Home | Opinion | Nën reflektorët turistikë

Nën reflektorët turistikë

image
Kalaja dhe arkitektura otomane e Prizrenit, vera e Rahovecit, skijimi ekstrem në majën e Gjeravicës...

 

 

 

 

Nga Adriatik Kelmendi

 

 

Kosova, tashmë kur po përjeton fatin të shkruhet bukur për të, patjetër që do të nxisë turistë aventurierë, si diçka e pazbuluar dhe ekzotike. Ideja është që ata të mos vijnë vetëm një herë vetë, dhe kurrë të mos kthehen më dhe të mos e rekomandojnë atë për miqtë e tyre.

 

NJË NDËR GJËRAT më të bukura që po i ndodhin Kosovës kohëve të fundit janë shkrimet e gazetave, revistave dhe portaleve prestigjioze ndërkombëtare me rekomandime për vizita.

 

Vetëm rishtas Kosova është lavdëruar në shkrimet e “Lonely Planet”, botuesit më të madh në botë të guidave turistike, pastaj “National Geographic”, revistës më të rëndësishme të natyrës dhe historisë, të përditshmet me ndikim “The Financial Times” e “The Guardian” dhe shumë të tjera.

 

Ndonëse këto publikime kanë shumë artikuj që flasin për turizmin dhe bukuritë e vendeve të ndryshme në përgjithësi, është shumë e rëndësishme që edhe një vend i vogël si Kosova ka filluar të rekomandohet për vizita prej tyre.

 

Kalaja dhe arkitektura otomane e Prizrenit, vera e Rahovecit, skijimi ekstrem në majën e Gjeravicës, festivali “AniBar” i Pejës, Shpella e Gadimes, “DokuFest”, “Zip Line” në Grykë të Rugovës, që të gjitha kur përshkruhen me fjali të qëndisura bukur na bëjnë të ndihemi të çmuar.

 

Por sa jemi ne vetë të gatshëm si qytetarë dhe institucione t’i përgjigjemi denjësisht këtij kthimi të reflektorëve drejt nesh?

 

GAZETARI VIRTYT GACAFERI, i cili me vetiniciativë ka themeluar tour operatorin “Balkan Natural Adventure”, tregon se përmendja e kompanisë së tij në vetëm një artikull perëndimor ia ka rritur klientët për rreth 30 për qind. Por i pyetur nëse do të mundë të nxirrte një problem si më të ndjeshmin që shkon kundër turizmit, ai pa hezitim thotë: “Bërlloku”.

 

Natyrisht, ka shumë të drejtë. Kosova ka një ndër viset më të bukura malore të rajonit, por moskujdesi i qytetarëve bën që shpesh ato të shëmtohen nga hedhja e bërllokut vend e pa vend.

 

Por gjithsesi se nuk ndalet gjithçka vetëm të hedhja e mbeturinave në natyrë. Fundi i fundit, ky problem do të mundë të sanohej lehtë me vetëdijesim më të madh të popullatës dhe me ashpërsim të kontrolleve dhe gjobave.

 

Një problem i madh që po e shëmton Kosovën është infrastruktura.

 

Mjafton të shkohet vetëm një ditë në Bogë të Rugovës ose në Prevallë të Sharrit dhe të tmerroheni nga ndërtimet e vilave pa asnjë kriter, nga sasia e betonit dhe dëmtimi i natyrës.

 

Përshtypje të mirë nuk të lë as rruga që çon deri te këto katunde malore, me gropa si të bombarduara nga artileria e rëndë.

 

Nëse kthehemi te qytetet e përmendura më së shpeshti në shkrimet e gazetave të huaja, si Prizreni dhe Peja, gjithashtu duhet vënë alarmin. Rrënimi i objekteve të vjetra, ngritja e ndërtesave të larta, shpesh me nga dy-tri kate mbi lejet e dhëna nga komuna, janë duke i denigruar me shpejtësi këto qytete dhe s’ka shenja se do të ndalet.

 

Çka pastaj me mihjen e shtretërve të lumenjve, ose hapjen e gurthyesve në çdo cep?

 

Ose me betonizimin e kryeqytetit?

 

E PARA që do të duhej të ndodhte me shpejtësi është vetëdijesimi shoqëror se Kosova është e jona, e secilit, dhe se duhet ta trajtojmë njëjtë me shtëpinë ku jetojmë. Edhe ata që hedhin bërllok gjithandej janë prej nesh, edhe ata që bëjnë ndërtime pa leje, e edhe ata që lejojnë ndërtimet pa leje, edhe ata që presin drunjtë për të shtruar beton, edhe ata që nxjerrin zall pa kriter nga lumenjtë janë ndonjëri prej nesh. S’mund t’ia lëmë gjithmonë tjetrit fajin. Sikur secili ta niste ndryshimin nga vetja dhe jo ta priste nga tjetri, ndryshimi do të ndodhte shpejt.

 

Një ndër veçoritë që e përmendin të huajt për ne është edhe mikpritja. Mirëpo, mikpritja duhet të përcillet edhe me kushte. Kushte të cilat së pari duhet t’i bëjmë për vete dhe të njëjtat t’ua ofrojmë edhe vizitorëve.

 

Kosova, tashmë kur po përjeton fatin të shkruhet bukur për të, patjetër që do të nxisë turistë aventurierë, si diçka e pazbuluar dhe ekzotike. Ideja është që ata të mos vijnë vetëm një herë vetë, dhe kurrë të mos kthehen më dhe të mos e rekomandojnë atë për miqtë e tyre.

 

Lëvdatat po na vijnë.

 

Tash duhet të punojmë shumë që edhe t’i meritojmë!/koha.net

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00