Home | Opinion | Bursa ilegale e votës

Bursa ilegale e votës

image
Pra, pushteti nuk kalon nga vullneti i qytetarit, por nga vullneti i imponuar e tashmë i kriminalizuar politikisht, një rrugëtim i politikës në lëmin e krimit dhe ngërdheshja me të, e bën pushtetin politik një lloj...

 

 

 

 

 

Vota është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe ajo nuk mundet të tjetërsohet nga çmimi, presioni, vjedhja sepse është një gjë njerëzore e shenjtëruar nga Kushtetuta, vetë vullneti i qytetarëve dhe është pikërisht vullneti i poseduesit që i jep vetë votës fuqinë e përfaqësimit dhe legjitimimit të saj. Por, në Shqipëri gjithçka shitet, madje edhe vota. Ndonëse zgjedhjet parlamentare duan më shumë se tetë muaj për t'u mbajtur, çmimi i votës ka filluar të rrisë kurbën, madje ditët e fundit ka interes paraelektoral për të rezervuar vota duke e çuar një votë të shitet më shumë se një gram ar.

 

Dikur shqiptarët nuk e kishin këtë të drejtë të votonin të lirë, apo jepej në versionin e ushtrimit të saj në dy variante, një për pushtetin e vetëm, apo partinë e vetme që ekzistonte në diktaturë dhe variant tjetër ishte kutia e zezë, që ishte vota e armikut të klasës dhe nëse votonte, ishte përndjekja apo shpallja armik i pushtetit. Por më herët, madje shumë më herët se sa njerëzimi kish zgjedhur plebishitan, të drejtën e votës për të zgjedhur pleqërinë ajo ishte shumë demokratike, e hapur publike, vetjake dhe efikase, një pushtet që bënte ndryshimin për mirë ose për keq?!

 

Edhe kur vota u bë mundësi e plotë e qytetarëve shqiptarë ajo u bë monopol i disave, komisionerëve politikë, vota u bë preh e partive politike, e ndërrimit të koshit të votimit, apo e tjetërsimit të saj dhe në shumë raste në zona jo urbane, grupe politike dilnin me qen dhe ua ndërsenin komisionerëve që t’ju merrnin koshin e votimit, për ta tjetërsuar rrugës.

 

Në dekadën e dytë të post-diktaturës vota u kontrollua me një farë joshjeje, si vende pune, licensa, privilegje të pamerituara por edhe me një farë çmimi dhe çdo ditë e më shumë pesha e votës po rëndohet e përkthyer në çmim dhe e devijuar jo vetëm në destinacionin final, por dhe në qëllimin e saj në lindje.

 

Një votë kushton nga 20-150 mijë lekë, sipas zonave dhe garës së kandidatëve, madje ka pasur raste që një votë është shitur edhe 200 euro, dhe kryesisht është blerë nga kandidatë të pasur, që janë pasuruar jo për shkak të zotësisë së tyre por për shkak të përdorjes së shtetit si mundësi përfitimi, pra përfitimi i paligjshëm. Çmimi i votës bëri që të prisheshin ekuilibrat politikë në vend. Përgjithësisht në partitë politike kishte deputetë të pamerituar, pra jo të zgjedhur me vullnetin e qytetareve, por me një vullnet të imponuar nga varfëria apo i kushtëzuar nga faktorë të tjerë shtrëngues. Kjo ishte dhe arsyeja që partitë politike ofruan si kandidatë biznesmenët, njerëz që kishin mundësi të financonin fushatën e tyre, duke synuar votën si mundësi blerjeje dhe jo duke e përdorur atë si mundësi gjykimi përpallë alternativës.

 

Numri i politikanëve biznesmenë sot është në mazhorancë. Edhe në Parlament, deputetët renditen ndër më të pasurit në vend, por kjo sëmundje ka prekur edhe krerët e partive politike duke bërë që partitë të shiten e të blihen nga njerëz të fuqishëm të biznesit. Sepse ata kanë mundësi të blejnë një kuorum votash të mjaftueshme sa për të nxjerrë një apo dy deputetë, që në të ardhmen ti përdorin si pazar për kapjen e pushtetit në nivele të larta dhe në nivel vertikal si mundësi përfitimi për të shtuar bizneset e tyre, pra një biznes brenda biznesit, pikërisht me skemën e paligjshmërisë!

 

Biznesi është financuesi i paligjshmërisë politike, madje edhe i krimit të organizuar dhe më tej edhe i kultivimit të bimëve narkotike, sepse ata kanë kapitalin fillestar për të sposorizuar një biznes të paligjshëm me destinacion paligjshmërinë dhe me synim kapjen e votës, pra të pushtetit duke e bërë atë një cikël që përsëritet. Politika ka hyrë në fazën e dytë të paligjshmërisë, atë të përdorjes së metodave të financimit të krimit dhe përdorjen e këtij të fundit në radhë të parë si blerës i votës dhe pastaj si presion për votën, apo si gardë e së keqes për të marrë votën me mënyra shtrënguese.

 

Pra, pushteti nuk kalon nga vullneti i qytetarit, por nga vullneti i imponuar e tashmë i kriminalizuar politikisht, një rrugëtim i politikës në lëmin e krimit dhe ngërdheshja me të, e bën pushtetin politik një lloj bande që nesër do të shesë të mirat e ligjshme si; puna, shërbimi apo të drejta të tjera që t’i garantonte Kushtetuta.

 

Pra, vota është nën presion të peshës së dhunimit, tjetërsimit, blerjes, por ama edhe partitë politike gjenden të kërcënuara në këtë drejtim, sepse futja në lojë e opsionit të blerjes së votës dhe individit politikë prish ekuilibrat e shtresave të ndryshme sociale në vend, madje kjo sëmundje blerjesh ka kaluar nga caku i blerjes së përfaqësuesit zonal, deri në parlament me blerjen e deputetit dhe tanimë ka ngelur dhe shit-blerja njerëzore, pra skllavëria që shfaqet në një formë tjetër.

 

Bota e krimit ka qenë prezente në trafikun e qenieve njerëzore dhe kjo s’ka kursyer as Shqipërinë por shit-blerja moderne politike e përfaqësuesve politikë në nivele të ndryshme të politikëbërjes e regjistron vendin tonë në ato demokraci primitive që nuk hasen as para dhe as pas mesjetës.

 

Një biznesmen i fuqishëm në vend deri tani ka blerë disa parti dhe në këtë përjetim janë edhe biznesmenë të tjerë, duke u përpjekur të krijojnë pole të ndryshme me të vetmin synim kapjen e pushtetit me çdo kusht dhe çmimi i partive varion deri në 1 milion euro në bazë të peshës specifike që ka partia, por ka nga ata parti që janë bërë dhe bëhen pazar i tregut të korruptuar. Në këtë dimension real të vetë realitetit politik shqiptar gjithsecili nga votuesit, pra çdo shqiptar duhet të dijë për rrugëtimin e votës së tij, nga koshi deri në përkthimin në pushtet, po ashtu çdo parti politike, shoqëri civile apo institucionet ndërkombëtare duhet të ulin tryezën e një dialogu të gjerë për të shpëtuar votën nga tjetërsimi, devijimi apo mosarritja në përfaqësim. Demokracia është në rrezik, pasi pikërisht mekanizmi që e bën atë funksional, nuk ekziston, apo pikërisht vota cenohet duke e bërë demokracinë inekzistente, pa fytyrën e duhur, madje të ngjashme me armikun e saj, autokracinë dhe shtetet unitar./Sot

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00