Home | Opinion | Një protestë e pamotivuar dhe absurde

Një protestë e pamotivuar dhe absurde

image
Thelbi i veprimtarisë opozitare aktuale është një dhe vetëm një sabotim i reformës në drejtësi si faktor vendimtar për çeljen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE. 

 

      

 

Nga Pali Nito

 

 

 

Në një vend demokratik, protestat e sidomos protestat e motivuara e të justifikuara janë një dukuri e zakontë dhe krejt normale, madje ato i bëjnë freski dhe i japin frymëmarrje zhvillimit të mëtejshëm të demokracisë. Por kjo protestë e tejzgjatur dhe kryeneçe që po rroket të vazhdojë edhe më gjatë, duket katërcipërisht që nuk ka kurrfarë motivi. Në fjalimet bajate të kryetarit të opozitës para protestuesve, si shkak renditen disa problematika si papunësia, korrupsioni e varfëria, krimi i organizuar e kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike etj. E vërteta e padiskutueshme është se këto qëndrojnë, dhe mazhoranca qeverisëse mund e duhej të bënte më shumë. Por më gjeni një vend në rajon, në Europë e më gjerë ku të mos ketë të papunë, të varfër, ku të mos ketë korrupsion, krim të organizuar, vjedhje banesash, apo kultivim dhe trafikim të kanabisit, trafikim të armëve, të municioneve, të lëndëve plasëse dhe qënieve njerëzore. Madje  jo vetëm që nuk gjen vend ku të mos ndeshesh me çështje të tilla, por me këto problematika ballafaqohen shtete të fuqishme e moderne si Gjermania, Franca, Italia, Anglia dhe SHBA. Gjithashtu, kujtoj se problematika të tilla në kohën kur qeveriste Partia Demokratike kanë qënë tronditëse e dramatike dhe ku e ku me këto të sotmet. Kur qeveriste e djathta nuk futeshe dot në Lazarat dhe tashmë falë punës vetëmohuese të Policisë së Shtetit, Lazarati ra dhe Lazaratë të tjerë po bien dhe do të vazhdojnë të bien, pikërisht atëherë ndodhi shpërthimi nuclear në Gërdec pak kilometra larg Tiranës, ku humbën jo pak por 30 qytetarë të pafajshëm midis tyre edhe fëmijë që luanin në oborrin e shtëpisë e që ishin në botën e tyre fëminore si dhe u plagosën dhe u gjymtuan 300 qytetarë si dhe u krijuan dëme të konsiderueshme ekonomike, materiale dhe financiare dhe ekologjike. Nuk vonoi shumë dhe kjo ngjarje u pasua me 21 Janarin e turpshëm ku u vranë 4 qytetarë të pafajshëm thjesht dhe vetëm se po protestonin paqësisht në bulevardin Dëshmorët e Kombit para Kryeministrisë, e që për ironi të fatit askujt nuk iu fut gjemb në këmbë.

 

Në këtë rast kishte motiv për protesta, por opozita e atëhershme nuk preferoi protesta ndoshta gjykoi të ruante stabilitetin e vendit. Krerët opozitarë në fjalimet zhurmuese e fare bajate shpesh dhe fare pa doganë, përsërisin refrenin e rëndomtë se vendin e ka pllakosur varfëria dhe e ka mbuluar kanabisi. Ju kujtoj zotërinjve opozitarë se vendi nuk u varfërua në këto afro 4 vjet qeverisje, por varfërinë e thelloi rënia e firmave piramidale. Po kështu, fenomeni i kanabisit është mbartur prej kohësh të paktën qysh nga viti 2000 e ndoshta edhe më herët. Gjithashtu zhurmohet jo pak për emigrimin e shqiptarëve. Me lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk emigrojnë vetëm shqiptarët por edhe grekët, maqedonasit, malazezët, turqit, serbët, rusët madje edhe italianët. Çdo kush mendon, përpiqet, lufton, mëson e punon për një jetë më të mirë.

 

Në këtë protestë absurde dhe qesharake po artikulohet pa ndërprerje dhe me kryeneçësi krijimi i një qeverie teknike kur dihet mirë nga kushdo se qeveria aktuale ka legjitimitetin e sovranit dhe do të qeverisë e palëkundur deri në 18 qershorin e ardhshëm.

 

Në fakt nuk do vërtetë qeveri teknike por një alibi për të bojkotuar Kuvendin dhe komisionet parlamentare në ditët më intensive të punës dhe aktivitetit të tyre. Thelbi i veprimtarisë opozitare aktuale është një dhe vetëm një sabotim i reformës në drejtësi si faktor vendimtar për çeljen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE. Ku mbi 90% e shqiptarëve e duan dhe e presin me padurim çeljen e negociatave. Kjo puna e kësaj proteste qesharake që po kalon, dhjetë ditëshin e parë i përshtatet ajo shprehja popullore “ç’po bën more Vasë, po qep thasë”. Pra është një protestë rutinë e fare banale me haengaxhinjtë ku nuk po mungojnë as konfliktet brenda radhëve të saj, bile nuk mungojnë as thirrjet për veprime të dhunshme si shponi gomat e makinave, thyeni xhamat, nxirrni jashtë, hiqini zvarrë dhe goditini me grushte. Thirrje të tilla as më shumë e as më pak dëshmojnë qartazi se kjo opozitë destruktive vuan nga sindromi i shkatërrimit dhe vandalizmit, shantazhit, baltosjes dhe nihilizmit, bojkotit dhe destabilitetit. Pavarësisht nga fakti se ende ka shumë punë për të bërë dhe për këtë mazhoranca qeverisëse është e sinqertë, e ndërgjegjshme dhe plotësisht e përgjegjshme për plotësimin e ambicieve të saj, por e theksoj se nuk ka motive dhe arsye për protesta zhurmuese dhe absurd pasi gjithçka është në normalitet, veprimtaria prodhuese vazhdon, buxhetorët dhe pensionistët paguhen rregullisht, madje pensionet nga 1 marsi rriten me 3% procesi mësimor vazhdon pa ndërprerje, aktivitetet artistike e sportive vazhdojnë rregullisht. Prandaj mos i lodhni dhe bezdisni qytetarët me protesta që nuk kanë kurrfarë motivi dhe arsyeje, por kthehuni jetës dhe veprimtarisë parlamentare dhe mos u bëni qesharak e karagjozë ordinerë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00