Home | Opinion | Shtëpia e Bardhë, ku bëhesh proshqiptar

Shtëpia e Bardhë, ku bëhesh proshqiptar

image
Fitorja e Trump zuri në befasi elitën politike perëndimore këndej dhe andej Atlantikut.Tani është koha e refleksioneve dhe kthesave, deri “180 gradëshe” prej politikanëve të përfshirë në këtë fushatë. Së pari nga vetë Trump...

 

  

 

Nga Artan Xh. Duka  

 

 

Fitorja e Trump zuri në befasi elitën politike perëndimore këndej dhe andej Atlantikut. Bile edhe atë vetë sepse hodhi shumë teza, deri edhe të bujshme dhe se tani i duhet t’i vërë në jetë. Nga muri, zbimi i myslimanëve, proteksionizmi në kurriz të tregtisë së lirë, rishikimi NATO-s etj “tabu”, deri diskriminuese, që do të fundosnin këdo politikan në perëndim. Si “underdog” (alternativë më pak e kuotuar për të fituar), u shpërfill nga elitat por ja që fitoi dhe verdikti i votuesit duhet respektuar. Jo se shumica është domosdoshmërisht e vërteta dhe e drejta (Jezusin e kryqëzoi shumica!) por se në demokraci vota është e vetmja “armë” për t’i dhënë dum gjërave dhe shansin për të votuar e kanë të gjithë. 

 

 Kohë piruetash!

 

Tani është koha e refleksioneve dhe kthesave, deri “180 gradëshe” prej politikanëve të përfshirë në këtë fushatë. Së pari nga vetë Trump. Që tashmë do flasë e veprojë si president dhe opozita ndaj tij, përtej demokratëve, janë dhe vetë republikanët sepse sistemi i kritikuar rëndë nga Trump është i shenjtë për ta. Amerika nuk ka qenë asnjëherë e vogël që të bëhet e madhe! Ajo ka qenë dhe do mbetet e madhe dhe këtë e ka bërë pikërisht ai “sistemi” që Trump deri dje e kritikonte, bile edhe ato “dinastitë” që identifikohen me elitën që sot përgojohet aq shumë. 

 

Individi ka një rol të caktuar por ama brenda sistemit dhe ky i fundit mbetet prioritar dhe ndryshimi i duhur vjen përmes evolucionit që bashkon dhe jo revolucionit autokratik që ndan. Amerika është një “autobus” që di ku shkon dhe nëse ndërrohet “shoferi” që vë rregulla të reja brenda tij, destinacioni mbetet i pandryshuar. Në këtë kontekst, Trump është i detyruar të zhgënjejë përkrahësit e tij në disa prej premtimeve bombastike që shpalosi në fushatë. Nuk ka rrugë tjetër. Kjo është natyra e politikës. Amerika nuk e ka opsion mbylljen në “guackë” dhe Trump nuk është thjesht presidenti i saj por i mbarë planetit që pret lidership prej tij. 

 

Kthesa “180 gradëshë” vlen edhe për kritizerët e tij. Sesa për përmbajtjen e kritikave, për tonin e tyre dhe anëmarrjen në fushatë. Politika shqiptare nuk është unikale në kalimin e cakut të etikës në kritikën ndaj tij. Këtë e bënë dhe plot të tjerë në perëndim por ndryshe nga ta, ne “tundëm derën” kot duke provokuar panevojshmërisht. 

 

Politika shqiptare duhet t’i japë fund “anëmarrjeve” patetike dhe deri provokuese sa me një palë apo tjetrën në perëndim, veçanërisht me partnerët historikë. Shpallja e preferencës brenda etikës politike nuk rëndon askënd por përfolja e palës tjetër vetëm të ekspozon. Edhe kur e ndjen apo e di se ke të drejtë! Sepse vjen një ditë… dhe vihesh në siklet dhe sikur të mos mjaftonte me kaq, nuk të lënë rehat as “mizat” e mencës së oficerave apo të rënët nga “fiku” që me “rregull treshi”, brohorasin “fitore” dhe trashin zërin më tej! Nuk kemi pse marrim anë në zgjedhjet në Amerikë në shpërfillje të etikës sepse në finale, aleanca jonë është me popullin amerikan dhe përfaqësuesit e tij në Kongres, Senat dhe Shtëpinë e Bardhë. Ndryshe në kandar nuk vihet thjesht imazhi i një politikani apo qeveritari por provokohet një partneritet historik dhe bashkë me të, fati i kauzës kombëtare në rajon. 

 

Më “anglez” me fushatat elektorale!

 

Një tjetër mësim që politika shqiptare duhet të nxjerrë prej zgjedhjeve në Amerikë është normaliteti në fushatat zgjedhore. Fushata alla-amerikane, përveçse e kushtueshme (këtu tek ne edhe me taksat e qytetarit), i jep prioritet emocionit dhe militantizmit ndaj debatit racional me kosto të lartë në kohezionin social. Model duhet të jenë fushatat zgjedhore në vëndet e “ftohta” të BE (Angli, Irlandë, Gjermani, Suedi etj) ku maksimumi i “ndezjes” së fushatës është bredhja me një autobus prej liderit partiak, ndalja diku në ndonjë shesh a fabrikë, hipja mbi një arkë ambalazhi dhe mbajtja e një fjalimi ku ka më shumë gazetarë se publik përqark! Të tjerat, në debatet televizive ku dominon argumenti dhe kurrsesi anatemimi dhe përgojimi pa fre. 

 

E sa për “populizmin”, votuesi nuk duhet paragjykuar dhe “elitat” nuk kanë kë të fajësojnë përveç vetvetes sepse braktisja dhe mospërfillja e interesit të qytetarit të dëshpëruar, çon ujë në mullirin e ekstremizmit dhe tundimit ndaj premtimeve populiste dhe zgjidhjeve me “shkop magjik”. Kështu ndodhi në Amerikë, kështu ndodhi me Brexit në Britani, kështu mund të ndodhë sërish në BE dhe zgjidhja nuk është adoptimi i politikave ekstreme për të ardhur apo mbajtur pushtet por parandalimi i qorrsokakut “populist” përmes reflektimit të shqetësimit qytetar. Kjo edhe përmes rinovimit të klasës politike (tek ne liderët partiakë janë bërë si monumente kulture) sepse “vegjetimi” pashmangshmërisht degradon në mbyllje në “kullën e fildishtë” dhe lëshim terreni ndaj ekstremizmit në politikë. 

 

Trump, shpresa e rradhës 

 

Ndonse Shtëpia e Bardhë tradicionalisht “konverton” e afirmon banorin e saj si proshqiptarin e rradhës, nisur nga tezat elektorale, zgjedhja e fundit natyrshëm mban pezull frymën për rrezikun e influencës ruse në Ballkan dhe efektet në kauzën kombëtare. Ndaj, është urgjente dhe prioritare për qeverinë dhe politikën shqiptare lobimi ndaj administratës Trump për të avancuar më tej momentin proshqiptar në rajon. “Sistemi” në Amerikë është dhe mbetet pro-shqiptar sepse është vetë në interesin amerikan dhe vazhdueshmëria e kësaj qasjeje prej presidentit Trump, do të ishte një garanci më tej për efektshmërinë e partneritetit historik. 

 

Vota për Trump, meriton respekt. Si agjent i ndryshimit, Trump e fitoi vetë shansin për të lënë gjurmë në histori. Qoftë dhe për katër vjet sepse nuk është njësoj si efekti “Brexit” në Britani që do shtrihet në breza të tërë. Si president, suksesi i tij duhet të gëzojë këdo në Shqipëri që beson dhe shpreson në partneritetin historik me SHBA. Ndahemi për shumë gjëra, paradoksalisht edhe nëse duhej apo jo që BE të na çelte negociatat për anëtarësim. Të mos ndahemi tani edhe për SHBA. Se kush e do më shumë!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00