Home | Opinion | Ajo dhe ndryshimet

Ajo dhe ndryshimet

image
Të lehta janë shenjat se gjërat nuk do të ndryshojnë: për dallim prej çdo vendi europian, pagat në sektorin publik janë më të larta se nga sektori ku i marrin, ai privat.

 

 

 

Veton Surroi

 

 

 

 

Të lehta janë shenjat se gjërat nuk do të ndryshojnë: për dallim prej çdo vendi europian, pagat në sektorin publik janë më të larta se nga sektori ku i marrin, ai privat.

 

1.

 

Dakord, nuk do të ketë ndryshime.

 

Ky konstatim i ka, në formë të thjeshtësuar, dy lexime fondamentale. Njëri, për atë që u frikohet ndryshimeve, apo nuk i do, duhet të jetë lehtësues. I dyti, për atë që i do ndryshimet, duhet të jetë zhgënjyes.

 

Fjala shkencore për frikën nga ndryshimet, "Metathesiofobia", është aq e vështirë për ta mbajtur mend, saqë duket si të jetë e dizajnuar për të frikësuar çdokënd për ndryshime. Por, në Kosovë nuk ka nevojë të madhe për frikësim, sepse sistemi vazhdon të ushqehet me forcë që dekurajon apo pengon ndryshimin. Këtë e tregojnë edhe hapat e parë të Qeverisë së Kosovës. Mjafton për t'i lexuar shenjat e para në administrim, ekonomi e financa; ato janë indikatorë të drejtimit të mëtejmë të pushtetit.

 

Ajo që u frikohet ndryshimeve mund të flejë rehat. Ajo që i do ndryshimet ka arsye të brengoset.

 

2.

 

Ajo, qytetare e këtij vendi, që nuk i do ndryshimet ka arsye të jetë e qetë, sepse hapi i parë i kësaj Qeverie ka qenë themelimi i 21 ministrive dhe pastaj mbushja e tyre me militantë në formë zëvendësministrash e këshilltarësh. Në një ndarje të thjeshtë konceptuale pushtetesh, kjo formë e qeverisjes quhet ekstraktive (nxjerrëse), pra shërben për t'i përmbushur nevojat e pushtetarëve. Ata që janë pjesë apo afër pushtetit, pra ata që nuk duan ndryshime, kanë arsye për të mos u brengosur.

 

Ajo që i do ndryshimet ka, natyrisht, arsye pse të brengoset. Qeverisja, e cila brengoset për veten, nuk ka kohë, energji e as invencion të merret me nevojat e të tjerëve. Kostoja e mospasjes së një qeverisjeje inkluzive, të pavarur nga feudet politike, e tejkalon koston e rrogave, mëditjeve, shëtitjeve, veturave e shpenzimeve të tjera të kota që i bën pushteti: Qeveritë nxjerrëse jo vetëm që shpenzojnë paranë publike, por edhe kohën e pakthyeshme.

 

Ajo që nuk i do ndryshimet ka arsye të jetë e qetë, sepse hapi i dytë i kësaj Qeverie ka qenë rrëfimi i intencave ekonomike nëpërmjet Projektbuxhetit të vitit 2018. Në formë të thjeshtësuar, projektbuxheti garanton se do të jetë i drejtuar nga mirëmbajtja e gjendjes ekzistuese, meqë nuk ekzistojnë indikatorë të ndryshimit në të. Nga brumi i njëjtë nuk do të dalë bukë tjetër.

 

Ajo që i do ndryshimet ka arsye të jetë e brengosur. Mirëmbajtja e gjendjes ekzistuese ka, së paku, edhe dy kosto ekonomike të shtuara, pos mungesës së zhvillimit. Pra, jo vetëm se nuk do të ketë më shumë zhvillim, por synohet të shpenzohen mjetet e ardhmërisë (nëpërmjet rritjes së borxhit të brendshëm) dhe mjeteve të së kaluarës (nëpërmjet përdorimit të mjeteve nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës).

 

3.

 

Ajo që do ndryshime ka arsye plotësuese të brengoset. Ajo, në një ekonomi e cila është e pabarabartë ndaj shumicës së popullatës, pra që është diskriminuese, e ndien atë diskriminim edhe më shumë. Nëse punësimi është i ulët, te ajo është edhe më e ulët. Nëse arsimi është i keq, te ajo ndihet më shumë. Nëse perspektiva është e zymtë, ajo e ndien më tepër se ai.

 

Janë disa indikatorë që shërbejnë për të parë se a do të ketë ndryshim apo jo, dhe ja dy që mund të shërbejnë lehtësisht.

 

Njëri është kujdesi për "të vetët". Qeveria ka paralajmëruar se në politikën e pagave do të vazhdojë pa ndryshime, pra do të ketë rritje të pagave në sektorin publik. Kosova kështu do të vazhdojë të jetë i vetmi vend në Evropë ku pagat në sektorin publik janë ( në mesatare 555 euro), më të larta se në sektorin privat (ku paga mesatare është 416).

 

Kur një qeveri konsideron se paga në sektorin publik mund të rritet jashtë kritereve ekonomike, atëherë këtë e shndërron në parim qeverisjeje. E pasojat e një parimi janë parë thellësisht në qeverisjen e PDK-së pas shpalljes së Pavarësisë, ku buxheti është konsideruar thesar privat/partiak dhe ku nuk ka ekzistuar as edhe një mendim minimal i politikave zhvillimore.

 

I dyti është shkalla e rritjes ekonomike. Në mënyrë që ajo të ketë perspektivë, vendi ka nevojë për shkallë të rritjes ekonomike prej 7 për qind. Me këtë shkallë bëhet ndryshimi në punësim; mbërrihet shkalla kritike ku ekonomia mund të integrojë në tregun e punës kontingjentin vjetor e të rinjve të papunë që e prodhon kjo shoqëri. Me këtë shkallë tregohet se e tërë shoqëria ka filluar të funksionojë: Qeveria është e përcaktuar për zhvillimin e sektorit privat, rendi dhe ligji garantojnë afarizëm, sistemi shkollor prodhon mësim në vend të diplomave. Kjo Qeveri nuk ka mundësi as të mendojë për një shkallë të rritjes prej 7 për qind, prandaj kjo shifër nuk i afrohet majës së gjuhës.

 

4.

 

Modeli ekonomik i Kosovës është pak a shumë ky. Sektori ynë më i fortë ekonomik, diaspora, na dërgon para. Ato para futen në konsum të brendshëm, i cili krijon një vlerë të shtuar. Ajo vlerë e shtuar krijon paratë e buxhetit, që rishpërndahen për rroga në sektorin publik dhe në prokurim publik sektorit privat që është i afërt me klanin/partinë. Ky model krijon rritje prej 3 për qind dhe në agjendë publike presionin që vizat të liberalizohen në mënyrë që të iket sa më shpejt dhe lehtë nga ky vend; në mënyrë që të kemi më shumë para nga diaspora.

 

Ajo që do ndryshim ndoshta do të ketë rast vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse ka, ndoshta dy pyetjet më të rëndësishme mund të jenë: si të rriten rrogat në sektorin privat (tej atij publik) dhe si të rritet ekonomia me shtatë për qind në vit. © KOHA Ditore

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00