Home | Opinion | Erë lufte...

Erë lufte...

image
Në dekadën përpara Luftës së Parë Botërore, ekonomia e Gjermanisë rritej me 13 përqind dhe shpenzonte 64 për qind në armatime.

 

 

 

Nga Shashank Joshi

 

 

 

Në një prej udhëtimeve të Margaret Thatcher në Pekin në vitet ’80, Charles Moore na tha në biografinë e tij të fundit, se udhëheqja kineze shpresonte ta trishtonte Britaninë për Hong Kongun. Ata ndërmorën një skemë djallëzore: i mbajtën xhinin-tonik Dennis Thatcher-it. Edhe pse më pas ata e zbutën këtë ligësi, anekdota na tregon se Kina rrotullohet nga t’i vijë për mbarë kur është e nevojshme.

 

David Cameron e di mirë këtë. Atij iu deshën vite për ta rifituar besimin kinez, pasi iu shkeli në kallo duke takuar Dalai Lamën më 2012-n. Por ndërkohë që është e lehtë për ne të aplikojmë një shtrëngim ekonomik për plagën e të drejtave të njeriut, rritja meteorike e Kinës paraqet probleme më thelbësore për të tjerët.

 

Prania e gjerë ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Azi ka sjellë 70 vjet prosperitet dhe stabilitet – me Kinën që ka qenë një prej përfituesve. Sot kjo prezencë kërcënohet nga pasuria në rritje dhe sofistikimi i forcave ushtarake kineze, sikurse janë raketat që mund të mbërrijnë deri tek aeroplanmbajtëset amerikane në Oqeanin Paqësor.

 

Gjatë viteve të fundit, Kina i ka zgjeruar pretendimet e saj në Detin Jugor Kinez, duke ndërtuar ishuj të mëdhenj dhe duke vendosur pajisje ushtarake në to, si dhe ka kërkuar që ushtritë e tjera të qëndrojnë 12 milje larg zonës ekskluzive përreth tyre. Kjo kërcënon parimin themelor të lirisë së lundrimit, në një zonë ku kalon 30 përqind e tregtisë botërore me anije. Edhe pse ka edhe vende të tjera që kanë pretendimet e tyre të dyshimta, askush nuk ka arritur që t’i anashkalojë të tjerët brenda një kohe kaq të shkurtër.

 

Fuqia e Kinës po rritet me një përqindje që është e vështirë për t’u kuptuar për ne. Në dekadën përpara Luftës së Parë Botërore, ekonomia e Gjermanisë rritej me 13 përqind dhe shpenzonte 64 për qind në armatime. Por në 10 vitet e fundit ekonomia e Kinës është rritur plot katër herë më shumë, ndërkohë që shpenzimet e saj ushtarake janë trefishuar. “Asnjëherë më parë në histori”, shkruan stuiuesi i Harvardit Graham Allison, “një shtet nuk është rritur kaq shumë, kaq shpejt, në kaq shumë përmasa të fuqisë”. Allison argumenton se një ndryshim kaq i shpejtë dhe masiv në balancimin e pushteteve është shoqëruar me luftë në 12 nga 16 raste gjatë 500 viteve të fundit. Si mund ta shmangim një fat të tillë?

 

Kujtoni së pari se Kina ka edhe fuqi diplomatike. Ajo ka një karrige në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa dy superfuqitë e saj rivale në rajon – Japonia dhe India – jo. Është e vërtetë, Kina nuk është e përfaqësuar siç duhet në disa institucione kyçe globale që u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo renditet e gjashta në numrin e votave në FMN edhe pse është ekonomia e dytë më e fuqishme në botë. Por shtetet – përfshi edhe Britaninë – janë dyndur për t’iu bashkuar Bankës Aziatike të Investimeve (AIIB) që udhëhiqet nga Kina. Banka e re e Zhvillimit e krijuar nga pesë vendet e BRICS-it (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) do ta ketë gjithashtu selinë në Kinë. Dhe vetë Banka Kineze e Zhvillimit me seli në Pekin tashmë ka dhënë më tepër kredi se Banka Botërore.

 

Kina nuk mbetet as jashtë diplomacisë tradicionale. Për shembull, Uashingtoni i mirëpriti përpjekjet kineze për të ndërmarë bisedime mes Afganistanit dhe Talebanëve sivjet. Kina meriton një vend të përshtatshëm me përmasat e saj, sepse sigurisht nuk është një fuqi e padëshiruar.

 

Po me rendin e sigurisë ç’mund të bëhet? Pesimistët argumentojnë se trajektorja e Kinës nuk na lë asnjë opsion tjetër veçse t’i kënaqim pretendimet e saj radikale në Paqësor, ndoshta duke i garantuar Pekinit njëfarë versioni të saj të Doktrinës Monroe. Një gjë e tillë nuk do të ishte e mençur. Kina vërtet mund të jetë duke e eklipsuar individualitetin e secilit prej rivalëve të saj, por kundërshtarët e saj janë duke ndërtuar lidhje të reja dhe më të forta me njëri-tjetrin, pavarësisht mosmarrëveshjeve që mund të kenë. Javën e kaluar, për shembull, India praktikoi një nëndetëse sulmuese së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Në Shtator, Tokio miratoi një ligj që i lejon ushtrisë së saj të luftojë jashtë vendit.

 

Kur Shtetet e Bashkuara shpallën Doktrinën Monroe në vitin 1823, nuk kishin rivalë të përmasave të Indisë apo Japonisë në dyert e tyre. Kurse Pekini, ndërkohë, nuk ka shumë miq, me përjashtim të ndonjë rasti të izoluar si Koreja e Veriut. Vërtet Kina dhe Rusia po afrohen, por një perol-shtet i izoluar dhe në krizë ekonomike dhe i ngecur në Ukrainë dhe Siri, zor se mund të jetë një aset më shumë për kinezët. Shekulli i 21-të nuk është kinez, por aziatik.

 

Edhe nëse ne i mirëpresim mallrat dhe kapitalet kineze në Perëndim dhe punojmë me Pekinin në çështje globale si mospërhapja e armëve bërthamore dhe ndryshimi i klimës, duhet të jetë përparësi strategjike të mbështesim dhe forcojmë këtë grup fuqish rajonale që shqetësohen dhe preken direkt nga sjellja e Kinës. Shtetet e Bashkuara, pavarësisht nga i ashtuquajturi strumbullar i Azisë (një zhvendosje modeste e forcave ushtarake drejt lindjes) e kanë zbuluar këtë. Kjo është arsyeja se përse Uashingtoni ka shfaqur vullnetin për t’i dhënë një teknologji jashtëzakonisht të përparuar si dizajni i aeroplanmbajtësve, një vendi jo-aleat si India. Për të njëjtën arsye Marina jonë Mbretërore ka trajnuar kolegët e tyre japonezë për t’i bërë ballë sulmeve në ishujt e përfolur.

 

“Ka ende 209 copëza toke të papushtuara në Detin Jugor të Kinës”, vuri në dukje një ushtarak i lartë kinez për një revistë amerikane javën e kaluar, “dhe ne mund t’i përvetësojmë që të gjitha”. Udhëheqësit kinezë mund të tërhiqen nga ide të tilla vetëm nëse ndërtohet një arkitekturë e fortë dhe e gjerë sigurie në Azi./ The Telegraph

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00