Home | Opinion | Modeli i suksesit të Putinit

Modeli i suksesit të Putinit

image
Zyrtarët perëndimorë të cilët shprehen të befasuar nga qëllimet e turbullta të Vladimir Putinit në Siri nuk kanë kapur thelbin e çështjes. Ka një model të qartë për fushatën që po përdor Rusia për llogari të diktatorit ...

 

 

 

Nga Jackson Diehl

 

 

 

Zyrtarët perëndimorë të cilët shprehen të befasuar nga qëllimet e turbullta të Vladimir Putinit në Siri nuk kanë kapur thelbin e çështjes. Ka një model të qartë për fushatën që po përdor Rusia për llogari të diktatorit sirian Bashar al-Assad, një trashëgimi që është krenaria e Putinit: Çeçenia.

 

Republika myslimane në kaukazin e veriut dhe lufta dhjetë vjeçare që ndërmoi Putin atje më 1999 është thuajse harruar nga bota e jashtme që kur diktatori i vendosur atje nga Putini, Ramzan Kadyrov, e konsolidoi kontrollin nga fundi i viteve 2000. Por Kremlini e sheh atë si një “shembull të mirë, unik në historinë e luftës ndaj terrorizmit”, sikurse ka thënë, Dmitry Medvedev, kryeministri i Putinit. Çeçenia, tha Medvedev vitin e kaluar, është “një prej kartë-vizitave të Rusisë.”

 

Por cilët janë elementët e kësaj formule fituese? Së pari, të cilësohet e gjithë opozita ndaj regjimit mbizotërues si terroriste, pa i dalluar nga xhihadistët më ekstremistë. Kjo mundëson një qëllim thelbësor politik: të eliminohen alternativat. Në Siri, sot, forcat e moderuara dhe laike të opozitës janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u gjetur. Ky nuk qe rasti i Çeçenisë në vitin 1999. Presidenti nacionalist i vendit, Aslan Maskhadov, kishte fituar zgjedhjet demokratike, duke mundur një kundërshtar islamit 59 me 23 përqind. Pararendësi i tij, Dzhokhar Dudayev, qe aq laik sa që nuk e dinte se sa herë në ditë faleshin myslimanët.

 

Rusia i vrau që të dy, së bashku me çdo udhëheqës tjetër çeçen që mund të gjenin, si në vend ashtu edhe jashtë. Njëri u vra në Vjenë; një tjetër në Dubai. Kur udhëheqësit perëndimorë e trysnuan Putinin që të negocionte me Maskhadovin dhe dhe të moderuarit e tjetër laikë, ai u përgjigj gjithnjë i mllefosur. “A do ta ftonit ju Osama bin Ladenin në Shtëpinë e Bardhë… dhe ta lini atë të diktojë ç’të dojë?”, e pyeti ai njërin prej pjestarëve të grupit të vizitorëve perëndimorë.

 

Nuk është ndonjë surprizë që bombardimet e para të Rusisë në Siri janë kryer ndaj opozitës së moderuar të mbetur. Nuk është puna vetëm se mbështeten nga SHBA-të; ata përbëjnë një alternativë faktike ndaj regjimit të Assadit dhe kështu që, nën shembullin e Çeçenisë, duhet të eliminohen. “Ai nuk bën dallime ndërmjet Shtetit Islamik dhe një opozite të moderuar sunite që kërkon që Z. Assad të largohet”, tha presidenti Obama pas takimit me Putinin në Kombet e Bashkuara. “Për pikëpamjen e tyre, ata janë që të gjithë terroristë”.

 

Fazat e para të fushatës ushtarake ruse në veri të Sirisë kanë ndjekur një model të njohur. Bombardimet e rënda goditja e zonave të mbrojtura të civilëve paraprin ndërhyrjen nga toka, tamam si në Çeçeni. Sipas një raporti mbi Çeçeninë të përpiluar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizës, “krimet e luftës dhe krimet ndaj njerëzimit të shkaktuara nga trupat ruse”, përfshinin “bombardimet dhe goditjejt pa bërë dallime, burgjet sekrete, dëbimet, varret masive dhe skuadrat e vdekjes”. Një taktikë e zakonshme, shkruhej në raport, qe “pengmarrja e të afërmve të kryengritësve, duke i nënshtruar ata ndaj torturave apo ekzekutimeve dhe duke iu djegur shtëpitë”.

 

Shkurtimisht, focat e Assadit dhe aleatët e tyre libanezë dhe iranianë mund të bëjnë një hap përpara me brutalitetin e tyre duke u bashkuar me taktikat çeçene të Putinit. Për këtë ata mund të marrin këshilla nga një ekspert: Kadyrov i ka kërkuar Putinit të dërgojë në Siri ushtrinë e tij personale prej 20,000 anëtarësh e njohur si “kadyrovtsy”. Vegla propagandistike shtetërore Russia Today e citonte atë të kish thënë se donte të shkonte ‘atje dhe të marrë pjesë në operacionet speciale”.

 

Kadyrov dhe marrëdhënia e tij me Putinin jep një tjetër leksion për ata që pyesin a është i gatshëm Putini ta rrëzojë Assadin – një mundësi për të cilën Obama ka vënë bast shpesh. “I forti” çeçen është edhe më i ligë se fjalëpaku Assad; Kadyrov njihet se vret dhe torturon me dorën e tij. Ai ka forcuar një kult personaliteti në Çeçeni, merr taksë nga çdo biznesmen dhe qytetar dhe urdhëron gjithnjë vrasjet e kritikëve të tij, që nga gazetarët dhe aktiviztët e të drejtave të njeriut e deri te politikanët rusë. Shumëkush mendon se ai është përgjegjësi për vrasjen e liderit të opozitës ruse Boris Nemtsov, i cili u qëllua pranë Sheshit të Kuq dimrin e kaluar.

 

Përgjigja e Putinit ka qenë një ofrim jo vetëm tolerance por edhe mbrojtjeje të plotë për Kadyrovin. Grupi i Krizës ka raportuar se krerë të lartë sigurimit rus u përpoqën ta godisnin çeçenin duke arrestuar ekzekutorin e tij për vrasjen e Nemtsovit. Por Putini ndali ata dhe i dha Kadyrovit një medalje fill pas vrasjes. “Për sa kohë reputacioni i presidentit Putin nuk dëmtohet seriozisht nga protektori i tij, rregullat e lojës nuk kanë gjasa të ndryshojnë”, përfundonte raporti. Të njëjtat rregulla do të aplikohen edhe për Assadin.

 

Përgjigja kryesore e Obamës ndaj sulmit të ri të Putinit ka qenë parashikimi se rezultati do të jetë një “bumerang”. Por Putini e ka dëgjuar këtë edhe më parë. Për vite me radhë liderët perëndimorë e parlajmëruan atë se lufta në Çeçeni ishte e pafitueshme, se e vetmja zgjidhje ishte politike. Megjithatë Putini këmbënguli me mbi një dekadë luftime të përgjakshme që i kushtuan Rusisë të paktën 6,000 ushtarë të vrarë dhe Çeçenisë disa dhjetëra mijëra. Rezultati qe një paqëtim që tani ai e trumbeton si “kartëvizitë”. Mos prisni prej tij që të tërhiqet shpejt në Siri pa e arritur një rezultat të tillë./The Washinton Post

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0