Home | Opinion | Hipermarketi i trashëgimisë së kuqe

Hipermarketi i trashëgimisë së kuqe

image
 Çfarë mund të bëjë në një hipermarket të tillë të trashëgimisë së kuqe! Asgjë, po asgjë fare! 

 

 

      

 

Nga Besi Bekteshi

 

 

 

 

Sa e sa herë dëgjonim në punë apo kolektiva ndonjë anëtarë partie, apo sekretar, apo aktivist të militantizuar që të përbetohej: “Për ideal të partisë”! Po sigurisht e bënte këtë be në sy të të tjerëve, me një pathos dhe një siguri të jashtëzakonshme, se të tjerët do të besonin në atë që thoshte apo zotohej! “Po për ideal” thoshte dikur një sekretar partie, në një ndërmarrje të madhe dhe e kishte mbase dhe seriozisht kur përsëriste si një automat “për idal”! Por dhe në lagje, në front, në rini, te gruaja – thuhej nga njerëzit e partisë pikërisht një “mrekulli” e tillë që kumbonte fort ajo: “Për ideal të partisë”! Nuk e mohoj se dikush e kishte seriozisht! Po po – kishte plot që e kishin seriozisht, sidomos deri nga vitet ‘80-të! Kishin vazhduar rrezikët për disa dekada ashtu në një besim qorr, por me bindje të plotë se ishin në rrugë të drejtë! Mundoheshin të ndiqnin idealin e partisë, sepse në fakt – kishte disa të shkruara dhe të premtuara dhe pse asnjëherë të përmbushura dhe zbatuara! Por pra kishte njerëzit e “idealit” e krahas tyre njerëzit e “interesit” që mundoheshin të betoheshin – për ideal të partisë! Kishte ideale pra – hegjemoninë e klasës punëtore, marksizëm leninizmin, emancipimin, lirinë e popujve në botë, çështjen e socializmit dhe komunizmit, demokracinë proletare, realizimin e planit pesëvjeçar, shkurtimin e diferencës qytet dhe fshat, tejkalimin e normave, mbajtjen e vigjilencës proletare në punë dhe edukimin moral me mësimet e partisë etj., etj! Sa më tepër rritnin idealet – aq më tepër ulnin nivelin e jetës së njerëzve dhe shkruanin se përpiqeshin për mirëqenien e masave punonjëse! Hahaha pse nuk përbetohen sot për gjëra të bukura demokracie?!

 

Po pra, dje ashtu betoheshin por kishin diku-diku dhe në budallallëk pikërisht ideal! Këtyre të shkretëve komunistë “për ideal partie” ju bashkuan si shushunja (si përfundim i spostuan) nga fundi i diktaturës më idiote dhe mbushur me levendë dhe injorantë, por dhe njerëz të ndershëm idealistë – anëtarët e leverdisë së partisë! Prodhimi më i qelbur i PPSH-së si fillim i “njeriut të ri”. Këta kishin akoma më në majë të gjuhës shprehjen – për ideal të partisë, por sigurisht talleshin brenda tyre! Anëtarët e leverdisë kishin kuptuar se idealet e partisë përdoreshin për të jetuar më mirë, për të marrë shkollë më të mirë, për t’u futur në punë më të mirë, për të bërë karrierë më të mirë, për të marrë një autorizim më tepër si për televizor, lavatriçe e frigorifer, për të marrë një apartament më të mirë dhe një dhomë më shumë, për të pasur akses më të madh në elementë që njerëzit pa tesër partie nuk mund të kishin! Çfarë ndryshoi mbas viteve 1990-të nga kjo mënyrë betimi dhe jetese me partinë e anëtarit të partisë?! Asgjë dhe sidomos partia e Sali Berishës apo anëtarit (të leverdisë) më të famshëm në Shqipëri – kopjoi plotësisht PPSH-në! Ai vendosi me “copy-paste” vlerat e anëtarit të partisë së tij në fillim dhe në demokraci dhe pikërisht kështu u bë, por akoma më brutalisht dhe poshtërsisht – por sigurisht as për sy e faqe me ideale, por në mungesë të plotë të tyre! I thoshin partisë (PD-së) si dikur njeriut që thoshte “për ideal” e bukura e dheut, por ideale nuk kishte! Asnjë ideal – sepse dhe gishtat e ngritura lart me “liri demokraci” padyshim u rrëzuan nga abuzimi me lirinë dhe shkatërrimi dhe lufta e ashpër që ju bë demokracisë! Betimi mbi partinë humbi – por partia si dikur PPSH-ja mbeti! Mbeti te të gjitha partitë, majtas dhe sidomos te vajza e saj e shtrenjtë ose PDSH-ja e Sali Berishës! Nuk bëjnë anëtarët e leverdisë sot be dhe rrufe për partinë, por ajo ka mbetur modeli anakronik, pervers, i pështirë dhe korruptiv i shoqërisë politike shqiptare! Nuk bëjnë be për partinë se nuk janë asnjëri aty idealistë (besojnë vetëm te paraja) por partinë dhe sidomos tashmë korporatën politike nga më të ndyrat në Shqipëri, e përdorin akoma më shumë dhe më keq se sa ish komunistët dikur! Është për t’ju kërkuar një “më fal” idealistëve dikur, që përveçse luftuan dhe dikush e pësoi në luftë, vijuan të punojnë dhe e hëngrën në punë, sepse në fund fare shumicën e tyre Enveri i pushkatoi, burgosi, internoi dhe la të varfër, për ti dorëzuar Ramiz Alisë një dorë mashtruesish, anëtarë leverdie që sigurisht rrezatojnë edhe sot në Kuvendin e Shqipërisë! Jo vetëm te PD-ja e LB-së jo, por te e gjithë salla! Janë fëmijët e tyre, nipat dhe mbesat që nuk dinë ndryshe, janë edukuar me parti të tilla, por sigurisht pa asnjë ideal! Kuvendi i Shqipërisë është pothuaj i gjithi një supermarket i trashëgimisë së dikurshme, por pa “ideal partie” dhe sigurisht me të vetmen arsye fitimin apo pasurimin e tejskajshëm! Por pasurimi nuk mund të jetë ideal – ai është thjesht një plan biznesi, që tashmë ka një hipermarket politik i tillë!

 

Batutat mes SB dhe ER ishin të qarta: Kam ardhur të nxjerrësh të burgosurit politikë dhe ti me the “do të nxjerrësh llumin e shoqërisë”! Pastaj SB që thotë: Po erdhe dhe the se në çdo shtyllë duhet varur një komunist apo anëtar i KQPPSH-së!

 

Vetëm fakti se sistemi i referencës është PPSH-ja, apo komunistët, apo dhe viti 1991 si dalje nga komunizmi – në Kuvendin e ideve politike të vitit 2017, do të thotë se ai vend është një “Hiper RedHeritageMarket”!

 

Absolutisht po, që sipas meje do të thotë: një hipermarket i trashëgimisë së kuqe! Është po në të njëjtën sallë dhe në të njëjtin mentalitet mbi partinë, të cilën e dinë për shtyllën kryesore të jetës së tyre mbi tokë! Po dhe pastaj të gjithë të tjerat – një asgjë, një boshllek që duhet të mbushet me prodhimet e këtij hipermarketi të kuq, me trashëgiminë e jashtëzakonshme nga PPSH-ja!

 

Njerëzit, fëmijët, të rinjtë, kur mbajnë TV në seancat e famshme – ky hipermarket ju shet me një arrogancë të madhe, po të njëjtat marrëzi, ose në mos më keq, se sa ato të viteve 1980-të!

 

Them më keq, sepse brenda nuk ka asnjë lloj idealisti, as për mirëqenie, as për prosperitet kombëtar, as për sigurinë qytetare tonën! Po ja ta zëmë se është ndonjë! Çfarë mund të bëjë në një hipermarket të tillë të trashëgimisë së kuqe! Asgjë, po asgjë fare! Sepse është aksidentalisht aty!/Sot

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00