Home | Opinion | Klub (Parlamenti) i Selanikut!

Klub (Parlamenti) i Selanikut!

image
Parlamenti i sotëm, thuhet se është për të konsoliduar shtetin e të drejtës, demokracinë e vendosjen e ligjit kudo e mbi çdo gjë, por në të vërtetë është kthyer në vendin ku bëhen llogje, «as më ke e as të kam», ku tregojnë përralla me mbret! Çajupi flet edhe për Klubin e Londrës, para njëqind viteve nga ajo kohë, që quhej «Klubi i të liqve»!

 

 

Nga Pandeli Bardhi  

 

 

Ka një ngjashmëri të madhe midis «Klubit të Selanikut» për të cilin shkruan Çajupi, dhe Parlamentit tonë, mbas pak më shumë se njëqind vitesh, qysh nga viti 1909. Qysh nga ajo kohë e deri më sot, «Klubi», vetëm në formë ka ndryshuar, mbasi në përmbajtje ka mbetur po ai. Vetëm nocioni «Klub» ka ndryshuar, duke u kthyer në Parlament! Çajupi, duke ju referuar doktor Johnsonit, se «Klubi, është një shumicë burrash, që merren vesh dhe paguajnë që të kënaqen duke ngrënë e duke pirë...», Parlamenti ynë i sotëm është një shumicë burrash, që megjithëse janë për të ngrënë e për të pirë, nuk merren vesh me njëri tjetrin, nuk paguajnë dhe nuk mbajnë përgjegjësi për ato ç’ka thonë. Në përmbajtje, sipas Çajupit, thuhej se «Klubi i Selanikut» ishte krijuar gjoja për të mbajtur premtimet që xhonturqit u kishin bërë shqiptarëve, që këta të fundit, të hiqnin dorë nga kryengritja e armatosur, por të gjitha këto ishin ëndrra për t’i zgjatur jetën Perandorisë që kish marrë tatëpjetën! 

 

Parlamenti i sotëm, thuhet se është për të konsoliduar shtetin e të drejtës, demokracinë e vendosjen e ligjit kudo e mbi çdo gjë, por në të vërtetë është kthyer në vendin ku bëhen llogje, «as më ke e as të kam», ku tregojnë përralla me mbret! Çajupi flet edhe për Klubin e Londrës, para njëqind viteve nga ajo kohë, që quhej «Klubi i të liqve»! Që të ishe antar i atij Klubi, duhej të ishe fort i shëmtuar në fytyrë, i ndyrë, i çalë, i verbër, memeckurrizdalë. Në «Klubin e Selanikut» mbas njëqind vitesh, antarët e tij nuk ishin edhe aq të shëmtuar, përveç Kryetarit, një verdhacuk e i shpifur me emrin Lumo! Çajupi, u ngrit nga Missiri e shkoi vetë për të parë nga afër këtë «Klub» e për të dëgjuar se si mbroheshin të drejtat e shqiptarëve! Ai qëndroi edhe në mbledhje, ku do të fliste Kryetari për Kushrririn e Presidentit që shkonte mutesarif në Serres. Ai foli vetëm për «alldupët», për Turqinë, foli për syska e bejka, për ruda e kaleshka, për me brirë e pa brirë, por vetëm një llaf për Shqipërinë e për shqiptarët, nuk e tha e nuk e tha. Me të drejtë Çajupi shkruan: «Po paske qenë trutharë more beu ynë, të plastë koka more beu ynë, të paskan lënë mëndtë more beu ynë... Hani edhe juve bukën me djersë si ne e jo duke vjedhur. Merrni qytetërimin e Europës që ndriçon botën e ju zbukuron mendjen e jo pallavrat me fantazma, Ndërroni mendjen e mendoni si europianët, në doni të rrini në mes të Europës! Rroftë Dashuria, rroftë Bashkimi!». 

 

Gjatë pak më shumë se njëqind viteve, nga kjo kohë që shkruan Çajupi, asgjë nuk ka ndryshuar. Sikur Çajupi të ishte gjallë, do të bindej edhe vetë që koha e «Klubit të Selanikut», është aty ku e ka lënë! Koha ka bërë të sajën dhe antarët e «Klubit Parlament», nuk janë të shëmtuar si ata të «klubit të të liqve», por njerëz me «taban», njerëz që u ndrit e u shkëlqen lëkura, që lëvizin me «Jaguarë» e u ndrisin byzylykët e florinjtë në duar, në veshë e në qafë, njerëz që kanë nga dy e nga tre vila, pasuri të luajtshme e të paluajtshme... Antarët e «Klubit» të sotëm, thuhet që janë përfaqësues të popullit, por në fakt janë të zgjedhur nga Kryetarët e «Klubeve» Parti. Ata duhet të plotësojnë disa kritere; Të mos jenë të shëmtuar si antarët e «klubit të të liqve», të kenë pasuri e para cash, të dinë të fshehtat e vjedhjes e të korrupsionit, të jenë besnikë të Kryetarit etj. Nëqoftëse nuk kanë diplomë, e blejnë atë në ndonjë Universitet të tipit «Kristal», ku i blejnë edhe shtetasit e parlamentarët e huaj. Më 1922, Çajupi shkruan: «...Një tradhtar, një intrigant, një... kërkon të bëhet regjent, ministër, prefekt, mender edhe mbret»! Sot, mbas pak më pak se njëqind vitesh, po nuk i ke këto «cilësi» nuk bëhesh antar i «Klubit» Parlament. Përveç këtyre «cilësive» duhet të kesh edhe «cilësi» të tjera të kohës, të jesh trafikant, mjeshtër për të vjedhur, kriminel, mashtrues...»Politika për shqiptarët, thotë Çajupi, është si buka që hamë.

 

Jemi të lindur për politikë»! Dhe më tej «Ndë Shqipëri, gjen plot ministra, qeveritarë diplomatë, depytetë. Ata mbijnë si kërpudhat nga dheu. Shkronjëtarë e vjershëtorë, janë shumë pak.. Politika për shqiptarët , është fort e lehtë për me fitu bukën në këtë botë të rreme. Zanati më i lehtë është të bëhesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri»! As mos e luaj fare i ndjeri Çajup, aty kemi mbetur! «Klubi ynë i quajtur Parlament, me baballarët e Kombit, ndryshe nga kolegët e tu që shkrinin pasurinë për të bërë ndonjë të mirë për Shqipërinë, këta «kopukët» e sotëm, megjithëse të paaftë e «të hurit e të litarit», edhe Shqipërinë e «gëlltisin» për të hyrë në politikë sepse e dinë që kjo është e vetmja mënyrë për të bërë prokopi, për të bërë emër, për të vënë pasuri pa as më të voglin mundim. Politika, zanat nuk është por është «zanati» që i sjell paratë lumë! Politika ka të mirën tjetër që edhe nëqoftëse ke qenë dikur deputet apo ministër, paratë, vazhdojnë të të vijnë derisa të jesh mbi dhe! Nuk bëhesh dot as doktor as inxhinier pa diplomë, por edhe para, këto zanate nuk kanë. Deputet e Ministër bëhesh edhe pa ditur një shkrap dhe të gjitha zanatet e tjera i vë nën këmbë, jo vetëm «zanatet», por edhe pushteteve të tjera ja bën «rrup –sup»! Ministrit e Deputetit nuk i kërkon kush llogari e as nuk japin llogari. Ata vetëm shfrytëzojnë kohën e pakët që kanë kur marrin postet, për të realizuar objektivat e tyre, mbasi të nesërmes nuk i dihet. Një deputet i «Rilindjes», gjatë fushatës zgjedhore shkoi në një fshat të largët dhe nuk la gjë pa thënë për paraardhësit e tij që nuk e kishin bërë rrugë. I shau ata në sytë e tyre me rrënjë e me degë dhe në fund u tha: «Edhe mua, kështu të më shani, nga nëna, po të mos ua bëj rrugën» Kaluan afro tre vite dhe rruga, as që ka ndërmend të fillojë. Me të drejtë banorët thonë: «Ka të drejtë deputeti të mos duket më në këto anë, sepse... nuk e ka nënën»! 

 

Të hyjmë tani në brendësi. Me të drejtë, Çajupi e telendisi beun e Klubit të Selanikut, që nuk foli një fjalë shqip, që nuk foli as për Shqipërinë e as për shqiptarët. Antarët e «Klubit të sotëm Parlament, as që kanë idenë të bëjnë përmirësimin e ligjeve për qytetarët, të tregojnë rrugët për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, të kuvendojnë së bashku se çdo të bëjnë për këtë vend të lënë në fukarallëkun ekstrem në zemër të Europës,... Mblidhen qytetarët të dëgjojnë antarët e «Klubit» për hallet e tyre, për të ardhura më shumë, për ujë, për drita, për ilaçe, për azilet e të moshuarve, për jetimoret, për shkolla e çerdhe, për rrugë e hidrovore... Dëgjojnë të ngrihet shumë herë nga vendi në foltore një «trutharë», një të marrë që e kanë lënë mendtë i nxirë në fytyrë e me sy të skuqur nga inati, që u hakërrohet ministrave e deputetëve, që i etiketon ata me emra kriminelësh, që i akuzon për çdo krim e çdo gjë të zezë që ndodh, por vetëm një fjalë se si do të vejë halli i Shqipërisë nuk flet, si të ecet përpara, si të bashkohen, si të përmirësojnë ligjet, etj., vetëm për këto nuk flet. Dikur, kur ishte «ish», fliste për qindra shkolla të reja që ndërtoi, për mijëra km rrugë, për çerdhe e spitale, por ja që të gjitha këto paskan qenë një fantazi e këtij të marri! Sot, nuk ka asnjë shkollë që të quhet shkollë, nuk ka asnjë metër rrugë me standarde, nuk ka asnjë urë që fëmijët të shkojnë në shkollë, por i marrin prindërit në kurriz e i presin aty, kur të kthehen nga shkolla. Por, «ish-it» aq sa po i kalon mosha, po i dalin mëndtë. Shqipëria ka mbetur po atje, në kohën e «Klubit të Selanikut», sepse të gjitha paskëshin qenë gënjeshtra!...

 

Pas tij, ngrihen edhe të tjerë. «Ti je hajdut e jo unë, ti ke vjedhur e jo unë, ti ke mashtruar e jo unë, ti je trafikant, ti je «këlysh» i diktaturës, ti je kriminel, ti je drogaxhi, ti je imoral, gruaja jote iku natën nga shtrati... Mbas njëqind vitesh antarët e «Klubit» tonë, Parlament, janë edhe më «trutharë» se beu i atëhershëm! Askush nuk ka dëgjuar në «Klubin» parlament, të diskutojë se si do të bëhet halli i qytetarëve të këtij vendi, se si do të bashkohen të gjitha krahët e politikës për të mirën e Shqipërisë. Po të kritikojnë për të tilla gjëra, e të japin mendime, quhen jashtë kohe, quhen të «marrë», quhen «anormalë»! As për ditëlindjen e Shqipërisë nuk u bashkuan. Njëra palë e bën ditëlindjen e Shqipërisë më 28 Nëntor, pala tjetër më 29 nëntor, e ca «trutharë» të tjerë më 26 nëntor! Askush, Çajup nuk i ka dëgjuar thirrjet tuaja «Rroftë bashkimi»! Edhe një «Bythec» që e quan veten kryetar i opozitës, kohët fundit, të cilin as të vetët nuk e duan ta shohin afër tyre, shkon në një fshat të Shkodrës dhe atje bën një «zbulim» të madh! Banorët i ankohen për energjinë elektrike që është e dobët e nuk furnizon pajisjet elektroshtëpiake. «Udhëheqësi» i tipit Bythec», me duart e vëna në mes, i dëgjon me vëmendje hallet e shqetësimet e tyre dhe ndjen «keqardhje»! Mbasi i dëgjon, përgjigjen e ka në majë të hundës: «E dini ju që korrentin e dobët e paguani sikur të jetë korrent i plotë? Sepse paratë i vjedh Edi Rama»! Kërkon të rregullojë «biografinë» me «hakersat» e tij nga brenda, por e «latyris» edhe më keq. «Bytheci» e di që edhe kur ishin në pushtet «Bythecët» e tij, po kjo gjendje ishte, por nuk e di se kush i merrte paratë atëherë. Me të tillë antarë të këtij Klubi të ashtuquajtur Parlament, që kanë mbetur me mentalitetet e «Klubit të Selanikut», shqiptarët do të vazhdojnë të enden rrugëve të Europës, e Shqipëria do të braktiset... 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0