Home | Opinion | “Dura lex, sed lex”

“Dura lex, sed lex”

image
Por tashmë reforma e drejtësisë nuk ka kthim pas...

      

 

 

Nga Besi Bekteshi

 

 

 

 

E keqja e madhe e jona si shoqëri është se nuk vlen për faj vetëm momenti i retro kulturës, por kryesisht mungesës së kulturës së ligjit të zbatuar. Provat e mëdha tonat sidomos mbas mesjetës, janë vetëm pashallëqet dhe pushtimet si sundim dhe imponim ligji dhe rregulli! Në fakt vetëm qendrat e vjetra urbane mund të kenë deri diku idenë apo dhe instiktin normal dhe të trashëguar, të prezencës së ligjit dhe zbatimit të tij. Po them për Shkodrën dhe kodikët e saj, një pjesë të vendeve të sunduara nga Republika Veneciane, ose Drishti dhe Berati, në formën e tij, etj., etj., por periferia dhe zhvillimi mbas 1830-tës, kur bota kishte mbaruar punë me krijimin në shoqëri të “instiktit zbatim ligji” nuk kishin as trashëgiminë dhe për më tepër as konceptin ligj. E kjo është pengesa më e madhe shtet formuese në shoqërinë shqiptare. Një moment tragjik ky, që na vonon për në BE! As si trashëgimi, as si filozofi nuk ka një model të mirë të përhapur në shoqërinë moderne shqiptare, përveç sundimtarëve pashallarë në jug si Ali Pasha dhe në veri Bushatllinjtë. Pastaj janë fiset dhe bajraktarët deri sa vijmë te latifondistë dhe feudalë në momentin e Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1920 është fillimi i shtetit shqiptar dhe ky me firmat dhe vulat e fuqive që dhe sot pothuaj po na ribëjnë sërish shtetin. Njohim shumë pak Zogun dhe nuk kemi kuptuar Enverin. Nuk ka më keq se sa kaq dhe kjo është vërtetuar këto 27 vite të një marrëzie kolektive antiligj në demokraci!

 

Kurse Europa, por dhe një pjesë e madhe e gadishullit të Ballkanit e dinë prej kohësh një shprehje latinisht që thotë “Dura lex, sed lex” që normalisht do të thotë: Ligji është i ashpër, por është ligj. Kushdo ta ketë bërë, monarku, presidenti, parlamenti apo dhe populli në votim. Pra është diçka që për individin shqiptar jo vetëm ka një jetëgjatësi zbatimi shumë të shkurtër, por akoma më keq – të përdorur në regjime përkohësisht dhe në arbritaritet të plotë. Kjo ka bërë dhe të ketë një mos respekt të dyanshëm shtet ose pushtet dhe shoqëri. Një urrejtje të vazhdueshme me njëri-tjetrin mes pushtetit dhe shoqërisë! Reforma në Drejtësi – këtu e ka dhe zanafillën e vështirësisë dhe të lojrave folklorike të shoqërisë shqiptare e sidomos të politikës së sëmurë me ambicien idiote të qëndrimit përjetë në pushtet të individëve majë partive shqiptare. Këto individë plaken, duke keqpërdorur pushtetin dhe duke u armiqësuar me popullin. Pse? Po sepse sërish latinët thoshin: Ignorantia non excusat që do të thotë: injoranca (padituria) nuk kërkon të falur. Në majë të pushteteve dhe partive kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë injorantë të ligjit dhe zbatimit të tij, pastaj dhe persona të keq edukuar moralisht dhe filozofikisht. Sundimtarët shqiptarë kanë qenë feudalë të pashkolluar realisht në perëndim, politikanë si Enveri të pambaruar universitetesh dhe të kaluar edukimin e tyre me çdo gjë, por jo me studim të ligjit. Pastaj me partizanë të luftës pa shkollim fare, kurse në demokraci me mjekë të katapultuar në sundim dhe folklorikë në zbatim ligji, me arkeologë, me të rinj 28 vjeçarë që filluan punë “hapën librezë pune si Kryeministër” apo jo? Kryeministra që harronin zyrën dhe me piktorë të ligjit më të lirë të natyrës dhe njeriut - ose vokacionit për të pikturuar dhe vizatuar, sikundër thotë dhe KM-ja jonë i sotëm. Por në drejtësi me prokurorë partie që mësuan gjysma në diktaturë dhe gjysma në konvikte plazhi, gjyqtarë po të tillë dhe në universitetet e Tiranës dhe sidomos të Shkodrës që kanë nxjerrë “juridiksa me tonalata” nga pagesat dhe miqësitë e pështirosura dekanësh partie dhe mbushës xhepash me para provimesh. Politikanë juridiksa fakultetesh 1997-të, “Kristalesh” dhe Tetove, të cilët nuk shkruajnë dot emrin e tyre dhe nuk i kanë shkuar si lexim një reviste deri në fund kurrën e kurrës - gjatë gjithë jetës së tyre. Këto do të bënin ligjet dhe zbatimin e tij në Shqipëri. Po mos o burrat e dheut - se Shqipëria dhe reforma në drejtësi nuk mund, dhe nuk do të bëhet kurrë prej tyre, as nuk do të zbatohet. E dini pse? Sepse janë shumë të veshur, “Armani” dhe idiotë të ligjit, mënyrë e cila i ka bërë të pasur. Sepse sërish latini i vjetër thotë “In vestimentis non est sapientia mentis” që do të thotë: Dijenia nuk është te veshja.

 

 Dakord? Problemi i drejtësisë në Shqipëri është një moment dhe kohë tinzarësh dhe mashtruesish jo vetëm politikë, por dhe në sistemin e drejtësisë! Duket që shkon (reforma) me vështirësi sepse latini thotë sërish: “Haud facile astutus fallit astutum” që do të thotë: nuk është e lehtë që tinzari të mashtrojë tinzarin. Po a nuk kemi të bëjmë gjithmonë me një problem tinzarësh në Shqipëri, që me ligjet dhe me zbatimin e tyre kanë një parim: Bëji për t’i thyer lehtë dhe për të përfituar, duke bërtitur se “jam me ligjin”?! Tinzarë dhe mashtrues të cilët janë kudo në çdo shtresë të shoqërisë dhe akoma më tepër në çdo kolonë të shtetit. Për më tepër, se latinët thoshin dikur “vox populi, vox dei” (zëri popullit zëri zotit) dhe sot një dorë tinzarësh e kanë bërë “zëri i sovranit”. Hahaha dhe sa flasin në emër të tij?! Ditën e protestës dolën katër syresh si liderë partie që flisnin, duke përmendur se kishin popullin mbas tyre dhe sigurisht flisnin në emër të popullit?” Po pra dhe të linin të kuptoje se “kishte katër popuj” që po flisnin me gojën e këtyre mashtruesve pa limit.

 

Por tashmë reforma e drejtësisë nuk ka kthim pas. Ka rënë përfundimisht ai sistem idiot dhe i pa ndershëm që ka prosperuar për tre dekada në Shqipëri në saj të kriminelëve politikë të këtij vendi në tranzicion demokratik. Sërish një shprehje latine thotë se “arbore deiecta, quivis ligna colligit” ose “ra pema, gjithkush vrapon të bëjë dru”. Pema e madhe e drejtësisë së pa drejtë shqiptare ka rënë prej kohe, por tanimë dhe ligjërisht! Në trungun e madh të saj po tentojnë të ngrohen një dorë “druvarësh modernë” të cilët së paku bëjnë nga një racion dru për dimër. Sëpatat në dorë dhe o burra, sepse po fillon koha e druve në drejtësi. Po - deri sa të ketë akoma tinzarë pushteti dhe mashtrues të tillë kudo. Kaq mund të bëjnë - sepse të tjerat i kanë në dorë të huajt dhe jo ne. Ne vetëm presim pemën e madhe dhe të shëmtuar të drejtësisë, duke mbledhur drutë e një kohe, e cila sigurisht për dikë do të jetë e acartë dhe shpresojmë për njerëzit një pranverë dhe pse shumë e vonuar?! Shpresojmë... 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00