Home | Opinion | Republika e demonëve

Republika e demonëve

image
Ngushtësia mendore dhe mungesa e edukatës elementare të politikanëve paralizojnë Kosovën. Kësaj ngushtësie i ndihmojnë kalemxhinjtë që e kanë ndotur keq gazetarinë.

 

 

 

 Enver Robelli     

 

 

 

 

Ngushtësia mendore dhe mungesa e edukatës elementare të politikanëve paralizojnë Kosovën. Kësaj ngushtësie i ndihmojnë kalemxhinjtë që e kanë ndotur keq gazetarinë.

 

“Kur dikush te ne e tregon një barsoletë të mirë politike, gjysma e Gjermanisë rri shtrirë në divan dhe ia merr inat”. Çfarë kishte thënë për Gjermaninë e dikurshme shkrimtari Kurt Tucholsky, për Kosovën e sotme vlen e kundërta: kur dikush e thotë të vërtetën për këtë apo atë politikan, së paku gjysma e protagonistëve politikë çohen në këmbë dhe ia marrin inat. Lajmësi shpejt stigmatizohet, njolloset, atakohet personalisht, etiketohet si tradhtar, përbuzet si antikombëtar – kryesisht nga brigadat kibernetike të partive politike.

 

Secila parti pret që gazetari të shkruajë për interesat e saj. Sikur gazetari ta bënte këtë, atëherë do ta injoronte publikun e gjerë, lexuesit e tij, dhe do të bëhej vegël në duart e pushtetit apo opozitës. Gazetarë të tillë – vegla të pushtetit - Kosova ka me bollëk.

 

Në të vërtetë - nuk janë as gazetarë, por vetëm ndotës profesioni që gazetarinë e shfrytëzojnë si trampolinë për realizimin e interesave të tyre: herë duke u shërbyer oligarkëve që pasurinë e kanë arritur duke larë e shpëlarë para të rrjeteve kriminale apo politike të botës lindore; herë duke bërë “ham-ham” për pronarë të gurthyesve vendorë; herë duke marrë pjesë aktivisht në veprime me gjasë të paligjshme në favor të të akuzuarve për krime të llojllojshme.

 

Kështu, krahas një klase politike kryesisht pa kulturë e emancipim, është krijuar edhe një kastë gazetarësh pasunarë, të cilët në vazhdimësi shkelin parimet profesionale dhe etike. Ky model nisi e u krijua në Shqipëri në vitet 90 dhe u eksportua me sukses në Kosovë dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan. Këto ditë bëri jehonë të madhe një intervistë e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë për “Zërin e Amerikës”.

 

Pyetjet kritike të gazetares u quajtën pothuaj heroike, ndonëse nuk ishin të tilla. Pyetje kritike politikanit në fjalë i kanë bërë edhe gazetarë në Shqipëri, por shpesh ata më vonë janë shndërruar në militantë të tij medialë. Kësisoj është djegur besueshmëria dhe publikut nuk i mbetet gjë tjetër përveçse si në kohën para dhe gjatë rrëzimit të regjimit komunist si burim të vetëm serioz informacioni ta pranojë një radio shtetërore amerikane.

 

“Kurrë nuk i kam dashur gazetarët. Në të gjithë librat e mi i kam lënë të vdesin”, shkruante Agatha Christie, njëra prej autoreve më të famshme të romaneve kriminalistike. Aq larg s’është e thënë të shkojmë, por e vërteta është kjo: jo pak gazetarë janë shndërruar në vrasës të profesionit. Rrjedhimisht, raportimi për ngjarje e fenomene, anomali e deformime politike e shoqërore nuk bëhet me qëllim të informimit të drejtë të publikut, por në shërbim të shout, zhurmës, skandalizimit, kurtheve politike, intrigave, honorarëve “nën dorë” dhe favoreve të tjera.

 

Në këtë republikë të demonëve sjelljen prej kapadaiu të një politikani jo pak gazetarë e shohin si normalitet që duhet ta durojmë dhe përshkruajmë, por jo edhe ta luftojmë. Kështu ka ardhur dita kur një kryetar i një partie minore për nga pesha politike, por madhore për nga barra e krimeve, e quan “budalla” zyrtarin e sigurisë në Kuvendin e Kosovës, e kualifikon si “peder” një ekspert të gjeodezisë që drejton një komision qeveritar, e përshkruan si “qen” kryeministrin e vendit. Dalëngadalë ky stil politike po i ngjan Serbisë së viteve 90, kur Vojislav Shesheli nxirrte alltinë në publik. Në Kosovë vetëm kjo ka mbetur pa u demonstruar.

 

Aludime primitive me qen bën edhe një zyrtar i Komunës së Prishtinës, anëtar i partisë për kontrabandë të gazit lotsjellës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës përdorë fjalor vulgar (“ma honksh...”), e kryetari i partisë së tij dhe ministri tani për tani i Jashtëm vjell fraza raciste kundër rivalit politik: “Shko në Vladimir” (të Malit të Zi).

 

Kryeministri i Kosovës dhe anëtari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, tempullit të dijes, sapo mori detyrën nisi t’i etiketojë gazetarët e pavarur si armiq të vendit, duke i akuzuar se nuk po e dashkan vendin e tyre. Këtë e thotë njeriu, të cilit i janë akuzuar bashkëpunëtorët më të ngushtë për korrupsion, pra vjedhje të parave të shtetit. Po ky kryeministër e quan “gomar” shefin e partisë së tretë për nga pesha politike.

 

Kjo ngushtësi mendore, kjo gjuhë e egër e vulgare, e denjë për filma mafiozë, paralizon Kosovën. Qorrsokakut të tanishëm politik i ka paraprirë selektimi negativ i personelit politik. Sa më të mëdhenj muskujt, aq më i vogël truri. Sa më e madhe lavdia (e shpifur) e luftës, aq më i zbehtë nderi i pasluftës. Sa më e madhe thirrja për drejtësi, aq më e pranishme padrejtësia. Sa më i madh përbetimi se vendi po lulëzon, aq më i theksuar dëshpërimi, varfëria dhe votimi me këmbë, pra mërgimi në mënyrat më aventuriere.

 

Sa më shumë që thuhet se Serbia e ka pranuar sovranitetin e Kosovës, aq më thellë Serbia depërton në Kosovë – me amin të sundimtarëve tanë, që i ngjajnë më shumë një klubi të të verbërve. Ky klub ka negociuar brutalisht keq në Bruksel dhe në emër të Kosovës ka pranuar një asociacion të rrezikshëm të komunave serbe, që Kosovën mbase nuk mund ta ndajë si territor, por gjithsesi mund ta bëjë shtet (edhe më) jofunksional.

 

Cila është detyra e mediumeve në këtë situatë? Të vazhdojnë të jenë pjesë e shout dhe skandaleve politike, siç janë shumica e tyre, apo të përshkruajnë rrugën e gjatë si dolëm nga mjegulla e historisë më 1999 dhe si u futëm në mjegullën e gazit lotsjellës në Parlament? Pa e miratuar hedhjen e kësaj substance në Kuvend mund (dhe duhet!) të diskutohet se cilët politikanë i kanë paraprirë kësaj situate.

 

Ata gjenden para së gjithash në pushtet – një pushtet që shenjë identifikuese e ka pasurimin pa hesap në dëm të shtetit, arrogancën, lojërat cinike dhe intrigat pothuaj bizantine politike. Për fat të keq, në të shumtën e rasteve pjesë të këtyre poshtërsive kanë qenë edhe gazetarët e blerë nga partitë politike apo nga shërbimet e tyre sekrete.

 

Individi apo një medium i vetëm është i pafuqishëm të luftojë kundër kësaj kërdie politike, etike dhe morale. Individi apo një medium vetëm mund të klithë në shkretëtirë. Në një kohë si kjo e sotmja, kur liria është shndërruar në joliri dhe topitja mendore në stil jetese, klithma nuk është pak.

 

Dhe kërkohet prej secilit qytetar si akt rezistence kundër armiqve të lirisë, të cilët, për të qenë situata më absurde, thonë se na kanë çliruar ose e kanë ndërmend të na çlirojnë./koha.net

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0