Home | Opinion | Shoqërinë e deformon politika e krimit

Shoqërinë e deformon politika e krimit

image
Vetëm puna i afron përherë e më tepër me Europën...

 

 

      

 

Nga Sokrat Ndreçka

 

 

Shoqëria shqiptare po emancipohet, po civilizohet, po del nga kornizat e një bote të mbyllur, ku nuk hynte as drita, as mjeku. Ndoshta nuk është në ritmin e duhur, por e rëndësishme është se ecën në drejtimin e duhur. Shoqërinë e bëjnë të shëndoshë reformat e kujdesshme, që realizohen kur janë të sinqerta, të bazuara në ligj, të mbështetura nga të gjithë njerëzit në komunitetin ku jetojnë e banojnë. Kur ndodh kështu, integrimi është i sigurtë dhe realizohet sipas parashikimeve. Shqiptarët e kanë kërkuar me fuqinë e shpirtit bashkëjetesën me popujt e familjes së madhe europiane. Dhe e kanë treguar me fakte. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ka qenë dhe mbetet deviza e shqiptarëve. Por pas 27 vitesh, shqiptarët nuk janë të sigurtë se do e fitojnë lirinë e tyre të vërtetë. Kanë arsye që mendojnë kësisoj. Kanë dyshime sepse politika e këtyre dekadave i ka bërë njerëzit me hije, me dyshime. Ata nuk janë të sigurtë se kjo politikë do përmbushë kërkesat, që kanë të bëjnë me instalimin e një shteti ligjor, me kthimin e drejtësisë në vend, nuk janë të sigurtë se korrupsioni do dalë një ditë para ligjit.

 

U bënë afro tre dekada që shqiptarët dëgjojnë si shprehje të parë dhe të fundit, korrupsion, vjedhje, mashtrim, trafik njerëzor, banda, vrasje biznesit, vjedhje të taksave të popullit, rrëmbim pronash, prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, dhunë në familje, vjedhje bankash, rrëmbim personash, prishje pa leje, ndërtim pa leje, familje që janë në kufijtë e krizës për të jetuar, mungesë ilaçesh, fonde publike të shpërdoruara, kriminelë, banditë, rrugaçë, injorantë, koncesione klienteliste. Mund të radhitnim edhe emërtime të tjera që kanë si emërues të përbashkët mungesën serioze të funksionimit normal të demokracisë që duam të kemi.

 

Njerëzit me të drejtë pyesin: Kjo ka qenë rruga, nga e cila duhet të kalonim për t`iu bashkuar vendeve europiane? Kjo ka qenë strategji e ndërtuar nga liderë politikë dhe ndërkombëtarët në këto vite? Apo ka patur skenar në hije që na kanë drejtuar sipas mënyrës së vet, sipas interesave korruptive, që s`kanë asgjë të përbashkët me integrimin e vërtetë dhe qytetërimin modern?

 

Shoqëria shqiptare nuk është e djallëzuar, por edhe naive nuk është. Diçka ka kuptuar dhe e njeh shumë mirë historinë e këtyre viteve demokracie në tranzicion. Ka kuptuar fare qartë se politika ka luajtur me fatet e njerëzve si ka dashur. Politika ka vënë përpara demokracinë si maskë mbrojtëse dhe i hyri bixhozit të vjedhjes me të dy duart! Mund të themi se këtë komb, këtë popull e shpërbëri politika dhe aktorët e saj, të cilët hodhën gurin e fshehën dorën. Liderët e partive kanë qenë aktorë groteskë të kësaj historie të dhimbshme, të cilët i vunë lëndë shpërthyese vendit dhe sillen si shenj, sikur kanë bërë gjithçka për njerëzit. Në fakt ata e kanë deformuar shoqërinë shqiptare, e kanë larguar atë nga morali i saj tradicional, paçka se ndryshoi sistemi shoqëror dhe social. Në këtë vend u shpërbënë vlerat me të mira të popullit, u shpërfytyrua me koshiencë, qytetaria, fqinjësia, puna, njerëzit janë vënë në konflikt të hapur me njeri-tjetrin, deri brenda në familje. Kujt duhet t`ia kërkojmë gjithë këtë humbje të madhe, gjithë këtë investim të trashëguar në shekuj? Liderët politikë e realizuan misionin e tyre dhe janë shumë të kënaqur. E realizuan me mjeshtëri të ndihmuar edhe nga ekspertë që krijojnë lidhje të ngushta, me fije merimangash, që e njohin mirë shkollën e grabitjes të pasurisë, pronës. Tashmë i njohim këto modele të pasurimit me mjete e forma të kamufluara, të cilat i kanë përdorur për të mos krijuar dyshime. Pasuria e vënë prej zotërinjve, këtyre aktorëve të skenave të çuditshme, misterioze nuk i fshihen dot realitetit të krijuar.

 

Shoqëria shqiptare nuk duhet të ishte në këtë farë feje që është sot. Ka arritur në kuota të nivelit më të ultë historik. Është në kufijtë e një komuniteti, gati të braktisur nga faktori politik. Ka marrë një deformim, që është e vështirë të kthehet në gjendje normale. Sado të kurohen gjurmët e dhunës, që ka marrë këto 27 vjet, është e vështirë të marrë vitalitetin dhe energjitë e shpenzuara. Më saktë e kanë larguar, e kanë braktisur me qëllim të caktuar, për ta patur më të lehtë për ta peshkuar, që ajo të dorëzohet lehtë.

 

Ka arsye që ndodh kështu. Janë arsye politike, që nuk varen dhe shumë nga shqiptarët e Shqipërisë. Liderët tradicionalë të politikës e kanë kryer detyrën e tyre me votuesit dhe tani nuk kanë nevojë për të marrë mandate të tjerë. Kanë vënë aq pasuri sa të jenë të paprekshëm. Këta janë edhe peshqit e mëdhenj që tha ambasadori Lu. “Ne do i hamë peshqit e mëdhenj”, u shpreh miku i Shqipërisë Lu. Ta shohim!

 

Votuesit sot e përherë do vuajnë pasojat e politikës së krimit, e cila ka qënë e pranishme dhe pjesëmarrëse aktive në grabitje në emër të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Sot, kur kanë kaluar shumë vite nga koha kur shumë ” tifoz politik” u ngjirën nga të bërtiturat e duartrokitjet për liderin e tyre shpirtëror Berisha, ndihen të zhgënjyer, ndihen të braktisur, ndihen të penduar. Po kështu edhe me qeveritë pasardhëse, të cilat imituan njera-tjetrën. Nga pendesa, mitingashët u larguan nga çirrjet e liderëve, sepse e kuptuan që po shërbenin si mish për top për llupësit, të pangopurit, për peshkaqenët, që nuk lanë gjë pa futur në tentakulat e babëzisë. Sot shumë prej tyre u janë kthyer punës dhe vetëm punës. Mirë që kanë kuptuar se mjeti më i mirë për të mbështetur demokracinë ka qenë dhe mbetet puna dhe jo tifozeria e sëmurë, e cila i tronditi ekonomikisht, deri në palcë këta të pafatë. Puna e ndershme, përkushtimi, janë pasuria, kapitali tërësisht i sigurtë për të jetuar i qetë në privacinë që të takon.

 

Kjo shoqëri po e provon me fakte se sa shumë ia ka zënë frymën politika e të fortit, politika e shpërbërjes së ligjit, e padrejtësisë. E kthyen shqiptarin në jetim. Në njeri që mund të jetojë vetëm me lëmoshë. Ky deformim nuk është rastësi, nuk është gabim njerëzor. Është më shumë se kaq. Ky popull ka përballuar dhunë edhe më të fortë se kaq dhe ia ka dalë mbanë. Politika destruktive, një ditë do thyejë kokën. Kjo është e sigurtë. Ndërsa njerëzit që e duan të ardhmen dhe e shohin atë me optimizëm, i qepen këmba-këmbës punës. Vetëm puna i afron përherë e më tepër me Europën. Kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00