Home | Opinion | Skandali i Bankës, tulla e fundit e piramidës shtetërore

Skandali i Bankës, tulla e fundit e piramidës shtetërore

image
Por kampionin e skandaleve të gjertanishëm e madje edhe të ardhshëm e mban skandali më i fundit i Bankës së Shqipërisë, i cili me asnjë mjet, me asnjë arsyetim, me asnjë propagandë nuk mund të justifikohet, qoftë dhe në masën minimale.

 

 

 

Nga Gjon BRUÇI

 

 

 

 

 Gjatë këtyre njëzet e ca viteve të shtetit tonë të vetëquajtur demokratik, seriali i skandaleve nuk ka të sosur. Me plot “meritë” shteti ynë aktual mund të quhet shtet i skandaleve, ose më shkurt “shtet skandaloz”. Kaq shumë skandale ka realizuar shteti ynë “demokratik” qysh nga ditëlindja në vitin 1990, sa numri i tyre ia kalon viteve të moshës që ka sot. Secili skandal më i madh e më interesant se tjetri, me një kurbë rritjeje në cilësi, çka ka mundësuar që skandali i radhës të mbulojë paraardhësin.

 Por kampionin e skandaleve të gjertanishëm e madje edhe të ardhshëm e mban skandali më i fundit i Bankës së Shqipërisë, i cili me asnjë mjet, me asnjë arsyetim, me asnjë propagandë nuk mund të justifikohet, qoftë dhe në masën minimale.

 

Ndodhi 97-ta, katrahura që çoi në shembjen e shtetit dhe vetëm “pykat” me helmetat blu të ndërkombëtarëve e ngritën përsëri në këmbë. Por u gjet njëfarë justifikimi. Të paktën formalisht. Dhe ky justifikim kishte në bazë “Piramidat” financiare të Sudes me shokë e shoqe, që “ia hodhën” shtetit tonë të urtë e axhami... Ndodhi grusht-shteti i vitit 1998, por përsëri u justifikua e u amnistua duke ia lënë fajin gjaknxehtësisë momentale, shkaktuar nga vrasja e liderit të demokracisë... Ndodhi “Hiroshima” e Gërdecit, por meqenëse ishte më e vogël se Hiroshima e vërtetë dhe nuk ishte realizuar me bombë atomike, por me barut municionesh, u shoqërua me “gabimin njerëzor gjatë saldimit të karrocës”... Për të mbërritur tek skandali i 21 Janarit, ku vrasja e qytetarëve të pafajshëm në mes të bulevardit nga Garda e Republikës (më saktë nga garda e Saliut) u justifikua dhe u motivua me “Mbrojtjen e institucioneve të shtetit demokratik...”.

 

Vjedhja e Bankës së Shqipërisë, jo nga jashtë, por nga brenda, nga vetë punonjësit e saj, një vjedhje që ka vijuar për 4-5 vjet radhazi (ndoshta dhe më shumë) është e pamundur të justifikohet me asnjë lloj logjike njerëzore e tokësore. Përmasat e këtij skandali rriten në infinit, jo thjeshtë nga vlera prej 7 milionë dollarësh që janë deklaruar të vjedhura, por nga qetësia olimpike e drejtuesve të kësaj banke dhe e politikanëve, deputetëve dhe qeveritarëve që kullandrisin pasurinë dhe jetën e qytetarëve. Deklaratat që nga ato fillestaret e gjer tek të fundmet, të politikanëve e pushtetarëve për këtë çështje, të cilat u nxorën si me “grep” nga gazetarët, ishin më skandaloze se vetë skandali i vjedhjes në fjalë. A thua se ishte vjedhur një dyqan argjendarie në një lagje të Tiranës apo shitorja e një tregtari që shet domate tek pazari i ri.

 

Përveçse me shumë vonesë, disa ditë pas vjedhjes, Kryetari i Parlamentit, në vend që të mblidhte urgjentisht institucionin që drejton për të shkarkuar e vënë në dispozicion të drejtësisë përgjegjësin kryesor të vjedhjes, në rastin konkret guvernator Fullanin, lëshon një deklaratë ku thotë se “Vjedhja e Bankës është diçka e papëlqyeshme...” dhe së bashku me deputetët që kanë bërë e bëjnë ligjet me vrima lehtësuese për hajdutët, ia ther me pushime në gjirin e Lalëzit dhe në garat me “kovat me akull” që kanë planifikuar të zhvillojnë këto ditë. Në të njëjtën linjë në formë e në përmbajtje për këtë problem është dhe vetë kryeministri, duke e mbyllur repliken me një: “Nuk kam kompetenca për t’i kërkuar dorëheqjen Guvernatorit”, një përgjigje që mund të deklamohet vetëm në ndonjë shfaqje estrade. Duke lënë mënjanë Presidentin, i cili edhe në ka thënë ndonjë gjysëm fjalë për këtë punë, e kanë dëgjuar vetëm këshilltarët e tij më të afërt. Sa për Berishën, me opozezën e tij, nuk pritej të bënte deklaratë tjetër, përveçse në mbështetje të Guvernatorit, që u dashka falenderuar e shpërblyer mbasi e denoncoi vetë vjedhjen e... tij!!!

 

Në ditët e para të skandalit të pakrahasueshëm me skandalet e tjera, kishim dy pamje: Nga njëra anë qytetarët e revoltuar në shkallën më të lartë për këtë vjedhje rekord për nga mënyra dhe personazhet e saj, dhe në anën tjetër politikanët dhe pushtetarët që kishin fshehur kokën si struci, në pritje të ndonjë skandali tjetër që do të mbulonte të parin. Dhe skandali i radhës nuk vonoi: Ndonëse bëhej fjalë për një sjellje perverse të një nëpunësi të thjeshtë, shtypi dhe sidomos politika që e përdor atë sipas interesave, ndezën motorrët, duke ulëritur dhjetë herë më shumë se për lekët e Bankës.

 

Dhe ndërsa çështja e skandalit të nëpunësit sarandiot vijon mbi dhjetë ditë të jetë në krye të axhendës së politikës shqiptare, 7 miliardë lekët e shqiptarëve (konstatuar gjer më tani) të zhvatur në Arkën e Shtetit, kanë kaluar për t’u verifikuar në vjeshtë. Dhe në vjeshtë askush nuk mbetet në klasë. Kështu edhe Banka me Guvernator Fullanin dhe bashkëpunëtorët e tyre, me apo pa kopje e kanë të sigurtë kalimin e klasës. E shumta për vitin tjetër, apo me përsëritje klase do të përfundojë vetëm adashi i Fullanit, Ardiani i vetëdorëzuar e i vetëdeklaruar si “hajdut xhepash, e bixhozxhi i krisur...”.

 

Në ditët e para të skandaleve të Gërdecit e të 21 Janarit, nëse i kujtohet lexuesit, kryeministri Berisha ishte tulatur, kërrusur, zverdhur e “hyrë” si doku në ujë. Kjo për faktin se duke qenë autori kryesor dhe i drejtpërdrejtë i skandaleve në fjalë, nuk e kishte gjetur ende dhe plotësisht “kopjen” për “kalimin e klasës”. Ndërsa në rastin e skandalit të Bankës, asnjë nga politikanët e pushtetarët, madje as vetë Guvernatori i Bankës, përgjegjësi i drejtpërdrejtë i skandalit nuk patën ndonjë sëkëlldisje të madhe. Madje edhe “çakmaku” Braçe, ditën e tretë pas ngjarjes u venit dhe hyri brenda “frëngjisë” së Facebook-ut. Kështu, pas dy-tri prononcimeve e deklaratave steriotipe, të gjithë kaluan në gjendje "kazerme", duke vijuar punën në të njëjtat karrige që nga pesha e skandalit duhej të ishin thyer qysh ditën e parë.

 

 Në filmin shqiptar “Operacioni zjarri”, kërkesës së Kreshnik Martinit për të sqaruar se “Kush është kasketa”, Pjetër Mustakuqi, pasi e merr mënjanë Kreshnikun, i përgjigjet: “Çështja e kasketës është çështje e madhe…”.

 

Po, çështja e Bankës së Shtetit është e madhe. Jo vetëm për rolin primar në stabilitetin ekonomik të vendit, por në rastin konkret për allishverishet që janë luajtur brenda mureve të saj në këta njëzet e tre vjet të mbretërimit të lumpen-borgjezëve. Dhe kur them “lumpenborgjezët” kam parasysh të dy krahët e politikës, që ndonëse duhej të ishin krahët e shqiponjës, janë realisht krahët e korbit.

 

Po çfarë allishverishesh janë luajtur brenda Bankës sonë? Me hollësi i dinë drejtuesit e saj dhe mëtuesit e veprimeve të tyre, të cilat kurrë nuk do të bëhen publike. Ndaj ne qytetarëve na mbetet t’i marrim me mend disa gjëra, të cilat edhe pse nuk kemi mundësi t’i argumentojmë me fakte konkrete, jemi të bindur se godasim në shenjë.

 

 Allishverishi e ka nismën qysh tek ligji apo nenet e Kushtetutës që “rregullokan” veprimtarinë e Bankës në fjalë. Ajo, sipas ligjeve, megjithëse është Banka e Shtetit shqiptar, nuk u varka nga Shteti shqiptar. As Legjislativi që ka hartuar e miratuar ligjet dhe nenet e Kushtetutës, as ekzekutivi që i zbaton këto ligje e nene, nuk na e lëvizka dot bythën e Guvernatorit nga karrigia ku ata vetë e kanë vënë!!! Handikap të tillë nuk besoj se mund të ketë në asnjë lloj shteti, totalitar qoftë apo demokratik i shkallës më të lartë. Falë kësaj “pavarësie të pakufizuar”, Banka ka ndërtuar një shtet më vete brenda mureve të saj, një shtet të vogël në numër, por të fuqishëm në para, me të cilat bën çfarë i don zogu i qejfit, deri edhe duke i marrë ato e shpenzuar në kazino, në vila, në turizëm personal e familjar, në asete e prona private etj., etj. Vetë fakti që Guvernatori e ka rrogën katër herë e gjysëm më të madhe se Presidenti i Republikës, na tregon ashiqare se shteti dhe kryetarllëku nuk është as tek presidenti, as tek kryetari i parlamentit e aq më pak tek kryeministri. Shteti është tek Guvernatori, në rastin konkret me emrin Fullani.

 

Po pse i është dhënë kaq pushtet Guvernatorit të Bankës së Shtetit, sa askush nuk mundet ta lëvizë prej vendit?! Edhe kur vartësit e tij, brenda orarit zyrtar dhe nën “mbikqyrjen” e tij e të shtatë a tetë ndihmësve me honorare katër milionëshe në muaj, rrëmbejnë rregullisht e me sa u mbërthen dora për katër vjet më radhë monedhat fringo në arkën e shqiptarëve dhe me thasë plastmasi (apo materiali tjetër) i transportojnë nëpër ...arkat personale kushedi se ku?!

 

Këto kompetenca fantastike i janë dhënë Guvernatorit me qëllim që ai të kthehet plotësisht në një robot urdhër-zbatues i allishverisheve që ndodhin në arkën tonë të përbashkët, që siç po shihet sheshit e kanë vënë ndër këmbë hajdutët, gjer sa t’i nxjerrin fundin. 

 

 

Më shkoqur: Guvernatori, sot për sot nuk mund të lëvizet nga karrigia. Zëvendësimi i tij me një tjetër, “të papërgatitur” ende mund të na nxjerrë telashe. Së bashku me ndonjë prokuror “budalla”, duke kërkuar 7-8 milionët e Ardianit të vogël, mund të hasë pa dashje në milionat e miliardat e Ardianit të madh dhe "Ardianëve" që e kanë vënë në atë post. Madje, unë mendoj se allishverishi i kapërcen kufijtë e vendit tonë. Fakti që një gjysëm ore para mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës për shqyrtimin e propozimit për shkarkim të Guvernatorit, me këtë të fundit u takua miku i madh amerikan, ambasadori Arvizu, është jo vetëm domethënës, por edhe sqarues gjer në shterrim.

 

 

Në Bankën e shtetit shqiptar, nuk luhet vetëm komedia e “vjedhjes”, por edhe spektakli i pastrimit të parave që mbajnë gjallë bankat tona piramidë qysh nga kjo e madhja e Tiranës gjer tek më e vogla në Konispol apo Bajram Curri. Dhe paratë për pastrim nuk lindin vetëm në Shqipëri. Shumica e tyre vijnë nga vendet “mike” për tu “pastruar” tek mikpritësit me nam të vendit të shqiponjave.

 

 

Siç thamë në krye, çështja e Bankës, përfshi dhe inventarin e saktë të parave, është lënë për në vjeshtë. Është lënë në vjeshtë për dy qëllime pragmatiste: Të mos ua prishim humorin dhe terezinë e pushimeve verore nëpunësve të nderuar të Bankës dhe Guvernatorit të saj karizmatik dhe së dyti, t’u japim kohë atyre të gatisin “kopjet e provimit” me të cilat do të kalojnë klasën ata vetë dhe mëtuesit e tyre. Veprimi i kundërt, mund të na hapte “pusetën” e zezë e cila do të qelbte dynjanë...!

 

Një gjë tashmë është e qartë: Kolona financiare e shtetit tonë, që është Banka, ka rënë. Dhe kur bie financa që është tulla e fundit e piramidës, normalisht bie i gjithë shteti. Po ky i fundit, ngaqë nuk egziston realisht, nuk ka se si të bjerë, por vërtitet si një rreckë e grisur në duart e politikës dhe të mëtuesve dashamirës që e kanë vënë Shqipërinë ndër këmbë, jo për ta rrjepur, sepse atë e kanë realizuar tashmë, por për ta gëlltitur. 

 

 

Mjerë ne qytetarët që presim të “rilindim” nga një bark ku lëvrijnë lukunia e mikrobeve shterpëzuese për vendin e kombin.....

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0