Home | Opinion | Ndershmëri me simbolika, amoral tek politika

Ndershmëri me simbolika, amoral tek politika

image
 Mungesat. Problematikat në shërbime. Punësimin. Investimet. Korrupsionin.

 

 

      

 

Nga Bardhyl Bejko

 

 

 

Prej vitesh, sjellja e politikave tanë mund të etiketohet pa mëdyshje si amoralitet politik. Vija e sjelljes, paraqitja, komunikimi, debatet, dialogu, e folura para njerëzve, në takime me të huaj, vendas, para kundërshtarëve, militantëve, liderët tanë që i thonë vetes politikanë, përfaqësues të partive, intelektualë të formuar e kulturuar që flasin anglisht e italisht, është aq larg të qënit korrekte e kulturuar, normale dhe etike, sa ç’mund të jenë larg planetët në galaktikë. Është e habitshme dhe të vjen keq me ç`lehtësi e pa u bërë fare merak, një politikan flet e argumenton për probleme të jetës së përditshme, për mua, për ty qytetar, ty votues, biznesmen, fermer, peshkatar për ty populli im, pa vrarë mendjen se është në një mjedis që gjykon dhe peshon për atë që është, përfaqëson dhe deklaron. Dhe mbi këtë bazë, pasi e verifikon dhe kalon në filtër, analizon qetësisht njeriu i thjeshtë, ai që nuk llogaritet si personalitet dhe individ i ndërgjegjshëm, por vetëm si një votë, i vë jo vetëm notën, por i përcakton të nesërmen e tij në politikë. Shkurt, i ngre në piedestal nëse e meritojnë. I arkivon në muze ose i hedh në koshin e plehrave. Opinioni shoqëror tek ne nuk është aq i pavëmendshëm, sa të përtypë çdo broçkull dhe akuzë të përfaqësuesve të partive politike që flasin pa doganë që shpifin e etiketojnë pa pasur asnjë brejtje ndërgjegjeje, pa iu dhimbsur vetja e tyre dhe njeriun që kanë përballë. Ata e kanë fare të lehtë të shpifin, të shajnë, të denigrojnë cilindo që u del përpara. Politikanët tanë kanë shtuar në maksimum huqet dhe pa kontrolluar asgjë prej atyre që deklarojnë dhe pse e dinë shumë mirë se është një gënjeshtër e trashë, një e pavërtetë e frikshme. E megjithatë nuk ndalen, nuk kanë asnjë brejtje ndërgjegje. A janë të moralshëm politikanët tanë? Ku fillon dhe mbaron ndershmëria dhe përse kanë hobi t`i largohen argumentit dhe të bëjnë vetën akuza? Le të ndalemi në disa deklarata vërtetë të pamoralshme dhe keqdashëse të liderëve tanë që flasin pa asnjë doganë.

 

Referuar qytetarit dixhital, ish kryeministri Sali Berisha, i njohur për imagjinatën e shfrenuar dhe keqdashjen klasike për të goditur kundërshtarët politikë për t`i fyer e fajsuar edhe kur janë pa faj hodhi në opinionin shqiptar, tymuesen e radhës. Kjo nuk është më e rënda, as më pikantja. Po pikërisht ndaj e përzgjodhëm për të treguar se si përdor ai çdo lajm të rremë e të paprovuar për të arritur qëllimin e tij për të denigruar politikanët përballë: -Me porosi të Edi Ramës u hoq nga repertori i festivalit, kompozimi i Kastro Zizos. Dhe vijon komentin: -Ashtu si në vitin 1970 Kristaq Rama ka censuruar artin, ka filluar censura dhe po hiqen kompozime nga Festivali i Këngës në Radio Televizion edhe sot. Ka qenë ky presion që kënga e kompozuar nga Klevis Bega (Kastro Zizo) sipas emrit artistik të hiqej. Teksti i kësaj kënge është krejt i zakonshëm dhe nuk ka asgjë kundër shtetit apo moralit. Tek e fundit një vepër, thjeshtë artistike. Dhe për këtë heqje të këtij kompozimi nga festivali i pritshëm i muajit dhjetor, Sali Berisha bën përgjegjës kryeministrin. Përmend sa për të larë gojën edhe drejtorin e TVSH-së, Thoma Gëllçi. Nuk marrim përsipër të analizojmë përse ndodhi një veprim i tillë. Është një masë artistike, konkurencë e pandershme apo arsye tjetër. As nëse është i drejtë apo jo. Po kështu nuk mund të analizojmë qëndrimin e një jurie, e cila i verifikon krijimet në aspektin artistik. Nuk bëjmë gjykatësin për këtë vendim, si i drejtë ose i gabuar. Kjo i përket atyre që merren me këto programe dhe le të japin sqarime. Ajo që duam të nënvizojmë është fakti se si përdoret politikisht dhe në mënyrë të pamoralshme një detaj për qëllime politike. Dhe ky komunikim është vërtetë i frikshëm. Më së shumti deri ku arrin e keqja, deri ku shkon logjika e një ish kryeministri. Pas disa orësh ishte vetë kantautori që rrëzoi Berishën me kërkesën për të mos e trajtuar politikisht këtë rast. Se tek e fundit flitet vetëm për një këngë, e cila në realitet i takon fushës së artit dhe nuk ka asnjë arsye të politizohet, aq më keq të luhet me të.

 

Po brenda kësaj dite u publikua edhe një vjedhje banale e dy tapeteve në një lavazho në kryeqytet. Pasi u njoftua nga dixhitali, Berisha, menjëherë në mungesë të një lajmi më të bujshëm e pasqyroi në portalet e veta se kjo vjedhje ishte bërë me porosi të Edi Ramës. Nuk po i referohemi rasteve të tjera që janë një varg pafund se si, dhjetëra kontenierë me lëndë toksike mbërritën me vagona në Shqipëri nga Italia, aeroplanëve të NATO-s në stërvitje që deklarohen si avionë të kanabisit, atleteve e tutave të Ramës që bëhen hit kombëtar e ndërkombëtar, vjedhjes së 250 mijë votave që iu firasën demokratëve, qindra tonëve kanabis në magazinat e shtetit e mijëra postimeve dhe deklarimeve të bëra nga ish udhëheqësi ynë për çdo minutë. Tani këto akuza janë bërë të zakonshme. Ashtu siç janë bërë bajate dhe thellësisht të pamoralshme.

 

Komente pa asnjë moral, pa asnjë vërtetësi. Shpifje të pastra politike. Flet në konferenca, herë nga tribuna e SHQUP-it e foltorja e kuvendit me vendas e të huaj. edhe Lulzim Basha. Ka ditë që ky politikan, pa vrarë mendjen për dëmet që sjell, pa as më të voglën vrasje ndërgjegje, pa menduar dy herë u fryn borive me akuza monstruoze se buxheti i vitit 2018, i cili është në proces diskutimi dhe debatesh në komisionet e kuvend për t`u miratuar, është anatemuar dhe paraqitur si një buxhet që vjen nga paratë e krimit, kanabisit, i financuar nga droga dhe klientët e pushtetit. Dhe si kurrë më parë fajson për këtë buxhet dhe bën palë edhe vetë bankat që janë institucione që nuk varen nga qeveria, të kontrolluara rreptësisht nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet më prestigjioze botërore. Basha, buxhetin e paraqet si të ishte një veprimtari e një grupi kriminal që financon për ndërtime e aktivitete të jashtëligjshme dhe jo si një veprimtari serioze të studiuar e argumentuar shkencërisht, të balancuar me të ardhurat dhe shpenzimet, duke përcaktuar rigorozisht burimin e të ardhurave dhe sektorët ku do kryhen shpenzimet. Pikërisht këtë buxhet dhe veçanërisht risinë e këtij viti që po troket, ku parashikohet fondi i investimeve një miliard dollarë e ka vënë në alarm opozitën. Ajo do donte që këtu të kishte: Zero investime. Zero reforma. Asnjë rritje page. Asnjë metër rrugë. Asgjë në shkolla. Në rilindjen urbane. Minus në turizëm. Përmbysje të shëndetësisë. Jo lulishte. Jo ujitje. Jo kullim. Shkurt jo të bëhej gati autostrada, ku të eci zhvillimi, po të parakalojë triumfalisht opozita drejtë fronit qeveritar. Se opozita jonë gëzon jo kur arrihen suksese, jo kur bëhet diçka për këtë vend, po kur regjistrohen dështime. Dhe opozitarët tanë, piedestale ngrenë vetëm për të këqijat. Humbjet. Dështimet. Ata janë Kasandrat që luten përditë, që këtu të mos ketë as ujë, as bukë, as shkollim, as energji, as investime. Dhe në mungesë të zhvillimit të mbajnë fjalime.

Është kjo sjellje amorale, e pandershme, keqdashëse, nihiliste, mohuese, përpjekja e liderëve të opozitës tonë për të na mbushur mendjen se nuk janë paratë e ekonomisë tonë kombëtare, që qëndrojnë në themel të buxhetit të shtetit, po vjedhja me të cilën qeveria kërkon të legalizojë këtë ekonomi kriminale. Dhe për t`u bërë më interesant, si një lider që ka mbështetje ndërkombëtare, Basha lutet dhe i bën thirrje FBI-së, DEA-s e prokurorisë të hetojnë për këtë buxhet që ai e konsideron as më shumë e as më pak, si një buxhet të mafies, të mbështetur nga paratë e krimit. Buxhet kriminal. Dhe lë mënjanë faktin që buxheti i shtetit është i kontrolluar, jo vetëm nga strukturat financiare dhe mbështetet në tregues të strukturuar e të kontrolluar nga bankat dhe organet e specializuara të shtetit, por edhe nga FMN-ja etj. Po për Lulzim Bashën, kjo nuk ka fare rëndësi. Për të, vlera qëndron tek ajo që ai përfiton për kreditet që shton para militantëve. Edhe pse me qëndrime amorale politike, ai e mendon veten se pas kësaj zhurme llogaritet një burrë shteti, i fortë i paepur, trim dhe i shumë ditur që arrin të shigjetojë qeverinë, ta paraqesin atë para shqiptarëve e ndërkombëtarëve si qeveri të kriminalizuar. Në të njëjtën linjë janë edhe ortakët opozitarë, Monika, Petriti e Spahiu. Vijojnë me deklarata e etiketime pafund. Me sharje. Me britma. Akuza.

 

 Dhe amoraliteti politik vazhdon. Largimi i Visho Ajazit nga kryetar i SHISH ishte sipas PD-së rezultat i presionit të qeverisë. Dhe u sollën për këtë informacione sipas të thënava, të dëgjuarave, të treguarave. U quajt shmangie e njeriut që dinte shumë. Emërohet në një detyrë të rëndësishme dhe përsëri fajtore është qeveria. Me cilin variant është opozita? Cilin quan korrekt? Ikjen nga SHISH apo emërimin ambasador? Nëse do i referoheshim disa prej qëndrimeve të opozitës tonë, qoftë dhe brenda një dite do kuptonim sa e papërgjegjshme dhe e pamaturuar është kjo opozita jonë, e cila nuk e ka për gjë që të hedhë tymuese dhe të operojë me të pavërteta flagrante në çdo dalje publike të liderëve opozitarë ose të zërave të tjerë që ngarkohen nga partitë e frontit të bashkuar që synojnë vetëm të baltosin gjithçka pa pasur asnjë ndroje. Gjithçka që thuhet, vishet me një amoralitet të pistë. Dhe për ta kuptuar këtë nuk ka pse të gërmosh thellë nëpër fjalimet e liderëve tanë opozitarë. Mjafton të ndalesh për pak sekonda para ekraneve televizive, të ndjekësh logjikën në debatet e kundërshtimet në mediume e portale, në ballafaqime nëpër studiot televizive. Le pastaj të hapësh postimet e komentet e tyre në Facebook dhe kudo që të ndodhen. Për të bërë opozitë në këtë vend ka mijëra probleme. Me pak vëmendje mund të përzgjidhen shumë raste që janë flagrante dhe të mirëpritura në popull.

Populli kërkon që në denoncimet e liderëve tanë politikë të gjejnë hallet e shqetësimet e tyre. Jetën e përditshme. Mungesat. Problematikat në shërbime. Punësimin. Investimet. Korrupsionin. Po kërkojnë ndershmëri dhe besueshmëri kur iu drejtohen. Jo ti marrin sikur të ishin një kope që hanë çdo bar t`u hedhësh përpara. Po jo, këto denoncime nuk i shërbejnë opozitarëve tanë. Se ata kanë tjetër axhendë. Nuk kanë atë hall që ka populli. Se qëndrojnë mbi të dhe shumë herë e shikojnë nga lart e larg. Këto nuk i shërbejnë liderëve tanë politikë, iu duken pa peshë. Nuk janë sensacionalë. Nuk godasin në shenjë, ashtu siç i bëjnë ata llogaritë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, arrijnë deri në akuza bajate, që janë të denja për adoleshentët në lojë luftash. E vodhën. I vodhën me porosi të qeverisë me nxitje të mazhorancës. E vranë me shenjë të Ramës. Zbatuan urdhërin e tij. Të folurit në këtë mënyrë i ka bërë liderët opozitarë pa asnjë përmbajtje. Pa gjak në faqe. Edhe më keq i ka prezantuar në publik me qëndrime të dyfishta.Ca politikanë që ndryshojnë ngjyrë dhjetëra herë në ditë. Dhe nëse në podiume, paraqiten si realistë, janë vetëm populistë. Kështu edhe pse i dënuar, kryabashkiaku i Mallakastrës u mor në mbrojtje nga liderët e “ndershëm” të opozitës. Doemos është gjak blu. Nuk u tha asnjë fjalë për gjyqtarin Miri që u arrestua për korrupsion me miliona. Është i yni. Ashtu, siç është bërë në tërë këto vjet. Është ndjekur kursi, je i kundërshtarit, dërrmoje, shkatërroje, copëtoje, denigroje. Është i yni, mbroje, dekoroje, lavdëroje, ledhatoje. Dy qëndrime për të njejtin faj. Dhe të vjen vërtetë çudi se si këta kampionë të “ndershmërisë e “korrektesës” në fjalë e simbolika, bëhen kaq qesharakë e amoralë kur vjen puna te politika./sot

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00