Home | Opinion | Politika, përmbytësja e popullit për 25 vjet

Politika, përmbytësja e popullit për 25 vjet

image
Megafonat e politikës janë aq të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm, sa që zhurmojnë në Parlament, në media e në rrugë, a thua se u dhimbset populli, kur janë vetë ata autorët e të gjitha krimeve që po përjeton ky popull për 25 vjet.

 

 

 

 

 

Nga Prof. Dr. Ago Nezha

 

 

 

Impulsi që më shtyu për të shprehur opinionin tim për përmbytjen, është një obligim qytetar dhe intelektual, për të reaguar ndaj një realiteti të hidhur, që përkundet në djepin e demokracisë për 25 vjet nga dy forcat kryesore politike, e majtë e djathtë, që rrezatojnë papërgjegjshmëri institucionale reciprokisht, për fatet e vendit në rotacionin e tyre politik. Në Shqipëri, në vitet e ashtuquajtura demokratike, mungon parimi i solidaritetit për të njohur përgjegjësitë dhe kjo ka të bëjë me mungesën e personalitetit dhe dinjitetit në esencën shoqërore të politikanëve tanë. Pushteti, i parë si një trup i shëndoshë, ka gjymtyrët e tij të majta e të djathta që kanë konceptin e pavarësisë individuale dhe funksionojnë në harmoni kur janë për të mirën e përbashkët. Njëri organ të sëmuret, pushteti nuk i kryen funksionet normale të shoqërisë. 

 

Në Shqipëri është krijuar një koncept e botëkuptim, i kthyer në ideologji, se përgjegjësia për gjithçka negative që ndodh në jetën e vendit, i takon mazhorancës. Opozita sa le pushtetin, del në poligonin e qitjes dhe shënjestrën pozitën duke e bombarduar me “armët” më të rënda politike e morale. Ndërrimi i pushtetit tek ne, s’ngjan me një pemë që kur bien gjethet ato të ripërtërihen mbi degët e trungut të parë. Në ndërrimin e pushtetit nën demokraci në këto 25 vjet, opozita sa del në rolin e vet, fillon të shpenzojë shumë energji të brendshme, shkatërruese, në mënyrë të stuhishme, deri në konflikte të ashpra, që tejkalon çdo hapësirë etike të një mjedisi politik, që s’ka ngjyrime demokratike. Fatkeqësitë natyrore, janë bërë një ritual i përvitshëm në sezonin dimëror dhe janë kthyer në një ankth për qytetarët në gjithë vendin dhe për opinionin e shëndoshë publik. Fatkeqësitë apo lumturia e një populli, nuk janë produkt as e një dite, muaji apo viti, por janë rrjedhojë e një periudhe akumulative, që e keqja ka hedhur rrënjë dhe është kultivuar nëpërmjet autonomisë të klasës politike, në dualizmin ec e jak, në teatrin politik, ku qarkullojnë aktorë të majtë e të djathtë, në shkëmbim vendesh.

 

Kur vendi zhytet në fatkeqësi natyrore, që së shumti tek ne vijnë nga shkaqe njerëzore të mbarsura në vite, roli i çdo opozite qoftë ajo, e majtë apo e djathtë, nuk është të ushtrojë trysni, por përkundrazi të ofrojë solidaritet dhe bashkëpërgjegjësi me mazhorancën për të kapërcyer situatën dramatike që po përjetojnë në vite banorët e zonave të përmbytura. Në këto raste fatkeqësie, kërkohet një unitet shpirtëror dhe moral i gjithë klasës politike për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve. Po të vazhdohet si deri më sot, me ngjyrime politike e shoqërore edhe në fatkeqësi natyrore apo krime njerëzore për kapital politik, ky vend është i destinuar të jetojë përmes pasigurisë, varfërisë, dhe tragjedisë kombëtare. Po nuk u arrit që secili prej të zgjedhurve të ketë integritet, ndershmëri, qëndrueshmëri morale, koherencë dhe reciprocitet për të mirën e përbashkët, është e sigurt se beteja politike është e humbur nga të dyja palët. Duhet kuptuar qartë nga politikanët tanë, se krimi i një individi merr jetën e një njeriu, ndërsa krimi i klasës politike merr jetën e një populli të tërë që i ka besuar ta qeverisë nëpërmjet votës së vet. Në rast se mjegullohet politika brenda interesave të politikanëve të përfshirë në politikë, apo grupeve politike matrapazësh, që i kanë hipur popullit në qafë dhe s’duan të dijnë për fatin e tij, atëherë s’kemi për të pasur kurrë demokraci funksionale, që pretendojmë të realizojmë për interesat e gjëra popullore. 

 

Pasojat e përmbytjes nuk janë të rastësishme, por kanë shkaqe të rënda të një politike të mbrapshtë, që është zbatuar gjatë ndryshimeve të sistemit, nga monist në pluralist. Po të kthejmë kokën mbrapa, para viteve 1990, jo për nostalgji, por për të parë realitetin në sy, do kujtojmë që për asnjë vit nuk ka ndodhur që të përmbyten qytete të tërë, qoftë Shkodra, Lezha, Fieri apo Vlora, edhe në vite me intensitet të lartë reshjesh. Po ju sjell një shembull unikal të përjetuar vetë në qytetin e Shkodrës në vitin 1984, kur për 6 orë reshjesh intensive, ra 302 mm shi dhe shkodranët e vjetër këtë fenomen e identifikonin me një rast që kishte ndodhur 80 vjet më parë. Natyrshëm lind pyetja: A pati përmbytje? Përgjigja ishte po. Raportoi pushteti i kohës, se ishte përmbytur një parcelë me grurë në fshatin Dajç prej 10 ha, ku uji kishte dalë 2 cm në sipërfaqe. Ky fakt s’ka nevojë për koment. Pse ndodhin në mënyrë periodike katastrofa natyrore, të përsëritura çdo vit. Politikat e përdorura në këto 25 vjet, kanë krijuar shtrat dhe terren të favorshëm për t’u rrezikuar jo vetëm tokat bujqësore por edhe familjet dhe bagëtitë nga katastrofat natyrore. Me qëllim apo nga padija, është vështirë ta ndash atë masakër që është bërë gjatë këtyre viteve duke përdorur shkrepësen dhe sëpatën për shfarosjen e pyjeve, kur dihet shkencërisht se pylli rezervon 70% të reshjeve kur bien me furi.

 

Një premisë tjetër e politikës së mbrapshtë që është aplikuar në këto 25 vjet, është edhe vendosja e shtëpive pa kriter mbi argjinaturat e kanaleve, në këneta dhe ultësira fushore që janë nën nivelin e detit dhe janë të destinuara të përmbyten në çdo rrethanë, si dhe shkatërrimi i gjithë sistemit të ujitjes dhe kullimit, që i kanë hapur rrugën inondatave të mjediseve jetësore. Mbi shpinën e kësaj fatkeqësie periodike, është papërgjegjshmëria e politikës qeverisëse për një gjysmë shekulli dhe që me arnimet e bëra nuk ka zgjidhje definitive. Ky terren i krijuar nga keq qeverisja ka shërbyer për abuzime të mëdha me fondet e akorduara çdo vit nga qeveria, që janë shpërdoruar e përvetësuar nga ministrat përkatës të Bujqësisë, në aleancë me bordet e kullimit në rrethe. Po të bëhet një bilanc nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucion prioritar i paanshëm, do rezultojë me siguri, se fondet e përdorura janë të mjaftueshme për të evituar agresionin natyror, që përsëritet me pasoja të rënda çdo vit dimëror. Megjithëse janë dhënë fonde të konsiderueshme për emergjenca natyrore, përsëri çdo vit ndodh i njëjti fenomen, ku shemben ura, rrugë, përmbyten shtëpi e toka pa mbarim dhe zgjidhja mbetet një urëkalimi për përvetësim. Kërkohen investime të qëndrueshme për t’i dhënë fund kësaj maskarade 25 vjeçare, që populli të gjejë qetësi dhe politika të gjejë rehati. Politikanët tanë, me ndërgjegje antikombëtare, shkatërruan të gjitha resurset e trashëguara nga e kaluara dhe krahas tyre për të ndërprerë çdo mundësi që do menaxhonte mendimin shkencor për të dalë nga situatat kritike, mbyllën dhe asgjësuan Institucionet Kërkimore Shkencore si atë të Tokave, Ujërave, Hidrometeorologjinë etj, në një kohë që fqinjët tanë dhe vendet ish Lindore, kanë më shumë se një institut përkatësisht, për çdo sektorë. 

 

Këto veprime e të tjera, flasin qartë për “aftësinë”, “përgjegjshmërinë”, “ndërgjegjen” dhe “ndershmërinë” e politikanëve tanë, që me politikat e tyre të mbrapshta e kanë çuar vendin, në një trup që rënkon thellë dhe po jep shpirt. Dhëntë Zoti ta kuptojnë një ditë. Fjala fatkeqësi natyrore, duhet të zëvendësohet korrektësisht me fatkeqësi njerëzore, e më saktë, me fatkeqësi të një klase politike të korruptuar. Megafonat e politikës janë aq të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm, sa që zhurmojnë në Parlament, në media e në rrugë, a thua se u dhimbset populli, kur janë vetë ata autorët e të gjitha krimeve që po përjeton ky popull për 25 vjet. Shkatërruan ç’mundën, vodhën ç’gjetën përpara dhe ç’u doli përpara dhe përsëri janë të pangopur dhe grinden mes tyre, se duan të pijnë dhe pikën e fundit të gjakut të këtij populli të rraskapitur. Shteti në demokraci, nuk është një makinë që ndërron marshet për të rritur shpejtësinë e korrupsionit dhe krimit, por një organizëm i gjallë, me gjymtyrë aktivë, ku çdo gjymtyrë ka rolin dhe funksionin e vet dhe përgjegjësinë e lartë institucionale, si përfaqësues i interesave të popullit që përfaqëson. Po të vazhdohet si deri më sot, të ndarë e të përçarë, deri në kufijtë e armiqësisë ekstreme midis të majtës e të djathtës, ky vend përfundimisht është i destinuar të mos ketë të ardhme, përparim e prosperitet shoqëror. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0