Home | Opinion | Falsiteti dhe realiteti, kudo njëlloj!

Falsiteti dhe realiteti, kudo njëlloj!

image
Me ardhjen e «Rilindjes» në pushtet, u duk sikur kjo forcë politike do të ishte më afër halleve e shqetësimeve të popullit. 

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi     

 

 

 

Kaluan pak më shumë se dy vjet qysh kur «Rilindja» erdhi në pushtet. U duk sikur «Rilindja» do të «rilindte» gjithçka që qeverisja e djathtë e kishte «groposur» në të gjithë sektorët e jetës; drejtësi, shëndetësi, arsim, kulturë, bujqësi etj. Kishte bërë premtime dhe me ardhjen në pushtet, filloi edhe marrjen e masave për realizimin e tyre. Askush nuk mund të mohojë masat që u morën dhe arritjet që u shënuan në shumë sektorë për përmirësimin e gjendjes katastrofike, ku e kishte zhytur qeverisja e mëparshme. Në këtë kuptim, krahasuar me atë se si qeverisej nga «kalorësit» që populli i rrëzoi nga «kali», ka përmirësime të dukshme. «Rilindja», ato pak ndryshime që i bëri sipas parimit «nga jashtë brenda» dhe nga «e sipërfaqshmja në brendësi», mund të themi se ato mbetën ndryshime të sipërfaqshme, pa shkuar në brendësinë e tyre. Shumë pak përmirësime në rritjen e prodhimit, në përmirësimin e nivelit të jetesës, në përmirësimin e shërbimit shëndetësor e atij arsimor, në mbështetjen e shtresave në nevojë etj., etj. Propagandohet shumë për luftën kundër informalitetit, për batërdinë që është bërë nga spekulantët dhe hajdutët e qeverisjes «berishiste», propagandohet shumë për rritjen e miliardave në të ardhura nga tatimet e doganat, por që e vërteta është se të gjitha këto miliarda, nuk po e japin efektin e tyre në mënyrë që populli, e veçanërisht shtresat në nevojë, ta ndjejnë e ta prekin këtë ndryshim në jetën e tyre të përditshme. Jo vetëm që ky ndryshim nuk po duket gjëkundi, por do të ishte më e udhës, të themi se të ardhurat ju morën nga xhepi disa hajdutëve profesionistë dhe u futën në xhepat e disa hajdutëve të tjerë! 

 

Me ardhjen e «Rilindjes» në pushtet, u duk sikur kjo forcë politike do të ishte më afër halleve e shqetësimeve të popullit. Por a mund të ishte bindëse për këtë, vetëm heqja e gardheve rreth e rrotull Kryeministrisë dhe ministrive për të bindur që, «Në të ardhmen, qeveria e re do të qëndrojë gju më gju me popullin dhe do të jetë më pranë halleve të tyre»?! E vërteta është se qeveria është larguar edhe më shumë nga «kursi» i saj, për t’i bërë të prekshme ato ç’ka u premtoi qytetarëve, halle këto që vetëm po shtohen e nuk kanë të mbaruar! A mund të jenë «bindëse», vënia në eficencë e zyrave të punës, sigurimi i kushteve komode në to, lyerja e fasadave të tyre me lloje-lloje ngjyrash, përpara punësimit të qytetarëve? Njerëzit duan dhe punë dhe jo zyra pune të zbukuruara! Mos vallë u shërua sadopak plaga e papunësisë, me të cilën është «mahisur» çdo familje shqiptare? I vetmi efekt «pozitiv» i këtyre zyrave të bukura, është punësimi i një punonjëseje dhe i një sekseri të cilët tundin vetëm «derën» sepse nuk kanë asnjë kompetencë për punësimin e qytetarëve. Ata vetëm shënojnë emrat dhe e vetmja shpresë, është që të jetojnë me shpresa! Siç thuhet nëpër statistikat, afro gjysma e atyre që merrnin asistencë ekonomike, nuk e meritonin këtë shërbim, pasojë kjo e «humanizmit» të shtetit «Sali», për të bërë për vete sa më shumë simpatizantë dhe votues! «Rilindja» bëri mirë që ua preu atyre që nuk e meritonin këtë shërbim, por problemi është se këto të ardhura nuk shkuan tek ata që me të vërtetë kanë nevojë për këtë shërbim, që janë të paaftë, siç janë para e tetraplegjikët etj., etj. Gjendja e tyre është po atje ku kanë qenë, në mos më keq. Po t’i marrim me radhë të gjitha këto, nuk do të dilnim kurrë, por le të marrim vetëm shërbimin shëndetësor, ku qytetarët, më shumë se nga sëmundjet që u vijnë nga «perëndia», vuajnë nga ato që u vijnë nga shteti i vet. A mund të jenë «bindëse» disa masa që u morën në ambientet e jashtme të Qendrës Spitalore «Nënë Tereza» për heqjen e kioskave e «gabove» me rroba që shiteshin në ambientet e saj? Këto ndryshime nuk mund të themi që nuk ishin të domosdoshme, por ajo çka është esenciale, gjendja e shërbimit shëndetësor për qytetarët, korrupsioni galopant, mungesa e barnave e rritja e çmimit të tyre, etj., jo vetëm që nuk e ka përmirësuar këtë shërbim, por përkundrazi e kanë përkeqësuar edhe më tepër. 

 

Premtimi i «Rilindjes» për shëndetësi falas ishte një «lajthitje» e saj dhe për këtë askush nuk e akuzon, sepse një gjë e tillë në këtë sistem që pjell vetëm korrupsion, varfëri e pangopësi, është e pamundur! Më shumë se sa shtetit, qytetarët i luten Zotit për rruajtjen e shëndetit të tyre, në të kundërt do të përfundojnë në pavionët e Qendrës Spitalore, që krahas sëmundjes duhet t’i bëjnë mirë llogaritë për të gjetur të ardhurat për mjekun, infermieren, për pastruesen e deri tek roja në hyrje të spitalit e të pavionit! Kjo gjendje është këtu, në kryeqytet, por «beteri nuk ka fund» thotë populli. Sa më larg kryeqytetit të shkosh, aq më problematik bëhet ky shërbim. E tillë është gjendja edhe në krahinën e Devollit, ku ajo më e «sëmura» është shëndetësia, sikur të mos i mjaftonin devolliut hallet e mëdha në bujqësi, i cili me punën e tij nuk merr dot as djersën që derdh gjatë gjithë vitit. Duket sikur «shembullin» e Qendrës Spitalore «Nënë Tereza», për zbukurimin dhe «lulkat» nga jashtë e ka ndjekur edhe Drejtoria e Shërbimit Publik në Kryeqendrën e Devollit, Bilisht. Ajo është zbukuruar më së miri nga ambientet e jashtëm e të brendshme, me lulishte e stola ngjyra ngjyra, e cila të krijon idenë se ky shërbim duhet të jetë në nivelin e kërkuar. Nuk mund të themi që nuk është bërë investim për përmirësimin e kushteve të këtij shërbimi në këtë Drejtori, por ato janë larg asaj që kërkon ky shërbim parësor. Më shqetësuese është gjendja në të pesë qendrat shëndetësore që mbulojnë kujdesin parësor të shëndetit dhe shërbimin epidemiologjik e higjieno sanitar në këtë drejtori. A ka ndryshime me investimet e bëra në shërbimin shëndetësor e spitalor të qytetarëve? Me përjashtim të atyre të punësuarve në sektorët që nuk e meritojnë, shumica flasin për përkeqësimin e këtij shërbimi. Jo më larg se para dy vjetësh, ky shërbim ka qenë shumë problematik si përsa i përket gjendjes së ambulancave, barnave, pajisjet e qendrave shëndetësore e deri tek mbushja e këtyre qendrave me militantë partie e të pashkolluar. Ardhja në pushtet e «Rilindjes» i rriti shpresat për ndryshime por gjendja mbeti po aty, me ndryshime shumë të pakta. Por krahasimet nuk duhen bërë me qeverisjen e mëparshme ku ky kujdes ishte pothuaj zero. Largimi i Drejtorit të mëparshëm të kësaj Drejtorie, Albert Lilo, një mjek me përvojë dhe ardhja në krye të këtij institucioni të V. Nallbatit, i cili në të kaluarën nuk ka punuar asnjëherë në këtë sektor, nuk i shërbeu përmirësimit të gjendjes. Qysh këtu filluan padrejtësitë për largimin e të aftëve dhe emërimin e të paaftëve në sektorin e shëndetësisë. Bëhet luftë për emërimin e miqve dhe shokëve në këtë sektor që ka të bëjë me shqetësimet e qytetarëve. Duhet të paguash për të zëvendësuar një punonjës të aftë me një të paaftë, duhet të «vrasësh» mendjen për të gjetur forma e mënyra për të larguar ata të aftë, që nuk kanë miq e shokë për të mbajtur vendin e punës. Nuk kanë asgjë më shumë nga të tjerët, mjekët e nderuar Festim Bode, Astrit Agasrta e të tjerë, të cilët profesionalizmin dhe përkushtimin për punën, e tregojnë duke qenë sa më afër halleve e shqetësimeve të qytetarëve. Për këtë, qytetarët flasin me respekt për këta mjekë e shumë të tjerë si këta. Për vite të tëra punoi sanitarja Muazes Beshi në spitalin e këtij qyteti dhe ja tek vjen një ditë me ardhjen e qeverisjes së djathtë dhe pa asnjë shkak, në vitin 2005, ajo pushohet nga puna. Motivacioni? Ka marrë pjesë në mitingjet e Partisë Socialiste. Por as partia e «zemrës» nuk po e punëson këtë nënë me katër fëmijë dhe bashkëshortin e papunë, derisa të mbarojë sistemimi në punë i të paaftëve! Duket sikur «lufta e klasave» në diktaturë është zëvendësuar me «luftën e partive» në demokraci, një luftë më e ashpër nga lufta e klasave, ku pasojat i vuan një numër më i madh qytetarësh nga të dy krahët e politikës, që largohen nga puna pa shkak. 

 

Punësimi i të paaftëve vazhdon në ambulancën Baban, me një ndihmës stomatologe pa arsimin përkatës, në Ecmenik me të njëjtën nivel, në Kuç, në Miras e kështu me rradhë. Kriteri bazë për punësim është të kesh miq! Çdokush që shkon në fshatrat Vishocicë me më shumë se 840 banorë, në Sul me mbi 1200 banorë, në Vërnik me 200 banorë etj., dhe sheh ambulancat shëndetësore, nuk i beson që ato janë të tilla. Qysh në pamjen e tyre të jashtme të krijohet përshtypja që ato çdo gjë mund të jenë, edhe depo për grumbullimin e qepëve, edhe koteca bagëtish, por jo qendra shëndetësore. Po të futesh në brendësi, do të shohësh që aty ka mungesa të theksuara në barna, në pajisje shëndetësore, në ujë, drita, etj., etj., dhe merret më mend gjendja e ambulancave të atyre fshatrave me më pak banorë si në Ziçisht, Zagradec etj. Ujrat e zeza rrjedhin fshatrave dhe era e rëndë që vjen prej tyre, si në fshatin Bitinckë me më shumë se 3000 banorë, është «prezantimi» i parë me fshatin. Thonë që ky shërbim tani i është hequr Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe i është dhënë bashkisë. Kur këtë shërbim nuk e vuri në rrugën e zgjidhjes DSHP-ja bashkë me komunën, bashkisë «hallemadhe», do t’i vijë rradha të merret me këtë punë në shekullin e ardhshëm! Nuk thonë kot devollinjtë që ikën nga «shiu» e ranë në «breshër»! Por, e keqja më e madhe e tyre tani, është ajo që janë gjysma në «shiun» e kaluar e gjysma në «breshërin» që erdhi para dy vjetëve, e vazhdon të «bjeri» akoma...!

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00