Home | Opinion | Politika si biznes, jo në shërbim të popullit

Politika si biznes, jo në shërbim të popullit

image
Ç’nuk po ndodh në këto ditë, kur të gjithë ia kanë mësyrë partive për të gjetur ndonjë qoshe punësimi. Jo për gjë tjetër i duan partitë. Deri këtu ka arritur puna. Në fund të fundit, partitë janë bashkime vullnetare mbi bazë programi, rregullash e qëllime të përbashkëta...

      

 

 

Nga Riza Hoxha

 

 

Të paktën ne shqiptarët e kemi mësuar gjatë këtyre viteve të demokracisë, se politika është kthyer krejtësisht në biznes, vetëm jo në shërbim të popullit, por të një klani oligarkësh të familjes në pushtet. Edhe këto ditë, partitë kanë ndezur të gjitha bateritë në kërkim të votave që u mundësojnë rritjen e fitimeve të familjes së tyre. Premtimet janë aq të mëdha sa deri tani nuk i kishte rrokur as mendja më e shëndoshë e shqiptarëve. Premtime si, “fillimi i marshimit të Republikës së Re”, “dyfishimi i pagave”, “ulja e çmimeve”, punësimi i 100 mijë të rinjve, bile të mirëpaguar” etj., për shqiptarët e stërvarfëruar janë si qershia mbi tortë.

 

Problemi është sa u besojnë shqiptarët këtyre partive? Sepse e dimë të gjithë, se politika është kthyer në një biznes mjaft fitimprurës. Ndaj të gjithë ia kanë mësyrë të bëhen pjesëmarrës aktivë të saj. Kështu e gjithë rinia në mungesë të fronteve të punës, ia ka mësyrë të bërit politikë. Ndërsa shumë nga plaçkaxhinjtë e këtyre 27 viteve, edhe pse e dinë se as nuk duan t’ua shohin më sytë shumica e shqiptarëve, nuk e lëshojnë llogoren e politikës. Me politikë kanë nisur të merren edhe shumë prej plazhistëve të Durrësit që janë përzënë, apo po përzihen nga e ashtuquajtura Drejtësi albaneze.

 

Në gjithë këtë vorbull zallamahie, shqiptarëve u ka humbur i gjithë besimi te politikanët. Ndaj besojnë vetëm në humbjen e tyre. Kjo është edhe arsyeja që të gjithë ia kanë mësyrë largimit në emigracion. Ku të mundin, vetëm të largohen larg Shqipërisë. Një e vërtetë mjaft e hidhur. “Me këta politikanë që kemi nëpër këmbë, humbësit e vërtetë jemi ne shqiptarët. Këta e dimë të gjithë. Vetëm oligarkët dhe palo klasa politike bën sikur nuk di gjë dhe i mbyll të dy sytë”, thonë me një zë të mekur të varfërit shqiptarë. 

 

 Janë këta politikanë që kemi mbi krye, që i kanë kthyer partitë politike në ndërmarrje private në shërbim të familjes së tyre. Dhe këtë e kanë bërë të ditur edhe me statut të Partisë, se nuk e lëshojnë kryetarllëkun. Ata janë kopjuar edhe nga lloj-lloj presidentësh të sindikatave, sa tashmë sindikatat i kanë kthyer në kërma. Se në ç’gjendje groteske ndodhemi ne shqiptarët po e shohim qartësisht edhe këto ditë, kur kryetarët e partive kanë shpallur listat e kandidatëve. Në vend që të nisin ritualin e premtimeve që nuk i realizojnë ndonjëherë, vazhdojnë prej ditësh të grinden me njëri tjetrin për arsye se, emri në listën e kandidatëve për deputetë është vendosur nga kryetari i partisë, i atij që ka paguar më shumë. Dhe bëhet fjalë për shuma stratosferike që i kalojnë të 500 mijë eurot. Sa të vërteta janë këto shifra që tashmë janë nxjerrë nga media më mirë i dinë vetë drejtuesit e partive, që para se të kërkojnë votën, duhet të kalojnë në një Vetting të pastërtisë së tyre.

 

Këto ditë po shohim fenomene krejt qesharake. Kandidatë që japin dorëheqjen se nuk u pëlqen vendi ku kryetari i ka caktuar, pasi nuk dalin deputetë. Ndaj ata në majë të gjuhës kanë akuzat kundrejt kryetarit. Të tjerë militantë që kryetari i ka përzënë, kërkojnë ngritjen e gjithë militantëve kundër kryetarit. Qesharake, kur tani jemi në vorbullën e fushatës, anëtarët e njërës parti kanë zënë të grinden me njëri tjetrin. Hajde pastaj, jepu votën këtyre me besimin se mund të të zgjidhin ndonjë punë. Këta nuk dinë të zgjidhin as punët e tyre, pa le tonat. Duket se ata dinë vetëm të qëndrojnë ndonjë orë në çadër duke luajtur domino.

 

Ç’nuk po ndodh në këto ditë, kur të gjithë ia kanë mësyrë partive për të gjetur ndonjë qoshe punësimi. Jo për gjë tjetër i duan partitë. Deri këtu ka arritur puna. Në fund të fundit, partitë janë bashkime vullnetare mbi bazë programi, rregullash e qëllime të përbashkëta dhe jo subjekte private që u shërbejnë vetëm pak personave për qëllime punësimi, apo fitimi.

 

Se po ndodh kështu, pa ne të varfërit po i votojmë oligarkët parelinj që u kanë mbushur xhepat kryetarëve të partive për t’i vënë në krye të listave. Të tillë deputetë, dihet që nuk do të na shërbejnë neve, po xhepit të tyre. Pasi çfarë si kanë dhënë kryetarit të partisë duhet ta zëvendësojnë, që më pas, të qetë të vazhdojnë të pasurohen ata dhe familja që qëndron në pushtet.

 

Ka ardhur koha ta kemi ndër sy të vërtetën e hidhur. Gjatë këtyre 27 viteve, nuk kemi mundur as t’i afrohemi demokracisë. Këtë duhet ta pranojmë ne shqiptarët. Ndërsa varfëria ka ardhur duke u rritur. Demokracinë do ta kemi gjithnjë larg. Përderisa vazhdojmë t’ia japim votën një farë klase politike që politikën e ka kthyer në një biznes krejtësisht fitimprurës për vete, për grupin e oligarkëve, që së bashku kanë ndërtuar një pushtet të çuditshëm familjar që nuk gjendet kund tjetër në këtë tokë. Në këto kushte, ne shqiptarët vetëm varfërohemi, ndërsa as nuk duhet të pretendojmë se mund të na vijnë ditë më të mira. Të paktën jo me këtë klasë politike, me të cilën ditët e mira duket se do t’i kemi shumë larg.

 

Vazhdojmë të lëvizim përmes varfërisë edhe pse e kemi politikën në plan të parë. Nga mëngjesi në mbrëmje merremi me të, aq sa na është bërë kryefjala e të gjitha bisedave tona. Të gjithë e vlerësojmë si biznesin më fitimprurës. Ndaj dhe fëmijët drejt asaj rruge i drejtojmë. Është kjo arsyeja që adoleshentët janë angazhuar thuajse masivisht në një forcë politike. Vetë të rinjtë, ende pa mbaruar arsimin e mesëm tregojnë: Prindërit na e kërkojnë angazhimin me një parti, jo s’e ne na djeg shumë malli. Po kështu na thonë. Është e vetmja mënyrë që të mund të punësohemi. Dhe te ne punësimi është kthyer në një ëndërr për gjithë të rinjtë si ne. Punësimi është kthyer në shqetësimin kryesor të familjeve shqiptare. Është kjo arsyeja që pjesëmarrja në politikë po shihet si një domosdoshmëri për t’u punësuar, apo për të zgjidhur çfarëdo problemi që të lind. Kjo pasi, Drejtësia që duhet të funksionojë normalisht për ndërtimin e shtetit, te ne ende ajo nuk ekziston, ndërsa vazhdon të drejtohet nga një grup oligarkësh. Janë këta që edhe klasën politike e kanë orientuar drejt klanizmit. Të gjitha Partitë janë ngritur mbi baza klanore duke e çuar Shqipërinë drejt një katastrofe të papërsëritshme. Pas 27 vitesh vazhdojmë të jetojmë në një varfëri mbytëse, që po na detyron të largohemi ku të mundim. Të paktën të shpëtojmë fëmijët. Deri në këtë stad ka arritur puna për ne shqiptarët. Të mundim të shpëtojmë brezin e ardhshëm. 

 

Ky është një realitet, që klasa politike po përpiqet t’i minimizojë pasojat negative të saj. Aq sa edhe në këto zgjedhje optimizmi në fitore i ka mbërthyer të gjithë. “Jemi forcë e parë”, thotë LSI. “Ne po ngremë Republikën e Re”, thotë PD. “Do vazhdojmë qeverisjen dhe zbatimin e reformave”, thotë PS. Me pohime të tilla që nuk kanë asgjë nga e vërteta, secila palë kërkon karrigen e pushtetit për familjen e saj. Sepse karrigen e pushtetit e konsideron një biznes fitimprurës. Për vete, oligarkët dhe familjen. Ndërsa për ne shqiptarët gjithçka është një humbje dhe varfërim i mëtejshëm.

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00