Home | Opinion | Vetting politik, vettingut në drejtësi

Vetting politik, vettingut në drejtësi

image
Argumentat e politikës prevalojnë mbi atë të ligjit në vazhdën e praktikës ...

 

 

      

 

 

Nga Bardhyl Bejko

 

 

 

 

 Kori i politikanëve pas çdo kualifikimi ose moskualifikimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nis të lëshojë rrufe mbi çdo vendim që kualifikon ose rrëzon gjyqtarë e prokurorë, subjekt të hetimit në të tre shtyllat e përcaktuara me ligj. Në këtë mënyrë, politikanët tanë i bëjnë vetting vet vettingut. Politikvettingu kundër vettingut ligjor. Dhe çfarë vettingu pa le?! Shumë herë më i rreptë se ai ligjor, i bazuar në kushtetutë. Si argument, politikanët nuk kanë asnjë kriter juridik. Për ta është gjyqtar i mirë ai që u ka shërbyer “ustallarëve të politikës” gjatë viteve të gjata të tranzicionit. Më të mirët janë ata që janë bërë mburojë e pakalueshme për të dënuar individë në pushtet, burra dhe gra, kryeministra, presidentë, ministra, drejtorë të rëndësishëm që kanë drejtuar qeveritë edhe pse mund ta kenë shkelur dhe bërë baltë, jo vetëm ligjin, po edhe vetë moralin. Dhe kriter seleksionues është padyshim qëndrimi i tyre ndaj hallit të politikanëve, si individ, pse jo edhe si familje biologjike e politike. Ka deklaruar PD se ngjarja në Gërdec edhe pse një krim në përmasa kombëtare, ku përzihen qindra vepra penale që u shoqërua me shpërthimin baraz me bombën në Hiroshima në fundluftën e Dytë Botërore dhe me vdekjen e dhjetra familjarëve, gra, burra dhe fëmijë edhe pse u plagosën me qindra qytetarë të pafajshëm dhe u mbollën me predha dhjetra hektarë nga Gërdeci deri në Vorë, përsëri “gardianët” e ligjit, togat e zeza mbajtën qëndrim sipërfaqësor. Ende sot familjarët e dëmtuar rëndë janë në pritje të drejtësisë së munguar. Po Gërdeci ka dhe “heronjtë” e vet: të gjyqësorit dhe prokurorisë. Nuk janë të vetmit që kanë bërë garantin e udhëheqjes për të mos u hyrë gjemb në këmbë. Dhe në këtë “dasmë” të madhe ishin të gjithë dasmorë, krushq e valltarë, muzikantë e kuzhinierë, nga kryeministri i kohës deri tek ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që sot vjen rrotull dhe shet moral si një ish ministër që ka ruajtur integritetin dhe dinjitetin e shtetit dhe vetë ushtarakëve, duke qenë një nga zyrtarët që mban përgjegjësi ligjore po që s`mbajti së paku as morale për atë gjëmë që ndodhi, dhe që ishte padyshim krim shtetëror. Po sot deputeti Mediu shet moral e shan, etiketon e denigron mbarë e mbrapsht të gjithë ata që sipas tij bëjnë korrupsion para syve të atyre që kanë ruajtur këtë vend me duar të pastra edhe pse të nxira në blozën e tonelatave të municioneve të shpërthyera në poligonin më enigmatik të ushtrisë që nuk kishte asnjë garanci mbrojtëse për mënjanimin e katastrofave. Dhe rezultatet dihen. Ashtu siç njihen tërë ata gjyqtarë e prokurorë që veshën dorezat e trasha të boksit për të shfletuar Kodin e Procedurës Penale e atë Civile, duke mos prekur askënd nga ata që i përkasin nomeklaturës së shtetit të kohës. Pikërisht, këta gjyqtarë mbetën monumente që nuk duhen prekur. Nëse KPK guxon të vërë shenjën e skualifikimit mbi ndonjë prej emrave të tyre, atëherë ata merren menjëherë në mbrojtje nga “komisioni i PPP” (partiako-politiko- punist), të cilët në emër gjoja të së drejtës dhe ruajtjes së paanësisë dublojnë rëndshëm KPK ligjore.

 

Argumentat e politikës prevalojnë mbi atë të ligjit në vazhdën e praktikës 30 vjeçare, ku më së miri tek ne nuk është bërë gjykim e drejtësi, po farsë për të futur në burg ata që janë të pafuqishëm, ata që nuk kanë pasur as çep, sqep e as kuletë. Dhe kjo është e verifikueshme qoftë edhe me një analizë të përciptë nëse njeh begraundin e secilit nga ata që kanë zënë qelitë për të vuajtur dënimin, natyrisht përjashtuar të fajshmit e dënuar sipas ligjit. Të gjithë jemi dëshmitarë se sapo KPK kualifikoi gjyqtarin Artan Dvorani, nga selia e PD dolën në podium radhazi juristët ekselentë të kësaj force politike dhe nisën të apelojnë e numërojnë episode të shumta, të sjellin në kujtesë të shqiptarëve detaje pafund se ky Dvorani u mbrojt pasi është kontigjent i gjyqtarëve të Edi Ramës, i shërben qeverisë. Ka qenë pjesë e ekipit të reformës në drejtësi sikur të ketë bërë ndonjë sakrilegj të pandreqshëm, vetëm se ka kryer një detyrë që është anatemuar nga opozita jonë dhe lidershipi i saj. Dhe këtu vettingasit e PD-së, që nga kryetari Lulzim Basha dhe radhazi tërë zërat evidentë të saj i numërojnë të metat e bëmat Dvoranit sikur të vinte nga shtresa e krimit dhe jo nga ajo e juristëve me një përvojë të gjatë dhe më shumë se kaq i pacënueshëm si figurë në dinjitet, profesionalizëm dhe aq më shumë në pasuri. Sipas KPK, ky gjyqtar, antar i Gjykatës së Lartë nuk ka asnjë problem me pasurinë. As me personalitetin, aq më pak me kualifikimin dhe aftësitë profesionale. Po ja që vettingu i PD-së, një organizëm partiak ky i pashpallur në hije, sekret, ai rezulton me njolla në biografi dhe se u kualifikua me hatër dhe i influencuar nga ata që duan të shtien në dorë drejtësinë në Shqipëri.

Dhe hynë në garë këtu, krahas vetingut, numër një, ai i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, numri ekstra, ai i përcaktuar nga PD me idhtarët e saj që numërojnë një mijë e një të zeza për secilin nga gjyqtarët, që në detyrën e tyre nuk janë udhëhequr nga partitë, po kanë pasur busull vetëm ligjin. Po lufta ndaj atyre që kualifikohen për të cilët ruhet një stuhi e egër e rrebesh që i bën pelte gjyqtarët që gjykohen e maten se janë të armikut, i shërbejnë sipas tyre qeverisë, se në mentalitetin opozitar ata dikujt i shërbejnë dhe nuk janë kurrë të pavarur e të drejtë, është ku e ku më i rreptë me hetimin që bëjnë në rrugë institucionale komisionerët e vettingut, të cilët për bazë nuk marrin thashethemet, po realitetin dhe praktika të konfirmuara dhe analizuara nga institucionet kushtetuese. Nëse nga KPK merren të dhëna të provuara nga ILDKP nga ZRPP nga SHISH, KKP e organe të ngarkuara me ligj për të dhëna të klasifikuara e të sakta, platforma e vettingasve të PD, LSI-së ata që i bëjnë vetting vet vetingut, i peshkojnë të dhënat nga fusha e opinioneve të politikës, dëshirat e zyrtarëve dhe deputetëve apo analistëve e opinionistëve që grijnë sallatë shpifjesh nga mëngjesi në mbrëmje, në tërë televizionet e vendit tonë. Po lufta nuk bëhet vetëm për ata që kualifikohen. Kjo varet. Kështu për gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Halluni, sirenat e alarmit të PD, përmes deklaratave nga selia blu nuk lanë etiketime pa bërë dhe citime pa nënvizuar, vetëm për të thënë se ja si veprohet dhe kush konfirmohet. U kualifikua gjyqtari që liroi Frrokun, vrasësin e komisarit në Tiranë. U ngrit zëri nga vettingasit e PD-së në qiell. Dhe nga foltorja e selisë u hodhën akuza shumë të rënda, vetëm për të poshtëruar qëndrimin e KPK dhe vetë gjyqtarin e konfirmuar, i cili sipas tyre nuk e meriton. Nuk është askush kundër rivlerësimit e analizave të thelluara kur dikush nga sistemi i drejtësisë kualifikohet ose jo, që mos të kalojë edhe shumë herë në sitën më të imtë dhe nëse opozita ka të drejtë ndaj atyre që nuk e meritojnë të mbahet qëndrim dhe të largohen menjëherë nga sistemi, i cili ka tre dekada që vetëm ka prodhuar gjyqtarë që janë zgjatim i plepistëve, gjashtëmujor që mbushën gjykatat e prokuroritë me mediokritetin e tyre dhe e bënë sistemin më të ekspozuarin nga korrupsioni dhe mungesa e profesionalizmit. Dhe për këtë jemi dëshmitarë të gjithë. Po nëse njeri nga subjektet e hetimit nga organet kushtetuese për kualifikimin e njerëzve të drejtësisë, si për ata që mbesin në rrjetë edhe ata që e kalojnë, përmes një procesi që siç e quajnë vetë është i vështirë dhe shumë mirë të jetë i tillë, nëse sot kemi për herë të parë vënien para drejtësisë së vetë atyre që kanë bërë kapon dhe kanë bërë çfarë kanë dashur me ligjin dhe para ligjit kanë vënë Maliqin, sot shikojmë për herë të parë në historinë shekullore të Shqipërisë që nga koha e sundimit të dokeve, zakoneve e kanunit të ulen para trupave të gjykimit, të djersinë, të emocionohen, të tronditen, ata të pacënueshmit, të mbrojturit, të përkëdhelurit, pasanikët me fatkeqësitë e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi.

Po, vetingasit e PD-së, duke filluar nga Sali Berisha e në radhë Lulzim Basha e Paloka, Alibeaj, Spaho e gjithë të tjerët ulërasin kur u preket ndonjëri prej atyre që ata e mendojnë si të tyre, brenda partisë e shpirtit politikë. Po vettingu nga vettingasit e PD-së nuk mbaron këtu. Do jemi dëshmitarë si do mbrohen ata që gjykuan “Rrugën e Kombit” për 230 milionë euro të munguara. Vrasësit e 21 janarit, ku nuk u prek askush. Ata që gjykuan ngjarjet e grushtit të shtetit 1998. Tërë ata që mbajnë mbi shpinë gjykime të mëdha e të pandëshkuar të mëdhenj. Dhe ky ishte qëndrimi që ka mbajtur PD dhe që do mbajë me gjithë politikanët e saj më të rëndësishëm. Shikoni Rastin Broci. Për Artan Brocin, antarin e Gjykatës së Lartë, gati u bë hataja. Ekskluzivisht ai u mor në mbrojtje nga ish kryeministri Berisha. Edhe pse mbrojtja është njerëzore dhe shumë herë virtyt, në këtë rast nuk është e tillë. Gjyqtari Broci ka tërë të drejtën të mbrohet vetë. Të kundërshtojë. Të sjelli prova, ashtu siç veproi për të kundërshtuar moskualifikimin e tij nga vettingu. Pasuria e fundosi gjyqtarin Broci. Dhe sipas skedës së pasurisë ndër vite, duket qartë se vërtetë pasuria ishte e admirueshme edhe për një biznesmen të suksesshëm. Tek e fundit, një gjyqtar ka vetëm pagën, pasuri të tij. Pagën dhe dinjitetin e personalitetin. Pa hyrë në studimin e rrugëve me të cilat u vendos kjo pasuri as për të akuzuar zotin Broci, pasi kjo është një betejë ligjore mes tij dhe atyre që nuk e kualifikuan, të bën vërtetë përshtypje negative, lufta dhëmb për dhëmb e Sali Berishës i cili jo vetëm e mbron, po hidhet në sulm ndaj KPK-së. Dhe për t`iu kundërvënë këtij organizmi kushtetues, sjell në vëmendje origjinën e gjyqtarit Broci. Nuk harron të thotë se ai është vëllai i dëshmorit të 2 prillit. Familje dëshmori pra! Po a ka lidhje qënia vëlla i dëshmorit të demokracisë me gjyqtarin që nuk provon dot pasurinë e tij dhe nuk argumenton as atë që ka deklaruar?

Këtu nuk flasim për beneficet e tjera as për ato që nuk i dimë dhe janë vetëm në çmimin e secilit prej gjyqtarëve subjekt i hetimit të organeve të vettingut. Mbrojtja që i bëhet gjyqtarit Broci me qënien vëlla dëshmori, është identike me seleksionimin që bëhej në sistemin e përmbysur me vëllezërit e dëshmorëve dhe heronjve, të cilët i shpëtonin ndëshkimit sepse vëllai i tyre kishte dhënë jetën për liri. Si dje aq më tepër sot, vëllezërit e dëshmorëve të lirsië e demokracisë duhet të jenë shembull i ndershmërisë dhe korrektesës dhe nuk duhet të fshihen pas askujt, qofshin edhe vëllezër dëshmori. Po sikurdorherë mbrojtja e atyre që nuk kualifikohen po llogariten si mburojë nga PD dhe opozita si gjyqtarë që kanë bërë ndere dhe kanë ndihmuar në procese të rëndësishme edhe denigrimi i atyre që kualifikohen po llogariten si njerëz që kanë vend në vathën e kundërshtarit, duke i ndarë politikisht njerëzit e drejtësisë, flasin për një mendësi të vetingasve politikë që kërkojnë çdo çast t`i bëjnë vetting vetë vettingut. Kur KPK thotë po, ata vetingpolitikasit, thonë jo. Kur thotë jo KPK, vetingasit e politikës deklarojnë me të madhe: Po! Po! Po!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00