Home | Opinion | Një lojë e dështuar

Një lojë e dështuar

image
Shkaqet për të penguar mazhorancën që të realizojë me sukses një numër reformash për të sjellë në binarë shtetin e kalbur dhe në tranzicion 25 vjeçar, janë të shumta.

 

 

 

 

 

 

Nga Pirro Prifti  

 

 

 

 Ngjarjet kanë rrjedhur me shpejtësi gjatë këtyre kohëve, kur maxhoranca në pushtet po përpiqet te realizoje reformat e miratuara dhe nga ndërkombëtarët si reforma vendore, reforma arsimore, reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi (kjo e fundit e iniciuar me ngut nga opozita; por në fakt dekriminalizimi është një shtojcë e reformës në drejtësi), ndërsa opozita vazhdimisht është duke u përpjekur t’i pengojë këto reforma, duke përdorur të tëra mjetet që ka në dorë.

 

Përpjekjet e ethshme të opozitës së sotme për të shkatërruar koalicionin e majtë i cili fitoi dy herë zgjedhjet, ato të përgjithshme të 2013 dhe lokale 2015, mund të kenë sukses nëse idea e Berishës `dividere et impera`, do të arrijë të rimojë me bejtet e Metës së LSI të tipit: `malësor` kundër atyre `moçalor`. Si e ka realizuar deri tani opozita përpjekjen e vazhduar për një destabilitet politik dhe përse?

 

Shkaqet për të penguar mazhorancën që të realizojë me sukses një numër reformash për të sjellë në binarë shtetin e kalbur dhe në tranzicion 25 vjeçar, janë të shumta. Një nga shkaqet kryesore të opozitës për të destabilizuar politikisht vendin është dëshira për të fshehur dhe kamufluar shkeljen e ligjit dhe korrupsionin galopant të arritur gjatë viteve 2005-2013, vite në të cilat u arritën rekorde negative për shtetin shqiptar: mungesa e ligjit, mospasja frikë ndaj ligjit, korrupsioni galopant dhe mungesa e ndonjë reforme të vërtetë për të përmirësuar gjendjen. Pasoja ishte gropa e madhe e borxheve buxhetore dhe borxhet ndaj privatëve, dhe fshehja e gjendjes. 

 

Shkaku tjetër kryesor ishte frika se mos mazhoranca përpiqej të vinte përpara përgjegjësisë shkaktarët ministra etj., por një nga përgjegjësit kryesorë ndonëse jo direkt, ishte vetë kryeministri i atëhershëm me moskontrollin e gjendjes apo me daljen nga duart e drejtimit të egzekutivit.

 

Shkaku i tretë mbetej fshehja e gjendjes në të cilën rrëshqiti vendi gjatë tetë viteve apo disinformimi i qëllimshëm publik. Këtë nuk mund të themi që u bë me qëllim, por mungesa e kontrollit nga ana e egzekutivit bëri që droga, shkelja e ligjit në çdo aspekt të jetës në vend, mungesa e vënies para ligjit të shkaktarëve apo vendosja para ligjit e personave të tipit që përmendte Fan Noli në vjershën e tij: `Kryqëzojë këtë se na vodhi fort pak, kryqëzoje atë se nuk vodhi aspak`, bëri që të lulëzonte informaliteti dhe anti-ligji. 

 

Kështu Shqipëria, që para 2013 ishte e mbjellë me drogë por nuk flitej, kishte kontrabandë por nuk përmendej, kishte shkelje të ligjeve nga drejtuesit por nuk vihej drejtësi, kishte papunësi por nuk diskutohej, kishte emigrim dhe kërkesa për azil por heshtej, kishte shkelje të të drejtave të pronës por nuk thuhej.

 

Shkaku i katërt ishte përgatitja e mediave vizive dhe auditive për pseudo analiza dhe pseudo-opinione për të fshehur realitetin. 

 

Shkaku i pestë por jo më pak i rëndësishmi, ishte vazhdimi i vënies në drejtim të individëve jo-profesionistë, ose militantë, të cilët e zhytën egzekutivin dhe lokalet në llumin e korrupsionit. Vendosja në drejtim e këtyre individëve për një kohë të gjatë në drejtim vazhdon të shkatërrojë menaxhimin e resurseve, dëmton administratën, dhe drejtimin e të gjitha hallkave shtetërore dhe publike të egzekutivit dhe atyre vendore...

 

Shkaku i gjashtë mbetet përfshirja në drejtim e individëve që vijnë nga partitë e vogla, dhe shfrytëzimi nga ana e këtyre partive e nevojës për të patur një qeveri të realizuar me numra parlamentarë të mbi 70, bën që qeverisja dashje pa dashje, të bjerë në duar jo profesionale duke e vënë shumicën e atëhershme në `zeit not` apo përpara alternativës: `prano njerëzit e mi ose… prishet koalicioni dhe qeverisja`...

 

Shkaku i shtatë ishte përfshirja (që në kohën kur opozita e sotme ishte në qeverisje) e elementëve me të kaluar jo të mirë apo kriminale, por mos amendimi i ligjeve me apo pa qëllim nga ana e mungesës së direktivave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, sidomos ligji për KQZ, bëri që në forcat politike më të mëdha PD dhe PS të hyjnë njerëz jo cilësorë.

 

Shkaku i tetë, mungesa e këshilltarëve profesionistë në stafet e ministrave dhe të kryeministrit, madje dhe të drejtuesve që ua lejon ligji, bëri që vendim-marrjet të jenë jo të rregullta.

 

Këto shkaqe të mësipërme opozita e sotme i kishte parasysh, por humbja e betejës në 2013 dhe humbja e zgjedhjeve vendore, kërkesa e mazhorancës për të vënë drejtësi dhe për të bërë reformat, të cilat opozita e sotme nuk i bëri dot dje, alarmoi ish ministrat, ish drejtuesit, dhe vetë kryetarin e dorëhequr të partisë. Pavarësisht se ndërkombëtarët përgëzuan fituesit, i quajtën zgjedhje të mira, opozita e alarmuar nga fraza pak misterioze e kryeministrit të sotëm: `nuk keni parë asgjë akoma` u hodh në sulm duke provuar edhe njëherë se mbrojtja më e mirë është sulmi. 

 

Pa bërë asnjë analizë se përse humbën, pa bërë asnjë përgjegjës për disfatën përveç dorëheqjes së mirëpritur nga populli i ish kryeministrit, pa u kujdesur se ishin përgjegjës për të gjitha argumentat e shtruara më sipër, opozitarët të drejtuar nga një riosh i korruptuar 200 milionësh (sipas mediave, i cili si shumë të tjerë politi-qenër, mendojnë se të dish një gjuhë të huaj na qenka gjithçka në drejtimin e vendit), hartuan strategjinë e sulmit. Disa nga taktikat sulmuese më të spikatura, të cilat duhej të linin përshtypje në popull, duhej të ishin taktikat në të cilat duhet të kishte të vërteta. Këto të vërteta i gjetën nga përgjegjësitë e padënuara të vetë këtyre ish pushtetarëve. Me një kapërcim ylberi, sikur të mos ishin ata përgjegjësit e rrënimit ekonomik, social dhe politik të Shqipërisë, rrënim vazhdon që nga 1990 nëpërmjet një tranzicioni të zgjatur e plot gabime e faje. Opozita e sotme, akuzoi mazhorancën e sotme për fajet që i kishte bërë vetë, duke i atribuuar fajet e veta mazhorancës. Disa nga këto faje (të cilat janë shkaqet e sipërpërmendura), ngecën tek mazhoranca, sepse koalicioni jo-natyral që bëri PD me LSI, la pasojat e veta tek LSI e cila bëri koalicion me PS.

 

Dy goditjet kryesore të Opozitës ishin: dekriminalizimi i cili në fakt ishte pasojë e mos rregullit të ligjit për KQZ dhe mungesa e orientimeve apo e amendamenteve të Ministrisë së Drejtësisë që para 2013, dhe korrupsioni CEZ në të cilin goditeshin ministrat e LSI dhe direkt Ilir Meta. Të dy këto goditje të perfeksionuara gjatë dy viteve qeverisje së bashku me gabimet e bëra në punë nga mazhoranca bëri që sot mazhoranca të ndodhet në një udhëkryq të madh. Nga njëra anë dekriminalizimi, ku në PS janë larguar apo ndodhen nën hetim dy deputetë, por pengesa që po i bëhet reformës në drejtësi mundëson opozitën që të mbajë si deputetë, dy ish të dënuar duke mos i përmendur këta që ka vetë, por duke zhurmuar për ata të mazhorancës.

Nga ana tjetër, problem i CEZ, në të cilin janë të zhytur si qeverisja e atëhershme shumica dërrmuese e të cilëve janë deputetë sot, por edhe vetë Kryetari i LSI e ndjen veten të kërcënuar nga problem i një korrupsioni të madh, i cili mesa duket është realizuar nëpërmjet ndonjë VKM jo të rregullt, duke caktuar një kompani private në të cilën përfshiheshin edhe 10 nënkompani të tjera për të mbledhur detyrimet, në një kohë kur vetë CEZ duhej ti mblidhte pa praninë e privatit, i cili shpërdoroi paratë. Elementi shtesë në këtë sulm malinj ndaj mazhorancës është dëshira për të përfshirë kryeministrin në këtë aferë duke i përmendur atij se CEZ kishte borxh rreth 600 milionë euro, pra sipas opozitës i paska marrë kryeministri këto para borxh. Por, harrojnë të thonë se ky 600 milionësh euro është borxh, pra është një gropë financiare e shkaktuar nga privatizimi i gabuar dhe nga keqmenaxhimi. Pra, këto para që ka borxh CEZ nuk janë realisht, por do të trashëgoheshin ashtu siç u trashëguan pas 2013. BE e orientoi qeverinë që të mbyllte arbitrazhin, të cilin me siguri do ta humbte dhe të merrte përsipër borxhin e qeverisë së kaluar. Kjo ndodhi. 

 

Prandaj ky sulm djallëzor, i pashembullt (se i pamoralshëm dihet që është), për të përfshirë kryeministrin e sotëm në një aferë ku opozita e sotme ka rënë kokë e këmbë, ka për qëllim që të shkaktojë prishjen e koalicionit qeverisës. Këtyre sulmeve malinje u shtohen sot budallallëqet politike të Rioshit 200 milionësh për `mosbindje civile`, por edhe sulmet e ish-komunistit Islami i cili thërret për kryengritje. Një turp i vërtetë për këtë fizikant të dështuar, që ka tradhtuar shokët e vet për një post si ai i deputetit, të cilin nuk duhet ta meritojë sepse duhet të përfshihet në ligjin e lustracionit.

 

Rezultati i kësaj paçavure politike shqiptare mbetet si gjithmonë: Në kohën kur BE dhe SHBA fton për të ecur përpara, për të luftuar terrorizmin, e cilëson Shqipërinë si `vend i sigurtë`, e fton për t’u integruar dhe pas realizimit të reformave- të anëtarësohet në BE, këta opozitarë, disa përgjegjës për në vënien e pengesave qoftë nga injoranca qoftë nga frika e ligjit, kanë ngritur një zhurmë artificial për të përçarë mazhorancën me qëllim që të mos realizohen reformat e marra nga kjo mazhorancë. Për fat të keq, edhe kryetari i LSI nuk po jep mesazhe të vendosura për të ruajtur koalicionin. Kjo tregon se edhe ai mund të jetë i përfshirë në afera korruptive, sepse nuk është më rastësi që edhe në qeverisjen me Nanon, edhe në qeverisjen e panatyrshme me PD edhe në qeverisjen me mazhorancën e sotme, ky individ ka shkaktuar probleme të mëdha të cilat duhen analizuar më thellë. Nëse ka ndërmend të shkatërrojë koalicionin për të shpëtuar veten, le ta bëjë, sepse do të humbasë gjithsesi; sidoqoftë nëse është i papërlyer lë të qëndrojë fort në koalicion dhe të ndihmojë të përshpejtohen reformat për të cilat ka nevojë populli dhe vendi.

 

 Populli ka nevojë për zbatimin e ligjit, për punësimin, për largimin e informalitetit, për realizimin e reformave të shpallura, pra ka nevojë për t’u futur sa më parë në BE nëpërmjet integrimit. Lojrat e fëlliqura për të destabilizuar politikisht Shqipërinë nuk janë në interes të Shqipërisë, por në interes të atyre që mbajnë përgjegjësi për vonesat, korrupsionin, mungesën e ligjit dhe për futjen në drejtim të katundarisë, duke lënë mënjanë teknokratët dhe meritokratët.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0