njerëzimi në një etapë të dhënë, duke u nisur vetëm nga parime racionale. Duhet njohur përvoja, duhen studiuar ngjarjet e së shkuarës me një vëzhgim dhe hulumtim të përsosur. Kjo pjesë e njohjes për shoqërinë është njohja historike. Të tre njohjet e mësipërme nuk do të kishin asnjë vlerë nëqoftëse nuk konceptohen si unitet dialektik midis tyre. Një njohje të tillë kërkon shoqëria që të progresojë dhe ajo shtresë që ia ka dedikuar jetën përfitimit të këtyre njohurive është e veçantë në llojin e vet. E, kjo është shtresa e intelektualëve. E veçantë nga shtresat e tjera, sepse ajo mori përsipër të diagnostikoje të këqijat e shoqërisë dhe duke marrë rolin e një Mësuesi të Njerëzimit, ajo përpiqet të ndikojë fuqishëm në modelimin e zgjidhjeve ideale të problemeve si edhe në modelimin e qëndrimeve dhe institucioneve, me përkushtimin e tyre publik e privat. Por prapë nuk mjafto, kërkohet edhe një aftësi tjetër që duhet të ketë intelektuali: Aftësinë për të komunikuar dhe denoncuar. Ai nuk i posedon njohuritë për interesin e vet personal, por për të mirën e shoqërisë. Ai është i përkushtuar ndaj shoqërisë në gjithçka e për gjithçka. Ai ekziston falë shoqërisë dhe për shoqërinë. Dhe kjo e bën atë një subjekt për të kryesuar në nivel maksimal të gjitha aftësitë e shoqërisë. Që në rini, ai duhet ta ushtrojë këtë aftësi dhe ta mbajë atë në një nivel konstant, por si i pavarur, jashtë partive dhe politikës. Kështu pra, intelektuali e kryen misionin e vet kur ai njohuritë që ka fituar për shoqërinë i ve në shërbim të shoqërisë, kur ai i udhëheq njerëzit në perceptimin e saktë të nevojave të tyre dhe i njeh ata me mjetet për përmbushjen e këtyre nevojave. Kësisoj intelektuali përshfaqet si "agjent" i kësaj veprimtarie, i cili e vendos arsyen në qendër të të gjitha gjërave, është ai që do të ofrojë progresin dhe zhvillimin.

 

I spektralizuar ky këndvështrim i integruar i intelektualit në "prizmin" e personalitetit na jep komponentët karakteriale të tij. Kësisoj ai duhet të jetë: 

 

- Njeriu moralisht më i mirë i epokës së tij. Në këtë kontekst, ai duhet të manifestojë në personin e tij shkallën më të lartë të mundshme të etikës të arritur deri në atë moment. Mbi të gjitha, për të përçuar bindjet dhe vizionin e tij ai nuk duhet të gënjejë, mashtrojë apo relativizojë të vërtetën. Ai duhet t'i udhëheqë njerëzit në perceptimin e saktë të nevojave të tyre dhe t'i njohë ata me mjetet për përmbushjen e këtyre nevojave. Ai duhet të mbështetet në besimin që inspirojnë ndershmëria dhe aftësia e tij, nëse i ka fituar ato me punë dhe veprimtari. Prandaj dhe një nga detyrat e tij është kërkimi, hulumtimi dhe shpallja e së vërtetës. Është "tradhti ndaj arsyes dhe shoqërisë t'i gënjejë njerëzit apo të relativizojë të vërtetën për kuletën. Duke vepruar kështu ai bëhet fajtor njëkohësisht edhe ndaj shoqërisë. 

 

- Një vizionar profetik. Ai nuk sheh vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen, nuk sheh vetëm momentin, por edhe pikën e mbërritjes drejt së cilës ecën shoqëria. Ai e sheh agimin më herët se të tjerët dhe drejt këtij agimi u tregon rrugën njerëzve. Dijet dhe njohuritë që ka përfituar nga shoqëria nuk duhet t'i vejë në interes të politikës, pushtetarëve apo bizneseve e individëve të veçantë që kërkojnë ta mbytin të vërtetën. Është detyra e tij t'u paraprijë gjithmonë e më tepër zhvillimit e progresit; ai duhet të harrojë atë që ka bërë pikërisht në atë moment dhe të mendojë vetëm për atë që i mbetet ende për të bërë. Por kjo nuk mjafton. Ai duhet të jetë luftëtar energjik dhe i panënshtruar në misionin e tij për të vërtetën. Ai i nënshtrohet vetëm "trinitetit diktatorial"-Lirisë, Ligjit dhe Moralit. 

 

- Një "kundërkonformist me çdo gjë që nuk i përgjigjet realitetit, por jo kryeneç, kapriçioz e tekanjoz, por me një shpirt kundërkonformist që buron nga modelet ideale të zgjidhjes së problemeve dhe të luftojë energjikisht për përsosjen e realitetit. Në vendet demokratike intelektualë të tillë janë "asete kombëtare", respektohen e përfillen e mbi të gjitha kanë status të veçantë, sepse ata shihen si gjeneratorë të ideve dhe mendimeve të reja, që ndryshojnë statutkuonë dhe "turbullojnë ujërat e ndenjura", sepse ata dinë disa gjëra që nuk i dinë politikanët. Ata kanë guximin për t'u bashkuar dhe t'u bëjnë thirrje politikanëve të jenë kurajozë, të ndershëm, humanë për të bërë ndryshime rrënjësore në tërë qëndrimet, konceptet dhe veprimet e tyre politike. Ndryshe, civilizimi i njerëzimit rrezikohet. 

 

Vetëm një si Zhan Pol Sartri, mund të jepte një definicion kaq shterues për intelektualin. Çdo njeri me inteligjencë mesatare pasi ta kuptojë Sartrin në nivelin "ratio", do të mendohet mirë para se të përdorë termin "intelektual" qoftë për veten, qoftë edhe për të tjerët.

 

Intelektuali-mit dhe aset

 

Intelektuali është një tip i ri mendimtari, i cili që në fillim e shpalli veten si martir i sakrifikuar për interesat e njerëzimit dhe i veshur me misionin fisnik për t'i ndriçuar mendjen njerëzve nëpërmjet ideve e mendimeve të tij. "Jam një prift i së vërtetës; jam në shërbim të saj; jam angazhuar të bëj, të përdor, dhe duroj çdo gjë në emër të saj. Edhe nëse do të persekutohesha dhe urrehesha për dashurinë ndaj saj, edhe nëse do më duhej të vdisja në shërbim të saj, a nuk do të kisha bërë veçse atë që është detyra ime në vetvete"?

 

Ky është betimi i një intelektuali, filozofit gjerman të shek XVIII-të, Johan Gottlieb Fichte, Kur ai thotë që: "Unë jam prifti i së vërtetës" ai me këtë nënkuptonte, se për intelektualin, Zoti është e Vërteta dhe për këtë ai nuk bënte asnjë kompromis me këdo dhe me çfarëdo! Ai kishte zgjedhur të vërtetën "si bashkëshorte";

 

- Që ishte i lidhur me të në jetë e në vdekje. 

 

- Që e mbrojti atë edhe kur kundërshtohej nga të tjerët.

 

- Që e mbrojti publikisht kur përdhosej dhe fyhej ajo. 

 

- Që duroi në emër të saj urrejtjen e fshehur me dinakëri nga të mëdhenjtë dhe qeshjen torollake të maskarenjve apo ngritjen pasiononte të shpatullave të meskinit.

 

U persekutua, u urrye, u tall, u përqesh. Përse? Për të vërtetën dhe vetëm për të vërtetën. Ajo ishte Zhuljeta e këtij Romeoje intelektual, që për mbrojtjen e saj jepte edhe jetën. "Edhe nëse do më duhej të vdisja në shërbim të saj, nuk do të kisha bërë gjë tjetër veçse atë që është detyra ime në vetvete". Në këtë kontekst, intelektuali e shpall veten martir për të vërtetën, për interesat e njerëzimit, me misionin fisnik për të përmirësuar jetën e njerëzve me idetë, mendimet e veprimet e tij. 

 

Gjatë historisë, të tillë mund të përmendim: Zhan Zhak Rusoi, Shelli, Marksi, Ibseni, Tolstoi, Heminguei, Breht, Rusell, Ajnshtajn, Sartri, etj, etj...

 

Të gjithë këta intelektualë i janë përmbajtur një linje mendimi, e cila do të bëhej lajtmotivi i bindjes së tyre: "Virtyti, Liria dhe e Vërteta".

 

Por çfarë mund të thuash për ata pseudointelektualë, që dashuria e vetme për ta është Pushteti për të sunduar, Mashtrimi dhe Gënjeshtra për ta fshehur këtë sundim dhe Kuleta për ta mbrojtur atë?!

 

Intelektualë të tillë në Shqipëri janë burim i mjerimit dhe i korrupsionit. Dhe të tillë kush i ka bërë? Politika, e cila duke i përdorur për interesat e veta i ka "shtrydhur" deri në atë derexhe sa që sot nuk u ka mbetur as "nishani" pa le "nami". Ku ...ku janë intelektualët tanë? Ku janë "kapardinbardhët", që sot tregojnë përralla për përmbysjen e komunizmit kur ai kishte rënë? Ku janë këta që na seviren aq "shkëlqyer bukurinë dhe harmoninë e idealeve të demokracisë"? 

 

Cilët intelektualë kërkojmë? Ata të 187 që bënë thirrjen para dy dekadash me "manifestin" e tyre mashtrues e hipokrit: "Atdheu në rrezik", për të votuar Nekrofilin Sali, apo të 107 e tjerë të para shtatë vitesh që anatemonin Edi Ramën si pengesë e integrimit?

 

 

 

Ku janë këta çerekintelektualë dhe ku kanë qenë deri më tani? Kur janë shkatërruar djegur e vrarë, njerëz ('91, '97, '98, Gërdeci, 21 janari), shkolla, spitale, uzina, vreshta, pyje e gjithçka që kishte vulën komuniste dhe e mundshme për t'u vjedhur apo shitur prej nekrofilëve të PD? Ku kanë qenë këta intelektualë akademikë, prof. e doktorë shkencash dhe ku janë? Apo janë duke gogësitur pas shpërblimeve të majme e te fëlliqura nga "antikomunizmi" i tyre kallp e qesharak. Apo kakarisin e kapardisen në universitete, shkolla e klinika private të ngritura me "rroga shteti"? Këta janë intelektualët që kërkojmë ne dhe që populli pret ndryshimin?

 

Populli e ndjen dhe e përjeton se janë po këta njerëz që i kanë marrë dinjitetin, krenarinë dhe pasurinë kombëtare duke e zbatuar demokracinë totalitare në mënyrë feudale, despotike dhe orientale. Përse arsyeja dhe maturia e këtyre njerëzve që kanë gënjyer e mashtruar për 28 vjet u është nënshtruar instikteve dhe pasioneve epshore për pushtet, para dhe...? Por ironia dhe pacipësia e tyre qëndron, se vetëquhen jo intelektualë, por "elita intelektuale", ngjashëm me "elitën politike" e vetëquajtur nga ata "politikanë" që nuk dinë se ç’është politika, shteti, parlamentarizmi sepse janë katapultuar nga kryetarët e partive që edhe vetë këta të fundit janë të rastësishëm dhe jo të dalë nga një lëvizje apo nga ndonjë shkollë politike. 

 

E përfytyroni se kush na ka sunduar gjatë këtyre 28 viteve? Por më e keqja është se ky sundim ende vazhdon. Na u premtua rilindja, rilindja e shtetit, rilindja e shpresës, rilindja e... por rilindja nuk ka rilindur për vete, pa le të rilindë intelektin e rrënuar të një populli të dërmuar gjatë 106 vjetëve shtet! 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0