Home | Opinion | Krizë pas krize

Krizë pas krize

image
“Shok” do të mundë të na sillte një nga të pak gëzimet në kohën kur Kosova ballafaqohet me krizën më të madhe politike që zgjat qe sa muaj, për shkak të një procesi të mbrapshtë dialogimi me Serbinë, ku Kosova ka hyrë si pula pa krye, e prej nga duket se do të dalë edhe pa trup...

 

 

 Flaka Surroi   

   

 

 

 

 

Nuk di nëse është punë rastësie ajo që filmi i shkurtër “Shok” të jetë nominuar për “Oscar” në vigjilje të 17-vjetorit të Masakrës së Reçakut, porse e di që shikimi i atyre 21 minutave film më kthyen me një fuqi të papritur te tërë ngjarjet që i kishim përjetuar në kohë të luftës.

 

Mbase nuk do të ketë “shpërblim” më të mirë sesa ky (pos fitimit të “Oscarit”) për kosovarët, viktimat e vërteta të luftës këtu, që para syve të të gjithë botës të shfaqet filmi, i cili thjesht, por fuqishëm, e përshkroi tmerrin e luftës dhe lehtësinë e marrjes së jetës së një fëmije: për pikë të inatit. Dhe të urrejtjes, natyrisht.

 

E kjo, posaçërisht në kohën kur Kosova ballafaqohet me krizën më të madhe politike që zgjat qe sa muaj, për shkak të një procesi të mbrapshtë dialogimi me Serbinë, ku Kosova ka hyrë si pula pa krye, e prej nga duket se do të dalë edhe pa trup.

 

Madhështia e rrënuar

 

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së parimeve të Zajednicës ka ekzistuar një fije shpresë se pushtetarët do të ndalen e të mendojnë se veprimet e bëra që nga 2013-a kanë pasur kryesisht efekte negative dhe se nënshkrimet e vëna në marrëveshjet e këqija “historike” do të sillnin rrënimin e sistemit kushtetues të Kosovës. Dhe se, për pasojë, do t’i rishikonin dokumentet dhe do t’i anulonin ato, për t’i rinegociuar, po qe nevoja. Por, kjo fije u dëshmua tepër e largët dhe tepër e hollë: me vendosmërinë e pashoq, që nuk vërehet te luftimi i krimit dhe i korrupsionit, dy kryeministrat kanë vendosur të shkohet tutje me përpilimin e statutit të Zajednicës – që përfundimisht do ta vendosë autonominë serbe në Kosovë, në kundërshtim me Kushtetutën.

 

Reagim i pritur i opozitës qe thirrja e protestës – por ajo që nuk u prit, me gjithë përgatitjet e mëdha operative policore, qe numri i njerëzve të mbledhur për të protestuar atë ditë. Pa dyshim do të ketë ndikuar edhe moti, porse nuk diskutohet se ky qe tubimi më i madh që është organizuar kudo në Kosovë që nga protestat kundër Planit gjashtëpikësh të Banit. Objektivisht, rreth 50 mijë njerëz ishin tubuar në Prishtinë për të protestuar kundër Zajednicës dhe demarkacionit (e jo 8 mijë sa thotë Policia, e cila u bë horë me këtë vlerësim e as 100 mijë sa thotë opozita). Sidoqoftë, porosia e fuqishme që dilte nga ecja dinjitoze e gjithë atyre njerëzve u prish që në çastin kur nisi hedhja e petardëve dhe e molotovëve kundër policisë që e mbronte ndërtesën e Qeverisë. Se a kanë qenë njerëz të infiltruar në mesin e protestuesve apo se a kanë qenë vetë opozitarët ata që i hodhën ato shishe – kjo do të jetë një diçka që vrojtuesit e ngjarjeve nuk do ta dinë. Por fakti mbetet se gjithë ajo protestë madhështore u rrënua që në çastin kur shpërtheu dhuna, e cila në fund, u bë i vetmi lajm i ditës. Posaçërisht për mediumet ndërkombëtare – që çdo herë e më tepër po i shmangen përmendjes së arsyes së vërtetë të protestimit, e që është rrënimi kushtetues i Kosovës.

 

Për vrojtuesit më të kujdesshëm, 50 mijë zëra kundër nuk do të duhej të neglizhoheshin assesi. Përçojnë një pakënaqësi të mbështetur mbi një realitet të ri që po krijohet pa pëlqimin e popullit dhe në formën më amatore të mundur: me një temp bisedimesh ku Evropa insiston që marrëveshjet t’ia sigurojnë shtegtimin e qartë Serbisë drejt BE-së, përderisa Kosovën e ushqejnë me kocka të vockla, siç janë një MSA sui generis dhe një premtim liberalizimi që është bërë aq bozë, sa më askush s’e merr seriozisht. Dhe, që e shpien Kosovën në fundosje me shpejtësi të dritës, aq sa të mos mund të dalë në sipërfaqe me dekada.

 

Në hijen e Speciales

 

Një rezultat i dalë nga këto protesta qe shtyrja e nisjes së sesioneve të Kuvendit që ishin paraparë për dje. S’pati thirrje për seanca, për shkak se opozita insiston se nuk do ta lejojë punën normale të Kuvendit. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, me gjasë në mungesë të ndonjë taktike tjetër, u takua sërish me ambasadorin amerikan, prej të cilit takim dolën me deklaratën e përbashkët se dhuna nuk është mjet i pranueshëm lufte politike. E as këtë herë, sikurse më parë, nuk dolën me propozimin e prerë se duhet ulur e diskutuar zgjidhjen për të dalë nga kjo situatë – ngase është evidente se një shumicë e rëndësishme e spektrit politik, por edhe e opinionit, nuk po pajtohet me marrëveshjet në fjalë.

 

E duket se kjo situatë e cila mund të zgjasë dhe që mund ta delegjitimojë plotësisht punën e Kuvendit e t’i kontestojë të gjitha vendimet e turpit më të lartë përfaqësues, është duke e shtyrë partnerin e madh të koalicionit të ndërtojë strategjinë se si duhet vepruar në javët dhe muajt në vijim. Është për t’u çuditur se pse përnjëherë, pas shumë kohësh, Këshilli drejtues i PDK-së takohet madje katër ditë radhazi – dhe nuk e bën publike arsyen për takime të këtilla. E supozimi është se kjo lidhet, natyrisht, me situatën aktuale, dhe me dy momente që mund të ndodhin: një, që për shkak të bllokadës të ketë zgjedhje të parakohshme dhe dy, që të dështojë zgjedhja e Thaçit për kryetar, dhe përsëri të ketë zgjedhje të parakohshme.

 

Dhe natyrisht, kur ka këso zhvillime qarkullojnë konspiracione nga më të ndryshmet: që nisin nga formimi i një qeverie teknike; nga zëvendësimi i shefit të partisë; nga “luajtja bisht” e partnerit të vogël të koalicionit dhe moszgjedhjen e Thaçit kryetar, e deri te lëvizja strategjike e zënies së postit më të lartë nga Thaçi para se të aktivizohet Gjykata Speciale, ku, po qe se shkon, do të shkonte nga posti i kryetarit dhe në mënyrë vullnetare, që do të ngërthente mbase privilegje çfarë i ka gëzuar Haradinaj në kohë të veten.

 

Ajo që tashmë dihet është se Holanda e ka gjetur modusin për t’i dhënë strehë Gjykatës Speciale në truall të vetin. Se sa kohë do t’i marrë për ta pajisur me njerëz dhe të tjera, ajo mbetet të shihet, porse në kumtesën zyrtare thuhet se gjykata ia nis punës sivjet. Por, kjo nuk do të thotë se tashmë hetuesit nuk janë duke e kryer punën e vet në terren, dhe se tashmë i kanë identifikuar dëshmitarët eventualë. Dhe në një vend që prej kohësh udhëhiqet nga SHIK-u, këto nuk janë informata që do t’u kenë ikur. E ndoshta edhe kjo është pseja e takimeve aq të shpeshta të krerëve të PDK-së.

 

Spekulimi Jahjaga

 

Shikuar nga ky prizëm, në këtë kaos politik, duket se prioriteti i vetëm në javët në vijim është si të sigurohet zgjedhja e Thaçit kryetar. Po qe se do të mbështetej në numrat që aq shpesh përmenden, zgjedhjen e ka të sigurt, kurdo që ajo do të vihet në rend të ditës. Por nervozizmi i ditëve të shkuara tregon se numrat mund edhe të mos jenë të sigurt dhe se shumë lehtë mund të ndodhë që në ditën kur të hidhet tema në rend të ditës, të mos ketë kuorum për shqyrtim. Pra në teori, pos 30 deputetëve të opozitës, do të duhej pasur edhe 11 deputetë të tjerë që do ta sillnin numrin e të pranishmëve në 79 për ta pamundësuar madje shqyrtimin e pikës së rendit të ditës. Ata lehtë do të mund të ishin deputetët e pakënaqur të LDK-së, që mbase nuk e mbërrijnë dhjetëshin, por atyre do të mund t’u bashkoheshin mbase ata të Srpskas, për pakënaqësinë se përse Zajednica nuk po zyrtarizohet më shpejt.

 

Po të ndodhte kjo, dhe po të arrihej në një qorrsokak, jam më se e sigurt se në zgjidhje të problemit do të inkuadroheshin diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë. Ashtu siç kanë vepruar në secilën zgjedhje të kryetarit të Kosovës, prej kohës së Rugovës, e te Sejdiu, Pacolli e Jahjaga. Dhe nuk do të ishte fare larg mendsh që për ta zgjidhur telashin në formën më elegante, do të mund të propozonin që Jahjaga ta merrte mandatin e dytë. Arsyet mund të ishin disa: është femër; është e re për t’u pensionuar nga politika; është më e pranueshme si figurë konsensuale, ani që mund të mos e ketë përkrahjen e opozitës për shkak të përgjegjësisë që ka për krizën e 2014-s e posaçërisht për zgjedhjen e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Kushtetueses; ka paraqitje më të mirë jashtë sesa brenda shtetit dhe se është e dëgjueshme – tamam marionetë. Por mbi të gjitha, do të ishte më e pranueshme se Thaçi, përderisa nuk do të identifikohej një person tjetër jopartiak që do të mund ta kryente punën e shefit të shtetit më mirë se ajo.

 

Kosova para kolapsit juridik

 

Porse është një moment tjetër, i cili mund të jetë pikë kthese, por që njëkohësisht do të mundë të injorohej sikurse shumë gjëra të tjera që ndodhin në këtë Kosovë. Kjo është aktakuza kundër Enver Hasanit për falsifikimin e një dokumenti zyrtar, ku kishte gënjyer se në seancën kur është vendosur për kushtetutshmërinë e vendimit të Jahjagës për dekretimin e tre gjykatësve ndërkombëtarë kishte marrë pjesë edhe gjykatësi që kishte shpallur konflikt interesi. Tash duke supozuar se ky shpallet fajtor dhe duke supozuar se Kushtetuesja do të mundë të vendoste se tre gjykatësit ndërkombëtarë janë kundërkushtetues, kjo do të thoshte se krejt vendimet e Kushtetueses në këtë përbërje pas dekretimit janë nule. Kjo do të thoshte se do të ktheheshim te gjendja e pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, dhe e gjitha do të duhej të niste nga e para.

 

Kjo natyrisht do të nënkuptonte edhe kolapsin e komplet bazës juridike mbi të cilat është ndërtuar kjo Qeveri dhe gjithashtu do t’i bënte vendimet e saj nule, për shkak se janë miratuar nga një trup i cili është themeluar joligjërisht. E tash, po të kishte drejtësi në këtë vend, kështu do të veprohej. Porse dyshoj shumë se ndërkombëtarët do ta lejojnë një gjë të këtillë. Për pasojë do t’i kalojmë vitet e ardhshme duke e arnuar kushtetutën me vendime të Kushtetueses, përderisa ekzekutivi do të vazhdojë t’u grahë punëve ashtu siç ia merr mendja – duke e përfshirë edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

 

* * *

 

Deri më 28 shkurt, kur do të bëhet shpallja e fituesve të “Oscarëve”, na mbetet të shpresojmë se pula pa krye nga fillimi i këtij shkrimi nuk do të mbetet vetëm kthetër, dhe se mbase do të kemi vendim për zgjedhje të parakohshme, sepse kjo çka kemi sot s’po funksionon. Po na merr tepër energji, të cilën do të duhej orientuar te jeta më e dinjitetshme e qytetarëve që janë lodhur me plotësimin e dëshirave dhe sedrën e atyre që kaq shumë dëm i kanë shkaktuar Kosovës.

 

E vetmja e mirë në këtë rrëfim është se bile një gjë nuk mund të na e marrin: ëndrrën se filmi “Shok” mund të fitojë. Fitore si melhem për gjithë vuajtjen që na shkaktuan ata gjatë luftës dhe këta pas luftës./Koha

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00