Home | Opinion | Rruga për në BE kalon nga “Big Mack-u” Rama-Basha

Rruga për në BE kalon nga “Big Mack-u” Rama-Basha

image
Sot po shohim se Associimi në BE është më afër se kurrë, dhe se paskësh qenë fare e thjeshtë nëse vetë liderët kryesorë politikë do të kishin vënë si prioritet Shqipërinë dhe jo tepsinë e privilegjeve politike dhe materiale.

 

      

 

 

Nga Pirro Prifti

 

 

 

U shkruajt shumë për marrëveshjen e shumëpritur të datës 18 maj 2017, kur në orën 1.22 minuta të kësaj date të dy shtatlartët e politikës shqiptare dolën para kamerave të mediave të Tiranës, me buzëqeshje të ndrojtura midis seriozitetit të dy kryetarëve të partive më të mëdha dhe dy kryetarëve të koalicioneve më të mëdha. Rezultati ishte më në fund një kompromis i domosdoshëm duke i dhënë fund konfliktualitetit të vazhdueshëm midis tyre. Rezultati u pa pak më vonë tek populli shqiptar, i cili mori frymë lirisht ndoshta për herë të parë pas katër viteve të trazuara suksesi për koalicionin e majtë dhe dështimesh sipas koalicionit opozitar.

 

Opinioni mediatik (përfshi dhe mua) u përfshi gjatë gjithë kësaj kohe qoftë duke llogaritur ndershmërisht rezultatet e qeverisjes së koalicionit të majtë, qoftë duke akuzuar me pagesë të njëjtin koalicion nga opinionistët tashmë të pabesueshëm, qoftë duke dhënë përgjigje nëpër portalet, Facebooku, e më pak Twitter, rëndësia e të cilave është tashmë e padiskutueshme në raport me gazetat që lexon Bashkimi tek News 24 tv, dhe të tjerët në tv e tjera private apo TVSH, i cili me thënë të drejtën është përmirësuar jashtëzakonisht me ato shtatë kanalet e saj.

 

Sot pas 6 ditësh, situata është më e qetë dhe njerëzit më në fund po shohin realitetin në vend të internetit, po shohin punën e tyre në vend të debateve mllefnxjerrëse, po vërejnë me kujdes se ndërkombëtarët BE dhe SHBA janë realisht të interesuar që Shqipëria të jetë në BE dhe pjesë e familjes së madhe europiane, po kuptojnë se britmat e vetmuara kundër disa individëve përfaqësues të familjes europiane, ishin si britmat e një të sëmuri të pashpresë që fajëson këdo përveç fatit të tij të keq, që mbeti në karakterin e tij si ish-spiun, apo servil i shefit të vjetër e të ri, apo amoral në gjithë kuptimin e plotë të fjalës.

 

Sot po shohim se Associimi në BE është më afër se kurrë, dhe se paskësh qenë fare e thjeshtë nëse vetë liderët kryesorë politikë do të kishin vënë si prioritet Shqipërinë dhe jo tepsinë e privilegjeve politike dhe materiale.

 

Por, më mirë vonë se kurrë; me ndihmën e BE dhe të SHBA sidomos të “buldozerit” Jee, i cili vuri pikat mbi “i” opozitës, dy përfaqësuesit e politikës konfliktuale shqiptare që bartnin jo për faj të tyre të tërë difektet e drejtimit të Shqipërisë, arritën të bënin kompromisin që shuan urrejtjen, kompromisin që venit shpresat e armiqve të brendshëm e të jashtëm të Shqipërisë, kompromisin që inkurajon shpresat për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kompromisin që mund ta bëjë Shqipërinë një vend normal.

 

Mund të thuhet pa frikë se paketa e kompromisit “Big Mac” arriti që të mundësojë për herë të parë zgjedhje të ardhshme të pakontestuara, fillimin e veprimit të Vettingut, rregullimin e KQZ, dhe disa ndryshime të mundshme kushtetuese, por për më tepër populli shqiptar i majtë apo i djathtë, i qendrës apo lara-lara, i politizuar deri në palcë dhe vende-vende i indoktrinuar që prej 26 vitesh, mund të shohë se përtej konfliktualitetit paska dhe qetësi, paska mirëkuptim, paska shpresë se “të paprekshmit” do të mund të preken ligjërisht, se investimet mund të vijnë më të shumta, se BE dhe SHBA e kërkojnë Shqipërinë medoemos në familjen e madhe europiane perëndimore, dhe shqetësohen seriozisht nëse konfliktualiteti pengon këtë integrim.

 

Mbrëmë, në mënyrë zhgënjyese dëgjova një politikan e deputet që donte të bënte fushatë në parlament për partinë e tij duke zhvendosur qëllimisht objektivat e kompromisit me problemet e pazgjidhura të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke ngatërruar dhe mbivendosur problemet e grumbulluara prej vitesh të papunësisë dhe emigracionit me përgjegjësitë e koalicionit drejtues, kanabisin me kryetarët dhe ish kryetarët e partive, varfërinë me përfaqësuesit parlamentarë. Shkrepësja e urrejtjes nuk ndezi mbrëmë, sepse të dy përfaqësuesit e partive kryesore i dhanë një përgjigje të merituar, madje vetë krye-konfliktuesi prej vitesh Berisha, u soll për herë të parë si një Kryepaqedashës me batutën e tij (dashuri-xhelozi politike), dhe përfaqësuesi i LIBRA-s, për herë të parë humbi pothuajse të gjitha pikët që kishte fituar këto muaj në kurriz të partisë mëmë, të cilën e tradhtoi si një Don Zhuan i vjetër pa asnjë brerje ndërgjegjeje, megjithë vrerin e trashë të derdhur porsi ajo Kobra në kohë vere, duke përdorur poshtërsisht dhe pa asnjë kuptim disa vargje të Nolit me katundarë dhe punëtorë, e cila bëri efekt të kundërt.

 

Shpresojmë që ky kompromis i dy partive më të mëdha të vendit, të vazhdojë të qëndrojë edhe pas zgjedhjeve, madje edhe me një koalicion pas zgjedhor midis PD dhe PS, i cili duhet të vazhdojë deri në përfundimin dhe realizimin e të gjitha detyrave të shtëpisë të lëna nga BE, pra deri kur BE të japë miratimin për associimin e Shqipërisë në të, pra integrimin përfundimtar të Shqipërisë në BE.

 

Më vonë le të bëhen zgjedhje të reja kur lufta politike të hyjë në hullinë normale të rotacionit politik demokratik. Mendoj se kjo periudhë, ku pavarësisht fitores ose jo të njërës apo të tjetrës parti kryesore, të vazhdojë për hir të integrimit të Shqipërisë të drejtojnë vendin me këtë koalicion PS-PD, në dukje të pazakontë të ardhshëm por të domosdoshëm për integrim.

 

Opozita për këtë periudhë le të bëhet nga LSI dhe parti të tjera, të cilat gjatë gjithë kohës nuk kanë qenë të sinqerta në luftën e tyre politike për një kohë të gjatë, duke nxitur apo bërë hipokritin vetëm e vetëm që të përfitonin pjesë të tepsisë së privilegjeve dhe të posteve, në dëm të Shqipërisë. Aq më tepër që LSI ka gati 10 vjet në pushtet dhe e ka të domosdoshme të rrijë në opozitë jo vetëm për t’u rifreskuar politikisht, por edhe për të projektuar një program real për të luftuar e fituar në zgjedhjet e ardhshme dhe jo duke bërë pseudo-programe copy-paste me ato të PS.

 

Së fundmi mendoj se Vettingu dhe reformat e tjera duhet të vazhdojnë fuqimisht, në mënyrë që burimi nga i cili rrjedh ujë i pastër, të mos ndotet poshtë, por në rradhë të parë të mos ndotet aty tek burimi, në të cilin deri më sot kanë futur hundët dhe e kanë ndotur për 26 vjet plot “të paprekshëm”, “të fortë”, gjykatës e prokurorë, ministra e kryeministra, apo dhe kryetarë kuvendi e presidentë.

 

Është e qartë se BE dhe SHBA nuk presin as republike të re apo republikë të leshit, por ndryshimin dhe integrimin për në BE.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00