Home | Opinion | Fullanët “bixhozxhinj” të shtetit “kazino”!

Fullanët “bixhozxhinj” të shtetit “kazino”!

image
Le të vijmë tek “Fullanët” e sotëm. Nuk e kam fjalën vetëm për Fullan Guvernatorin, por edhe për “Fullanin” në Presidencë, në SHISH, në Prokurori, në KLD etj., të cilët, janë të lidhur pazgjidhmërisht me njëri tjetrin. 

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi  

 

 

 

 

Dikush, edhe mund të çuditet nga skandali kohëve të fundit, ai i vjedhjes së Bankës së Shtetit. Por në fakt, këtu, nuk ka asgjë për t’u çuditur, po të kemi parasysh se në këto njëzet e katër vjet të të ashtuquajturit shtet ligjor, skandalet kanë qenë të njëpasnjëshme. Shteti që po përpiqemi ta ndërtojmë qysh nga koha e rënies së komunizmit, gjithçka mund të quhet, por vetëm shtet ligjor nuk është. Më së shumti, është një shtet i “hallakatur”, që përpiqet të plotësojë interesat e atyre që janë më afër pushtetit, por jo të qytetarëve. 

 

Këtë shtet, instaloi Sali Berisha, i cili nuk e përdori pushtetin në interes të qytetarëve, të konsolidimit të demokracisë, por për të kënaqur vetëm ato të klanit të tij. Institucionet e shtetit, ai i ka përdorur për të sulmuar kundërshtarët, duke i keqpërdorur këto institucione të pavarura në mënyrën më të keqe. Edhe shteti i diktaturës komuniste, ishte i ndërtuar mbi bazën e ligjeve që i shërbenin përjetësimit të diktaturës, dhe pavarësisht se si ishin ato ligje, ai i zbatonte me fanatizëm. Por veten e tij, ai shtet nuk e “turpëroi” të themi as edhe një herë të vetme. Në këto vite, pas rënies së komunizmit, shteti i ngjan më tepër një “kazinoje”, ku “bixhozxhinjtë”, shtetarë të shtetit, luajnë bixhoz me pasuritë e qytetarëve... Të ashtuquajturat reforma që ka bërë shteti “kazino” që ndërtoi regjimi berishist, më kryesorja, është ajo që grabiti pasurinë e nëntëdhjetë përqind të qytetarëve dhe ua dha atyre dhjetë përqind të klanit të tij! Dhjetë përqind e atyre që “mbajtën” në këmbë shtetin “demokratik” notojnë në luks dhe shumica tjetër, “llafosin me vete”! Fill pas rënies së shtetit të diktaturës, shtetarët e tij që humbën pushtetin politik, rrëmbyen menjëherë atë ekonomik, duke ndërruar vetëm ngjyrën e “pardesyve”! Qysh nga ajo kohë, kur kanë kaluar afro njëzet e katër vite, vazhdojnë politikanët tanë të ecin në po atë rrugë, sipas parimit “Rrëmbe, grabit, pasurohu dhe mendo edhe për të ardhmen, mendo edhe kur të mos jesh në pushtet”! 

 

Dy herë “demokratët” kanë rënë nga pushteti gjatë këtyre njëzet e katër viteve dhe të dy herët, e kanë çuar shtetin në “zero”! E megjithëkëtë, vazhdojnë të “bëjnë ligjin”, pa u hyrë gjemb në këmbë, në një kohë që ekonomia merr vetëm tatëpjetë! Ata janë përpjekur, të punojnë jo vetëm për të tashmen e interesave të tyre por edhe për të ardhmen, pra që interesat e shtetarëve të ngjyrës së tyre, të mos lëkunden edhe pasi ata të kenë dorëzuar pushtetin politik. Këtë e tregon më së miri pushteti që sapo lamë pas, pushteti i Sali Berishës. Më së shumti, pushteti i Sali Berishës do të hyjë në histori, si pushtet që i ka shërbyer vetëm interesave të tij dhe klanit që ai përfaqësonte. A nuk e përdori Sali Berisha, ILKDP-në, për të hetuar vetëm pasuritë e kundërshtarëve, e që kërkojnë të kthejnë atë staf, përsëri në krye të saj? A nuk janë bindëse faktet që po dalin sot ato ç’ka kanë bërë “palaçot” e atij pushteti me pasurinë e qytetarëve? A nuk e përdori ai Policinë e Shtetit, për të t’ja kundërvënë organit të akuzës, për të mos ndëshkuar fajtorët që vranë në mes të ditës në bulevard? A nuk e përdori ai organin e SHISH-it, për të survejuar vetëm kundërshtarët, e të vetët të livadhisnin të qetë? A u ndëshkua kush nga shtetarët për tragjedinë e Gërdecit, nga ana e uraganeve të drejtësisë, të “komanduara” nga regjimi berishian? Organet e drejtësisë ai i përdori për të ndëshkuar kundërshtarët, por jo fajtorët e tragjedive e skandaleve! Kjo është njëra anë. Ana tjetër, është se Sali Berisha, edhe mbas dorëzimit të pushtetit politik mban ende gjallë ata që i ka shpërblyer në kohën e vet, ata që janë ende të paprekur e vazhdojnë rrugën e nisur prej tij. Sali Berisha ka instaluar një kastë çifligarësh, të cilët me fuqinë ekonomike që kanë, zor se i lëviz kush. Koalicioni i sotëm qeverisës po përpiqet që diçka të bëjë, diçka të lëvizi për të kuptuar se shteti ligjor po vepron, por po tregohet i pafuqishëm për të bërë realitet angazhimet e marra për të shkallmuar nga rrënjët “kastën” berishiane. Faktet tregojnë se sa më shumë kalon koha, aq më shumë po dalin në pah skandalet dhe dallaveret e pushtetarëve të regjimit të kaluar. Edhe ato pak “gërmime” që ka bërë koalicioni i majtë në këtë “ngrehinë”, përveç disa copa “suvaje” që kanë rënë nga “tavani”, asgjë më shumë nuk ka lëvizur nga themelet e “betonuara” të korrupsionit që konsolidoi pushteti i kaluar.

 

Le të vijmë tek “Fullanët” e sotëm. Nuk e kam fjalën vetëm për Fullan Guvernatorin, por edhe për “Fullanin” në Presidencë, në SHISH, në Prokurori, në KLD etj., të cilët, janë të lidhur pazgjidhmërisht me njëri tjetrin. Pse Fullan Guvernatori të mos bëjë “përshesh” kur gjen “shesh”!? Ai jo vetëm që bën “përshesh”, por edhe qesh e tallet! Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Fullani del në mesin e këtij skandali të rradhës e na shet përralla, që “për tremujorin e parë të këtij viti, rritja ekonomike ishte 1.65 %! Jo vetëm që ky çifligar, nuk jep llogari për këtë skandal, por del në konferenca shtypi e tregon përralla. Historinë e vjedhjes së thesarit, të gjithë e dinë dhe për të mos u zgjatur, dua të them vetëm disa gjëra, që vetëm në njeri si Fullani mund t’i thotë. “Vërtet u bë vjedhja e lekëve, thotë Fullani, por thesari, nuk u prek”! Rrini të qetë qytetarë, na thotë Fullani, se thesarin e keni të “sigurt”! Dhe Fullani vazhdon: “Vërtet u vodhën lekët, por elementët e sigurisë, nuk u prekën”! Se çfarë do të thotë Fullani me elementët e sigurisë që nuk janë prekur, këtë e di vetëm ai, por ne që nuk marrim vesh nga kjo punë, dijmë atë që vetëm me “elementë sigurie” nuk mund të blejmë asgjë! Më tej akoma, në një media, disa ordinerë shkruajnë se “paratë që u vodhën, ishin ato të cilat do të hiqeshin nga qarkullimi”! E thënë më troç, hajdutët “Fullanë” që u arrestuan, kanë ndihmuar Komisionin e Fullanit dhe për këtë, edhe ata, edhe Fullani si shef, duhet të dekorohen dhe jo të arrestohen. Qesh apo nuk qesh Fullani me ne. Po pse të mos qeshë, kur një zyrtar i lartë i mazhorancës qeverisëse, thotë: Drejtësia të veprojë dhe autorët të marrin ndëshkimin maksimal”! Çfarë zbulimi! Autorët e vjedhjes janë fajtorët, përgjegjësit e tyre duhet të dekorohen! A do shumë mend kjo, për të kuptuar se nesër, me përgjegjës si Fullanët, të tjerë autorë do të vazhdojnë avazin e atyre që i luajtën bixhoz paratë e shtetit! E njëjta gjë, si skandali i mëparshëm kur u vodh thesari i Shtetit, ku “autorët” ishin disa fshatarë me gomerë që u ra rruga të kalojnë njëherë andej nga ishte floriri! 

 

Bixhozxhiu Fullani, nuk është përgjegjës vetë për këtë vjedhje, por për vjedhjet e çdo muaji që ai i bën “Çifligut” të tij e që quhet Bankë Kombëtare! Fullani i vjedh, me pagat e tij e të tarafit të tij, që marrin sa t’u dojë qejfi, që t’i japi kujt të dojë e të shpërblejë me shuma marramendëse, kujt t’i dojë qejfi! Edhe sikur “çifligun” e tij ta kishte, do të zbatonte disa rregulla e do të pyeste disa të tjerë. Kurse Fullani nuk pyet askënd në këtë shtet “sylesh” që Fullani, ja ka zënë “kokën me derë” duke iu punësuar të afërmit e tyre, dikujt bashkëshorten e dikujt vajzën. Ku do të gjenin “bollëk” më të madh të afërmit e pushtetarëve, të djeshëm e të sotëm se sa tek Banka “Fullani” ku paratë janë “male”? Asgjëkundi tjetër! As Fullanit, as pushtetarëve, qysh nga “kapter Nishani e deri poshtë, nuk i intereson ajo, që është vjedhur Banka Kombëtare, përderisa paratë e tyre, nuk preken. Atyre nuk i intereson as ajo, që pavarësisht shumës së vjedhur, mbi të gjitha është përdhosja që i bëhet identitetit të Kombit, siç është leku, ashtu si edhe Flamuri. Duke patur krahët e “ngrohtë” Fullani, pse të mos tallet me qytetarët e t’u sigurojë atyre “rritje ekonomike edhe në të ardhmen? “Mos luani me mua, thotë, sepse tremujorët e tjerë të këtij viti, do të siguroj një rritje ekonomike shumë herë më të madhe, pavarësisht se u vodhën disa para”! Është i kënaqur Fullani, i cili ka ushtruar kontrolle sipas ligjit, por ja që disa hajdutë kanë vjedhur! Shteti i Diktaturës e ruajti të paprekur thesarin e tij, lingotat e floririt që u a mori “Fullanëve” të paraluftës, dhe ua la të gatshme që t’i vidhnin “Fullanët” e “demokracisë”. 

 

Madhështia e Fullanit, ka “shkëlqyer” veçanërisht në këto vitet e fundit të krizës globale. Jo vetëm që “çifligu” i Fullanit nuk e ka ndier krizën, por ka “notuar” në bollëk me paratë që vijnë nga djersa e qytetarëve. Janë të shpeshta daljen e zëdhënësve të opozitës në konferenca shtypi, për probleme që ata i konsiderojnë shqetësuese. Ata ankohen për largimin nga puna të ndonjë polici, apo për emërimin e ndonjë të “inkriminuari”. Bëjnë propozime e kërkojnë me insistim të ngrenë edhe Komisione hetimore për ofendimet që i janë bërë Strazimirit, por asnjëherë nuk shqetësohen për këtë skandal të përmasave të tilla. Opozitarët nuk flasin për “ujkun” por për “gjurmët”! Ata kanë aftësinë edhe të sajojnë të paqena, e të mos flasin për ato që venë në rrezik interesat kombëtare. “Zjarrvënësit” e tipit Paloka shkojnë edhe më tej, kur reformën territoriale e konsiderojnë si një diskreditim që i bëhet veriut! Sa u “digjet” barku këtyre “baballarëve” të Kombit, për Kombin e vet! Me të tilla “shashka”, berishianët duan të spostojnë vëmendjen e opinionit, me qëllim që “ujqërit” Fullanë, që bëjnë kërdinë ndër “dhen”, të ndihen të qetë.......

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00