Home | Opinion | Demokrat?!

Demokrat?!

image
Çuditërisht, asgjë e keqe nuk i ka ardhur popullit dhe Shqipërisë nga këta martirë të sakrifikuar barbarisht nga regjimi i komunistëve...

     

 

Nga Bedri Çoku

 

Shqiptarët kanë eksperiencën më të hidhur në botë për sa i përket diktaturës së një shteti të paligjshëm dhe tmerri që pësuan prej të “jashtmëve”, apo “të huajve”, gjatë asaj diktature...Janë disa shembuj tek ne që s’kanë ndodhur në asnjë vend të botës, në sistemet  diktatorialë ...
Mënyra se si erdhi diktatura tek ne, duam  s’duam ne, shqiptarët, do ta pranojmë se ajo na erdhi “me detyrim”. Rrethanat gjeostrategjike të pas
Luftës së Dytë Botërore, e detyruan popullin tonë, ku me propagandë dhe ku me plumb kokës, t’i nënshtrohet politikave  shkombëtarizuese për interesat shoviniste të fqinjëve dhe strategjive të fuqisë ushtarake  të Bllokut të Madh Lindor. Këtë nuk e deshën shqiptarët të ndodhte por, Fuqitë e Mëdha   Perëndimore, e vendosën këtë fat për ne, për interesat e tyre më madhore se ato tonat dhe, me këtë rast u detyruam, e theksoj, “u detyruam” të vuanim disa dekada nën thundrën e vasalitetit të Bllokut të egër Lindor.
Kjo gjë tashmë është më se e qartë dhe vetëm ndonjë “alergjik” apo “inatçi” nuk e  pranon. “Ai” ose “ajo” nuk duan që të pranojnë edhe tranzicionin e stërzgjatur pikërisht për këto arsye, gjasme se populli ynë e fitoi luftën partizane me forcat e veta dhe Shqipëria u bë sovrane vetëm në saj të kësaj lufte...E ndërtoi socializmin me forcat e tij dhe e çoi përpara zhvillimin e vendit, pa asnjë ndihmë imperialiste e  revizioniste...E fitoi pluralizmin me vullnetin dhe trimërinë e studentëve dhe nuk u njihet merita as të huajve  dhe as atyre shqiptarëve që e kundërshtuan diktaturën që në fillimet e saj, me jetën dhe  pasurinë e tyre... Edhe ata të brendshëm e të jashtëm që nuk janë në një mendje me dëshirat dhe interesat tona sot, janë armiq të popullit tonë dhe të Shqipërisë...
Ky është një mentalitet i rrënjosur që në kopshtet e fatosave në mendjen e disa brezave  në Shqipëri që tashmë është e vështirë t’ua largosh vetëm me fjalë të urta dhe dashamirësi njerëzore...
Vini re:
Kujtoni këto njëzet vjet  në pluralizëm se kush e ka çuar vendin tonë disa herë në zgrip...
Me siguri duhet të kishin qenë të burgosurit politikë dhe të internuarit, që dolën nga burgjet dhe kampet e internimit mu si ca “pacientë” të leqendisur fizikisht e materialisht,  të cilët kishin nevojë më tepër se cilido për ndihmën e shtetit dhe të shoqërisë dhe s’e përfituan asnjëherë atë çka meritonin në masën e duhur...Jo vetëm kaq, por në kundërshtim me të gjitha konventat botërore për të drejtat e Njeriut, ata qenë të detyruar dhe janë përditë përballë persekutorëve të tyre, të pasur e të krekosur ende nëpër zyrat e shtetit dhe në gjykatat e vendit...
Me siguri duhet të kishin qenë pronarët e ligjshëm dhe kulakët që u grabitën dhe u masakruan çnjerëzisht nga grabitësit e veshur me pushtet të paligjshëm...nga pushteti i   fituar me grykën e pushkës, nga ca njerëz të shitur këmbë e kokë për interesat e tyre personale dhe familjare...por që, ende sot e kësaj dite, nuk kanë marrë qoftë edhe një metro katrorë nga pronat e tyre...
Çuditërisht, asgjë e keqe nuk i ka ardhur popullit dhe Shqipërisë nga këta martirë të sakrifikuar barbarisht nga regjimi i komunistëve...Dhe sigurisht, kurrë nuk ka për t’i ardhur. Sepse ata janë shqiptarë të ndershëm dhe patriotë. Janë të ndërgjegjshëm se nuk ishte populli shqiptar dhe Shqipëria ajo që ua bëri gjëmën dekada të tëra, por vetëm një klikë e shitur, disa njerëz të indoktrinuar me ideologjinë komuniste, me ndjesi të theksuara antikombëtare dhe antidemokratike...
-Përse silleni ju, personalisht, kaq mirë me ne, zoti Çoku?- do të më pyeste një ditë i ndjeri dhe i burgosuri për “kafe”, Pali Miska, në burgun e Bënçës. Në dhomën ku vuante dënimin ai, ishin edhe të tjerë, anëtarë të lartë të nomenklaturës komuniste, disa nga të cilët jetojnë ende. U bënte përshtypje, siç duket mënyra si unë sillesha e bisedoja me ta,  pa mllefin e njeriut që kishte vuajtur për shkak të “biografisë së keqe”, pa inatin e njeriut ndryshe nga ata dhe pa sensin e hakmarrjes së fitimtarit - Nuk e kam këtë pyetje vetëm për vete, shtoi ai, por edhe të shokëve të mi këtu. Na bën shumë përshtypje sjellja juaj  për pozicionin që keni dhe për sa keni vuajtur nga komunizmi. Me sa dimë ne, vetë ju, zoti Bedri, keni vuajtur 23 vjet në burg. Po kështu edhe babai juaj, si edhe dy vëllezërit e tu... Keni qenë kulakë dhe jeni të shpronësuar... 
Të them të drejtën u gëzova që po më pyesnin vetë,  persekutorët e mi, në atë mënyrë. Kurrë nuk do t’ua kisha përmendur të kaluarën e tyre kriminale në pozicionin e drejtuesit të lartë të administratës së burgjeve.
- Por, kur të vjen muhabeti në shteg, u thashë, thotë populli ynë, thuaje se tjetri të merr për budalla, apo jo?...Ndërsa kureshtisë tuaj unë do t’i përgjigjem me një kundrapyetje, iu drejtova Pali Miskës - Pyetja ime është kjo: Cili nga ju do të më japë një përgjigje të sinqertë se ç’kuptim dhe ç’qëllim pati vallë lufta e klasës që ju bëtë pa e ndërprerë, qoftë edhe një sekondë për 45 vjet me radhë, qyshkur krijuat partinë komuniste me bekimin e jugosllavëve dhe deri sa e lëshuat pushtetin? E dyta, kujt i interesonte që nga një luftë e tillë imorale, vëllavrasëse he shkombëtarizuese, ta pësonin tre breza me radhë? Dhe sa jeni penduar për të gjitha këto?
Prita të jepte dikush përgjigje nga të 12-tët që ishin në dhomë, por asnjëri nuk guxoi.
- Atëherë po përgjigjem vetë, u thashë... Atë që ju, komunistët, bëtë për 45 vjet, nuk qe  asgjë tjetër veç detyrimin që patët për të shpërblyer ata që ju sollën dhe ju mbanin në pushtet, për ata që i urrenin shqiptarët dhe Shqipërinë... Por që të mbushej Shqipëria me burgje dhe kampe internimi, të vriteshin e të burgoseshin njerëzit më të pasur e më të ditur të Shqipërisë për hir të komunizmit tuaj, ma do mendja se asnjë shqiptarë i vërtetë nuk e ka dëshiruar dhe s’e dëshiron kurrë një gjë të këtillë...As që Shqipëria të rrethohej me tela gjembaç e rrymë elektrike për t’i mbytur të gjithë ata që donin të braktisin robërinë dhe diktaturën barbare...As që të prisheshin kishat e xhamitë, të shpalleshin njerëzit besimtarë armiq të partisë e të kombit të tyre... Fëmijët të urrenin prindërit, motrën, vëllanë pse ata mendon ndryshe nga njerëzit e diktaturës...Gruaja të ndante burrin pse ai shpallej armik i Partisë Komuniste...Babai të spiunonte të birin nëse ai fliste keq për partinë, apo donte të arratisej; gruaja të spiunonte të shoqin nëse ai bisedonte me miqtë apo shokët e tij për pakënaqësitë ndaj shtetit dhe diktaturës së proletariatit; motra të  tradhtonte vëllanë nëse këtij i pëlqente muzika e huaj dhe moda perëndimore... etj., etj që duan kohë e nge të thuhen me ditë e net të tëra. Megjithatë, ju do të thoni se i bëtë të gjitha këto, ngaqë kështu e donte ideologjia që ju mbronit. Ndërsa unë dhe ata që ju vratë, vodhët e burgosët me tërbim për 45 vjet dhe njerëzimi mbarë i sistemit demokratik që triumfoi në botë, thonë se ju vepruat në këtë mënyrë ngaqë donit të bënit politikën e armiqve të Shqipërisë e të kombit tuaj, serbëve dhe grekëve, të cilët na kanë grabitur  gjysmën e truallit amtar... Që nuk duan të na shohin kurrë të pasur, të zhvilluar dhe të lidhur me shtete të fuqishëm në botë...Nëse nuk e keni kuptuar dhe s’jeni penduar për çka bëtë mbi popullin dhe Shqipërinë tuaj, jo pak por gjysmë shekulli, paçi veten në qafë dhe fëmijët e të afërmit tuaj që do të mendojnë se jeni dënuar si të pafajshëm dhe do të përpiqen të vënë gur në rrotat e demokracisë sonë të brishtë ...Dhe,  ky do të ishte krimi i dytë i bërë nga ju...Ndërsa unë dhe cilido që ka luftuar e vuajtur prej jush, pse ka qenë kundra jush dhe për shtetin demokratik, nuk do të sillemi si ju, sepse ndryshe do të    bënim të njëjtën gjë, siç bëtë në favor të armiqve të kombit dhe të vendit  tonë... E treta, të jeni të sigurt se pjesa më madhe e atyre që vuajtën nga regjimi juaj, të tillë bindje dhe sjellje kanë, po si unë. Prandaj, mos e kuptoni ndryshe sjelljen tonë, si dobësi apo frikë. Është thjeshtë përgjegjësi ndaj vuajtjeve tona dhe të popullit të pafajshëm, është përgjegjësi për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë...Asnjeri nuk mund të jetë i ndershëm dhe demokrat po nuk nderoi dhe respektoi vuajtjet dhe sakrificat e popullit të vet ...
Vini re:
Askush nga fëmijët e nomenklaturës kriminale komuniste nuk i zë me gojë vuajtjet e popullit në diktaturën komuniste. I janë qepur sot e gjithë ditën, që nga viti 1992, vetëm   Sali Berishës, thua se ai është shkaktari i krimeve të komunizmit, meqë kishte pasur në xhep një tesere partie, (të cilën mund ta mbante në atë kohë cilido që e realisht e urrente komunizmin), si dhe për fatkeqësitë e ndodhura këto njëzet vjet në Shqipëri, në daç pse ai krijoi dhe drejtoi partinë opozitare për përmbysjen e regjimit të komunistëve në vitin  1992, në daç për rebelimin serbo-greko-komunist të ’97 –tës që u realizua dhe u drejtua nga vetë komunistët dhe sigurimi i tyre i shtetit, në daç edhe pse ua mori përsëri pushtetin në vitin 2005, si edhe pse gjatë legjislaturës së kaluar ai priti dhe përcolli për herë të parë në Shqipëri Presidentin e Amerikës dhe ishte po ky kryeministër kur Shqipëria u pranua me të drejta të plota anëtare e NATO-s, madje po në këtë kohë u   aplikua vendi edhe për anëtare në BE. E sulmojnë çunat dhe çupat e baballarëve të regjimit të urryer të diktaturës, Sali Berishën, sepse ai për herë të parë përgatiti zgjedhje politike si asnjë herë në historinë e pluralizmit shqiptar dhe i fitoi ato, madje po ky kryeministër i së djathtës shqiptare inauguroi edhe ndërtimin e rrugës strategjike me vlera të jashtëzakonshme kombëtare, Durrës-Kukës, si edhe dhjetëra e qindra të tjera që u  asfaltuan nëpër fshatra...
Ishin pikërisht komunistët dhe fëmijët e tyre ata që u rebeluan në vitin 1997, vetëm për të marrë pushtetin me dhunë, sepse njëqind herë të votohet në Shqipëri, asnjëherë ata nuk fitojnë me vota të lira e të ndershme. Paçka se ç’thotë Gjinushi e & se me gjasë, e majta  që përfaqësohet nga komunistët, spiunët dhe bijtë e tyre, qenkan shumica në Shqipëri.  Sipas kësaj logjike, i bie që bota të mësojë se shqiptarët i besojnë ende kriminelët dhe spiunët e sistemit gjakatar komunist dhe fëmijët e bllokmenëve, për të ndërtuar edhe demokracinë në Shqipëri?!!... 
Qajnë e ulërijnë pse bota perëndimore e demokratike nuk u jep të drejtë ligësisë dhe synimeve të tyre për të marrë pushtetin me çdo kusht e për të deformuar demokracinë në Shqipëri...Ulërijnë e demonstrojnë histerizëm, sepse ishin mësuar të bënin ligjin në Shqipëri me një pushtet të pamerituar...se ishin të privilegjuar qysh në barkun e nënës dhe lindnin me yll në ballë, siç ua vuloste partia mëmë, se vetëm atyre u takonte Shqipëria  dhe sundimi i popullit, si më të mençurit dhe “trima të xha Jahos” për të qeverisur shtetin   e fituar nga gryka e pushkëve serbe...
Mirëpo, iku koha kur strategjia e Lindjes bënte politikën dhe ekonominë e Shqipërisë, rriste pinjollët e baballarëve me shkollë e kulturë komuniste për të mos e çuar kurrë   Shqipërinë atje ku e dëshironin “armiqtë e politikës anti-sllave”, në anën e Evropës Perëndimore dhe të Amerikës...
Qajnë e ulërijnë me histerizëm pse shqiptarët sot dëgjojnë më tepër të “huajt perëndimorë” dhe votojnë për Shqipërinë Perëndimore, jo për doklet, ruçët, gjinushët  dhe fëmijët e bllokmenëve, që e duan Shqipërinë dhe popullin për ta pasur, si dikur prindërit e tyre, parajsë me bujkrobër, sa herë ua kërkonte nevoja e partisë dhe e pushtetit popullor, të fituar me grykën e pushkës...E duan vendin të izoluar dhe të braktisur nga shtetet e zhvilluara perëndimore dhe Amerika, mu tamam si një dele e zezë, si dikur, që për interesat antishqiptare të sllavëve, zgjidheshin dhe rizgjidheshin nëpër tribunat e qeverisë e të shtetit vetëm ata, komunistët dhe shërbëtorët e tyre që i urrenin shqiptarët dhe kombin e tyre...
“Bëmë baba të të ngjaj!”, thotë proverba popullore. A nuk po përgojojnë sot socialistët –ramaistë, si dikur prindërit e tyre, të gjitha shtetet dhe institucionet perëndimore, pse ata nuk i favorizojnë për të marrë pushtetin e pamerituar, si atëherë prindërit e tyre që prisheshin me “miqtë e përjetshëm”, sa herë u prisheshin interesat e ngushta personale dhe klanore? Edhe atëherë, baballarët dhe gjyshërit e tyre, kështu shanin Titon, Hurshovin, Tien Sao Pinin, pse ata u kërkonin të largoheshin nga pushteti i pamerituar dhe jepnin llogari për krimet gjatë luftës dhe pas saj. U prishën me Jugosllavinë, me Bashkimin Sovjetik, me Kinën e Madhe dhe të gjitha vendet e tjera komuniste, vetëm sepse ata i këshillonin që të mos zhvillonin më luftë klase, si një nga shkeljet e rënda e  flagrante të të Drejtave të Njeriut të pafajshëm...
Siç duket, djemtë dhe vajzat e paraardhësve komunistë nuk e duruakan dot jetën 8 vjeçare pa pushtet...Tëpkë, si prindërit e tyre që sunduan 45 vjet të sekterrisur nga bota e qytetëruar...
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00