Home | Opinion | Komisarët e plehrave dhe shenjtorët e higjienës!

Komisarët e plehrave dhe shenjtorët e higjienës!

image
Komisarët e plehrave e risollën në Parlament ligjin e mbetjeve, atë ligj që shenjtorët e higjienës që dikur e donin me ngut, sot e luftojnë me “heroizëm”. Ata janë në emërues të përbashkët për sa i përket thelbit, i ndan vetëm konteksti kohor i vendosjes së ngjarjes...

 

 

 

Nga Ermal Telha

 

 

Dy palët kryesore, sot në  situatën e nxehtë të rikthimit të plehrave të botës në Shqipëri, janë ata që sot i duan, por dje nuk i donin dhe ata që sot s’i duan, por dje i donin, ose e thënë ndryshe, komisarët e plehrave dhe shenjtorët e higjienës. Të parët nga të dytët i dallon vetëm intervali kohor i analizës. Nëse i referohemi vitit 2013, komisarët e sotëm të plehrave janë shenjtorët e djeshëm të higjienës, e anasjellta gjithashtu është po kaq e vërtetë.

 

Komisarët e plehrave e risollën në Parlament ligjin e mbetjeve, atë ligj që shenjtorët e higjienës që dikur e donin me ngut, sot e luftojnë me “heroizëm”. Ata janë në emërues të përbashkët për sa i përket thelbit, i ndan vetëm konteksti kohor i vendosjes së ngjarjes, ose më thjesht, përkatësia politike në maxhorancë apo opozitë, nga e cila rrjedhin edhe përfitimet financiare përkatëse. Rolet janë ndërruar, pretendimet jo! Madje komisarët e sotëm pretendojnë se kanë përmirësuar procesin, duke garantuar kontrollin e plehrave.

 

Komisarë dhe shenjtorë, shenjtorë dhe komisarë, kanë siguruar një rezultat të pakundërshtueshëm, pikërisht shpresën e vrarë për çdo qytetar, vendosjen e çdo qytetari në plan të fundit, interesat e qytetarëve në retorikë ndërsa interesat klienteliste në përditshmëri.

 

Natyrshëm lind një pyetje që shumë prej nesh ia bëjnë vetes, duke iu adresuar shërbëtorëve të djeshëm dhe atyre të sotëm:

 

Për çfarë i shërbejnë plehrat e botës Shqipërisë dhe shqiptarëve?!

 

Ata (komisarët dhe shenjtorët) me siguri do të përgjigjeshin njëlloj, ndaj po mundohem të përgjigjem si qytetar duke shtuar edhe disa pyetje në formë zgjidhjeje:

 

-Pse duhet t’i shtojmë hapësirës shqiptare shumëfishin e plehrave që vetë kjo shoqëri prodhon dhe nuk arrin ende t’i përpunojë dot?!

 

-Pse duhet të stimulojmë biznesin vdekjeprurës të plehrave kur mund të stimulojmë turizmin, i cili në vend të fluksit të plehrave, do të na sillte në Shqipëri flukse qytetarësh kureshtarë për bukuritë dhe atraksionet kulturore të vendit tone, të cilat i kemi vërtet me shumicë?!

 

-Pse duhet të besojmë që komisarët e sotëm, ndryshe nga ata të djeshmit, do t’ia dalin të kontrollojnë procesin e riciklimit, në një kohë kur kanë dështuar me sukses në shumë dukuri të tjera si kanabisi, që edhe pse jo legal si aktivitet, popullaritetin e ka historik?!

 

-Pse gjithnjë bëhemi të parët e alternativave që fqinjët tanë i refuzojnë ose nuk i konsiderojnë si mundësi zhvillimi biznesi?!

 

-Pse nuk lejojnë referendumin të vendosë për fatin e plehrave meqënëse gjithçka e bëjnë si shërbëtorë të përkushtuar në emër të qytetarëve?!

 

-Pse plehrave duhet t’u hapim derën, në një kohë kur një investitori të huaj potencial, jo vetëm që nuk ia hapëm, por ia “përplasëm” në kokë këtë derë?!

 

-Pse opozita e sotme sillet sikur s’ka qenë asnjëherë në pushtet dhe pushteti i sotëm sillet sikur nuk ka qenë asnjëherë në opozitë?!

 

Nëse këtë artikull do ta kisha shkruar në vitin 2013, komisarët e plehrave do të ishin shenjtorët e higjienës dhe shenjtorët e higjienës do të ishin komisarët e plehrave.

 

Ata janë njëlloj!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00